Kulturë
Xhevahir Spahiu: Ftesa në NATO, hap një epokë të madhe
E marte, 15.04.2008, 01:41 PM
Nato në këndvështrimin e poetit
Intervistë/ Pjetërbudët, Skëndërbetë, Frashërinjtë, ishin nismëtarët e rrugës për në Europë
Albert Zholi
Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga Samiti i Bukureshtit, sërishmi shihet se, komentet për këtë ditë të shënuar për popullin shqiptar nuk kanë të sosur. Diskutojnë dhe japin mendime të gjitha shtresat e shoqërisë. Gjithë strumbullari i këtij diskutimi përmblidhet në një pikë: Kush ka më shumë meritë për këtë ngjarje historike? Shumë parti mundohen ta shkfrytëzojnë për kapital politik të njëanshëm, disa nxjerrin në pah rolin e ndonjë individi, të tjerë flasin për ndikimin e grupimeve të veçanta intelektualësh. Ndërsa unë, mendova në këtë masë njerëzish me shumë pikpamje të ndryshme, ti marr një mendim poetit të shquar Xhevahir Spahiu.
-Këto ditë u nënshkrua një nga ngjarjet më historike të popullit shqiptar ftesa për në NATO, si do ta komentonte poeti Xhevahir Spahiu këtë moment historik?
-Është si një 1 Janari i një epoke, i një mijëvjeçari. Tashmë jemi me aleatë të rinj. Nuk është e paktë, sepse siç thotë kënga popullore, deri tani kemi ecur nëpër kohë, “natën o’, vetëm o”. Kemi ecur si në një mjegull. Nuk kemi mundur në të shumtën e rasteve t’i zgjedhim aleatët. Kur ka ndodhur që i kemi zgjedhur, ti seleksionojmë, kemi qenë të fituar. Të mos shkojmë larg, por qoftë tek epoka e Skëndërbeut ne zgjodhëm aleatë. Në Krujë erdhën edhe hungarezë, italianë, polakë, sepse në këtë botë që është një fushë betejë, i vetëm je i humbur. Humbja na ka buzëqeshur nga hera në shumicën e rasteve, sepse jo gjithmonë kemi vepruar me mendje të freskët. Pra, ne i dimë këto gjëra, por i harrojmë. Sami Frashëri, pikërisht në veprën e tij madhore “Shqipëria ç’është, c’ka qenë dhe ç’do të bëhet”, thekson se nuk mjafton vetëm e drejta por duhet edhe fuqia. Kjo fuqi i duhej dhe i duhet një populli të vogël, që edhe për shkak të fuqisë së vet shpirtërore, i bashkuar me malet e tijë ka mbijetuar. Por që gjatë historisë nuk ka qëndruar me gjakftohtësi të gjykojë vetveten, ku e ka hedhur hapin mirë dhe ku e ka hedhur hapin keq. Ky është një çast meditimi për çdo shqiptar, padyshim më tepër për politikën shqiptare. E dyta, ne tani ne jemi më të sigurtë, pa harruar se kush është i sigurtë, nuk është i sigurtë. Në takimin që bëra me studentët në Elbasan u thashë : “Tani nuk u sulmon kush, ruhuni nga vetja”. Në mënyrë metaforike do të thosha që, kjo është dita e natës sonë dhe natyrisht, kur të hapet një shpresë dhe një dritare e madhe, duhet të jeshë më i përgjegjshëm që ta meritosh bukurinë dhe vlerën e asaj që të vjen tek dera. Gjithsesi, siç thashë edhe në Prishtinë më 17 Shkurt (kur isha me familjen time ditën e Madhe të Pavarsisë në mes të një të ftohti të madh) duke u kthyer në Prizren, përmes zhurmës së ujrave më dukej sikur natën rënkonte Abdyl Frashëri. Rënkonte në zinxhir, lart, në kalanë e Prizrenit, pasi ishin këta njerëz si ai, që e hapën këtë udhë. Pjetërbudët Skëndërbetë, Frashërinjtë, ishin nismëtarët e rrugës për në Europë. Ne ishim fizikisht si truall, por vetë koha feudale që ishte një përçarje në atë kohë, i veçonte etnitë nga njëra-tjetra. Por, duke qenë pjesë e këtijë trungu të madh, shqiptarët vinin e trokisnin tek miku. Ideja e lirisë u lidhte shpirtin që duhet ta ketë shoqëria. Por kur është me miq e shokë, liria është gur i rëndë. Dhe nuk e merr lumi. Për të ardhur deri në këtë ditë njerëz si Abdyl Frashëri qanin dhe trokisnin në dyert e Evropës duke shitur pasurinë për të shkuar tek dera e lirisë. Izolimi asfiksues tani u shpartallua, prandaj them se, për ne, hapet një epokë e madhe. Tani e tutje për ne shqiptarët mund të ketë vuajtje, por nuk ka më vdekje shqiptaria. NATO do të sjellë edhe një njësim shpirtëror.
-Meritë e kujt është ftesa për në NATO?
-Unë nuk jam politikan, por siç e thashë dhe më lart, kjo është një rrugë e filluar nga të parët tanë, është një rrugë nga vetë qënia jonë. Ne duhet të ishim si të shtëpisë, por historia ndonjëherë është e padrejtë. Historia nuk ecën sipas llogjikës që don një popull apo një tjetër. Historia, ka edhe ajo absurdin e vet. Vetë jeta disa herë ecën kundër llogjikës dhe duke pasur këtë përplasje, neve tani dimë të vështrojmë më kthjellët. Këtë udhë e çanë të parët tanë që ruajtën fytyrën dhe shpirtin evropian, pavarësisht nga ndikimet. Natyrisht, ne duhet ti jemi mirënjohës Otrantos sonë, maleve të larta, sepse janë lumturia dhe pakënqësia jonë. Kur e pyeta një ushtarak nga fshati im, Skënder Malindin se kush i ka shpëtuar shqiptarët, ai m’u përgjigj pa hezitim, ato janë malet !.Kjo është një fitore e mbarë popullit shqiptar. Ne jemi një popull që anojmë nga ndjenjat, një popull që bëjmë edhe pak aventurë, por tani koha do të na trimërojë me kuptimin më të mirë. Futja jonë në NATO siguron integritetin, ushqen shpresën tek rinia që të mos ikin, por të rrinë këtu dhe ato që vijnë dhe do të vijnë, miqtë, tashmë do ta ndjejnë veten më të sigurtë dhe do të investojnë. Rruga për ta tashmë është e hapur. Ne duhet të dimë ta gëzojmë dhe ta mbajmë mbi shpatulla si ngjarje historike .
Nga Xhevahir Spahiu
poezi
Qeni i rrahur
Këtu jam i huaj
Ndonëse dikur kam qenë i shtëpisë
Midis dystinësh si midis gurëve ka hyrë tinëzisht
Një shtresë akulli
Që e mbyll e shtjellon çdo mirëkuptim
Këtu jam i huaj
Për masën që se kisha, e djeshmja s’ma pranon
Në rrugë ka të tjera pemë
Në dhomë qarkullojnë të tjera zëra
Përmbi çati pëllumbat janë të tjerë
Një re mbi krye më thotë je i huaj.
Të ulërish është pak,
atëherë vjen platitja
mbi ballë ngulet hija, sikur varri
Më mirë ik si qen i rrahur,
I rrahur nga vetvetja e dikurëshme që nuk të njeh kush je.
Pak ç’ka se dje ke qenë i shtëpisë
I huaj sot po ikën nga ky vend.