E diele, 10.11.2024, 05:59 PM (GMT)

Përjetësi » Mani

Nuhi Veselaj: Rreth përdorimit të fjalës Zot në gjuhën shqipe

E enjte, 01.05.2008, 06:46 PM


RRETH PËRDORIMIT TË FJALËS ZOT  GJUHËN SHQIPE

 

Nga Dr. Nuhi Veselaj          

 

Me ndryshimin e sistemit shoqëror - politik që ndodhi 10 vjetëshat e fundit në shoqërinë shqiptare, ndër të tjera, u riaktualizua, njëfarë dorë, për pika të veçanta, edhe çështja e përdorimit të fjalës zot, qoftë nga pikëpamja e përdorimit të saj si fjalë hyjnore, qoftë si fjalë e përgjithshme: si emërtim i njeriut sipas rangimit shoqëror ose si fjalë nderimi a përuljeje. Për të hequr çdo dilemë, të cilat ekzistonin edhe më përpara si çështje të hapura, në drejtim të qartësimit dhe trajtimit me të plotë të temës në fjalë, e pamë të nevojshme të përfshijmë në analizë në mënyrë të veçantë këto tri çështje që i formuluam, kështu , në formë pyetjesh:

 

            e para, si qëndron përhapja vertikale dhe horizontale e përdorimit të fjalës zot në gjuhën tonë përgjithësisht?

            e dyta, si qëndron raporti i kësaj lekseme si fjalë hyjnore,  kundrejt barasvlerësve sinonimikë në përdorim e sipër në gjuhën tone? dhe

            e treta, si qëndron raporti aktual semantik i fjalës zot, në përdorim të përgjithshëm, ndaj trajtave derivate: zoti (njëjësi I shquar) +  emri përkatës dhe zotëri e zotni?

 

                                                I

 

            Fjala zot, me nocionin e tij themelor që nënkupton një "qenie të ndërgjegjshme njerëzore a sinjerëzore, të aftë, të adhuruar, prepotente a paksa më të fuqishme se qeniet e tjera ", me sa dihet, bënte pjesë në fondin aktiv autokton të shqipes që në zanafillë. Studiuesit e shpiejnë me origjinë aq të vjetër saqë përpiqen ta shpjegojnë me reflekse të fjalëve të gjuhës indoevropiane, duke i rikonstruktuar trajtat si *g'ioto a < *guia-tas, përkatësisht si: ind. e vj. a'yayati, pers. e vj. yazatan, yazdan, ir. iazatanan, gr. a'yiamaj, a'yus, por edhe me trajtat helene zeus, lat. deus (jovis) etj. deri të koincidencat si rastësi edhe me trajtën: Zabaot (Savaot, Jahve) të hebraishtes etj. Si mbështetje për krahasime të tilla shërbejnë pikërisht reflekset e mundshme ndërkëmbyese të nistoreve: Z-, D- (Dh, T(H)), J- (GJ-) që janë prezente te fjalët përkatëse të gjuhëve të caktuara, pra edhe përtej familjes indoevropiane. Lidhur me shpjegimin e trajtës "zeus" me anë të shqipes zot nuk bënë përpjekje vetëm rilindësit tanë mendjendritur, por edhe të tjerë. Të kujtojmë ketë rast p.sh. G.F. Wiliams-in, i cili konstatonte se "në gjuhën shqipe" është e qartë, ndër të tjera "domethënia Zeus, Zaa, Zee Zoot" që del sipas tij "shumë e drejtë"[1] Një sugjerim të tillë e ndeshim edhe në një shkrim të Sh. Gjeçovit.

            Sido që të jetë, kjo fjalë aktive e shqipes zot që ndeshet që në dokumentet e para të shkrimit shqip me nënfushë të përcaktuar semantike, sigurisht dëshmon se do të ketë qenë e formëzuar dhe e përdorur si e tillë shumë e shumë kohë më përpara. Supozohet se kjo fjalë që në krye të herës do të ketë pasur edhe elemente të kuptimit abstrakt totemik a mistik, por që ndërkohë gjithnjë e më shumë do t`i atribuohej edhe personit konkret, d.m.th. emërtimit të njeriut, apo forcës së tij sunduese e vepruese, po njëherazi edhe forcës së përfytyruar hyjnore të imagjinuar. Kështu, që në periudhën e shkrimit shqip, kjo fjalë del si emërtim i njeriut të ranguar, paksa të dalluar nga të tjerët për ndonjë arsye a tjetër, por që afrohet edhe me koncepte hyjnore të mbinatyrshme. Kështu në Fjalorin e F. Bardhit (1635)[2] fjala zot qëndron si barasvlerës i fjalës dominus të latinishtes, d.m.th. me kuptimin: (njeri) sundues, sundimtar; pronar, posedues i një pasurie a të një të drejte dalluese në raport ndaj të tjerëve, por del edhe me konotacion të fjalës hyjnore, përshtatur sipas kushteve të perceptimit të besimit fetar të asaj kohe.

            Sigurisht ndërkohë, në vazhdë e sipër, fjala zot gradualisht, gjithnjë e më tepër, do të marrë konotacion të ri semantik, sidomos pas përqafimit të fesë kristiane të një pjese të madhe ose edhe masive të shoqërisë shqipfolëse. Ndërkaq, që tashti, me fjalën zot gjithnjë e më qartë fillon të formëzohet koncepti rreth emërtimit të një qenieje të vetme hyjnore, në përputhje me predikimin e ri që bëhej sipas kodit të fesë monoteiste, por pa u shkëputur nga konceptet e tjera që, tashmë, ishin të ravijëzuara thellë në strukturën e ligjërimit shqip. Ndërkaq  në literaturën kishtare gjithnjë e më tepër e ndeshim si barasvlerës të termit Dio / Zot, përkatësisht deus noster / Zotynë a Ynëzot, ashtu siç e ndeshim në shkrimet e vjetra si te Buzuku, Matrënga, Budi, Bardhi etj., por edhe tek të tjerë, madje edhe në shkrimet e shkrimtarëve "të vjetër" të konfesionit muslimanë. Megjithatë fjala zot vazhdon të përdoret, jo si fjalë e specifikuar vetëm për një koncept, por për disa, madje edhe me elemente edhe të kuptimit abstrakt pagan, por edhe të kuptimit konkret (të njeriut). Po me këtë konotacion të pjesërishëm si emër abstrakt e konkret si dhe me elemente të fjalës hyjnore, fjala zot gjeti prani edhe në Fjalorin e M. Boçarit (1809), siç konstaton prof. E. Çabej.[3]

            Edhe në burimet e mëvonshme leksikografike fjala zot del e shënuar edhe si fjalë hyjnore, por edhe si emër i përgjithshëm në emërtimin e njeriut sipas rangimit. Kjo dëshmohet edhe nga lënda e regjistruar në Fjalorin e H. Bariqit (1950)[4] dhe në atë të S. Dobroshit (1953)[5] etj, ku fjala zot përdoret si fjalë hyjnore, por edhe si sinonim pranë trajtës zotni.

            Fjalorin e gjuhës shqipe (1954)[6] për fjalën zot, jepet ky përkufizim: 1. titull që i jepet një burri për ta nderuar; 2. i zoti, pronari; 3. perëndia; secila nga hyjnitë pagane.

            Në këtë burim mbi bazë të fjalës zot, jepen këto fjalë të prejardhura, të cilat ndeshen në përdorim e sipër edhe sot si:  folje: zot/em, zotëroj, zotnoj, zotoj; emra: zotëri, zotni, i zoti..., zotrote; zotërim, zotnim,  zotim e zotësi;  mbiemër: i zoti dhe ndajfolje: zotnisht.[7]

            Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (1980) fjala zot, në krahasim me Fjalorin e gjuhës shqipe (1954) del e plotësuar me sqarime të caktuara dhe me ndonjë ndryshim formulimi dhe me zëra a nënzëra të rij, të veçantë.  Po lidhur me këtë burim janë dy çështje që zgjojnë interes: 

E para, është bërë punë e mire që këtu trajta Zot, shënohet në zë të veçantë si fjalë hyjnore dhe veçmas si fjalë e përgjithshme, madje në këtë burim, mbi bazë të fjalë-temës prodhuese nga rrënjori zot- si fjalë-trajtë e re shënohet mbiemri prejfoljor: zotërues (që del edhe me kuptim emri).

E dyta, vlen të theksohet një fakt tjetër që lë shteg hapur për diskutim  Është fjala për përfshirjen vetëm të trajtave të rotacizuara për shkak të përzgjedhjes së dialektit të toskërishtës si dialekt bazë që u mor për njëzimin e gjuhës së sotme letrare (në vitet ‘70), prandaj në këtë burim nuk dalin të shënuara fare fjalët: zotni, zotnoj, zotnim e zotnisht, ndonëse konceptet e trajtave të tilla që dilnin të përcaktuara në Fjalorin e gjuhës shqipe (1954), siç do të argumentohet më poshtë, nuk dalin plotësisht të zëvendësuara me trajtat përkatëse të rotacizuara. Pra, ky fakt del si çështje e dikutueshme, jo pse është vepruar ashtu rreth bazës së përzgjedhur, por sepse, e kam fjalën vetëm për rastin në shqyrtim, mbesin jashtë përfshirjes në normë koncepte që ishin të pranishme përpara njëzimit, të cilat shpreheshin kryesisht me trajtat e parotacizuara.

Sidoqoftë, para se ta shohim më për së afërmi se për cilat koncepte është fjala, në vazhdim do të japim ndonjë konsideratë lidhur me përdorimin e fjalës zot si fjalë hyjnore a si term  fetar.

 

                                          II

 

            Siç u cek paksa në fillim të kësaj trajtese, del i drejtë mendimi i prof. E. Çabejt, se "në gjuhën shqipe fjala zot, duke ruajtur kuptimin profan të kryehershëm, nëpërmjet të gjuhës fetare. arriti të shënojë hyjninë",[8]  mendim ky që bie pakëz ndesh me konstatimin e Ahmet Qeriqit, i cili thekson se emri Zot "relativizohet në përdorim të një atributi të thjeshtësuar", ngase, siç shprehet ky "krahas Zot në kuptim hyjnor futen në përdorim edhe formulimet si zot shtëpie, ashtu edhe zëvendësimi zotëri e të tjerë"[9]. Pra këtu mospërputhja qëndron lidhur me kronologjinë e perceptimit të koncepteve dhe të përdorimit të fjalëve, gjë që kërkon sqarim, pasi të dyja konceptet mund të arsyetohen varësisht nga këndvështrimi teo-filozofik i trajtimit të çështjes rreth formëzimit të tyre në kohëhapësirë.  

            Siç dihet, në cilësinë e emrit hyjnor, për të njëjtin koncept, përveç emrit Zot në shqipe kanë hyrë në përdorim të gjerë edhe fjalët barasvlerëse sinonimike: Hyj dhe Perëndi, madje edhe transferi Allah. Me qëllim që të saktësohet më mirë koncepti hyjnor i fjalës zot do të japim ndonjë konsideratë edhe për të tria fjalët e sapopërmendura barasvlerëse sinonimike të fjalë-termit Zot.

 

            a) Edhe fjala Hyj, e cila shpjegohet si singularizim i shumësit hyje që vjen nga njëjësi hyll (yll), konsiderohet si fjalë e vjetër autoktone e gjuhës sonë. Fjala hyll yll pandehet se është zhvilluar nga një trajtë më e hershme *huil”, trajtë e vetme kjo, siç e thekson prof. E Çabej, e cila ka gjetur vend si refleks shqiptar i rrënjës indoevropiane *suel[10] Në anën tjetër sipas A. Qeriqit, po trajta HYLL është ajo e cila zgjon asociacione (sidomos nga përbërja e bashkëtingëlloreve) me trajtën JHVH, përkatësisht ELLOH të hebraishtes dhe All - llah  të arabishtes, fjalë-terma këta të natyrës hyjnore që lidhen kryekëput me emërtimin e "krijuesit të vetëm të botrave", ashtu siç ndeshet koncepti i mbuluar me fjalën HYJ (Hyje Hyll), në burime të caktuara, deri edhe në përdorim të përditshëm në gjuhën tonë, edhe pse siç del nga interpretimi i A. Qeriqit, për konceptin e tillë "ndërkohë sikur kishte filluar përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i fjalës Zot, Zotynë e Ynëzot".[11]

            Vlen të theksohet gjithashtu se në shqipe mbi bazë të emrit Hyll (Hyj) doli emërtimi hyjni, i cili, sipas prof. E. Çabejt "pas gjase është një sajim i Bogdanit", emërtim ky, me të cilin në gjuhën e sotme shprehen zakonisht "perënditë pagane", por edhe ndonjë koncept tjetër i atributeve hynore të Krijuesit të vetëm po edhe vetë Krijuesi. Nuk është larg mendsh se fjala hyll (hyje Hyj) si fjalë hyjnore përshtatet me konceptin fetar politeist siasteror (asteroid) që kishin iliro-dardano-shqiptarët para përqafimit të kristianizmit, prandaj një fjalë e tillë do ta ketë të ruajtur vazhdimësinë, edhe pse tashti paksa të transformuar, duke iu përshtatur konceptit hyjnor sipas botëkuptimit e predikimit fetar të ri monoteist, duke qëndruar në raste si barasvlerës sinonimik për termat hyjnorë: Zot, Perëndi e Allah.

            b) Edhe pse ka përpjekje që edhe fjala Perëndi të shpjegohet si fjalë me origjine të vjetër shqipe, duke e lidhur atë me fjalën "perëndim" si dukuri, përkatësisht kompozitën peren+DI si "zot iliro-trak" etj., sipas prof. E. Çabejt duhet përjashtuar mundësinë e tillë dhese duhet përkrahur "rrugën e zhvillimit të saj" si fjalë hyjnore nga "etimologjia latine imperant+i", siç e pandehnin "Boppi e Meyeri"  dhe "të heqim dorë nga krahasimi indoevropian me emrin sll. "Perunj", lit. "perkunas", ind. vj. Parja'ya gr. "keraunos"[12] Për këtë gjykim Prof. Çabej ka parasysh faktin se autorët e vjetër të Veriut fjalën perëndi  e përdornin me kuptimin "sundues, sundimtar" dhe e barasvlerësonin me fjalën imperator të latinishtes. Në vazhdë të kësaj, mjafton të sjellim këtu konstatimin e shënuar në Fjalorin e Konstantin Kristoforidhit, ku për fjalën Perëndi gr. o Theos (Zot) sqarohet se "kjo fjalë (është fjala për trajtën Perëndi si fjalë hyjnore - N.V.) e ka marrë këtë kuptim në kohët e vona, d.m.th. pas Krishtit, prej Kristianëvet, të cilët e besojshin Krishtin mbret të qiellit e të tokës, pra prej kuptimit mbret u muar kuptimi Zot" dhe përfundon shënimi me konstatimin mjaft kategorik, por të guzimshëm, se "Gegët kurr nuk e përdorin fjalën Perëndi për Zot, po thonë Zot".[13]

            Që njihej e njihet fjala perëndi edhe nga gegët, gjë që bie paksa ndesh me konstatimin e mësipërm, po sjellim faktin se në Fjalorin e "Bashkimit" (1908) del e shënuar fjala "Perenni" (Perëndi) pikërisht për fjalën Dio (Zot) të italishtes[14].

            Po e rikujtojmë faktin e njohur për studiuesit se edhe trajta mbret ashtu si edhe ajo perëndi, pra si trajtë e mëvonshme, janë të lidhura etimologjikisht me trajtën imperator të latinishtes, mirëpo që me kohë këto dy trajta fjalësh dalin të përpunuara brenda sistemit të gjuhës shqipe dhe që të dyja konsiderohen si fjalë të fondit aktiv të shqipes që nga periudhat e hershme të gjuhës sonë.

            Prof E. Çabej, me të drejtë, shpjegonte se rruga e kalimit të fjalëve zot dhe përëndi si fjalë hyjnore është e njëjtë, ngase që të dyja nga kuptimi profan abstrakt kanë kaluar në kuptimin konkret dhe së këtejmi në kuptimin hyjnor dhese për një kalim të tillë kanë ndikuar konceptet e caktuara, përkatësisht, siç e thotë ai "për mungesë dëshmish të moçme"… "nga përdorimet e sotme vetëm mund të nxjerrim që kuptimi bazë është "zot" dhe kuptimi perëndi u përftua nën diktimin e gr. kyrios e të latinishtes dominus gjatë periodës së krishterë të gjuhës shqipe: dukëmeqenë që të dyja gjuhët klasike ndikuan shqipen e vjetër në terminologjinë kishtare jo vetëm me anë të huazimeve, po edhe në këtë, që fjalët e vjetra muarnë tek kjo kuptime të reja... Pra këtu kemi të bëjmë me përdorim fetar të një fjalë që në burim qe fjalë profane..." dhe përfundon me konstatimin  përgjithsues se "thesari i fjalëve fetare ka ndikuar mjaft nga njëra gjuhë indoevropiane në tjetrën"[15]

 

            c) Nën trysninë e kulturës orientale e të tjera dhe sidomos pas pranimit të fesë islame nga një pjesë jo e vogël, gjithnjë në rritje e shqiptarëve, si fjalë hyjnore krahas Hyj, Zot e Perëndi hyri në përdorim edhe fjala hyjnore Allah. Po nënvizojmë se fjala Allah, ndaj sinonimeve të tjera të sipërpërmendura në gjuhën tonë është e vetmja që nuk vjen si fjalë profane ose si transformim i një emri konkret etj., por vjen drejtpërdrejt si një huazim transfer me konceptin e fjalë-termit hyjnor. Në gjuhën arabe kjo fjalë ALL-LLAH do të ketë pasur të njëjtën ecuri përpunimi si fjalët e mësipërme të shqipes, të cilat që në stadin e tretë u bënë hyjnore për masën e gjerë, siç u cek më sipër për fjalë-termat: Zot, Hyj e Perëndi. Nga disa burime të caktuara mësojmë se fjala IIah (I adhuruari), përkatësisht Allah (e përbërë nga All + (I)LLah, d.m.th. nga nyja përveçuese + emri hyjnor Ilah), përdorej si emërtim hyjnie a kryezoti edhe para profetit Muhamed (570 - 632) d.m.th. themeluesit ose vazhduesit legjitim më të denjë të fesë islame, siç dëshmohet edhe në burime të caktuara enciklopedike. Kjo fjalë, siç thuhet në Enciklopedinë e vogëlProsvetës.[16]përdorej nga "poetë" të kohës edhe më përpara, përkatësisht ndeshej edhe në "mbishkrime" a shkrime të caktuara. Dihet se edhe tashti jo muslimanët arabë e kanë fjalën all-llah për koncept hyjnor në fjalësin e tyre aktiv. Siç dihet feja islame ka për mbështetje librin e shenjtë Kur`anin, në të cilin, veç tjerash jepen interpretime e njohuri origjinale a të dhëna të dorës së pare edhe për disa "elemente të religjioneve të tjera të Lindjes së Afërme" (monoteiste),[17]dhe pikërisht këtu ka mbështetje dhe merr konotacion të ri përforcues fjala Allah. Kështu quhet tani, si me thënë, jo një kryezot, por "krijuesi i vetëm i të gjitha botrave", të cilin e karakterizon njëshmëria absolute, prandaj kjo fjalë-term u perhap, pa dyshim si ndërkombëtarizëm i mirëfilltë, me konotacion hyjnor, pothuajse në të gjitha gjuhët e zhvilluara e të përpunuara të botës, duke përfshirë edhe gjuhën shqipe.

            Sidoqoftë, kur kemi parasysh faktin që del nga mësimi fetar fundamental se besimi në radhë të parë duhet të jetë akt i ndërgjejshshëm i shpirtit të njeriut a i vullnetit të botës së tij të brendshme, i cili duhet kuptuar si mishërim i gjuhës së zemrës dhe i gjuhës së mendjes (gjykimit), gjuhë këto (edhe pse të pa shprehura me fjalë) i kupton plotësisht vetëm "I gjithdijshmi Allah” - Krijuesi i të gjitha botrave, pra edhe i botës së brendshme të çdo individi. Dihet se është fjala për Krijuesin, I cili në shqipe emërtohej me fjalë-termat përkatës: Zot, Hyj, përkatësisht Perëndi, andaj s'ka se si të mos jetë i shprehur po me gjuhën e  mendjes dhe të zemrës në gjuhën shqipe nga besimtarët islamë, edhe koncepti i fjalës Allah, pa përjashtuar nuancimet e caktuara stilistike si rrjedhojë e ndikimeve përkatëse administrative e të tjera, që sipas natyrës së gjuhës përkatëse, mund të shprehen edhe me fjalë të tjera.

            Nga sa u tha më sipër mund të nxirret si përfundim se për besimtarin shqiptar, si dhe për të tjerë, me rëndësi është vetë koncepti i besimit të ravijëzuar vullnetarisht thellë  në ndërgjegje, së pari në gjuhën e zemrës e në gjuhën e mendjes, pa mohuar edhe të shprehurit me gojë a shqiptimin me fjalë, që kurorëzohet me të thënë të fjalë-termit përkatës në lutje ose në kontekste të tjera. Ç’është e drejta, në të gjitha gjuhët koncepti i "Krijuesit" (Zotit, Hyjit, Perëndisë, Allahut) shprehet me emra të ndryshëm. Madje edhe në Kur’an nocioni i Perëndisë shprehet me shumë atribute-emrash hyjnorë (përmenden 99 sish), por që nënkuptohet se të gjitha këto atribute i referohen vetëm Atij, të Gjithëpushtetshmit - Allahut. Në gjuhën turke b. f. për barasvlerësin Zot, serb. Bog (Gospod) jepen këta barasvlerës: Tanri, Allah, Çalap. Ogan, Rab, Ilah[18]). Ngjashëm ndodh edhe në gjuhë të tjera.

Sido që të jetë, për fetarin universalist nuk është me rëndësi cila fjalë thuhet (shqiptohet), sa është me rëndësi koncepti që ndjen dhe e shpreh me shpirt ai. Edhe për shqiptarin besimtar, pra, vlen po kjo premisë, megjithatë gjithsesi ka rëndësi që fjala e tillë të jetë, në radhë të pare, ajo më e kuptueshmja, e origjinës shqipe ose e përvetësuar si e tillë, e cila, për të shprehur konceptin në fjalë, duhet me qenë e vetëmjaftueshme fetarisht, gjuhësisht dhe kombëtarisht.

            Nuk është vendi as rendi që prej nesh të predikohet ndonjëfarë ekumenizmi ndërfetar monoteist, pasi që te populli ynë toleranca e tillë ndërfetare, historikisht e aktualisht, del ekzistuese dhe fort e qëndrueshme, e shoh të arsyeshme të përmend faktin, siç kuptohet në menyrë eksplicite, se shqiptarët e të dy, tri a katër  konfesioneve[19], përveç gjuhës së përbashkët i lidh edhe besimi fetar i përqëndruar në një Hyj, përkatësisht në një Zot,  një Perëndi, që pjesa më e madhe e shqiptarëve të konfesionit islam e shqipton edhe si Allah.           

            Edhe pse b.f. që nga "Formula e pagëzimit”: e kemi të njohur tekstin "Në emën të Atit, të Birit dhe të Shpirtit Shjenjtë", ku binë në sy tri elemente përbërëse që tek individët mund të asociacionojnë gjurmë politeizmi, sipas interpretimeve kompetente fetare kristiane aty nuk është fjala për ndonjëfarë politeizmi për tre zota, por fjala është për Një Zot a një Zotynë, gjë që del e shpjeguar kështu edhe në dokumentet e vjetra të materialit fetar të gjuhës sonë. Është indikative të theksohet këtu se si kjo "treshe" shpjegohet  në veprën e  L. Matrëngës (1592). Aty thuhet se: Ati është Zot, Biri është Zot, Shpirt Shenjti është Zot, por nuk është fjala për tre zota, por kemi të bëjmë me një "YNËZOT", dhe për t`u kuptuar më mire ky nocion jepet shembulli se edhe ne kemi "një të vetëm shpirt", por me "tri fuqi" që janë: "kujtimi (kujtesa historike), vlemë-i (vullneti) e ljosmo (intelekti a ndërgjegja)".[20]

            Sigurisht kur kemi parasysh zhvillimin dhe përpunimin e gjuhës sonë interpretimi në gjuhën e sotme dhe në të ardhmen mund të dalë më i qartë dhe më i plotë se barasvlerësit që u dhanë prej nesh në kllapa. Mund të formëzohen terma edhe më të specifikuar dhe stilistikisht më të niveluar, por për ne është me rëndësi fakti se koncepti mbështetet gjithnjë te e njëjta fuqi mbinatyrore, e cila në shqipe emërtohet: Zot, Hyj, Perëndi, por edhe Allah.

            Nga sa u tha më sipër, po ritheksomë faktin se pavarësisht se si quhet "Krijuesi i botrave", të gjithë besimtarët monoteistë shqipfolës Atij i lutën, i përulen, e respektojnë sipas riteve e mënyrave të ndryshme, por ai është i Njëjti, prandaj kurrfarë arsyeje nuk ka që besimtarët të sharrojnë në fanatizma të tepruar dhe të krijojnë përçarje në mes të tyre për shkak të ndonjë interpretimi përkeqas të politizuar të ndonjë termi a riti përkatës. Bindja në mënyrë evolutive, pa përjashtuar organizim e disiplinim, ravijëzon më së miri.

            Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (1980)[21], siç u tha, është vepruar drejt, ku krahas fjalës zot me kuptim të përgjithshëm është shënuar homonimi Zot si fjalë hyjnore, madje në skedë të veçantë paraprise, mirëpo lidhur me formulimin e dhënë atij përkufizimi mund t’i bëhen vërejtje serioze, ngase ai formulim nuk është hartuar nga pozita neutrale, siç do të duhej, por teksti është dhënë nga pozita e qëndrimit ateist. Në Fjalorin e shqipes së sotme (2002)[22] është bërë njëfarë përmirësimi, po edhe ky del i pamjaftueshëm. Prandaj në burimet e ardhshme normëzuese, siç është paraqitur në revistën Drita e jetës[23], propozojmë që teksti i korrigjuar duhet ta ketë këtë përmbajtje:

 

ZOT-I  1.  m. v.nj. Sipas përfytyrimeve fetare (monoteiste) qenia e

    vetme më e lartë e mbinatyrshme, e cila ka krijuar botën,

    qëndron mbi të dhe drejton gjithçka. Perëndi Hyj, Allah.

            2. sh. A-T) Sipas përfytyrimeve fetare mistike pagane (politeiste)

                çdo hyjni  e cila besohej se sundonte një pjesë të botës e të

                natyrës.

                       

            Pra siç po shihet nën 1. fjala Zot-i (sipas së cilës po kështu për këtë koncept duhet të shënohen edhe sinonimet: Hyj, Perëndi e Allah), ka shquarsi njëjësi, po nuk ka shumës dhe përherë përdoret si emër i përveçëm dhe si i tillë shënohet në çdo rast me shkronjë të madhe nistore, ndërsa nën 2. fjala zot-i e bën shumësin më –A-t: zotat dhe zakonisht shkruhet me shkronjë të vogël (ashtu si edhe hyj e perëndi, sa herë që koncepti i hyjnisë  përdoret si emër i përgjithshëm.

 

                                       III

 

            Pasi pamë shtrirjen vertikale dhe horizontale të fjalës zot ashtu edhe formëzimin e saj si fjalë hyjnore, më saktë, si emërtim për "Krijuesin e vetëm të botrave" etj., duke dhënë edhe propozimin se si duhet zgjidhur çështja në burimet tona normëzuese, po kalojmë në pikën e tretë të temës në shqyrtim që ka të bëjë me raportin e  fjalës zot kundrejt trajtave zoti ( formalisht vetëm njëjësi i shquar), zotëri dhe zotni me kuptim të përgjithshëm, të cilat, pothuajse i kanë të përcaktuara a të specifikuara nënfushat semantike të përdorimit.

            Sipas FGJSSH-së[24] në stilin libror ishte i "lejueshëm" përdorimi i trajtë-emrit zoti vetëm "për t`iu drejtuar në mënyrë zyrtare a me nderim "burrave" që ishin "shtetas të një vendi jo socialist e që nuk ishin komunistë", por që tashti,  pas ndryshimit të sistemit shoqëror-politik në Shqipëri, sipas Fjalorit të shqipes së sotme (2002) si të themi, u rehabilitua plotësisht shprehja: zoti + emri përkatës, që normalisht të “përdoret për t’iu drejtuar në mënyrë zyrtare e me nderim burrave[25], d.m.th si vendës dhe të huaj, pa marrë parasysh sistemin shtetëror e shoqëror të tyre, pra edhe në ato raste kur për këtë funksion ishte i rekomandueshëm përdorimi i fjalës së shtanguar shoku, fjalë karakteristike kjo "mirësjelljeje" e rezervuar vetëm për anëtarët e udhëheqësit e caktuar të partisë socialiste (komuniste) si të vendit  ashtu edhe të vendeve të jashtme.

            Siç dihet, fjala shoku në rendin socialist ishte favorizuar të përdorej në vend të fjalës "zotni (përkatësisht zoti), e cila, sipas prof. A. Kostallarit"[26], konsiderohej e tejkaluar, "jashtë mode", për t`u përdorur përpara një emri a titulli të njeriut, qoftë për të shprehur nderim në marrëdhënie zyrtare e pune, qoftë për të shprehur nderimin ndaj të panjohurve. Po kjo ide e zëvendësimit të fjalës "zotni"” përkatësisht "zoti me “shoku ", që ishte sanksionuar në Fjalorin e gjuhës letrare shqipe, del e sanksionuar edhe në Fjalorin e shqipes së sotme (1984) ku për fjalën e shtanguar shoku, thuhet se është "fjalë që e përdorim përpara emrit të plotë ose vetëm përpara emrit a mbiemrit të udhëheqësve të Partisë e të shtetit ose të pjesëtarëve të tjerë të kolektivave punonjës, të cilëve u drejtohemi me nderim".[27]

            Pra, siç u tha më sipër, për këto koncepte nga të cilat ishte eliminuar fjala "zotni", përkatësisht pjesërisht "zoti", duke u zëvendësuar me fjalën shoku, tashti u rehabilitua në tërësi pikërisht trajta zoti, kurse trajta zotni ende mbeti e pa përfshirë në atë “amnisti”.  Ç’është e vërteta fjala shoku, sipas Fjalorit të shqipes së sotme (2002),[28] si një “fjalë që e përdorim me nderim përpara një emri të përveçëm ose një emir të përgjithshëm sipas funksionit” - mbetet në përdorim, por, siç po shihet, me formulim të ri.

Edhe trajtë-emri zotëri përdoret zakonisht si emër i veçantë me të cilin tregohet njeriu sipas rangut shoqëror, po në radhë të parë ai mbulon konceptin e njeriut si posedues (pronar) i pasurisë, pastaj  njeriun sipas postit a pozitës shoqërore zyrtare kiearkike që zë etj, dhe së fundi edhe sipas sjelljes e qëndrimit bujar që mban a mund të ketë akcili person.

            Siç u përmend më sipër në Fjalorin e gjuhës shqipe (1954), por edhe në Fjalorin shqip-serbokroatisht (1981)[29] si dhe në ndonjë burim tjetër krahas trajtës zotëri, e cila gjithsesi është trajtë e favorizuar, edhe në ato burime, del e shënuar edhe trajta zotni, e cila pasi dilte mjaft e përdorur aktualisht si në ligjërimin e përditshëm, jo vetëm te gegërishtfolësit, por edhe nga vazhduesit e ish-shqipes lettrare mbi bazë të gegërishtes, del e lejueshme me u përdorë për koncepte të veçanta. Ajo përdorej siç përdoret edhe sot së pari si zëvendësim i trajtës së ngurtëzuar zoti +  emër i caktuar, por edhe në vend a si zëvendësim i trajtës zotëri, për ndonjë koncept që u cekën më sipër, mirëpo, siç u sinjanlizua më përpara, fjala zotni përdoret edhe për koncepte të tjera që nuk duket se janë mbuluar mjaftueshëm me dy trajtat e sipërcekura, madje as me trajtën zot përgjithësisht. Siqoqoftë, rreth raportit të këtyre tri fjalëve zoti, zotëri-a dhe zotni-a mbesin çështje të hapura.

            Çfarë del e hapur dhe a ka arsye të shtrohet një çështj e tillë për diskutim?

Janë dy fakte që e arsyetojnë të vënit në pah si çështje të hapur këtë temë:

e para, keqkuptimi I reflektuar në raportin: zoti njeri / Zoti hyjni e vetme dhe

e dyta, barasvlerësia jo e plotë semantike në raportin: zotëri / zotni. 

Tashti fill  po i trajtojmë sadopak më në hollësi këto dy çështje.

 

 Së pari, pra, kemi të bëjmë me faktin për një shqetësim tashmë të shprehur botërisht, pa nevojë fare, nga individë të caktuar (jo gjuhëtarë) se mos, vallë, përdorimi i fjalës së ngurosur zoti para një titulli a të një emri a mbiemri të njeriut, qoftë për të respektuar rangimin e tij zyrtar shoqëror, qoftë si shprehje nderimi a nënshtrimi, prekka për keq etikën e besimit monoteist, më saktësisht atë islam, ngase "emni i Zotit" si emër hyjnor kurrsesi nuk duron t'i bëhet shok "as njeriu as gjindi", në çfarëdo pozite qoftë ai!? Me fjalë të tjera, duke e marrë përpara emrin "zoti"+ emri përkatës (njeri), qoftë konkret qoftë abstrak, si b.f. zoti N.N. ose zoti ministër, sipas mendjes së dikujt, gjoja u përçmuaka vetë emri i Zotit (Allahut), prandaj rekomandohet që në vend të trajtës së ngurosur zoti… të përdoret trajta zotëri!? Mbase harrojnë zotërinjtë e tillë patëkeq se pikërisht treguesi infiksor -ër te trajta zot/ër/i  është element i numrit të shumësit të emrit, andaj fjala zotëri si singularizim i trajtës zotrat, sipas asaj logjike formale, mund të asociacionojë edhe më përkeqësisht për t’i sjellë në mendje elementet e politeizmit(!). që më shumë mund të lëndojnë etikën e besimit fanatikisht të pastër në një Zot, sesa vetë trajta e njëjësit të ngurosur, e cila në rastin konkret kontestues është identifikuar pavetëdijishëm dhe pa të drejtë me fjalën Allah. Pra kemi të bëjmë, vërtet, me një lajthitje a mospërputhje semantike në situata të caktuara të fjalës Zot me Allah që për dikë ka shkaktuar shqetësim siparanoik(!). Sa për të përforcuar të vërtetën se kemi të bëjmë me një shqetësim, pra, fare pa mbulesë, i cili mjerisht nuk mbeti pa jehonë, po ua rikujtojmë lexuesve disa shprehje të njohura të gjuhës sonë, ku fjala zot (si fjalë e vjetër e gjuhës sonë), s’mund të zëvendësohet assesi me fjalë-termin (relativisht të ri) Allah, por as me sinonime të tjera, madje as me vetë fjalën Zot, në kuptim të krijuesit të botrave, ngase nuk ka kurrfarë ndërlidhjeje kuptimore me të, madje insistimet e njëjësimit (identifikimit) të emrit të përgjithshëm të ngurosur zoti me një emër të përveçëm Allah (=ZOT), siç është edhe shembulli b.f. zoti N.N. ose zoti ministër me allah, (perëndi, hylli) N. N. ose allah (perëndi, hylli) minister(!), do të dilte jo vetëm qesharak por edhe denigrues për çështjen dhe për vetë tentuesit e përdorimit të tillë. Po i kujtojmë edhe dy fakte të tjera, ku një zëvendësim i tillë i fjalës zot me Allah s’mund të bëhet dot:

a) Shpia ka zot,  U bë zot i  vetvetës. Vetë zot vetë shkop etj.

b) Kush është zoti I shtatë qiejve? – All-llahu;. Kush është

    zot i Arshit të madh  - përgjigja është: All-llahu.[30]

 

 Shembulli i pare a) është nxjerrë nga burimet tona normative, ndërsa shembulli i dytë b) nga përkthimi i materialit kuranor, ku fjala zot është përdorur normalisht për një fushë të caktuar pushteti, d.m.th. me kuptim jo gjithpërfshirës. Pra, është fjala për atribute që i takojnë vetëm Allahut (Zotit a Krijuesit ose Sunduesit të botrave).

Sidoqoftë, më sa u tha, për asnjë arsye s’duhet stepur rreth përdorimit të trajtës së ngurosur zoti + emri përkatës, siç është  rasti: zoti N.N. ose zoti ministër etj., sepse për konceptin në fjalë është e vetmja trajtë e normëzuar në shqipe. Prandaj sipas mendimit tonë përdorimi i trajtës zotëri në vend të trajtës zoti në raste të tilla, bile më tepër se ajo zotni, bie ndesh me vetë normën në fuqi, ngase siç del nga përkufizimi përkatës në fjalorët tanë përshkrues normativë, trajta zotëri minister! në vend zoti ministër mund të quhet shkelje e normës, ngase asnjë respektues i denjë i normës në fuqi nuk shprehet ashtu, prandaj s’ka nevojë të përdoret as nga ndonjë fanatik i patëkeq gegërishtfolës. Po ritheksoj faktin se ngatërresa në mes të trajtës së ngurosur zoti dhe të fjalës hyjnore Zot del e fryrë pa kurrfarë arsyeje, prandaj duhet cilësuar si fakt i paqenë (kuazihipertoskëzim!).

Lidhur me këtë po i ritheksoj këto tri çështje që shërbejnë si përforcim i sqarimit tonë:

e para, kemi të bëjmë me dy fjalë kuptimisht e gramatikisht të veçanta që u takojnë dy nënfushave a kategorive të ndryshme semantike;

e dyta, fjala hyjnore Zot –i (= Allah-u) shënohet përherë me shkronjë të madhe, është emër i përveçëm, ka shquarësi dhe ka pavarësi në përdorim, ndërsa trajta zoti (njëjësi i shquar) përherë gjendet e varur a e mbyllur brenda shprehjes së caktuar, duke hyrë kështu në një grup a kategori të veçantë emrash nderimi, siç janë b.f. emrat në trajtë të ngurosur: baci (baca), bali, efa (efendi), imzot, atë, baba etj. + emri përkatës dhe

 e treta, fundi i fundit në asnjë konteks fjalior e semantik këto dy koncepte, me sa dihet, nuk mund të kenë takim për të formuar kështu ndonjë homonimi të vrazhdë!

            Prandaj, nga sa  u tha, nuk qëndron asnjë arsye (as brenda- as jashtëgjuhësore) për ta bërë zëvendësimin e trajtës zoti me trajtën zotëri, po të dyja të përdoren sipas specifikimit që tashmë e kanë të ravijëzuar në letrarishten e sotme.   

 

Së dyti, është cekur më sipër, por do të vërtetohet edhe më poshtë, se kuptimi i emrave zotni dhe zotëri nuk ishte identik, d.m.th. kishte dallime në mes tyre edhe në ish-shqipen letrare para kodimit të normës (të viteve ’70), prandaj lidhur me barasvlerësinë jo të plotë të trajtave zotëri / zotni del e nevojshme të jepen sqarime të duhura. Është vërtetë se me rastin e mënjanimit nga norma të trajtë-emrit zotni, të gjitha nënfushat semantike të saj nuk dalin të mbuluara kënaqshëm me trajtën zotëri, prandaj në këtë kontekst çështja del paksa konfuze. Kur është fjala për koncepte të pambuluara me trajtën zotëri e derivatet që dalin mbi këtë bazë, diskutimi i çështjes, jo vetëm që nuk duhet të cilësohet si një kthim prapa a "çelje punë pa nevojë" rreth njëzimit të gjuhës sonë letrare, por duhet të konsiderohet si një ndihmesë për përplotësimin e standardit me elemente të reja. Të jemi më të qartë. Është e vërtetë se me fjalën zotni dhe derivatet e saj, e cila dilte si trajtë e favorizuar në Fjalorin e gjuhës shqipe (1954) si dhe në Fjalorin shqip - serbokroatisht, Prishtinë 1981, mbuloheshin a mbulohen më shumë koncepte se sa mbulohen tashti vetëm me fjalën zotëri dhe derivatet e saj. Konkretisht me fjalën zotnoj kuptohej vetëm pjesërisht edhe koncepti i fjalës zotëroj (posedoj), për çka këtu nuk insistohet të bëhet fare diskutimi, por kur me atë trajtë kuptohej diçka më tepër, atëherë çështja domosdo kërkon sqarim. Me fjalën zotni mbulohej së pari, siç u tha, kryekëput kuptimi i trajtës zoti, d.m.th. përdorimi para "titullit që i jepet një burri për ta nderuar", por së dyti edhe koncepti "i pari i shtëpisë", zoti I shtëpisë ose zotshpi-a[31] dhe së treti, vetia bujare a njerëzore e njeriut të caktuar etj.

Ç’është e vërteta, cilësia që u cek në pikën e tretë përmendet paksa edhe në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe  (1980) për fjalën zotëri, por, si me thenë, përmendet në margjinë, nën hije të koncepteve të tjera dhe jo e plotë,  koncept ky që te fjala zotni zinte vendin e pare dhe dilte më e plotë. Te jemi edhe më të qartë. Në Fjalorin shqip - serbokroatisht (1981)[32], por edhe në ndonjë burim tjetër trajtat zotëri zotëroj kanë barasvlerësi me fjalën gospodar gospodariti (posedovati) të serbokroatishtes (it.padroneggiare, rus. gospodovatj), gjë që është barasvlerësi e drejtë, ndërsa trajtat: zotni zotnoj kanë barasvlerësi me trajtat gospodin gospodovati të serbishtes (it. signoreggiare,[33]rus. Barstvovatj),[34]të cilat, sipas përkufizimit, nuk mbulohen me trajtën zotëroj, zotëri. Te koncepti i dytë gospodovati, siç e shënon S. Dobroshi (1952), kemi të bëjmë me  barasvlersin "me zotnue, me jetue si zotni"[35], përkatësisht me konceptin të një njeriu "burrë zotni", serbisht gospodin, pravi gospodin, prefinjen ?ovek".[36]Pra pikërisht koncepti zotnoj, jetoj si zotni,: jetoj zotnisht (bujarisht) a me zotnillëk etj. nuk del i mbuluar qartë ose fare me foljen zëvendësuese të letrarishtes së sotme zotëroj..

Prandaj, nuk na duket aspak me vend, dukuria e ikjes nga trajta zot + emri përkatës   mjerisht është e vërejtshme në mjaft paraqitje publike e shkrime të autorëve tanë, sidomos gegërishtfolës, të cilët e respektojnë, si me thënë,  verbërisht trajtën zotëri!, në vend të trajtës zotni, të cilën si duket qartë e kanë të gjallë e aktive në sistemin e vet ligjërimor, të cilën, për hir të respektimit zyrtar të normës, po e zëvendësojnë automatikisht me trajtën zotëri. Prandaj rastet e tilla me të drejtë shtrojnë nevojën e rehabilitimit të trajtës zotnoj, ngase shtohet dyshimi se me mënjanimin i trajtës gege, mos vallë, është shkaktuar varfërimi i gjuhës letrare kombëtare marrë në tërësi për këtë pikë!?      

            Pra, për mendimi tonë s' ka kurrfarë arsye që në raste të tilla të mos bashkëjetojnë trajtat e foljeve më -NO- krahas atyre më -RO-, kur ato tregojnë koncepte të ndryshme semantike, madje edhe në qofshin të farkëtuara e të motivuara nga tema e njëjtë fjalëformuese.[37] Në situata të tilla zgjidhja me polisemi të dhunshme është fare e panevojshme dhe mund të cilësohet si veprim i dëmshëm gjuhësor.

            Kjo çështje që sapo u prek këtu po të trajtohet më në hollësi do të na hapte edhe hulli të reja me interes, por që nuk është synimi ynë i trajtesës sonë këtë rast. Megjithatë, edhe kjo, sa u tha, besoj se mjafton sa për të rikujtuar këtë dukuri, e cila gjithsesi paraqitet si çështje e hapur. Sa për ilustrim po cek një shembull, ndonëse të formuluar arbitrarisht, ku janë të pranishme të tria trajtat në shqyrtim:

"Zoti profesor është zotëri i nderuar. Babai i tij ishte një burrë- 

 zotni që si të tillë e njihte dhe e nderonte bota".

            Zëvendësimi i njërës trajtë me tjetrë, sipas mendimit tonë, do të lëndonte autenticitetin e tipizimit. Më e logjikshme dhe më e arsyeshme na duket që gegërishtfolësit ta përdorin në konkurrencë lojale trajtën zotni, ndaj trajtës së normëzuar zoti, sidomos në raste tipizimi etj. sesa ta përdorin trajtën zotëri, e cila, siç dihet, del e rezervuar për koncepte të tjera

             Në përmbyllje, krejt kjo që u shtrua dhe u trajtua në këtë trajtesë,  mund të përmblidhet fare shkurtazi në këto tri pika:

            E para, fjala zot-i, si fjalë autoktone e shqipes, pati dhe ka përdorim mjaft të ngjeshur e të gjerë në mbarë gjuhën tonë edhe në ditët e sotme përdoret, qoftë si emër konkret, qoft si emër kuptimi, por edhe si emër-term hyjnor. Si emër hyjnor, përkatësisht si term fetar fjala Zot ka sinonimi me fjalë-termat Hyj, Perëndi dhe Allah, por nuk është identik në të gjitha rastet e përdorimit me ta.. Fjala Zot-i veçan është regjistruar me të drejtë në fjalorët normative përshkrues të gjuhës sonë letrare, mirëpo përkufizimi i kuptimit leksikor i fjalës së tillë duhet rishikuar, përkatësisht duhet korrigjuar e përplotësuar nga pozita neutrale, siç  u prozua  edhe në.këtë trajtesë.

E dyta, me kuptim të përgjithshëm në kuadër të fjalës zot del trajta e ngurosur zoti (njëjës i shquar), e cila përdoret në shprehje të veçanta përpara një emri, mbiemri a titulli të njeriut, me qëllim nderimi, përuljeje, qoftë në raporte zyrtare, qoftë në raport të rangimit shoqëror etj. dhe në mjaft raste po tentohet pa të drejtë, për arsye subjektive, pa mbulesë,  me u zëvendësue me trajtën zotëri (!).

E treta, nga raporti zotëri / zotni del se trajta zotëri me derivatet e saj si trajtë e normëzuar i ka të specifikuara nënfushat semantike të përdorimit që dallojnë paksa nga nënfushat që mbulonte fjala zotni, me derivatet përkatëse të saj,. Prandaj  propozohet që jo vetëm për "tipizime" të caktuara, por edhe për koncepte të pambuluara kënaqshëm me trajta të tjera, trajtës zotni  institucionalisht t’i  lejohet  e  drejta  për konkurrencë të lire, lojale.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

                         P ë r f u n d i m

 

            Pas ndryshimeve që ndodhën, 10 - vjetshat e fundit,  në sistemin shoqëror e politik të shoqërisë shqiptare, sërish u riaktualizua çështja e përdorimit të fjalës Zot, prandaj edhe ne e rrahëm këtë problem, duke u përqëndruan në këto tri pika themelore:

            E para, rreth shtrirjes vertikale e horizontale të fjalës zot në gjuhën shqipe, ku u vërtetua se fjala zot, si fjalë autoktone, del e përhapur në kohëhapësirë nëpër shekuj më kuptim abstrakt dhe me kuptim konkret.

            E dyta, rreth raportit  të fjalë-termit hyjnor Zot me sinonimet përkatëse Hyj, Perëndi dhe Allah si emra të përveçëm dhe u vërtetua se me përqafimin e kristianizmit, përveç kuptimeve hyjnore që kishin në jetën pagane përveç fjalës Zot, edhe Hyj e Perëndi fituan konotacion të ri, duke marrë elemente specifikimi për të shprehur konceptin e Krijuesit të vetëm të botrave, ndërsa po për të njëjtin koncept u pranua si huazim transfer që me përhapjen e islamizmit ndër shqipfolës edhe fjalë-termi Allah.

            Meqenëse për arsye të ndryshme në fjalorët shpjegues të shqipes përcaktimi i kuptimësisë  monoteiste të fjalës Zot nuk del e dalluar kënaqshëm nga kuptimësia pagane, si përplotësim u propozua teksti si vijon:

       ZOT-I  1.  m. v.nj. Sipas përfytyrimeve fetare (monoteiste) qenia e

            vetme më e lartë e mbinatyrshme, e cila ka krijuar botën,

            qëndron mbi të dhe drejton gjithçka. Perëndi Hyj, Allah.

                  2.  sh. –A/T) Sipas përfytyrimeve fetare mistike pagane.

                       (politeiste) çdo hyjni  e cila besohej se sundonte një pjesë

                       të botës e të natyrës.            

 E treta, rreth raportit kuptimor të fjalës zot si fjalë-emër i përgjithshëm në raport me derivatet: zoti, zotëri e zotni, ku doli përfundimi se në gjuhën shqipe me kuptim konkret njeriu, veç fjalës zotëri–a, del në përdorim edhe trajta e ngurosur zoti + emër përkatës, e cila padrejtësisht tentohet të zëvendësohet me trajtën zotëri, gjoja për.t’i ikur homonimisë së vrazhdë me emrin e përveçëm hyjnor Zot-i. Në trajtesë u sqarua bindshëm se një shqetësim i tillë, del fort i pa bazë, ngase keqkuptimi i tillë pengohet formalisht e thelbësisht nga vetë struktura e sistemit të gjuhës sonë letrare.

            Fundja, nëse del e nevojshme që trajta zoti + emri përkatës të rishikohet për ndonjë arsye tipiziuese etj, atëherë, mund të konkurrohet me fjalën zotni + emri përkatës, e cila në ish - shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes kryente po të njëjtin funksion dhe assesi nuk ka nevojë të zëvendësohet me trajtën zotëri, e cila del e specifikuar për koncepte të tjera.

 

 



[1]  Shih edhe te gazeta Bujku, 24.IX.1995, f.13.

[2]  Frang Bardhi, Fjalor latinisht-shqip 1635, Rlindja, Prishtinë 1983.

[3] Dr. Eqerem Çabej,Studime gjuhësore VII, Prishtinë 1985, f.271.

[4] Henrik Bariq, Reçnik srpskoga ili hrvatskoga i albanskog vezika, Zagreb 1950.

[5] Fjaluer serbokroatisht –shqip, Mustafa Bakia, Prishtinë 1953.

[6]  Fjalor i gjuhës shqipe (grup autorësh), Tiranë 1954, rib. Prishtinë 1976, f. 637.

[7] Po aty f. 638.

[8] (Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore VII, Prishtinë 1986 f. 213).

[9] Shih A. Qeriqi, Prania e emrave hyjnor ndër shqiptarë, artikull i botuar në gazetën "Bujku" më 16. I. 1995 f. 10.

[10] Dr. E. Çabej, Studime gjuhësore IX , Prishtinë 1989 f. 242.

[11]  A.Qeriqi, art. I cit, f. 10.

[12]  Dr. E Çabej, Studime gjuhësore VII, Prishtinë 1986, f. 213-214.

[13] Shih:K. Kristoforidhi, Fjalor shqip-greqisht (1904), rib. Prishtinë 1977 f. 256.

[14]  Fjalori i “Bashkimit” (1908), rib. Rilindja, Prishtinë 1978. f. 332.

[15] Shih dr E. Çabej, Studime gjuhësore IV, Prishtinë 1977 f. 44-45.

[16] Mala enciklopedija Prosveta I, Beograd,1978 f. 36,

[17] Po aty f. 730.

[18] Srpsko-turski re?nik (nga K. Agushi), Ankara 1980, f. 213.

[19] Sqarim:  ka  dijetarë që, duke pasur  parasysh librat e shenjtë Ungjillin (Biblën) e

    Kuranin, mendojnë se te shqiptarët  janë të përhapura dy fe: kristiane e islame, disa të

    tjerë këmbëngulin në tri: ordokse, katolike e islame, ndërsa  dikush tjetër  në katëfe(!):

    ortodokse, katolike, islame dhe bektashiane(!).

[20] Shih L. Matrënga, "E mbësuame e Krështëne" (1592), përgatitur nga F. Sulejmani), Prishtinë

    1979, f. 263.

[21] Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë 1980, f. 2246.

[22]  Shih Fjalor i shqipes së sotme, Tiranë 2002 f.1519.

[23] Drita e jetës,Gjilan 1995, f.23.

[24]  Fjalor i gjuhës së sotme shqipe , Tiranë 1980 f. 2248.

[25]  Fjalor i shqipes së sotme, Tiranë 2002 f.1519.

[26]  Shih artikulli i prof. A. Kostalllarit "Pse duhet zëvendësuar fjala zotni" i botuar te "Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës" I, Tiranë 1973 f.96.

[27]  Fjalor i shqipes së sotme, Tiranë 1984 f. 1169.

[28] Shih Fjalori i shqipes së sotme, Tiranë 2002, f.  1268.

[29]  Fjalor serbokroatisht-shqip (grup autorësh),  Instituti Albanologjik, Prishtinë 1981, i cili konsiderohet normativ.

[30]  Shih: Zindan, Njëshmëria e krijuesit, Prishtinë,  2000, f. 255,  .

[31]  Shih dhe  M. Elezi, Fjalor i gjuhës shqipe, Tiranë 2006, f. 1633.

[32]  Shih Fjalori shqip –serbokroatisht, Prishtinë 1981, f.1040

[33]  Shih: Vocabolario irtaliano – croato o serbo,  Zagreb 1980, f. 600, 822.

[34]  Shih: Standardni reçnik rusko-srpskohrvatski, Obod, Cetinje 1979, f.40,13.

[35]  S. Dobroshi, vepra e cit. f.56.

[36]  Fjalori shqip-serbokroatisht Prioshtinë 1981 f. 1041.

[37] Lidhur me këtë shih më gjerësisht në veprën Foljet më –o në gjuhën shqipe (N. V.),

     Prishtinë 2002,  f. 123 etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora