Shtesë » Lajme
Aurora Bakalli: Gjendje e rëndë në shëndetësinë kosovare
E hene, 29.04.2013, 07:40 PM
QKUK është shndërruar në servis të spitaleve të privilegjuara private
I nderuari ministër Agani, të nderuar deputetë,
Gjendja
në shëndetësinë kosovare është tejet e rëndë, posaçërisht në sektorin publik dhe
në fakt ky konstatim nuk është ndonjë zbulim, këtë e thotë çdo qytetar i
vendit. Edhe gjatë kohës që e drejtoni ju Ministrinë e Shëndetësisë, edhe
përkundër premtimeve të mëdha, nuk ka pasur përmirësim. Përkundrazi. Ju z.
Ministër këtë ngecje po ia atribuoni vonesës së Ligjit për Shëndetësi, por për
SHUMË gjëra kjo nuk është justifikim.
Shqetësimet e mia dhe të Lëvizjes për Bashkim për Shëndetësinë i kam shfaqur shumë herë këtu, ndërsa sot dua të bëj më shumë pyetje për të cilat shpresoj të marr përgjigje nga ju.
1. Pse vazhdon të ketë mungesë të madhe të
barërave, materialit shpenzues, reagensëve laboratorikë në sektorin publik
shëndetësor?
Po ju
rikujtoj se shumë shpesh mungojnë edhe gjërat elementare si shiringat e
gjilpërat. Ato vërtetë se nuk janë të kushtueshme por shkaktojnë
jofunksionalitet të madh në mbarëvajtjen e punës. Në kirurgji mungojnë madje
edhe penjtë operativë, e për të tjerat as mos të flasim.
E keqja e kësaj: stafi dhe të sëmurët po fillojnë ta konsiderojnë këtë gjendje kaq të alteruar si NORMALITET.
2. Pse po lejohet që QKUK (qendër e vetme
e shërbimeve shëndetësore tretësore në vend) të luaj rolin e një qendre
parësore, ku specialistët kanë marrë rolin thjesht të një mjeku të praksës së
përgjithshme, që ka për detyrë të vulosë dhe firmosë udhëzimet për spitalet
private të privilegjuara?
Në vend
se të pajiset QKUK, të edukohet stafi vendor këta janë kthyer në servis të
spitaleve private shumë më të vogla se ai i tyre.
E keqja e kësaj: Degradimi i stafit vendor, me pasoja shumëfish më të mëdha në të ardhmen në aspektin kadrovik.
3. Pse ka shumë pacientë që presin mbi 2 vite në radhë për shërim jashtë vendit, ndërkohë që është hapur një deriçkë që lejon mundësinë e intervenimeve urgjente në spitalet private me financim nga Ministria juaj?
4. Pse nuk po furnizohet me material shpenzues QKUK, ani pse do të kushtonte dukshëm më pak se sa shërimi jashtë vendit/institucuionit, për aq më tepër duke poseduar me stafin që do të mund t’i kryente në pjesë të mirë të këtyre shërbimeve?
Këto janë disa nga vërejtjet dhe pyetjet që pata mundësi t’i parashtroj brenda kohës së paraparë dhe jam thellë e bindur se për këto çështje nuk ka nevojë për Ligj të ri të shëndetësisë.
Ndërsa, për
t’u ndërlidhur me diskutimin hyrës të Ministrit Aganit kam disa komente:
• Ndër të arriturat e rëndësishme të
Ministrisë së Shëndetësisë përmendët fillimin e punës së Kardiokirurgjisë në
QKUK. Por, z. Ministër ky sektor ka karakterin simbolik dhe të marketingut
politik dhe nuk është aty për të zgjidhur probleme. Ju z. Ministër ankesat që
kemi ne si opozitë gjithmonë i karakterizoni si tendencë për të fituar poenë
politik, ndërsa unë po e ritheksoj se kjo që keni bërë ju me Kardiokirurgjinë
është pikërisht për marketing politik. Në këtë Klinikë punohet një herë në javë
apo në dy javë ndërkohë që punohen me dhjetëra raste kardiokirurgjike në
klinikat private, prandaj Ju nuk keni bërë zgjidhje reale të problemit.
• Përmendët edhe një numër impozant
ndarjesh të specializimeve, punësimesh, madje përmendët edhe punësimet në
sektorin privat si sukses tuajin, por për të qenë këto të dhëna bindëse është
dashur të na ofroni të dhëna edhe për mandatet para jush në mënyrë që të
tregoni për trendin pozitiv, nëse vërtetë ka të tillë.
Ju faleminderit!
Aurora Bakalli, deputete e LB-së në Kuvendin e Kosovës