Sport » Sporti
Tragjedi në Moto GP, vdes Marco Simoncelli
E diele, 23.10.2011, 06:03 PM
Tragjedi ne Moto GP. Një aksident i frikshëm në xhiron e dytë të Cmimit të Madh të Malajzisë në Moto GP i ka kushtuar jetën pilotit italian të Hondës, Marco Simoncelli.
Pamjet e aksidentit janë të frikshme: Simoncelli rrëzohet në pistë dhe në këtë kohë Colin Edwards nuk ka mundur ta evitojë duke i kaluar përsipër me motorrin e tij dhe duke e goditur në qafë.
Që në momentin e parë dukej se situata ishte kritike: 24-vjecari i shtrirë në asfalt pa lëvizur dhe me kaskën që i ishte hequr nga përplasja e fortë.
Doktori Marco Russo, në deklaraten për Italia 1, deklaroi se “Simoncelli arriti në spital me një arrest kardiak dhe shenjat e gomave në qafë”.
Marco Simoncelli po zhvillonte garën e tij të 149 në botëror. Është shpallur kampion bote në kategorinë 250 cc në vitin 2008 dhe që nga viti i kaluar garonte për Hondën në Moto GP.
Gara e Malajzisë u ndërpre menjëherë pas aksidentit dhe u pezullua përfundimisht disa minuta më pas, gjë që bëri të mendohej për më të keqen.