Kulturë
Hyqmet Hasko: Afresku poetik i feminilitetit
E enjte, 13.12.2012, 08:20 PM
Afresku
poetik i feminilitetit
Rreth dy përmbledhjeve poetike “Protobernzat e shpirtit” dhe “Dashuri engjëllore” të poetes Deshira Haxhi
Nga Hyqmet Hasko
Deshira
Haxhi, autore e dy përmbledhjeve me poezi, “Protobernzat e shpirtit” dhe
“Dashuri engjëllore” të mirëpritura nga lexesi dhe kritika, është një zë poetik
i veçantë, me një tematikë të përveçme, ku spikat një lirizëm spontan dhe
figuracion i pasur, me një teknikë të zhdërvjellët të përcjelljes së imazhit
dhe të mesazheve të saj estetike.Ajo e përvijon individualitetin e saj poetik
në vijim të traditës më të mirë të asaj lirike, të ëmbël e të ngrohtë, fine e
të magjishme, që vjen që nga Lasgushi ynë i madh, mbreti pa krorë i lirikës
shqipe, e vijon deri në kohën tonë, në të gjitha hapësirat mbarëshqiptare të
shkrimit poetik. Në vëllimin poetik “Protobernzat e shpirtit” ka një dehje të
poetes me fjalën e ëmbël dhe kumbuese poezi, një raport midis reales dhe
transhendentes, midis unit dhe jashtësisë, midis të ndodhurave të autores dhe
përditshmërisë sonë, të ngarkuar me mall, trishtim, idil, vetmi dhe kërkime të
pareshtura në shpirtin e së bukurës. Këto vizatime pasurohen në spektrin e
ngjyrave dhe linjave, toneve dhe imazheve në librin e dytë të poetes “Dashuri
engjëllore”, ku ka një prirje të autores drejt filozofimit dhe abstragimit
poetik. Afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të
ridimensionuara në artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell kjo
poete, përfshin prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore
mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e
figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve. Poetja “luan” me gjërat,
në dukje, të imëta e të vogla, por që në fakt, përbëjnë përditshmërinë dhe
raportet e saj me veteveten, me unin dhe jashtëunin, me ata që e rrethojnë,
duke na sjellë kështu hapësira të ndjesive dhe përjetimeve, ku ajo gjen trajtat
dhe modelet e procedimit modern të aktit të shkrimit të poezisë. Fryma e
poezisë së Haxhit është një frymë fenminile, një natyrë e pastër, kurajoze për
t’i vështruar gjërat në sy dhe në thelbin e tyre filozofik, plot lëng dhe
ngjyra të gjalla jete, ku përvijohet përvoja më e mirë e traditës poetike shqiptare,
por dhe thyerjet e saj, moderniteti si një cilësi në rritje, sidomos në kohën
tonë, kur nuk ka më pengesa jashtëletrare për shkrimin e poezisë së vërtetë.
Haxhi shpalos në aktin e saj poetik një jetë në kërkim të vlerave dhe
dimensioneve më të pastëra e më të qashtëra të qenies njerëzore, duke krijuar
rrathë koncentrikë që priten në një pikë, në dashurinë e saj për të bukurën,
për shpirtin e lirë dhe të dashuruar me dimesionet e gjithçkaje për të cilën ia
vlen të jetohet e të sakrifikohet. Autorja shkruan një poezi ku gërshetohet
tradicionalizmi poetik me risitë e modernitetit, përdor vargun me rimë,
asonanca dhe ritme të matura, por herë herë dhe të lirë, (të lirë në kuptimin
më tekonologjik të kësaj fjale, por jo të çliruar nga përkujdesja ritmike dhe prozodike,
siç ndodh me një duzinë të vetëshpallurish poetë, që çdo renditje fjalësh, në
cfarëdolloj forme e strukture, e quajnë me gojën plot poezi, kur në fakt nuk
janë as thjeshtë vargëzime të rëndomta). Deshira Haxhi, siç dhe thamë diku
shkarazi, ka në themel të aktit të saj poetik unin si protagoniste lirike,
marrëdhëniet e këtij uni me botën e jashtme që e rrethon, me kohën dhe
bashkëkohësin, me problematikat sociale, etike dhe ekzistenciale, me të cilat
ballafaqohet në rrugëtimin e saj poetiko-filozofiko-metafizik. Ajo lot si me
tekstin e drejtëprëdrejtë, si komunikim direkt, ashtu dhe me fjalët dhe
stilemat simbolike e parabolike, që përdor për të hyrë në raporte “të fshehta”
me lexuesin, duke shprehur në mënyrë nëntekstuaale, pra me anë të të nënkuptuarës
kodet e shpirtit të lirë. Poezia e Haxhit është një poezi mozaik, ku
enumeracioni, zhvendosjet e gjendjeve në kohë dhe hapësirë, kërkimet spontane e
të vetvetishme në dukuritë që ajo i njeh mjaft mirë, janë pjesë e kameras së
saj vëzhguese e interpretative poetike. Ndoshta e veçanta e artit poetik të
Haxhit ka të bëjë me përjetimin e thellë që ajo i bën gjendjes poetike, me
llavën që i zien nga brenda dhe nuk mund ta lerë pa e nxjerrë jashtë, në
sipërfaqe, në strofa dhe vargje të ndjerë, që bëhen mesazhierë të kredos së
saj. Në këtë shtrirje zë vend sa, bie fjala, Gjirokstra, vendlindja e trazimeve
të saj, aq miti i Doruntinës, malli dhe idili i kohëve të ikura, që tani e ia
trazojnë shpirtin si kujtesë, himni i heshturi dëshirës, bota e fjetur dhe përndjeksja
dhe vrasësja e stuhive, etj. Jetojmë në pritje!Dritën kërkojmë hijeshsi të ish'
jeta një drejtëz,pa ditur ku do arrijmë...Poetja e shkrin në një ndjeshmërinë e
saj feminile, me ngjyrat dhe dehjet e natyrës, me gjendjet dhe peizazhet
lëvizëse, gëzimin fërfëllitës të barit në pranverë dhe dhjetëra gjëra të vogla,
që e rrethojnë, duke ia bërë jetën më të bukur dhe më të plotë. Dëshira Haxhi
nuk i njeh pozat dhe shtirjet, por thjeshtë e me një ndjeshmëri spontane, me
shqetësimin e natyrshëm, që ia mban ndezur llambushkat e shpirtit, na shetit
nëpër një gjeografi të thyer stinësh dhe kohësh, gjendjesh emocionale dhe
përjetimesh, kujtesash dhe historishë. Ajo të befason me çdo varg e strofë, të
mrekullon me çdo poezi, me fuqinë dhe magjinë e figurës, me lirshmërinë e
paraqitjes së situatave poetike, me saktësinë dhe origjinalitetin e gjetjeve,
me rrezonancën e fortë që përçojnë mesazhet dhe filozofia e artit të saj
poetik. Leximi i poezisë femërore, kur ka brenda sharmin dhe feminileitin, siç
ndodh me peoznë e Deshira Haxhit, të zgjon kënaqësinë e një zbulimi të bukur,
ku parakalojnë ndjesitë dhe përjetimet më fine, të përcjella me një sharm të
veçantë estetik. Poezia e Haxhit bën pjesë në poezinë e re shqipe që shkruhet
nga femrat më të talentuara të brezit të saj, një brez vërtet i veçantë, që
shkruan jo me me fjalë, vargje e strofa, por me pejëza shpirti, duke pasur si
kryefjalë të aktit poetik dashurinë, dashurinë me shkronja të mëdha, në
kuptimin më të gjërë të kësaj fjale, që nga gjërat e imëta e të vogëla që na
falin dhe iu falim përkujdesje e dashuri çdo ditë, gjer tek më të mëdhatë e më
sublimet, që fisnikërojnë e shenjtërojnë jetën e secilit prej nesh.