E hene, 29.04.2024, 04:30 AM (GMT+1)

Mendime

Gjergji Koja: Hapja e dosjeve, Shqipëria e fundit

E hene, 07.04.2008, 03:24 PM


Hapja e dosjeve, Shqipëria e fundit
 
Gjergji Koja - Metropol

Në të gjitha vendet ish-komuniste procesi ka përfunduar ose është drejt fundit.

Vendi ynë renditet edhe pas Maqedonisë për publikimin e ish-spiunëve të sigurimit

Shqipëria renditet në vendin e fundit nga të gjitha shtetet ish-komuniste për sa i takon hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. E ndërsa në shumicën e vendeve ish-komuniste ky proces është mbyllur, dhe në të tjera vende ai po ecën përpara, në Shqipëri hapja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit apo spiunëve nuk ka nisur ende. Ndonëse është një proces që të paktën publikisht ka mbështetjen e të gjithë klasës politike në vend, deri më tani ai është bllokuar, ndërsa propozimet e dhëna për hapjen e dosjeve kanë mbetur thjesht të tilla në sirtarët e Kuvendit. Edhe 18 vjet pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria renditet si i vetmi vend që nuk ka hapur dosjet. Tre draftet e depozituara në Kuvend nga PD-ja, PS-ja dhe PDK-ja nuk janë shqyrtuar asnjëherë, çka tregon se realisht interesi politik për hapjen e dosjeve të ish-spiunëve është shumë larg. Madje në Shqipëri me shumë vështirësi Parlamenti mundi të miratojë një rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit, edhe pse konsiderohet ndër vendet me viktimat, persekucionet dhe internimet më të mëdha në raport me numrin e popullsisë. E vetmja iniciativë e ndërmarrë për hapjen e dosjeve ka qenë ajo në vitin 1995, ku Parlamenti i asaj kohe miratoi një ligj, i cili u konsiderua nga opozita e atëhershme si politik dhe pas fitores së të majtëve në vitin 1997, ky ligj u shfuqizua. Të dhënat historike dhe faktet e publikuara në shtyp në periudha të ndryshme flasin se shërbimi sekret gjatë periudhës së diktaturës ka pasur edhe veprimtari kriminale si dhe antiligjore dhe antikushtetuese, përderisa ai varej drejtpërsëdrejti nga partia shtet. Tashmë që Shqipëria ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO, procesi për hapjen e dosjeve mund të marrë një rrugëzgjidhje.

Krahasimi

Nëse do të krahasohet Shqipëria me vendet ish-komuniste, ajo renditet e fundit, madje është shumë hapa pas nga Maqedonia, e cila në fillim të këtij viti ka miratuar ligjin për hapjen e dosjeve. Gjithashtu ligji për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret gjatë periudhës komuniste është miratuar në Bullgari, proces ky që është drejt përfundimit, si dhe në Rumani, në të cilën ligji është miratuar rreth 3 vjet më parë. Sipas të dhënave të publikuara, ndër vendet e para ish-komuniste që kanë vendosur hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit janë ish-Republika Demokratike e Gjermanisë, Çekia, Polonia etj. Çekia ka miratuar ligjin vetëm pak kohë pas rrëzimit të sistemit komunist dhe formula e ndjekur në këtë vend për spiunët e kohës së diktaturës është diskutuar disa herë dhe shihet si një mundësi për t’u aplikuar në Shqipëri. Në Gjermaninë Lindore procesi i hapjes së dosjeve është kryer menjëherë pas bashkimit të ish-RDGJ-së me RFGJ-në dhe sot në Gjermani arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit (STAS-it) janë të hapura edhe për publikun.

Hapja e dosjeve në Bullgari

Publikohen të dhënat për 107 qeveritarë

Bullgaria, një nga vendet ish-komuniste ka publikuar dosjet për 107 qeveritarë të zgjedhur në qeveritë pas rënies së sistemit diktatorial në këtë vend. Të gjithë zyrtarëve që i janë publikuar dosjet i përkasin periudhës 17-vjeçare 1991-2008. Sipas të dhënave të publikuara në media nga hapja e dosjeve në Bullgari, 30 zyrtarë të lartë nga të cilët 25 ministra, katër zv/kryeministra dhe një Kryeministër kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit në këtë vend. Në të dhënat e bëra publike përfshihet edhe Georgi Parvanov, i përfshirë në shërbimet sekrete të kundërzbulimit, ndërsa pseudonimi i tij ishte “Gotze”. Sipas të dhënave të publikuara, në Bullgari, ish-sigurimsat në këtë vend kryesisht kanë qenë të shtrirë në shërbimin diplomatik dhe në Ministrinë e Jashtme. Të dhënat flasin se tre ish-ministra dhe 13 zv/ministra, kanë qenë kuadro të shërbimit të kundërzbulimit të sistemit komunist. Një ndër gazetarët më të njohur investigativë në Bullgari, Hristo Hristov, në lidhje me hapjen e dosjeve për bashkëpunëtorët e ish-sigurimit në këtë shtet shprehet se "njerëz dhe struktura të caktuara kanë një farë interesi politik dhe ekonomik, që dosjet e ish-sigurimit të mbeten të mbyllura. Kjo në mënyrë që të mos dalin në shesh dosjet e elitës politike dhe ekonomike".

Ish-spiunët në Rumani

Hapja e dosjeve drejt fundit

Rumania nisi procesin e hapjes së dosjeve në vitin 2005, madje në këtë proces janë përfshirë për verifikim rreth 2 milionë dosje. Megjithëse procesi ka kaluar disa vështirësi teknike, sërish ai nuk është ndalur edhe pse Gjykata Kushtetuese në këtë vend ka konsideruar si antikushtetuese disa nga pjesët më të rëndësishme të ligjit që mundëson hapjen e dosjeve. Constantin Dumitrescu do të shprehej pak kohë më parë për “Dojçe Welle”, në cilësinë e kryetarit të komisionit për zbardhjen e dosjeve se “Ne morëm sinjalin se mund të fillonim të studionim dosjet. Por ne nuk jemi në gjendje të bëjmë ndonjë punë të madhe. Ne kemi punësuar vetëm 300 punonjës, ndërkohë që zyra analoge gjermane ka punësuar 3 000. Megjithatë, njerëzit i zuri paniku. Nga frika e zbulimit të sekreteve. Sikur të kishim më shumë punonjës, do të arrinim rezultate fantastike". Por duket se edhe në këtë vend hapja e dosjeve ka nxjerrë rezultate shumë interesante, për shkak se shumë njerëz të drejtësisë kanë pasur një të kaluar të lidhur me organet e sigurimit ose siç quhej Securitates. Në bazë të të dhënave të publikuara në periudha të ndryshme në media, për shumë nga gjyqtarët dhe prokurorët në Rumani nuk janë gjetur dokumentet që tregojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Gjithsesi autoritetet përkatëse në këtë vend kanë gjetur informacione të mjaftueshme nga dosjet e atyre që janë spiunuar dhe përndjekur. Sipas një raportimi të bërë në “Dojçe Welle”, pak kohë më parë në administratën rumune, në drejtësi, por edhe në politikë ekziston frika nga zbulimet që mund të jenë komprometuese. Këtu bazohet edhe argumentimi i vendimit të Gjykatës së Lartë: Autoritetet rumune për zbardhjen e komunizmit mund të dëmtojnë njerëz të pafajshëm me zbulimet e veta. Dokumentet nuk janë të besueshme. Ato nuk mund të përdoren për të marrë vendime për fajësim ose jo të personave. Paragjykimet nuk kanë të bëjnë me të drejtën e ligjit. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese në këtë vend përjashton mundësinë që kandidatët për zgjedhje parlamentare dhe komunale si dhe të atyre të zgjedhjeve presidenciale dhe evropiane, të kontrollohen dhe të hiqen nga listat e kandidatëve nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimit sekret. Ndërkohë, në raportin e dhënë për radion e mësipërme, publicisti rumun Mircea Dinescu, i cili ka bërë pjesë në Këshillin e Autoriteteve për zbardhjen e të kaluarës komuniste, shprehej se vendimi i gjykatësit karakterizohet nga shpirti i pamëshirshëm i të kaluarës çausheskiane. Për Dinsecun është e qartë se “vendimi i gjykatës kërkon të ndalojë publikimin e materialeve interesante. Ai kërkon t`i japë fund gjithë punës për zbardhjen e historisë”.

Maqedonia, ligji i miratuar pak muaj më parë

Maqedonia ka vendosur miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve vetëm disa muaj më parë. i njohur si ligji për ilustrim, ai është miratuar nga Kuvendi maqedonas në fillim të 2008-s dhe në bazë të tij do të verifikohen dosjet nga viti 1946 deri në periudhën kur ligji ka hyrë në fuqi. Në ligj është përcaktuar se personat e përfshirë në shërbimet sekrete nuk do të kenë të drejtën të marrin poste të larta drejtuese. Megjithëse gjatë diskutimeve dhe debatit për miratimin e ligjit ka ekzistuar frika se ai mund të përdorej për qëllime politike, sërish Kuvendi maqedonas i ka hapur dritën jeshile nisjes së punës për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit gjatë periudhës komuniste. Miratimi i ligjit u pasua nga ngritja e komisionit përkatës, në të cilin personat që mbajnë poste dhe funksione të larta shtetërore duhet të bëjnë deklaratën nëse kanë qenë ose jo bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete. Më tej është komisioni që bën verifikimet përkatëse për secilën deklaratë të bërë.

Hapja e dosjeve të STAS-it në Gjermani, ka të dhëna edhe për vendin tonë

Shqipëria në sytë e spiunëve në vitet 1980

Në radion “Dojçe Welle” janë publikuar disa raportime, të cilat i referohen të dhënave të shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore, STAS-it. Sipas këtyre të dhënave, "spiunët" që vizitonin Shqipërinë në vitet tetëdhjetë, në shumicën e rasteve raportet kanë qenë banale. Në këtë radio është emetuar edhe një e dhënë për një prej bashkëpunëtorëve me pseudonimin "Sarkazma", që ka vizituar për disa ditë Shqipërinë në shkurt të vitit 1980, i bashkangjitur në një delegacion të fabrikës së cigareve Tabak-Kontores Drezden. Delegacioni vizitonte Shqipërinë për të biseduar për importimin e duhanit. Dy javë pasi është kthyer nga Shqipëria, "Sarkazma" është vizituar në shtëpinë e tij nga Kapiteni Müller, një punonjës i Ministrisë së Brendshme. Ai ka raportuar nga ora 20:00 deri në 22:00 çfarë ka parë dhe dëgjuar në Shqipëri. "Ajo që duhet thënë është se pala shqiptare prezantoi fillimisht një lloj tjetër duhani, me kualitet më të dobët dhe me çmim më të lartë. Bisedimet u rënduan dhe rrezikonin madje të ndërpriteshin. Por synimi ekonomik u arrit. Gjatë udhëtimit, u pa se qytetarët shqiptarë, partnerët e bisedimeve, personeli i hoteleve ose qytetarët e tjerë i largoheshin çdo lloj diskutimi për çështje politike, ose për gjendjen sociale në Shqipëri. Gjendja sociale vlerësohet në varfëri të papërshkrueshme. “Sarkazma” ka pasur mundësinë të vizitojë disa shtëpi, ku ka parë kushte primitive jetese. Mundësitë për të blerë janë shumë të kufizuara, madje edhe në Tiranë. Në dyqane ka vetëm gjëra primitive. Rrugët gjatë ditës janë thuajse bosh, vetëm mbrëmjeve nga ora 18:00 deri në orën, 20 qytetarët dalin në rrugë dhe sheshe, dhe pas kësaj ore qyteti zbrazet sërish”, thuhet në pjesën e raportit të publikuar në radion e mësipërme. Sipas tij, gjatë një udhëtimi me makinë delegacioni ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm. Kur gjatë një pushimi të shkurtër "Sarkazma" ka bërë disa fotografi, kalimtarët i kanë thënë se fotografimi ndalohet. Tabela për të treguar këtë nuk ka. Kur ka qëndruar i mrekulluar për të parë përreth, Sarkazma ka parë disa pozicione artilerie. Pozicione të tilla ka parë edhe në zona të tjera. Në të gjitha qytetet e vizituara, pas gati çdo shtëpie është duke u ndërtuar një bunker, nëse nuk ekziston një i tillë. Bunkerët përbëhen nga pjesë gjysmë të rrumbullakëta betoni, që sillen të gatshme dhe maskohen me bar. Bunkerët janë jashtëzakonisht primitivë. Shumë, shumë , thotë "Sarkazma", ato mund të të mbrojnë nga shiu dhe çdo familje i ngre ato vetë. "Sarkazma" ka kërkuar hyjë në një bunker, por kjo i është ndaluar kategorikisht. Në Tiranë ai ka parë se ambasada kineze ruhet shumë mirë dhe se kërkush nuk i afrohet asaj më shumë se 20 ose 30 metra.

Shqipëria në dokumentet e STAS-it

Qeveria komuniste kundër turizmit masiv

Marrëdhëniet e jashtme mes ish-RPSSH-së dhe RDGJ-së përfshihen në një dosje me rreth 600 faqe dokumentesh. Sipas të dhënave të publikuara nga “Dojçe Welle”, dokumenti i parë në kohë relativisht më i fundit daton me muajin tetor 1989 dhe ka titullin "Propozime për zhvillimin e turizmit në RPSSH".Propozimet janë përpiluar nga një grup pune prej gjashtë vetësh, dhe përpunuar nga Otto Arndt, punonjës në Ministrinë e Transporteve. Propozimet i drejtohen Sekretariatit të Komitetit Qendror, Shokut Mielke, njëkohësisht dhe ministër i Brendshëm. Disa muaj më parë, në qershor të të njëjtit vit, ministri i Jashtëm gjerman i RDGJ-së, Oskar Fisher, kishte vizituar Shqipërinë. Kjo vizitë përbënte kthesë në marrëdhëniet bilaterale, që siç shkruhet në dokumente kanë pasur ulje dhe ngritje. Propozimet e përpiluara nga një grup gjermano-lindorësh që kishin vizituar Shqipërinë, në bashkëpunim me "Albturizëm" vërejnë se RPSSH ka kapacitet të vogël në hotele dhe gastronomi. Prandaj vitin e parë, 1989 parashihet dërgimi atje i 180 turistëve nga RDGJ, një vit më pas më 1990 i 900 turistëve në grupe deri 20 vetë, që do të qëndronin në Shqipëri 10 deri 14 ditë. Turistët nga Gjermania do i organizonte zyra shtetërore e udhëtimeve si dhe turizmi rinor. "Turizmi me RPSSh zhvillohet sipas rregullave me të cilat RDGJ-ja zhvillon turizëm me vendet jo socialiste", thuhet në dokumente. Sipas tyre, qeveria në Shqipëri kishte refuzuar kategorikisht ngritjen e turizmit masiv. Në këto dokumente thuhet se rreth 20 mijë turistë të huaj vizitonin në atë kohë Shqipërinë, kryesisht nga vendet kapitaliste. Sipas dokumenteve, turistët vinin kryesisht nga Evropa Perëndimore, por edhe Amerika Latine, Kanadaja, Australia.

Një dokument tjetër është ai i zyrës për kujdesin ndaj trupit diplomatik të ndodhur në Shqipëri. Dokumenti thotë se Këshilli i Ministrave i RPSSH-së kishte vendosur që vlera e prodhimeve ushqimore që nxirrej nga Shqipëria si miell e produkte të tij, mish e produkte dhe vajra bimore e shtazore, oriz, fasule e kafe e sheqer e produkte te tij si dhe djathë, nuk duhet ta kalonte 100-lekëshin. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora