E diele, 28.04.2024, 10:56 PM (GMT+1)

Mendime

Haradinaj: Kam besuar në drejtësi

E diele, 06.04.2008, 03:14 PM


Ramush Haradinaj
Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i sapo liruar si i pafajshëm nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi, në një intervistë ekskluzive për BBC-në, ka deklaruar se lirimi i tij ka dëshmuar atë që ai e ka cilësuar paanshmëri të gjyqësisë ndërkombëtare.
Ai thotë, se personalisht ka besuar në drejtësinë ndërkombëtare, prandaj edhe kishte vendosur të linte postin e kryeministrit dhe t'i vetdorëzohej Tribunalit të Hagës.

Zoti Haradinaj në një intervistë të gjatë për BBC-në, ka folur edhe për qeverisjen aktuale, për rolin që do të ketë ai në politikën e Kosovës, për dinamizimin e jetës politike si dhe për rikompozimin e opozitës, por edhe të partisë së tij.

Ai ka premtuar se kontributi i tij politik e shtetëror, do të jetë i orientuar për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Muharrem Nitaj i BBC-së, në intervistën që i mori zotit Haradinaj, fillimisht e pyeti se si e kishte përjetuar pafajësinë dhe lirimin nga Haga?

Haradinaj: Haga për mua dhe familjen time dhe për të gjithë njerëzit, ka paraqitur një situatë jo të lehtë, kjo në kuptimin e një përballjeje me drejtësinë ndërkombëtare.

Ne në Kosovë, jo vetëm unë, por besoj shumica prej nesh, kemi besuar në vlerat e drejtësisë, në vlerat e demokracisë perëndimore, por nuk kemi pasur të bëjmë me situata të tilla më parë.

Pra ka qenë një situatë krejtësisht e re. Më vjen mirë se besimi në këto vlera e ka kthyer këtë besim në Kosovë.

Unë kam shkuar i bindur se në rast se unë dhe Kosova duhet të besojmë në vlera, këto vlera duhet të jenë ato të demokracisë evro-perëndimore.

BBC: Zoti Haradinaj, në ditën kur patët marrë aktakuzën, patët deklaruar se kjo ishte edhe një sfidë që do të duhej ta përballonit, ishte edhe një detyrë që duhej ta bënit për Kosovën. Por nuk është e lehtë kur një kryeministër nga posti i tij vendoset në bankën e të akuzuarit, apo jo?

Haradinaj: Ne si qytetarë dhe si popull i Kosovës, kemi kaluar sfida të vështira edhe më herët. Në ato ditë të vështira, ne këmi pasur vlera të demokracive të përparuara, të cilat kanë mundur dhe kanë qenë shpresa jonë.

Ne gjithmonë kemi patur shpresë në një triumf të demokracive të përparuara, në një triumf të këtyre vlerave.

Kur ka ardhur aktakuza, kjo ka qenë një lloj tronditje për mua, sikurse edhe për njerëzit e Kosovës, se si ka mundësi që megjithë përkushtimin tonë të sinqertëpër këto vlera, përballemi edhe me drejtësinë.

Mirëpo unë kam besuar në drejtësi dhe më vjen mirë se ky besim në këto vlera, që ka qenë përcaktim edhe i Kosovës, për një jetë të lirë dhe të barabartë për të gjithë, do të triumfojë.

Duke u mbështetur në këto vlera, mendoj se ia kemi arritur.

BBC: Njëri prej apeleve të fundit përpara se ju të niseshit në Hagë, ishte për Komunitetin Ndërkombëtar, që të mos vonohej me vendimin për statusin e Kosovës, me vendimin për pavarësinë e Kosovës. Gjatë qëndrimit tuaj në Hagë, ndodhi pavarësia e Kosovës, e cila ishte kërkesë juaja edhe kur u nisët për në Hagë. Sa ishte e rëndë, që ju një akt të tillë ta përcillnit nga një vend jo shumë i përshtatshëm?

Haradinaj: Unë jam përballur më dilema brenda vetes, se si dhe ku po shkon fati ynë.

Dhe duke bërë krahasime me ditët e vështira, me momentet shumë të ndjeshme për Kosovën, me zhvillimet nëpër të cilat kemi kaluar, sinqeritetin tonë që të investojmë për një Kosovë mbi vlera të përcaktuara më herët nga popujt e civilizuar, jam ndjerë i gëzuar se edhe Kosova dhe populli i saj, pa dallim përkatësie etnike, apo të së kaluarës, po bashkoheshim edhe ne në familjen e madhe të popujve dhe vendeve demokratike, po bashkoheshim aty ku e kishim vendin.

Pra ka qenë një farë ndjenje se edhe ne po i takojmë kësaj familjeje.

BBC: Reagimet e para, të kreut të shtetit dhe të qeverisë në Beograd, kanë qenë të forta, kundër lirimit tuaj. Ata vazhdojnë akoma t'iu shohin fajtor. Madje liderë serbë e kanë akuzuar edhe Tribunalin e Hagës, për lirimin tuaj, duke e cilësuar gjykatë politike. Ështe thënë se lirimi juaj, nuk është në favor të sigurisë së serbëve në Kosovë.

Haradinaj: Mendoj se unë kam vërtetuar edhe gjatë periudhës ku unë kam qenë në punë, se të arriturat që do t'i krijojmë në Kosovë do t'i gëzojmë të gjithë.

Dhe kam vërtetuar se edhe serbët e Kosovës, do ti gëzojnë këto të arritura.

Mendoj se prania ime fizike, pastaj angazhimi im, do të ndihmojnë që pozita e serbëve të Kosovës, të kuptohet mirë, drejt dhe të mbështetet nga shumica çdo kërkesë e sinqertë apo e nevojshme e pakicës.

Pra roli im do të jetë i dobishëm në këtë drejtim. Unë kam marrë përshëndetje dhe urime mirëseardhjeje për lirimin tim nga serbë të Kosovës.

Më vjen keq që politika zyrtare e Beogradit vazhdon të mbajë një qëndrim për të cilin, më duhet të them me keqardhje se është i njohur nga e kaluara.

Më vjen keq që edhe disa zyrtarë politikë serbë e ndjekin këtë politikë zyrtare të Beogradit edhe në Kosovë! Por njerëzit e Kosovës, qytetarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës, pa dallim, kanë nevojë që të ndërtojnë edhe një besim në vete.

Ta zemë qytetari i pakicës ka nevojë për dikë, të cilit i beson shumica, e i cili i sqaron shumicës, se jeta e përgjithshme do të jetë më e mirë, nëse ajo do të jetë e mirë edhe për pakicën.

BBC: Ramush Haradinaj, deri sa keni qëndruar në Hagë, Kosova e ka miratuar flamurin dhe stemën, por e ka përfunduar edhe kushtetutën. I keni parë ato?

Haradinaj: Gjithësesi që me vëmendje i kam përcjellur të gjitha zhvillimet dhe angazhimet e bëra nga faktori politik vendor, institucionet e Kosovës, pastaj konsultat e bëra, por edhe debatet me qytetarët e Kosovës.

Bindja ime është se në Kosovë kanë ndodhur shumë zhvillime të mira për njerëzit e Kosovës.

Në radhë të parë dua të theksoj, deklarimin nga institucionet e Kosovës, për shtet të pavarur, demokratik dhe multietnik.

Po ashtu identifikimin e Kosovës me simbolet e veta, me flamurin, me stemën, pastaj me avansimet e bëra rreth himnit dhe kushtetutës së Kosovës.

Të gjitha këto janë të arritura të përbashkëta të popullit të Kosovës dhe gjithsesi se edhe unë iu gëzohem këtyre të arriturave.

BBC: Ramush Haradinaj, ish kryeministër, kthehet dhe pritet shumë mirë në Kosovë. Tashmë kanë filluar spekulimet se ku do të jetë Ramush Haradinaj. Jeni kryetar i AAK-së. Në fakt shumë nga njerëzit, e shohin kthimin tuaj si një mundësi të dinamizimit të jetës politike në Kosovë.    

Haradinaj: Besoj se ashtu edhe do të ndodhë, sepse meqë jemi përcaktuar për një demokraci dhe për vlera që janë të dëshmuara në shoqëri të avansuara, angazhimi politik i forcave politike që nuk janë në qeverisje, është i dobishëm.

I ndihmon strukturës politike që është në qeverisje, në kuptimin që ato që kanë përgjegjësi të arrijnë rezultate më të mëdha.

Mirëpo ekziston një dallim nga modeli bazë i demokracisë. Ne, asnjëherë nuk do të marrim qëndrim pengues dhe nuk do të diskutojmë avansimin e të arrituarave të deritashme në Kosovë.

Pra qëndrimi ynë opozitar do të shprehet kryesisht, në çështjet konkrete dhe praktike të jetës së përditshme në Kosovë, por jo me të arrituarat e deritashme në Kosovë.

BBC: Zoti Haradinaj, ka një vlerësim se opozita, aktualisht është e shkapërderdhur dhe pa mundësinë që ta sfidonte qeverinë. Çka eventualisht do të mund të ndryshonit ju me kthimin tuaj?

Haradinaj: Besoj se pozita, koalicioni qeverisës, e ka pasur një situatë shumë të rëndësishme dhe të ndjeshme, sepse në emër të popullit të Kosovës, ka avansuar momente të rëndësishme për jetën e njerëzve të Kosovës.

Mirëpo të gjitha këto momente dhe këto të arritura, kanë nevojë, për një, ta quaj plotësim. Me këtë rast, mendoj se këtu do të jetë roli i opozitës, e cila do të ndihmojë që jeta e njerëzve të Kosovës të përmirësohet.

BBC: Ramush Haradinaj më thoni se si e gjetët Kosovën. Cilat ishin ndryshimet që i patë në Kosovën e pavarur?

Haradinaj: Ballkani në të shkuarën ka kaluar nëpër periudha dhe momente të vështira të qeverisjes.

Jo vetëm Kosova, por edhe vendet fqinje. Ne, asnjëherë nuk duhet të përsërisim gabimet e së kaluarës, në kuptimin se për të arritur një mobilizim të përgjithshëm të shoqërisë dhe të qytetarëve, nevojitet që edhe opozita të ketë rolin e saj. Mendoj se në periudhën e shkuar, ka munguar roli i opozitës.

BBC: Kthimi juaj, nga disa njerëz qe krahasuar me marrjen e ftesës për në Nato të Shqipërisë. Dy ngjarje që nuk konvergojnë edhe aq, por gjithsesi një krahasim interesant apo jo?

Haradinaj: Do ta filloja nga Shqipëria. Ajo është përcaktuar për vlerat që i ka Bashkimi Evropian, por edhe Aleanca e Natos.

Përcaktimin për këto vlera, Shqipëria e ka pasur të sinqertë që nga fillimi dhe ka bërë punë të vazhdueshme që t'i takojë në mënyrën dhe me standardet e duhura kësaj Aleance.

Ftesa për Shqipërinë në Nato, mendoj se është një shpërblim i mirë për vendosmërinë e institucioneve dhe të popullit të Shqipërisë, të forcave shqiptare të sigurisë, për t'i takuar Aleancës së Nato-s, e cila përfundimisht, është mekanizmi që mbron lirinë gjithkund në botë.

BBC: Ajo që më ra në sy kur ateroi aeroplani, me të cilin u kthyet në Prishtinë, ishte se nuk pashë që kishin dalë për t'iu pritur askush nga krerët e institucionet e Kosovës, duke përfshirë këtu presidentin, kryeministrin apo kryetarin e parlamentit. Cili është shpjegimi i juaj për këtë?

Haradinaj: Mosprezenca e presidentit të Kosovës dhe e udhëheqësve të tjerë, besoj se ka të bëjë me protokollin, përmes të së cilit unë kam ardhur në Kosovë.

Si i liruar nga Gjykata Ndërkombëtare, unë kam pasur një protokoll, i cili ka qenë nën përgjegjësinë e Gjykatës Ndërkombëtare.

Mirëpo me të ardhur në Prishtinë, jam dëgjuar me presidentin dhe ai më uroi mirëseardhjen dhe shprehu dëshirën që të shihemi sa më shpejt që është e mundur.

Dua të them se institucionet e Kosovës, kanë mbi vete shumë përgjegjësi, shumë punë dhe unë do të kujdesem që prezenca ime të jetë mbështetëse për obligimet e marra.

BBC: A do të vazhdoni të jeni kaq i kujdesshëm edhe si, ndoshta, lider i opozitës?

Haradinaj: Gjithësesi, mirëpo do të bëj përpjekje që roli i opozitës të jetë rol i vërtetë.

BBC: Meqenëse opinioni rrallë u ka dëgjuar në këta tre vjet, meqë e keni pasur të ndaluar të komunikoni me median, më thoni se cilët do të jenë hapat tuaj të parë, si Haradianj, si shef i AAK-së, çfarë do të bëni në ditët që vijnë?

Haradinaj: Pas një periudhe të gjatë kohore, e cila për mua ishte tmerrësisht e gjatë, sado që me zemër dhe me mendje gjithnjë kam qenë në Kosovë, do të bëjë një vizitë nëpër vendet më rëndësi të Kosovës, nëpër komunat dhe familjet, për të cilat unë kam shumë respekt.

Por menjëherë pas kësaj do t'i kthehem edhe një analize dhe vlerësimi të asaj që është arritur në Kosovë, të asaj që është duke ndodhur dhe të asaj që po na pret, në mënyrë që të mund të japë drejtëpërdrejt ndihmën time.

BBC: Dhe besoj se do të keni shumë punë, për ta rikompozuar partinë?

Haradinaj: Dëshira ime është që të mos gjendemi në situatë kur ne duhet të llogarisim vetëm në strukturat e mëhershme.

Në Kosovë kanë ndodhur shumë zhvillime, janë shfaqur kuadro të shumtë dhe të zotë.

Dëshira ime është që ne, të gjithë të mobilizohemi, në një projekt të përbashkët, në avansimin e të arriturave të deritashme në Kosovë. 

Haradinaj vlereson Rugoven

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj e nisi dje axhenden ne Kosove me nderimin per te gjithe ata qe ndihmuan per lirine dhe pavaresine e vendit. ''Adresa e rruges se mundimshme gjate historise sone, do te mbetet gjithnje puna dhe vepra e Presidentit Ibrahim Rugova'', deklaroi Haradinaj per presidentin historik te Kosoves gjate kohes kur beri homazhe te Memoriali i Rugoves. Ne Prishtine, Haradinaj beri homazhe edhe te shtatorja e heroit te kombit, Zahir Pajaziti. Lideri i Aleances per Ardhmerine e Kosoves ka vazhduar me homazhe e nderime per heronjte e deshmoret ne Drenice dhe ne Dukagjin. Ne Prekaz, Haradinaj beri homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe u prit ne oden e familjes heroike.

Koha Jone



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora