E diele, 28.04.2024, 02:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndahet nga jeta babai i komedisë italiane

E hene, 09.06.2008, 10:19 PM


Dino Rizi, artisti që u tregoi bashkëkombësve cilët ishin

Konsiderohet ati i komedisë italiane, por njihet shumë mirë edhe nga publiku shqiptar për filmat e realizuar me të mëdhenjtë e kinemasë italiane si Ugo Tonjaci, Alberto Sordi, Vitorio Gassman e të tjerë. Njihej gjithashtu edhe si regjisori pas të cilit dashuroheshin thuajse të gjitha aktoret që kishin rast të punonin me të. U nda nga jeta para dy ditësh në moshën 91-vjeçare. Konsiderohej si burrë tepër i pashëm, i gjatë, elegant, me trup të rregullt, aq sa i bënte bashkëpunëtorët e seksit tjetër të ndiheshin si të tërhequra nga një magji e pashpjegueshme drejt tij. Ishte serioz dhe hijerëndë, për disa edhe ekzotik. Bir i mjekut të Tetrit të njohur "Scala" të Milanos, edhe vetë i specializuar në psikiatri, gjë që ndoshta e vishte me sjelljen e njeriut që nuhat menjëherë gjithçka nga personaliteti i atij që ka përballë.

Shumë i ngritur nga pikëpamja intelektuale dhe i njohur për pikëpamjet antifashiste. Ish-asistent i dy regjisorëve të tjerë të mëdhenj të vendit fqinj, Alberto Latuada dhe Mario Soldati. I dashuruar marrëzisht pas aktores Alida Vali, për dëshpërimin e madh të ish-mësuesit Soldadi, edhe ky i dashuruar kokë e këmbë pas aktores bukuroshe. U arratis nga Milano për të mos u marrë ushtarë nga forcat e armatosura fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u vendos në Zvicër ku takoi një vajzë me origjinë gjermane me të cilën më pas edhe do të martohej e do të kishte dy fëmijë Klaudion dhe Markon.

Të gjitha, ose thuajse të gjitha, femrat që punonin me të herët e vonë e gjenin veten të dashuruara pas tij, pavarësisht sjelljeve të tij të prera e ndonjëherë të ashpra (ndonjëherë edhe të sikletshme): në vitin 2002, kur në festivalin e Venecias i dorëzuan titullin "Luani i artë për karrierën", dikush e dëgjoi të mërmëriste nëpër dhëmbë "shkoni pi... të gjithë".

Në fakt, çmimi në fjalë, edhe pse do të ishte ëndërr për të gjithë kolegët e tij, nuk i kompensonte dhjetëvjeçarët e kaluar nën frustrim: për një periudhë shumë të gjatë kohore kritika e kishte konsideruar thjesht komedian, një komik që drejtonte komikët përpara kamerës. Ishte shumë vonë kur nga qarqet e kritikës nisi të vlerësohej për atë që ishte vërtet një artist i arrirë.

Qe një regjisor i madh që pati avantazhin të punonte gjatë të paharrueshmëve viteve gjashtëdhjetë, kur skenaristët qenë të zgjuar e ironikë (Age e Skarpeli, Rodolfo Sonego, Skola e Makari), aktorët qenë të zotët e me peshë, (Ugo Tonjaci, Alberto Sordi, Vitorio Gasman) dhe kur kinemaja italiane gëzonte statusin e industrisë, kur edhe vetë Italia ishte e ndezur dhe e furishme.

Filmat

Ndër rreth 50 filma të drejtuar nga Dino Rizi të paktën 5 janë kryevepra të mirëfillta.

"Të varfër, por të bukur" i vitit 1956 pati një sukses të jashtëzakonshëm: shënonte tranzicionin nga neorealizmi i pasluftës te komiciteti pozitivist, të cilin pak ditën ta nuhatnin e për më tepër t‘ia transmetonin publikut. Ishte një rrëmujë e vërtetë ala italiana. Interpretohej nga pesë aktorë të rinj: Marisa Allazio, Lorela De Luka, Alesandra Panaro, Mauricio Arena, Renato Salvatori, krejt të panjohur për publikun, por u pëlqye jashtëzakonisht shumë.

"Një jetë e vështirë" me Alberto Sordin i vitit 1961, edhe ky po aq i bukur: satirë therëse e bumit të Italisë së atyre viteve, rrjedha e trishtë e jetës së një italiani ekzemplar, fillimisht partizan, më pas gazetar i një të përditshmeje të majtë në Romë, e më pas zëdhënës multifunksional i një industrialisti me karakter shumë të keq. Sidomos finalja e filmit është epike: gjatë një feste padroni poshtëron sa më s‘ka Sordin, ky i jep një shuplakë duke e hedhur në pishinë për t‘u larguar dorë për dore me të shoqen Lea Masarin.

Te "Marshimi mbi Romë" i vitit 1962 punoi me aktorët Gasman e Tonjaci, i pari trimosh i rremë e i dyti humbameno i rremë. Të papunë e të pangrënë përziheshin me fashistët gjatë marshimit mbi Romë.

"Parakalimi", po i vitit 1962, është ndoshta edhe më i famshmi ndër filmat e Rizit: në çastin kur, gjatë një udhëtimi me makinë që vlen si dëshmi besnike e Italisë së shtresës së pasur, ndodh një aksident nga i cili shoku i udhëtimit mbetet i vdekur, Gasman as që e di emrin e tij në çastin kur i kërkohet nga policia. As që i ka shkuar ndër mend ta pyesë.

"Përbindëshat" i vitit 1963, i cili përbëhet nga 20 episode të shkurtra, është një komedi "ala italiana në formën e pilulave", e cila nuk ka dalë edhe sot e kësaj dite nga mendjet e njerëzve. Aq sa edhe emisioni i njohur satirik italian "Striscia la notizia" ka një rubrikë të quajtur "Përbindëshat e rinj". Në një prej pilulave tregohet Ugo Tonjaci që i mëson me ngulm të birit në moshë të vogël si të bëjë jetë të shthurur, apo një botuese që e bën këtë punë për të pasur rastin të bëjë dashuri me shkrimtarët e rinj.

Termi komedi italiane, në fakt, është një term jo shumë i saktë. Në të vërtetë, satira e Dino Rizit, ashtu si edhe e të tjerëve, binte vetëm mbi borgjezinë e vogël të Romës: në rast se merrej me shtresën e lartë si në filmin "Torturomë, por mbushmë me të puthura" e bënte vetëm për të nxjerrë në pah injorancën dhe marrëzinë e saj.

Njëherësh nuk qe i pandjeshëm as ndaj aktualitetit të jetës italiane ("Gruaja e Priftit"), ndërkaq qe i vetmi regjisor italian i asaj epoke që guxoi të rrëfente raportin e vështirë mes një babai borgjez e të birit terrorist (I dashur baba). Pas këtyre dy filmave duket sikur e humbet dëshirën për të dhënë shuplaka, bëhet disi apatik, mezi njihet. Shkon të jetojë i vetëm në një rezidencë të bukur. Realizon edhe një tjetër film me titullin domethënës "Po iu lë të qetë", ku rrëfehet historia e pasionit të një moshuari për një vajzë të vogël, film që në qendër më shumë se gjithçka tjetër kishte vdekjen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora