E diele, 27.07.2025, 05:02 AM (GMT+1)

Kerko: a

Nebi Dragoti: Nuk e dimë ku po shkojmë

E enjte, 16.01.2014, 08:23 PM


NUK PO DIMË ÇFARË PO BËJMË,

NUK E DIMË KU PO SHKOJMË…

NGA NEBI DRAGOTI

Koncepte patriarkale, koncepte kanunore kërkojnë goditje shumë të ashpër për t’i çrrënjosur nga mendja dhe sjellja e njeriut me njeriun. Kemi të bëjmë me një çiban subjektiv  sëmundjeje në trurin e njeriut që aspak nuk është në shërbim të jetës dhe kohës që jetojmë. Kjo virozë ka prek psiqikën, ka prek karakterin duke e çuar në regres tek individë, që,  për shoqërinë,  janë problematikë dhe tepër shqetësues. Duhen gjetur mënyrat dhe format, organizimi i punës për të gjunjëzuar dhe minimizuar, gjer edhe për ta groposur përgjithmonë hakmarrjen dhe gjakmarrjen. Pse parashtroj para opinionit publik këtë ide?Çdo veprim që bën njeriu në jetë ka një masë llogjike që mat se cila është vlera për jetën e gjithsecilit dhe cila është kundravlera. Kjo a është për të mirën e individit dhe të mbarë shoqërisë?Tek e fundit a është zhvillim?Dikur,  në një kohë të largët, dy fise ishin në gjakmarrje. Vrit njëri e vrit tjetri. Kështu po shkonin  drejt zhdukjes së fisit. Dhe , pak a shumë, mbetën dy pleqtë kundërshtarë dhe pak fëmijë. U ra ndërmend dhe pyetën veten:”Ç’po bëjmë?Po zhdukemi vetë si fis. Kjo është “fitorja” e gjakmarrjes?”Kjo s’ka sesi të quhet fitore, kur nuk ka vlerë pozitive në dukuri dhe esencë. I dërguan lajm njëri-tjetrit, e pleqëruan në mënyrë burrërore dhe vendosën armëpushim duke ndaluar dhe dënuar, kështu, fenomenin e gjakmarrjes, sepse është produkti më i hidhur që nuk sjellë asnjë dobi, veç dëmtimit në marrjen e jetës së tjetrit për shkaqe nga më të ndryshmet. Shkaku, pra, sjell këtë pasojë tronditëse, kur mungon edukimi, emancipimi dhe toleranca si vlerat më pozitive të njeriut. Emancipimi dhe toleranca, në shoqërinë e re demokratike, kërkojnë një kultivim të kujdesshëm filozofik dhe , kryesisht, së pari, kjo duhet të bëhet nëpërmjet shkollës në mënyrë sa më shkencore, rigoroze dhe edukative. Bindja , edukimi për ta pajisur njeriun me vlera pozitive, që armatosin psiqikën e çdo individi, është kulturë e re, është zhvillim i ri, me të cilën shoqëria jonë duhet të performohet. Ata , që kërkojnë hakmarrje dhe gjakmarrje nuk analizojnë drejt shkakun pse arriti kjo gjendje, ku shkaku (shkaktari) është fajtori kryesor i nxehjes së gjakrave. Ndërsa vrasësi është dominuar nga motivi më i keq regresiv psikollogjik, ku nuk përdor forcën e llogjikës, tolerancën apo rrugëzgjidhje më të mirë, por përdor forcën fizike duke përdorur armën. Këtu injoranca triumfon duke arritur kulmin më negativ. Në këtë arsyetim mungon gjykimi sa më njerëzor në marrje vendimi të nxituar dhe antinjerëzor, që është veprimi më i dënueshëm nga mbarë opinioni i shëndosh i shoqërisë. Shoqëria këtu ka fushë veprimi  dhe njëkohësisht ka forcën morale më të madhe për të ndikuar pozitivisht në parandalimin e fenomenit të gjakmarrjes. Të gjykosh në këtë prizëm, lëvizja e shoqërisë nuk është aktive, pra, aktiviteti i saj është  nul. Që të punojë shoqëria në këtë drejtim duhet ta vesh në punë, të ketë përpara plan të detajuar konkret për zbatim. Këtë nxitje dhe drejtim duhet ta bëjë politika me efiçencë më të plotë dhe duke ndjekur problemin hap pas hapi. Ministria e Mbrendshme , në këtë aspekt, determinon dhe është më rezultative, po të aktivizohet, pasi e ka dhe natyrën e punës së vet. Ajo evidenton lehtë vatrat e hakmarrjes dhe gjakmarrjes nëpërmjet bashkëpunimit me popullsinë, e cila e mbështet në këto motive tepër delikate. . Mirëpo, një aksion i tillë i armës së ruajtjesa së rendit, gjer tani, ka munguar dhe nuk është punuar fare, prandaj dhe ky lloj krimi vazhdon dhe është bërë tepër shqetësues dhe i përhapur në këtë kohë. Kjo tregon më së miri se dhe forca e shtetit nuk ka qënë dhe nuk është në lartësinë që kërkohet. Kështu me këto qëndrime që mbahen, krimineli është i lirë të bëjë krime, madje, dhe me armë zjarri në sy të publikut. Po të ngrihen të gjithë për shërimin e kësaj plage dhe duke punuar në maksimum, patjetër do të arrihen rezultate tepër të kënaqshme. Është shumë lehtë që ky lloj krimi të izolohet totalisht. Mjafton të kesh vullnetin e mirë me një nivel pune të përkushtuar në maksimum. . Kështu do të çlirohen edhe familjet e ngujuara dhe fëmijtë e tyre do të gëzojnë të drejtën e shkollimit. Për këtë duhet edhe qartësia për të pasur levat më të favorshme duke u aktivizuar mbarë politika shqiptare e inkuadruar në front unik me anë të së cilës kurorëzohet fitorja. Kryepleqësia, shkollat e kolektivat mësimdhënës, intelektualët, personalitetet e letrave shqipe me krijimtarinë e tyre, duhen aktivizuar në këtë front, që është në të mirën e përbashkët. Mediat vizive dhe ato të shkruara duhet të elektrizohen me këto probleme dhe të ngrejnë peshë opinionin e shëndosh shoqëror duke u marrur me këtë fenomen e duke e dënuar atë me forcën e fjalës. Mediat duhet të avancojnë progresivisht duke u larguar e duke mos i qëndruar besnik, në mënyrë statike e fotografike lajmit, sidomos me krimin e kësaj natyre. Janë tepër të suksesshme emisionet e hapur televizive zhvilluar në formë gjyqi e gjykimi të autorëve të krimit të hakmarrjes e gjakmarrjes në prani të një publiku që reflekton mendim të kualifikuar pozitiv në të mirë të shoqërisë. Këtë punë frutdhënëse duhet ta praktikojë edhe media e shkruar, sepse kjo punë ka vlerë më shumë sesa të pasqyrosh në faqe gazete horoskopin apo lojra soduku etj.  etj. Në pamje të përgjithshme, shoqëria jonë është e shokuar, e distancuar, e mbyllur në guackën e vet të indiferentizmit për problemin në fjalë. Ka ardhur koha dhe nuk duhet të vonohemi aspak, por të bëjmë çfarë është e mundur për shpëtimin e shoqërisë të prekur nga kjo plagë. Dikur funksiononin Komitete Pajtimi, ndërsa sot nuk shohim që të funksionojnë duke ushtruar aktivitete të tilla. Patjetër duhen ngritur struktura të tilla, madje, qeveritare e vullnetare dhe , bashkë,  duke kombinuar veprimet duhet të hidhen në aktivitet. Për mbarëvajtje dhe rezultatet konkrete duhen dhënë edhe shpërblime. Pavarsisht koncepteve kanunore, e përgjithshmja është se shoqëria e dënon dhe nuk e pranon si vlerë hakmarrjen dhe gjakmarrjen. Edhe organi i drejtësisë dhe ligjshmëria duhet të njohin risi në trajtimin dhe qëndrimin me një frymë sa më reale duke treguar mëshirë e ngrohtësi në masa dënimi duke i argumentuar ato e duke i trasmetuar  argumentimin e veprës kriminale të dënuarit. . Ndryshe, kështu siç po veprohet e vazhdohet do ta mbushim vendin me kampe burgimi. Kjo thënie duhet të kuptohet drejt. Politika këtë problem nuk duhet ta shohi me indiferentizëm. Shprehem kështu se ky lloj krimi, siç shihet, nuk është tutur aspak nga masat e rënda të dënimit dhënë me burgim kapital ose të përjetshëm. Ky konkluzion i imi del nga ngjarjet tronditëse të kohëve të fundit. Iks person (ngjarje reale)edhe pse ka bërë burg, pas lirimit,  për arsye pasioni dashurie,  shkon dhe vret katër persona. Çfarë do t’i gjykojë këtij rasti drejtësia?Për të kaluar kohën , gjoja , me punë???Pse-ja  e këtij fenomeni kërkon studim të gjithanshëm serioz dhe shkencor. Duhet hedhur drita e prozhektorëve politik-psikollogjik-edukativ me objektiv:”Falja është virtyti më i lartë njerëzor dhe triumf mbi kanunin. ”Këtë angazhim e realizim pune, gjthë shoqëria e pret, ndryshe…do t’i thomi vetes:”Nuk po dimë se çfarë po bëjmë! Nuk po dime se ku po shkojmë!”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx