Kulturë
Nuhi Ismajli: Gazetari i provinc?s
E enjte, 13.12.2012, 08:30 PM
Gazetari
i provinc?s
(Tregim)
Nga Nuhi Ismajli
Ardhja e
trumcakëve në krye të pushtetit neve na kushtoi shumë. Ata, përfundimisht, na i
rrënuan të gjitha mundësitë për të zgjidhur çështjen e ekzistencës. Ne kishim
jetuar deri atëherë nja njëzet e pesë
vjet, nëpër shtëpi private, si qiraxhi, si kishim mundur, duke bartur në radhë
të parë brengën e pagesës së qirasë dhe pastaj sigurimin e shpenzimeve më
elementare të jetës. Nja nëntë vjet, mos na rëntë t’i harrojmë, si thotë
populli, vuajtëm mjaft edhe për bukë e kripë e lëre më për të tjerat. Por,
vuajtjet i kalonim me një durim e qëndresë të pamposhtur dhe me shpresën e
madhe se një ditë do të shpërbleheshim me mirënjohje njerëzore e kombëtare dhe
me një jetë të dinjitetshme. Madje, nuk po vuanim vetëm ne, po edhe shumica e
njerëzimit. Ishte koha kur njeriu duhej të kishte parasysh vlerat kryesore
njerëzore dhe kombëtare. Ne besuam në ato ideale, u përpoqëm të qëndronim
brenda dhe në shërbim të tyre, prandaj qëndruam e fituam. Ishim të pamposhtur,
sepse e kishim të qartë për çka kishim vendosur të qëndronim. Në ato rrethana,
pothuajse ishte bërë moto një porosi e Dantes:
“Asnjë të
mos harrojë se është njeri,
ju nuk
kini lindur për të jetuar si shtazë,
po për të
ndjekur virtyt e dituri”.
Prandaj,
edhe u munduam gjatë asaj kohe t’i kryenim detyrat tona njerëzore, që
shtroheshin para nesh, për të dalë faqebardhë ditën, e cila, shpresonim se do
të vinte patjetër. Atëherë, në atë ditë të ëndërruar, do ta ndjenim veten të
denjë për respekt dhe jo vetëm për respekt, por edhe për një ndihmë shoqërore,
për të cilën kishim nevojë për të jetuar me sadopak dinjitet. Ne shpresonim se
me punën që do të bënim, ekzistencën do ta kishim më të lehtë, kurse shoqëria,
nuk do të rrinte indiferente ndaj arsimtarëve, që nuk kursyen mundin e tyre për
jetën e re, prandaj edhe shpresonim për mundësinë e sigurimit të strehimit.
Dhe, ajo
ditë erdhi! Po, ne mbetëm të sorollateshim, pa zgjidhur asnjë brengë. Kush nuk
po na njihte. Kush ishim ne?! Arsimtarë! Ik, more! Asnjë respekt! Asnjë nder!
Kurrë më shumë i injoruar! U ndanë disa banesa për të pastrehët, por për ne
përgjigjja ishte se jemi intelektualë dhe, aty, intelektualët nuk është mirë të
vendoseshin. Domethënë se, për ne, si intelektualë, më mirë ishte të mbeteshim
rrugëve dhe strehëve të huaja, sesa në banesat e solidaritetit.
Jetonim
pa shpresë. Nuk po na njihte kush, as sa buburrecin!
Një ditë
tjetër, gruaja, e shqetësuar, tha: “Sikur të mos kishim brenga të tjera, ma
shtuan edhe një mundim më tepër. Më transferuan, atje, përtej kodrës. Nuk di si
e mbaj punën.”
- Jo, - i
thashë unë, - duhet të kërkosh të shqyrtohet rasti, mos ka ndonjë zgjidhje.
- Nuk po
duan, - tha gruaja. – Kanë bërë, si po thonë ata, do kritere, sipas të cilave,
punëtoret më të reja, që kanë ardhur aty, disa vjet pas nesh, duhet të mbeten
në vendin e punës, kurse ne, disa më të vjetra, duhet të transferohemi. Po
thonë, këtë vendim e ka firmosur vetë kryetari i komunës!
Kam
lexuar diku ku thuhej se çdo e keqe e mundshme të ndodhë, do të ndodhë.
Prandaj, edhe e keqja me të cilën u ndeshëm ndodhi. Ndodhi edhe kjo që, njeriu
i pushtetit, që duhej të kujdesej për drejtësi e rregull në popull, të përzihej
në punë tejet të panjerëzishme, të cilat iu shkaktojnë njerëzve të këqija e
lëndime të palejueshme.
Ne fituam
në të gjitha gjitha organet, që u morën me rastin tonë. Ndër të tjera, në
rastin tonë pati reaguar denjësisht edhe KMDLNJ-ja e kryetari i saj, z. Bexhet
Shala, kurse zonja shumë e nderuar, Tringa, nga Komisioni i Pavarur për Ankesa,
mendojmë se meriton të shpallet qytetare nderi e komunës sonë, pasi përkundër presioneve që
pati nga eprorët komunalë, mori vendim në favorin e së drejtës. Por, pastaj,
shih ti, çudinë e trumcakëve, kryetari i komunës shkruan një vendim me të cilin
shpall të pavlefshëm vendimin e Këshillit të Pavarur për Ankesa! Si të ishte
kryetar gjyqi! E, mbase, si po shihet, edhe më shumë se kryetar gjyqi. Se
gjyqit i takonte të merrej me vendimin e Komisionit të Pavarur, për rastin
tonë, e jo kryetarit të komunës.
Trumcakët,
përmes pushtetit, donin të tregoheshin të mëdhenj, duke iu imponuar e duke iu
bërë keq njerëzve, veçmas punëtorëve të arsimit, të kulturës, shkrimtarëve…
Asokohe,
unë besoja në mundësinë e disponimit të një fije yndyre në fytyrën e trumcakëve
me pozitë në pushtet, besoja në mundësinë e ndikimit të fjalës në ndërgjegjen e
tyre, po, për më tepër, si vepër e çuditshme e pushtetit, ia ofroj vendimin e
çuditshëm të krytetarit, ku shkileshin të drejtat e njeriut, një gazetari, i
cili mburrej se shkruante për gazetën më të madhe, që mburrej se ishte gazetar,
profesor, siciolog …
Mendoja,
se ashtu si mbahej, njoftimi im do t’i shkaktonte mbresa, keqardhje, do t’i
shkaktonte tronditje dhe nxitje të madhe për të shkruar, si për një rast
interesant për publikim. Por, jo. Në vend të kësaj, ai tha se gjithçka është në
pajtim me ligjin, se sipas ligjit për vetëqeverisjen lokale, kryetari i ka të
gjitha kompetencat. Shih ti avokatin e pushtetit, më falni, avokatin e djallit!
- Si, -
pyeta unë, – ka të drejtë kryetari të
bëjë padrejtësi, apo ka për detyrë të mbrojë ligjin dhe të drejtat e
qytetarëve!?
- Me
ligjin për vetëqeverisjen lokale…, - përsëriti gazetari, profesori, sociologu.
Nuk e
kisha njohur sa i zi kishte qenë ai që veten e quante gazetar, profesor,
sociolog!
Po çfarë
gazetari, profesori, sociologu, ai, që, në gjithë shkrimet e tij, të vetmën gjë
kishte lavdërimin e pushtetit dhe heshtjen e çdo brenge të masës, derisa, një
ditë, gazeta e kuptoi dhe e përzuri, si thuhet, pa kapuç. (Bënte edhe një punë
ky gazetari, profesori, sociologu: shkruante reagime e polemika në emër të
pushtetarëve!).
Kur i
humbi shkopi, gazetari, profesori, sociologu, iu qep një gazete tjetër, në të
cilën vazhdoi të njëjtën mjeshtëri: të lavdëroj “sukseset” e pushtetit, duke
heshtur çdo problem e shqetësim të masës. Për këtë shërbim, pushteti e
shpërbleu, përveç tjerash, edhe me një vend pune. Ai synoi edhe diç më shumë,
synoi të bëhej drejtor shkolle. Pushteti këtu se përfilli fare. Nuk e dimë
përse, po kjo mospërfillje e pushtetit ndaj tij nuk ndikoi fare dhe ai vazhdoi
me të njëjtin elan të lavdërojë sukseset e pushtetit. Nuk u ndje i ligsht
asnjëherë para asaj që përjetonte populli dhe të shkruante njëherë për të. Nuk
shkroi kur u luajt me arsimtarët që konkurruan për vende pune. Nuk lëvizi fare
kur u zunë vendet e punës në arsim pa konkurs fare. Nuk u trondit aspak kur
fëmijët e vegjël i nxorën fizikisht nga shkolla, vetëm pse kishin pëlqyer të
vijonin mësimet te një mësues a mësuese. Etj. Etj. Sepse, ç’bënte pushteti, për
të ishte e shenjtë! Apo se ishte i shenjtë shpërblimi që merrte, apo që
shpresonte ta merrte! Shërbëtori i keq i zotërisë edhe më të keq!
Lavdërata
e gazetarit, profesorit, sociologut, për pushtetin, për “veprat e çmuara”, për
“sukseset”, nuk do të pushonin, sikur të mos ndodhte kthimi i heroit nga larg.
Një
ndryshim rrënjësor, një lëvizje prej 190 shkallësh, ndodhi papritur në
qëndrimin dhe shkrimet e gazetarit, profesorit, sociologut. Ai i bëri një
komandë vetvetes: “Praaapaktheehuuu!” Dhe, me besnikërinë e një shërbëtori të
tmerruar nga frika, u kthye prapa, u kthye në drejtimin e kundërt, nga ishte
duke ecur më parë. Tani duhej të ecte në drejtimin e kundërt, me bindje,
përkulje, betime, sikur të mos kishte qenë kurrë në drejtimin e tij të
mëparshëm.
Tani,
sikur kurrë të mos kishte qenë ai gazetari i dikurshëm, ai gazetari që të
vetmen detyrë e ka pasur të lavdërojë punët “e shkëlqyera” dhe “sukseset “ e
pushtetit aktual, ai kthehet kah heroi i kthyer, i serviloset atij me
përultësinë e një shërbëtori të devotshëm, nuk dihet përse, duke i mëshuar një
shqelm pamëshirshëm pushtetit të tij aktual.
Ja, çka
thotë ai, për pushtetin e heroit të kthyer, duke injoruar e harruar krejtësisht
zotërinë e tij të mëparshëm:
“Politika
kosovare nuk do të jetë më si ajo e deritanishmja. Ajo do të jetë një politikë
krejtësisht tjetër, pasi ajo do të ketë një vijë krejtësisht të re, një
politikë plotësisht demokratike, që si mision dhe motiv të saj kryesor ka punën
dhe frymën ndërtuese, optimizmin, shpresën, jetën e re, larg, tepër larg më të
mirë, me pak fjalë e me shumë punë…”, etj., etj.
Ç’do të
thotë kjo?! D.m.th. as gazetari, profesori, sociologu, nuk paska qenë i kënaqur
me pushtetin e deritashëm! Po, atëherë, pse shkroi deri tani me raspekt për
këtë pushtet?!
E paska
mjelë, me nder me thënë, pushtetin, si edhe pushteti atë. Ai lavdëro pushtetin,
pushteti paguaj. Ndoshta edhe nuk e ka paguar sa duhet. I ka mbetur borxh. Nuk
i ka dhënë sa ka premtuar, as sa është pritur.
Tani ai
do një zotëri të ri. Pret t’i shërbejë me devocion dhe ai, domethënë pushteti,
ta paguajë. Po, nuk është krejt e sigurt se pushteti i ardhshëm paguan. Ndoshta
gazetari, profesori, sociologu, pret kot. Se askush nuk do t’ia shohë hajrin
shërbimit të tij. Shërbimit më të ulët, shërbimit më johuman. Shërbimit të
dreqit!
...
Kur një
ditë, derisa po rrinim në kafeterinë “Te Parku”, ia tregova ndodhinë lidhur me
gazetarin, profesorin e sociologun, mikut tim Afrushit, ai më tha: “Mos ia zër
për të madhe. Gazetar i provincës, më! Lëre mos u merr me të!”
Nuk
dashta t’ia prishja disponimin mikut tim me marrëzitë e gazetarit, profesorit,
sociologut, dhe nuk ia thashë atë që po mendoja për protagonistin e marrëzisë
- gazetarin, profesorin dhe sociologun,
i cili, për marrëzi, jo në provincë, po edhe në qendrën e marrëzisë, do të
zinte vendin e parë, e se do t’ia kishin lakmi edhe vetë “heronjtë” e Erazmit
të Roterdamit!
P. s.
Çdo ngjashmëri me realitetin është dhënë qëllimisht.