E diele, 10.11.2024, 06:02 PM (GMT)

Mendime

Fadil Lepaja: Një babë apo një nënë për kombin?!

E merkure, 15.01.2014, 07:28 PM


Një babë apo një nënë për kombin?!

Nga Fadil Lepaja

Vetëm guximi nuk e bën intelektualin, po mendoja! Se ne kemi plot njerëz të guximshëm dhe pak intelektualë! Në fund të fundit, a nuk e tregon gjendja jonë? Por, sot, nuk e kam fjalën për çfarëdo lloj intelektuali, por për të atillë me pretendime për të qenë baballarë të kombit!

Të më falë lexuesi për konotimet eventuale të metaforës “baba i kombit” dhe ju lus që këtë të mos e merrni në kuptimin seksual të fjalës! Thjeshtë, metaforik!

Si edhe e dini, sintagma “Baba i kombit’ nuk është prodhim vendor! Kjo është parë edhe te popujt e tjerë në ideologjinë dhe sidomos në agitpropin e themeluesve të kombit!

Pra, jo vetëm guximi! “Atë që bëri Skënderbeu me shpatë, bëre ti me pendë o i madhi De Radë” e ka pas thënë dikush më herët! Por, tash askush nuk shkruan më me penë! Pena më nuk e bën intelektualin! As shpata luftëtarin! Nuk janë më simbole! Tash intelektual mund të bëhesh edhe përmes statuseve dhe postimeve në facebook! Të citojnë mediat! Shqetësohesh për kombin! Ke 100.000 klikime, ose “like” dhe je intelektual!

Nejse, kjo i bie më pak se kur Kim Kardashian e tregon prapanicën! Edhe pse buxheti i sajë është i përafërt me at të qeverisë më të suksesshme në planet, pra qeverisë tonë!

Por, ne jemi komb i vogël. Kaq e kemi kaçikun, thotë baca! Pastaj, ku kombet e ku ...Kardashianet!

Por, të dashur miq, kur jemi te tema, unë më parë do të preferoja një nënë për kombin! Do të preferoja Nënën Terezë, më tepër se ndonjë akademik të emëruar nga politika. Por preferencat janë të ndryshme! Fundja, babë apo nënë e kombit, kjo krejt është irelevante. Prindi është, prind! Edhe kombet kanë prind, do të pajtoheni!

Kështu, ne nga rrjetet sociale e kuptuam se ata më në fund janë takuar! Ishte mesazh, apo thjesht takim! Ndoshta pikërisht për babanë e kombit do të kenë diskutuar?! Babë apo nënë për kombin?!

Po të isha ithtar i teorive konspirative do të thosha se krejt kjo është bërë me një strategji të qartë që shqiptarët të mos kenë një nënë të kombit, po një baba! Por, ju mos u hutoni ! Gati gjithkund , fryma kombëtare ngjizet pak a shumë nëpër avujt e besimit!

Imami, i cili u takua me akademikun, pretendent për t’ u njohur si baba i kombit, u bë i famshëm për deklaratën e tij se “Nënë Tereza do të ketë shkuar në ferr, për vetë faktin se nuk ka qenë myslimane”. Sepse ferri është veç për ata që nuk janë myslimanë, na mëson ai! Pra, u pa puna! S’ka nënë të kombit ! Veç baba!

Por, nëse shkojmë me analogji, edhe me fe, është e qartësuar kjo punë! Se, në lutjen e fundit, “tallkini” thirret në emrin e nënës. Jo të babës! Ndiqet linja e sigurt! Kështu, nëse kombet vdesin ndonjëherë, “tallkini” u thirret në emër të nënës! Se ideologjitë globale vrasin kombet!

Natyrisht , kombi ynë është i pavdekshëm ! Po të vdiste ndonjëherë, gjithsesi sipas rregullave do të i thirrej emri: “Ja, shqiptarë të bijtë e Teutës”! Pra, jo të Skënderbeut, as të Ismajl Qemalit, apo të Qosjes! As të Demaçit! Hashimit apo Shefqetit! Saliut apo të Edvinit! Veç të Teutës!

Kështu, ne si civilizim, duke i përplasur rremat e barkës tonë nacionale nëpër brigjet e civilizimeve të mëdha, ku asnjëra nuk na hedh as nuk po na pranon tërësisht, duhet me dhënë prova përkatësie. E për këtë shërbejnë prindërit , qoftë ata natyralë apo ideologjikë!

Pra,nëna, biologjike apo ideologjike, është më e sigurt, 100% e sigurt! Kjo m’u kujtua këto ditë kur po lexoja në shtyp për angazhimet identitare të babës së kombit! Ka që e quajnë me sforcim baba, e ka që e quajnë me ironi edhe nëna, duke iu referuar operacionit të koduar “Mjekra e rruar” që konoton kalimin ilegal të kufirit “Maqedoni-Kosovë në vitin 1999! Sidoqoftë, përfolet si prind i kombit! Por, ato mund të jenë veç thashetheme!

Por sidoqoftë emri i tij jo aq i madh për letrat tona, përpos atyre të polemikës, bëhet gati mitik kur përfolet çështja e zanafillës. Pra, në fillim ishte ai, pastaj ...erdhën të tjerët, të prirë nga Ismajl Qemali. Se ...dihet përshkrimi i detyrave të babës, “by default”!

Sikur po takoheshin dy burrështetas dhe po lidhnin aleancë strategjike! Foto historike! Akademiku dhe imami! Edhe buzëqeshja e rastit! E çka ka të keqe nga takimet, do të thoni ju? S’ka, asgjë!!

Gumzhitja e komenteve në facebook tregon për ndjeshmërinë e kombit tonë të hutuar në udhëkryqet e civilizimeve. Një ditë mësojmë se edhe një tjetër i ri i këtij vendi ra dëshmor diku në shkretëtirat e Azisë apo Afrikës, për të mbrojtur fenë dhe zotin, nga të pafetë, e në anën tjetër dëgjojmë për shqiptarë të tjerë që ranë në luftë kundër këtyre të parëve dhe po ashtu quhen dëshmorë të kauzës perëndimore. Sepse sipas disa ideologëve, zoti ka nevojë të mbrohet nga njerëzit, me kallashnjikov!

Pra në facebook, që është nëna e rrjeteve sociale , globale, po pritet me padurim, a do të bëhemi me babë apo me nënë të kombit?! Unë jam për nënë! Si do të thoshte “Kupa” në parlament: votoni, tani!

Kështu, klerikët e kanë zbuluar youtube-n dhe facebook-un! Më afër zotit!Secili ideolog lokal, nuk i jep pesë para për organizatat formale fetare! Për ato organizata të cilat vizitohen nga politika me rastin e festave fetare! Një smartphone, disa dëgjues dhe... ja xhamia! Pluralizmi e ka përfshi edhe besimin!

Por të kthehemi te tema! Pse jo edhe nëna e kombit?! Në fund të fundit, nënat e përkundën këtë komb! Ato e rritën me ninulla. Kështu, përkund e përkund e u rrit edhe kombi ynë i lavdishëm!

Po të mos përkundej kaq shumë, dhe të rritej përtej përmasave të një shteti, nuk do të kishim këtë kënaqësi të qeverisemi me disa qeveri! Nuk na përthekon ne veç një qeveri, jo!

Kështu. ec e ec e kombi mbërriti deri në udhëkryq!. Kah me shkue?

Të shohim sesi po del ...votimi ! “Like” e ke, njeri!



(Vota: 2 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora