Sport » Sporti
Gjekë Gjonaj: Rrezart Cungu, tenisti më i mirë shqiptar në Mal të Zi
E shtune, 24.11.2012, 10:01 AM
Rrezart Cungu, tenisti më i mirë shqiptar në Mal të Zi
Nga Gjekë Gjonaj
Tenisi për shqiptarët në Mal të Zi është ndër sportet më pak i përfaqësuar. Jo pse rinia jonë nuk e preferon, apo nuk e do këtë sport, por pse në trevat shqiptare me vite të tëra ka munguar mbështeja institucionale, për ç’gjë gjenerata të tëra nuk patën mundësi as t’i provojnë aftësitë e veta, e as të shpalosin talentin e tyre në fushën e tenisit.
Klubi i Tenisit “ Bellevue” organizatë serioze sportive
Falë
biznesmenit të suksesshëm ulqinak Nazif
Cungut, lider i Forcës së Re Demokratike – Forca ky sport,
i cili 20 vite ishte lënë pas dore në Ulqin, u gjallërua. Ai para pak më shumë se tri vitesh themeloi
Klubin e Tensiit “ Bellevue” ,
riaktivizoi qendrën e tenisit , riparoi
fushat e tenisit në ambijent të hapur dhe të mbyllur, krijoi kushte për
stërvitje gjatë vjeshtës dhe dimrit, hapi shkollën e tenisit për fëmijë, emëroi
stafin drejtues, përgatiti trajner të
liçencuar dhe organizoi turne të ndryshëm për fëmijë në nivel lokal, nacional,
rajonal dhe europian. Të gjitha këto aktivitete dhe puna e palodhshme e
udhëheqësve të klubit, kryesuar nga z. Cungu pati jehonë të mirë në Ulqin.
Interesimi i fëmijëve për lojën e
tenisit në këtë qytet të lashtë bregdetar
me civilizim më se dy shekuj e
gjysëm shtohet gjithnjë e më shumë nga viti në vit. Po ashtu radhiten
edhe sukseset. Klubi i Tenisit “
Bellevue” pas një kohe relativisht të
shkurtër pune filluar pothuaj nga asgjëja u shpall klubi më i mirë në Mal të Zi në vitin 201o.
Kryetari i Federatës së Tenisit të Malit te Zi, Dimo Rashoviq në fjalën e hapjes së kompeticionit të dytë ndërkombëtar “ ETA” “ Cungu Open 2012” për moshën deri në 14 vjeç, të nivelit evropian i cili u mbajt në Ulqin, ku morën pjesë përfaqësues nga 16 shtete btë botës ka deklaruar se Klubi i Tenisit “Bellevue” është një freski e vërtetë për sportin e tenisit ne Mal të Zi sepse për një periudhë të shkurtër kohore ky klub u bë një organizatë serioze sportive.
Shpresa e tenisit shqiptar
Rrezart Cungu, djaloshi 14 vjeçar nga Ulqini, anëtar i KT “ Bellevue “ është tenisti më i mirë shqiptar në Mal të Zi. Me sportin e tenisit e ka filluar para 3 vjetësh në Klubin e Tenisit “ Bellevue”, të cilin e ka themeluar babai i tij Nazif Cungu, kryetar aktual i Komunës së Ulqinit, njeherazi edhe lider i Forcës së Re Demekratike – Forca. “ Tenisi më ka hyrë në zemër kur filloi punën shkolla e tenisit, pranë Klubit “ Bellevue” . Qysh atëherë unë fillova stërvitjet e rregullta dhe ky sport shumë shpejt u bë pjesë e pandashme e jetës sime” rikujton fillimet e tij Rrezarti. Ai shumë shpejt shquhet për talentin dhe vullnetin e madh që ka për tenis. Rrugën e vështirë të sukseseve e fillon mbarë. Ka marrë pjesë rregullisht në gara të niveleve të larta dhe ka shënuar rezultate bindëse. Në të shumtën e rasteve ai është ballafaquar edhe me garues më të vjetër se ai.
Promovues i vërtetë i Ulqinit
Ky tenist i shkëlqyer arriti atë që deri më sot nuk e arriti asnjë tenist nga trevat shqiptare në Mal të Zi. Dy vite radhazi është shpallur sportisiti më me perspektivë në Komunën e Ulqinit, për vitin 2010 dhe 2011. Nga mosha 13 vjeçare Federata e Tenisit të Malit të Zi e ka zgjedhur Rrezart Cungun të përfaqësojë Malin e Zi në garat ndërkombëtare të tenisit të cilat janë mbajt në korrik të vitit të kaluar në qytetin Pilzen të Çekisë. Pa i mbushur 14 vjeç Rrezarti duel fitues në turneun shtetëror të Malit të Zi për grupmoshën deri në 16 vjeç, duke u shpallur kampion i Malit të Zi. Ka të fituara dhjetra turne dhe disa herë ka luajtur në finale nëpër turne shtetërore, kombëtare e ndërkombëtare. Cungu është radhitur në vendin e 171 në listën e tenistëve më të mirë europian në grupmoshën e tij. Sukseset e tij të deritashme janë promovimi më i mirë që Ulqini është duke bërë në fushën e sportit. Rrezarti që dy vjet si sportist i shquar është një ambasador i vërtetë i Ulqinit, një promovues i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Sukseset e tij kam bindjen do të jenë frymëzim edhe për shumë sportistë të tjerë shqiptarë nga Mali i Zi.
Kupa e Artë për 100 - vjetor
Ndër
sukseset e shumta që ka pasur ky tenist shqiptar tashmë i njohur në arenën
kombëtare dhe ndërkombëtare veçon Kupën
e Artë në Turneun e Hapur “ Pavarësia”,
i cili u mbajt në Tiranë në kompleksin
modern “ National Sport Park , nga data
10-14 nëntor, për nder të 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Tenisti tashmë i njohur në arenën kombëtare dhe
ndërkombëtare nga Ulqini , edhe pse në moshë më të re se të gjithë garuesit e
tjerë, dëshmoi klasin e tij dhe sipas
specialistëve të këtij sporti tregoi
lojë të nivelit të lartë. Ai në këtë
turne të organizuar nga Federata Shqiptare e Tenisit ku morën pjesë 45 tenistë të shkëlqyer nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi ka
fituar vendin e dytë dhe
është shpërblyer me një kup të
artë. Rrezarti në kategorinë e seniorëve ( 14-20 vjeç) shënoi
fitore të lehtë në ndeshjen e parë ndaj shkodranit Mildon
Kumaraku me rezultat 2:0, në sete 6:0, 6:0.
Edhe në ndeshjen e dytë mundi
pastër kundërshtarin Grid
Voshtina, anëtar i Klubit Kartografik
“Bulls” nga Tirana, me rezultat 2:0,
duke mos i lejuar atij asnjë gem.
Bindshëm dhe pa snjë problem
fitoi edhe ndeshjen e çerekfinales
përballë tenistit prizrenas Burim Bytyqi, anëtar i Klubit të Tenisit “
Prizreni”, po ashtu me rezultat 2:0, në
sete 6:3 6:2. Rivaliteti ka qenë shumë më i madh në ndeshjen gjysmëfinale me
numrin 1 të Kosovës, Granit Bajraliu,
anëtar i KT “ Prishtina” . Loja ishte një spektakël, që zgjati mbi 3 orë.
Rrezarti ishte më i mirë se tensiti nga
Prishtina (6:4, 4:6, 6:4). Mjaft e bukur ishte edhe ndeshja finale, në të cilën 14 vjeçari Cungu dhe
18-vjeçari Genajd Shyphea, anëtar i KT “
Tirana” dhuruan spektakël për publikun , në mesin e të cilëve ishin edhe një
grup fansash ulqinak, të cilët kishin ardhur
në mënyrë të organizuar enkas për ta
mbështetur bashkëqytetarin e tyre. Finalja në mes tyre ishte
emocionuese. Në setin e parë tenisiti i
Tiranës, kampion i Shqipërisë për të rinj
triumfoi 6:3, ndërtsa seti i dytë ishte më i ekuilibruar. Rezultati
barazohet disa herë, deri në shifrat 5:5, por më pas Cungu, për shkak të
dhimbjes në gju nuk mundi të japë
maksimumin, “dorëzohet” dhe Shyphea fiton 7:5, duke u shpallur fitues i këtij turneu.
“ Në
finale u ballafaqova me tenistin e talentuar tiranas Genajd Shyphea, kampioni i Shqipërisë për të rinj për vitin
2012, i cili në ndeshjen e zhvilluar në
kryeqytet i kanë mjaftuar vetëm 2 sete
(6:4), (6:3) për të mundur kundërshtarin e tij, tenistin e Teutës, Kejvi
Kacelli. Në këtë duel të fortë nuk arrita të kem një prezantim më të mirë seç ishte ky,
sepse që nga fillimi i garës ndjeva dhimbje në gju, por e përgëzoj
kundërshtarin për fitore. Kuptohet se
kupa e Pavarësisë për çdo sportistë shqiptarë, sidomos në kët jubile të 100-vjetorit të shtetit
shqiptar është motiv shtesë, obligim dhe përgjegjësi më e madhe në fushë. Në
këtë ndeshje emocionuese me gjithë
shpirt dhashë maksimunin e mundshëm, por nuk mjaftoi të jem fitues i turneut”,
thotë me modesti Cungu duke shtuar
se ndjehet i lumtur dhe krenar që ishte pjesëmarrësi i vetëm nga
Mali i Zi i kësaj ngjarje të rëndësishme
sportive në kuadër të 100-vjetorit të
Shqipërisë, në një ballafaqim me kundërshtarë
shqiptarë më të mëdhenjë në moshë se ai.
Cakciri: Cungu, lojtar me potencial të lartë
Ishte
pikërisht ky tenist i cili u lavdërua
gjatë dhe pas përfundimit të truneut nga përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të
Tenisit. Ish trajneri i kombëtares së
Shqipërisë për junior Genci Cakciri 30- vjeç nga Tirana , i cili katër herë radhazi fitoi kampionatin Kombëtar
në tenis , konkurroi në Universiada Verore 2007 në Bagkok dhe ishte pjesë e përurimit të ekipit të
Shqipërisë në Davis Kup në vitin 2010, i pyetur për nivelin e deritashëm të lojërave të Cungut
dhe për perspektivën e tij në të ardhem
shprehet: “Unë Rrezartin e kam parë dhe
herë të tjera në turnet U16 dhe U18 të luajtur në Tiranë këtë vit dhe kam parë
një progres të vazhdueshëm në lojën e tij. Mendoj që në finale nuk dha
maksimumin e tij, ndoshta nga emocionet dhe mungesa e eksperiencës. Por ka potencial
per tú bërë një lojtar mjaft i mirë, pasi i ka të gjithë elementet në lojën e
tij. Besoj qe dy vitet e ardhshme do të jenë thelbësore për zhvillimin e tij si
lojtar”.
Udhëton
për medalje në Suedi
Rrezart
Cungu pret të kthehet me medalje edhe nga
turneu i radhës evropian i tenisit për juniorë që do të mbahet
fundjavën e këtij muaji në Gethenburg të
Suedisë. Ai insiston se ndihet
krenar për këtë përfaqësim dhe shpreson
të mos kthehet duarthatë nga Suedia. “ Pres të sjellë në Ulqin ndonjë medalje, sepse
jam stërvitur mirë dy herë në ditë dhe
kam besim në vete. Nuk besoj se do të
zhgënjej, por do të bëj të gjithë të
ndihen krenarë me paraqitjen time në
Suedi”.
Ivanisheviq: Synimi ynë është radhitja në “ Top 50” në listën e tenisit europian
Trajneri i Cungut kroati Zoran Ivanisheviq shprehet i kënaqur me lojën dhe sukseset e deritashme të nxënësit të tij. Ai thotë se Rrezarti edhe pse ishte pjesëmarrësi më i ri në turneun “ Pavarësia” në Tiranë, ku zuri vendin e dytë, ka treguar tenis më të mirë. Sipas tij të gjitha planet për këtë vit i kanë realizuar. “Rrezarti këtë vit është shpallur kampion i Malit të Zi për junior deri në 14 vjeç dhe është radhitur në mesin e 200 tenistëve më të mirë europian në kategorinë e tij. Vitin e ardhshëm do të garojmë në kategorinë e juniorëve deri në 16 vjeç. Synojmë që të mbajmë numrin 1 në Mal të Zi, të radhitemi në “ Top 50” në listën europiane të juniorëve dhe të imponohemi trajnerit të reprezentacionit të Malit të Zi për Davids Cup”, thotë Ivanisheviq .
Përkrahja e plotë e prindërve
I gjithë ky sukses i Rrezartit nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e plotë financiare e morale të prindërve të tij - Nazifit e Gazmires, të cilët nuk kursejnë asgjë që djali i tyre të vazhdojë rrugën e filluar të një tenisti tashmë të suksesshëm, i cili premton shumë. Në pyetjen tonë se çfarë ndiesie është të jeshë prindër i një talenti siç është Rrezarti, babai Nazifi përgjigjet: “Është kënaqësi e veçantë, por edhe brengosje. Sportet individuale janë shumë të vështira dhe tenistët askush nuk mundet t’i ndihmojë gjatë lojës. Si prindër mundohemi t’ia krijojmë kushtet optimale për këtë sport të shtrenjtë. Përveç suksesit kënaqemi sidomos kur kthehet nga turnetë pa lëndime”.
I lumtë
Rrezart Cungut. Ai me lojërat e tij të deritashme, si çdo sportist i mirë, po
na nderon. Kështu i tregojmë botës se edhe ne shqiptarët si pakicë autoktone
në Mal të Zi dijmë të luajmë
edhe tenis.