Kulturë
Mark Vuji: Vetëvlerësimi mësimor (VI)
E diele, 15.07.2012, 10:37 AM
VETËVLERËSIMI
MËSIMOR
OSE
TË
NXËMË, TË SILLEMI E TË KOMUNIKOJMË ME TË TJERËT, DUKE KONTROLLUAR RREPTËSISHT
VETVETEN, MBËSHTETUR DHE NË DRITËN E OPINIONIT SHOQËROR
NGA
PROF. AS. DR. MARK VUJI
KAPITULLI
I SHTATËMBËDHJETË
VETËVLERËSIMI
FORCON PËRGJEGJËSINË E NXËNËSVE PËR PËRGATITJEN SHKENCORE DHE PËR KRIJIMIN E
MARRËDHËNIEVE TË DREJTA ME TË TJERËT NË FAMILJE, NË SHKOLLË DHE NË SHOQËRI
Vetëvlerësimi rigoroz bën që nxënësi të ndjejë
përgjegjësitë që ka ndaj vetes dhe të tjerëve për formimin shkencor dhe për
njohjen e zbatimin e vlerave, normave morale dhe kufizimeve shoqërore si nxënës
dhe qytetar të një vendi demokratik.
Shënim paraprak
Aftësia e nxënësve për të përcaktuar kërkesat ndaj
vetvetes si zbatues i vlerave, i normave dhe i kufizimeve sociale, është një
tregues i rëndësishëm, që flet se ata kanë arritur pjekurinë e nevojshme
socialkulturore që të bëjnë vetëvlerësime gjithnjë e më të sakta e me përgjegjësi edhe në aspektin
socialpsikologjik.
“Vetëvlerësimi, - thuhet në
manualin “Një udhëzim për disiplinën pozitive”, faqe 69, - i aftëson
fëmijët të respektojnë veten e të tjerët dhe të mësojnë për përgjegjësitë që
shoqërohen me të. Normat dhe limitet janë të rëndësishme për të
mundësuar këtë proces. Normat dhe limitet u mësojnë fëmijëve respektin reciprok
dhe përgjegjësinë për veprimet e tyre. Ky mësim fillon të merret që në
fëmijëri.”
Për të arritur deri këtu, shkolla dhe familja duhet të
bëjnë një punë të madhe për të formuar tek fëmijët bindjen se ata duhet të punojnë,
jo vetëm për t’i njohur vlerat, normat dhe kufizimet shoqërore, që ka krijuar
shoqëria, por edhe për përgjegjësinë që kanë që t’i zbatojnë ato me korrektësi
të madhe, si e vetmja rrugë për të siguruar imazhin e tyre të mirë si nxënës e
qytetarë të denjë të një shoqërie demokratike, si një kërkesë e domosdoshme për
të fituar respektin e të gjithëve.
Në këtë kapitull do të përpiqemi të shikojmë se
ç’ndikim ka vetëvlerësimi për forcimin e përgjegjësisë së nxënësve për formimin
shkencor dhe për sjelljen e tyre brenda e jashtë shkollës.
1. Vetëvlerësimi nga nxënësit të çdo veprimtarie që
kryejnë, forcon përgjegjësinë e tyre për të formuar një imazh gjithnjë e më të
mirë.
2. Vetëvlerësimi i sinqertë konkretizon përgjegjësinë që
ka nxënësi për zgjidhjen pozitive të problemeve, me të cilat ndeshet.
3.
Vetëvlerësimi rigoroz, i nxit nxënësit për rritjen e kërkesave ndaj vetvetes
dhe për forcimin e vetëpërgjegjësisë për realizimin e tyre.
4. Forcimi i lidhjeve në mes të vetëvlerësimit e
vetëpërgjegjësisë, i hap rrugën suksesit të qëndrueshëm.
5. Vetëpërgjegjësia, kur mbështetet në vetëvlerësime të
kujdesshme, e ruan dhe e forcon imazhin e mirë të nxënësve.
6. Vetëvlerësimi analitik, që nxënësit u bëjnë arritjeve,
konkretizon përgjegjësinë e tyre që ata bëjnë për t’i hapë rrugën zhvillimit përspektiv të
problemeve që studiojnë.
7. Vetëpërgjegjësia realizohet vetëm atëhere kur nxënësi
pranon me vetëdije vlerat, normat dhe kufizimet sociale, që ka vendosur
shoqëria dhe lufton që t’i zbatojë ato.
8. Vetëvlerësimi, që në të vërtetë është një pasqyrë e
gjendjes së brendëshme, që shkakton tek nxënësit emocione, kënaqësi,
shqetësime, autokritikë etj., forcon vetëpërgjegjësinë.
9. Vetëpërgjegjësia krijon marrëdhënie të reja respekti
në mes të nxënësve dhe çon në përshpejtimin e vetëformimit gjithnjë e më të
plotë të “Un-it” të tyre.
10. Vetëvlerësimi fuqizon vetëpërgjegjësinë dhe së bashku
zhvillojnë motivimin e nxënësve për punë dhe për sjellje gjithnjë e më
korrekte.
11. Vetëvlerësimi, vetëformimi dhe vetëpërgjegjësia realizohen
me sukses, kur shkolla u transmeton nxënësve vlera, norma dhe kufizime sociale
me profesionalizëm të lartë.
12. Të zhvillojmë teknika të reja për të mënjanuar luftën
për pushtet mbi fëmijët dhe për të fituar zemrat e tyre.
13. Vetëpërgjegjësia fitohet gradualisht nga nxënësit që
në vitet e para të fëmijërisë së tyre në familje, në shkollë e shoqëri dhe
zhvillohet gjatë gjithë jetës nëpërmjet të vetëvlerësimeve rigoroze.
14. Vetëpërgjegjësia mënjanon lindjen e konflikteve në
mes të nxënësve dhe krijon marrëdhënie afektive mes tyre, që i hap rrugën
integrimit të tyre social.
15. Vetëpërgjegjësia, kur ka si objekt kryesor kapërcimin
e shqetësimeve që nxjerr vetëvlerësimi,
që nxënësit u bëjnë veprimeve të
tyre, forcon vetëbesimin dhe mbron imazhin e mirë.
Le t’i zhvillojmë problemet më gjerësisht.
17 – 1. VETËVLERËSIMI NGA NXËNËSIT I ÇDO VEPRIMTARIE QË
KRYEJNË, FORCON PËRGJEGJËSINË E TYRE PËR TË FORMUAR NJË IMAZH GJITHNJË E MË TË
MIRË.
Vetëpërgjegjësia e orienton nxënësin për të kapërcyer
probleme të ndryshme, me të cilat ndeshet brenda e jashtë shkollës, sado të
vështira të jenë ato. Nxënësit mësojnë mekanizmin e vetëpërgjegjësisë, duke
marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve që dalin nga vetëvlerësimi i përgjegjshëm
i veprimeve të përditshme. Vetëpërgjegjësia është një dukuri, që kërkon
nga individët të mbështeten në arsyetime të forta, që sigurojnë zgjidhjen e
problemeve socialpsikologjike shqetësuese.
Vetëpërgjegjësia tregon cilësinë e kulturës sociale që
nxënësi merr në shkollë, që përbëhet nga niveli akademik, nga vlera, norma
morale, kufizime shoqërore, ide e qëndrime ndaj problemeve të ndryshme, nga
konceptime rolesh, raportesh, kodesh dhe interpretimesh etj., që bëjnë të
mundur zgjidhjen e drejtë të problemeve dhe situatave të caktuara. Ky proçes quhet
ndryshe dhe shoqërizim. “Duke iu përgjigjur miratimit ose mosmiratimit të
prindërve dhe gjyshit e gjyshes, - thuhet në manualin “Një udhëzim mbi
disiplinën pozitive”, faqe 69,- dhe duke kopjuar shembujt e tyre, fëmija
mëson gjuhën dhe modelet bazë të sjelljes në shoqëri.... Fëmija i vogël, duke
ndërvepruar me të tjerët dhe duke luajtur lojëra fëminore, mëson të konformohet
me qëndrimet e pranuara të një grupi shoqëror dhe të çmojë faktin se jeta
sociale bazohet mbi rregulla. Shoqërizimi në fakt nuk përfundon në fëmijëri. Ai
është një proçes i gjatë sa ç’është vetë jeta.”
Pikërisht, në bazë të kësaj kulture dhe të këtyre
rregullave, realizohet vetëpërgjegjësia. Pra, shkolla duhet të punojë me kujdes
që të ngulisë në vetëdijen e nxënësve vlerat, normat dhe kufizimet sociale, që
ka krijuar shoqëria deri më sot me qëllim që ata të orientohen në realizimin me
përgjegjësi të marrëdhënieve me të
tjerët.
Ky proçes nis në moshë të njomë në familje, pastaj
forcohet në shkollë dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Kujdesi i familjes
dhe i shkollës për zgjerimin e nivelit kulturor të fëmijëve, ka një rëndësi të
madhe, sepse njeriu me kulturë është më i vetëpërmbajtur. Ky është dhe themeli
i vetëpërgjegjësisë.
Mësuesit që i vlerësojnë mendimet e fëmijëve e u krijojnë
atyre një mjedis dashamirës, i edukojnë ata me shpirtin e çiltërsisë ose, siç
thonë disa autorë, kur veprohet kështu, ata kuptojnë që në këtë moshë
përgjegjësinë që kanë ndaj vetes dhe të tjerëve për veprimet që kryejnë.
Cilësia e vetëkontrollit dhe e vetëvlerësimit, që
nxënësit i bëjnë veprimtarisë së tyre, varet nga niveli i kulturës që merr në
familje, në shkollë dhe në shoqëri dhe nga shkalla e formimit të
vetëpërgjegjësisë për t’i zbatuar ato me cilësi të lartë.
17 –
2. VETËVLERËSIMI I SINQERTË KONKRETIZON PËRGJEGJËSINË QË KA NXËNËSI PËR
ZGJIDHJEN POZITIVE TË PROBLEMEVE ME TË CILAT NDESHET
Është e vërtetë se të gjithë njerëzit, gjatë tërë jetës,
në një mënyrë ose në një tjetër, bëjnë vetëvlerësimin e punës së tyre herë
haptazi dhe më shumë në heshtje. Vetëvlerësimi ose kontrolli mbi vetveten
ka vlera të mëdha si për të rriturit, ashtu për nxënësin. Kush humbet
kontrollin mbi vetveten, ai vepron në tym, pa ditur se ku po shkon dhe nuk
ndjen përgjegjësinë e duhur për veprimet që kryen.
Pikërisht, këtu fillon puna e mësuesit si edukator, që
kërkon mënyra e mjete për t’i mësuar nxënësit që, përpara se të vendosin
të bëjnë një veprim, të mendojnë për pasojat e tij.
Vetëvlerësimi serioz konkretizon përgjegjësinë. Ai është
për nxënësin paralajmërim i pasojave. Psh., “po të mos mësosh përpara teorinë,
nuk mund të zgjidhësh problemat.” “Po të mos mësosh në shtëpi, të nesërmen nuk
mund të përgjigjesh në mësim.” “Po të shpifësh për shokët, nuk gëzon më
respektin dhe dashurinë e tyre.” Gjithnjë pasojat negative janë rezultat i
veprimeve të pamenduara mirë. Siç dihet, nxënësit ndodhen përpara një
shumëllojshmërie pasojash. Mësuesit dhe prindërit duhet të tregohen shumë të
kujdesshëm për aftësimin e tyre që t’i vlerësojnë pasojat me përgjegjësinë e
duhur.
Ndërhyrja e të rriturve për t’i ndihmuar fëmijët që t’i
kuptojnë pasojat logjike, duhet të jetë e menduar mirë.
Parandalimi i veprimeve me pasoja negative, siç mund të
jetë pirja e duhanit apo marrja e drogës etj., nuk mund të bëhet me ndëshkime
dhe ofendime. Ato zgjidhen duke vepruar në bazë të parimeve të disiplinës
pozitive, që nxisin e forcojnë tek fëmijët bashkëpunimin për zgjidhjen e
problemeve.
Vetëvlerësimi i saktë zhvillon vendosmërinë për
të ndryshuar. Ai ka vlera të mëdha edukative, sepse të ndihmon t’i dalësh të
keqes përpara dhe rrit përgjegjësinë për të parandaluar dëmtimet e mundshme
pra, për të frenuar pasojat negative.
Vetëvlerësimi ndihmon që të forcohet rishikimi i
veprimeve në dritën e pasojave që mund t’i vijnë individit prej tyre. Mësuesit
e ditëve tona duhet të luftojnë që t’i përgatisin nxënësit si agjentë të
ndryshimeve pozitive në të gjitha drejtimet e mundshme.
Si përfundim, mund të themi se vetëvlerësimi i
ndihmon nxënësit që të konkretizojnë përgjegjësinë për punën që bëjnë.
Vetëvlerësimi pa vetëpërgjegjësinë kthehet në një informacion pasiv, me ndikim të pakët mbi psikologjinë e
tyre.
17 – 3. VETËVLERËSIMI RIGOROZ I NXIT NXËNËSIT PËR RRITJEN
E KËRKESAVE NDAJ VETVETES DHE PËR FORCIMIN E VETËPËRGJEGJËSISË PËR REALIZIMIN E
TYRE
Vetëvlerësimet e nxënësve, kur verifikohen nga mësuesi,
krijojnë mundësi që ata të zbulojnë rezerva të reja në vetvete për të vënë në
lëvizje kapacitetin e tyre intelektual në luftë për përvetësimin e dijeve, të
vlerave, normave e kufizimeve sociale bashkëkohore.
Të gjitha vëzhgimet dhe provat që kemi bërë tregojnë se
mësuesit duhet t’i ndihmojnë nxënësit që të realizojnë vetëvlerësime
serioze me qëllim që ata të rrisin për herë e më shumë kërkesat ndaj
vetvetes për të arritur rezultate gjithnjë e më të larta në mësime dhe në
krijimin e marrëdhënieve të drejta në jetën shoqërore si dhe për të
forcuar ndjenjën e përgjegjësisë për t’i realizuar ato me sukses.
17 – 4. FORCIMI I LIDHJEVE NË MES TË VETËVLERËSIMIT DHE
VETËPËRGJEGJËSISË, U HAP RRUGËN SUKSESEVE TË QËNDRUESHME
Është i njohur konkluzioni filozofik “Suksesi sjell
suksesin”. Mësuesi duhet t’i ndihmojë nxënësit që të realizojnë
sukseset e para si individ e klasa, me qëllim që t’i vënë ata në rrugën e
kërkimit të sukseseve të reja.
Nxënësit që jetojnë në një atmosferë suksesi,
vetorganizohen më mirë në punë për të realizuar objektivat që i kanë vënë
vetvetes. Kur mësuesi nxit vetëvlerësimin për njohjen e gjendjes dhe të
vetëpërgjegjësisë për ndryshimin e saj në drejtim pozitiv, sukeset bëhen më të
qëndrueshme dhe shtytës përherë e më të fuqishëm për të ecur përpara.
Vetëvlerësimi i gjendjes hedh dritë mbi sukseset dhe rrit
përgjegjësinë për t’i ruajtur e ngritur ato në nivele gjithnjë e më të larta. Sukseset
që zbulohen nga vetëvlerësimet e përgjegjshme, janë solide dhe kthehen më
shpejt në një edukatë pune.
Ndryshe ndodh kur tek nxënës të veçantë apo klasa, mbizotëron
hija e dështimit. Në këtë rast, çdo gjë shkon drejt rënies. Atmosfera
e sukseseve krijon lidhje të forta shpirtërore në mes të nxënësve. Ata i
bashkon gëzimi i punës dhe shpirti i përgjegjësisë për të ecur gjithnjë
përpara.
17 – 5. VETËPËRGJEGJËSIA, KUR MBËSHTETET NË VETVLERËSIME
TË KUJDESSHME, RUAN DHE E FORCON IMAZHIN E MIRË TË NXËNËSVE
Çdo nxënës përpiqet që të krijojë një imazh sa më të mirë
që të jetë e mundur për vetveten, por rëndësi ka se sa ata e ndjejnë
përgjegjësinë për ta ruajtur dhe zhvilluar atë gjatë të gjithë jetës. Mësuesit
me profesionalizëm të lartë, këtij problemi i vënë shumë rëndësi, sepse
sa më e fortë të jetë vetëpërgjegjësia e nxënësve për veprimet që kryejnë, aq
më i sigurtë bëhet formimi dhe ruajtja e imazhit të tyre pozitiv.
Imazhi i suksesshëm nuk fitohet menjëherë. Nxënësit e
kanë të vështirë që ta realizojnë atë pa ndihmën e mësuesve dhe të prindërve.
Ata, që të kenë një imazh të mirë, duhet të shquhen për ndenja të larta
përgjegjësie për njohjen dhe zbatimin e vlerave, normave e kufizimeve sociale
dhe të kthehen në hulumtues të zotë për të kërkuar informacion të ri social dhe
për ta përpunuar atë në mënyrë krijuese.
Imazhi i mirë për nxënësit është një pasuri e madhe, që
ata duhet ta ruajnë si sytë e ballit gjatë gjithë jetës, sepse lidhet me
vetëpërgjegjësinë e tyre për punën që bëjnë dhe mund të themi se ai është edhe
produkt i saj.
17 – 6. VETËVLERËSIMI ANALITIK, QË NXËNËSIT U BËJNË ARRITJEVE, KONKRETIZON PËRGJEGJËSINË QË ATA
KANË PËR T’I HAPUR RRUGËN ZHVILLIMIT PERSPEKTIV TË PROBLEMEVE QË STUDIOJNË
Mësuesit e kujdesshëm i mësojnë nxënësit se si të
analizojnë çdo ditë rezultatetet e punës që bëjnë ose arritjet e tyre. Ky
vetëvlerësim sistematik e mban gjithnjë të gjallë ndjenjën e tyre të
përgjegjësisë për të punuar me rendiment përherë e më të lartë.
Kur nxënësi fiton reputacion në mes shokëve për
korrektësi në komunikim me të tjerët dhe nderohet nga të gjithë, ai e ndjen
edhe më fort përgjegjësinë për ruajtjen e arritjeve të tija në të gjitha fushat
e luftës për të fituar dije shkencore dhe për krijimin e marrëdhënieve
shoqërore korrekte.
Vetëpërgjegjësia që lidhet me realizimin dhe ruajtjen,
konsolidimin e arritjeve, është një mjet i fuqishëm që vepron mbi psikologjinë
e nxënësve dhe i mban ata në aksion të vazhdueshëm për të
siguruar një përspektivë gjithnjë e më të mirë. Pra, vetëpërgjegjësia
bëhet mbështetje e punës sistematike dhe godet fort të mësuarit me hope, që
dëmton rëndë arritjet e nxënësve si në mësim, ashtu dhe në jetën shoqërore, ku
kërkohet të konsolidohet si një figurë e lartë dhe e qëndrueshme etiko-morale.
17 – 7. VETËPËRGJEGJËSIA REALIZOHET VETËM ATËHERE KUR
NXËNËSI PRANON ME VETËDIJE VLERAT, NORMAT DHE KUFIZIMET SOCIALE QË KA VENDOSUR
SHOQËRIA DHE LUFTON PËR T’I ZBATUAR ATO
Prindërit, mësuesit dhe aktivistët e organizatave
shoqërore, ku bëjnë pjesë nxënësit, duhet, jo vetëm t’i njohin ata me vlerat,
normat e kufizimet shoqërore, por edhe t’i aftësojnë që t’i zbatojnë ato me
vetëdije të plotë, gjë që rrit përgjegjësinë që ata kanë për qëndrimet që
mbajnë ndaj ngjarjeve e dukurive të ndryshme shoqërore.
Në kushtet e punës në shkollë, nxënësi mëson jo vetëm
organizimin e jetës sipas normave shoqërore, por edhe edukohet për t’i mbrojtur
ato nga shkelësit e tyre. Në këtë rast, vetëpërgjegjësia bëhet vepruese, sepse
mbështetet në rezultatet e vetëvlerësimeve serioze, siç mund të jetë qëndrimi
ndaj përdorimit të drogës, të alkoolit, duhanit etj.
Pranimi me vetëdije i vlerave dhe i kodeve
etiko-morale, fuqizon vetëpëgjegjësinë për zbatimin e tyre. Kjo përbën bazën e formimit të imazhit
të nxënësve si qytetarë të denjë për shoqërinë demokratike bashkëkohore.
17 – 8. VETËVLERËSIMI, QË NË TË VËRTETË ËSHTË NJË PASQYRË
E GJENDJES SË BRENDËSHME, QË SHKAKTON TEK NXËNËSIT EMOCIONE, KËNAQËSI,
SHQETËSIME, AUTOKRITIKË ETJ., FORCON VETËPËRGJEGJËSINË
Siç e kemi thënë edhe në ndonjë vend tjetër,
vetëvlerësimi është vetanalizë, që nxjerr në dritë cilësinë e zbatimit të
normave dhe kufizimeve sociale, por në të njëjtën kohë ngjall dhe emocione
pozitive ose negative, kënaqësi ose shqetësime etj. Të gjitha këto vënë
në lëvizje ndjenjën e përgjegjësisë të individit për veprimtarinë e tij.
Kur nxënësi kryen një veprim që vlerësohet nga të
gjithë, ai bindet edhe për saktësinë e përfundimeve që ka nxjerrë vetë, prandaj
emocionohet, ndjen kënaqësi, u gëzohet rezultateve të punës së tij, ashtu siç
mund të përjetojë dhe të kundërtën në raste dështimi etj.
Vetëvlerësimi e vetëpërgjegjësia veprojnë
njëherësh me forcë mbi psikologjinë e nxënësve, mbi situaten e tyre
shpirtërore, që jo rrallë krijojnë edhe gjendje stresi, që mund t’u dëmtojë
atyre shëndetin. Në këto raste, ndihma cilësore e mësuesit dhe e
prindërve, bën të mundur kapërcimin e gjendjes shqetësuese.
Mësuesit e prindërit duhet të përpiqen t’i
ndihmojnë nxënësit që të krijojnë atmosferë suksesi dhe gëzimi dhe t’i mësojnë
ata se si të punojnë që të arrijnë rezultate që krijojnë gjendje shprese për
një të ardhme gjithnjë e më të mirë, që stimulojnë psikologjinë e perspektivës.
17 – 9. VETËPËRGJEGJËSIA KRIJON MARRËDHËNIE TË
REJA RESPEKTI NË MES TË NXËNËSVE DHE PËRSHPEJTON VETËFORMIMIN GJITHNJË E MË TË
PLOTË TË “UN-it”
Shkolla dhe familja, duke i ndihmuar nxënësit që
të forcojnë vetëpërgjegjësinë për qëndrimin që mbajnë ndaj shqetësimeve me të
cilat ndeshen, ua lehtësojnë punën për kapërcimin e tyre si dhe për të
plotësuar “UN-in” me vlera të reja.
Për të forcuar plotësisht vetëpërgjegjësinë,
mësuesi duhet t’i mësojë nxënësit edhe se si të përfitojnë nga përvoja e
të tjerëve. Ai duhet t’i orientojë ata që, duke kontrolluar veprimet që
kryejnë, të bëjnë krahasime me vlerat e partnerëve, sepse kjo i ndihmon ata që
të krijojnë marrëdhënie korrekte mbi bazën e vlerave pozitive reciproke.
Edhe vetëpërgjegjësia duhet t’i nënshtrohet një
vetëvlerësimi të organizuar mirë nga vetë individi, në rastin tonë nga
nxënësit, sepse kjo, kur realizohet drejt, e mban të gjallë luftën për të ecur
përpara me sukses dhe pa konflikte të dëmshme.
17 – 10. VETËVLERËSIMI FUQIZON VETËPËRGJEGJËSINË
DHE SË BASHKU NXISIN MOTIVIMIN E NXËNËSVE PËR PUNË DHE PËR NJË SJELLJE GJITHNJË
E MË KORREKTE
Vetëpërgjegjësia nuk qëndron pa vetëvlerësimin,
që sqaron se për çka duhet të përgjigjemi, që na njeh me realitetin e
marrëdhënieve që krijojmë me të tjerët në mësim e jashtë tij.
Sjellja duhet të kontrollohet dhe të vlerësohet
nga nxënësi me përgjegjësi të plotë më shumë se çdo gjë tjetër, sepse ajo
lidhet shumë me imazhin e tij. Në manualin “Një udhëzim mbi disiplinën
pozitive”, faqe 71, thuhet: “Një vlerë i përket botës së individit, kur
ajo e udhëheq sistematikisht sjelljen e tij, duke demonstruar kështu se ajo
është bërë vërtetë cilësi e tija. Ky proçes duhet të ndodhë në një liri të
plotë. Ajo çka imponohet, nuk do të përjetohet si një vlerë dhe as nuk do të
pranohet si një rregull i brendshëm i sjelljes. Përveç kësaj, një teprim
rregullash mund të minojë vetafirmimin dhe vetëvlerësimin e fëmijës e për
rrjedhim do të pengojë kapacitetin e tij për t’ju hapur vlerave të tjera. Po kështu,
mungesa e rregullave dhe e kontrollit, çon në mungesën e pikave të referimit,
në një qëndrim indiferent, sepse kurrgjë s’ka vlerë.”
Si përfundim, mund të thuhet se
vetëvlerësimi e informon nxënësin për cilësinë e përgatitjes akademike dhe të
njohjes së vlerave, normave, kufizimeve shoqërore dhe për cilësinë e zbatimit
të tyre, kurse vetëpërgjegjësia e ndërgjegjëson atë që të vetëvepronjë me
korrektësi në përpunimin e qëndrimeve të tij ndaj ngjarjeve e dukurive të
ndryshme shoqërore pra, ndaj njerëzve që përfshihen në to.
17 – 11. VETËFORMIMI, VETËVLERËSIMI DHE
VETËPËRGJEGJËSIA E NXËNËSVE REALIZOHEN ME SUKSES KUR SHKOLLA U TRANSMETON ATYRE
NORMA, VLERA DHE KUFIZIME SHOQËRORE ME PROFESIONALIZËM TË LARTË
Realizimi i vetëformimit,
vetëvlerësimit dhe vetëpërgjegjësisë, nuk është një proçes edukativ i lehtë. Ai
kërkon profesionalizëm të lartë. Vetëformimi nuk arrihet duke
u kufizuar vetëm me këshilla dhe informacione, por është e domosdoshme që
nxënësit të përfshihen në veprimtaritë vetëformuese që ata të përjetojnë dobinë
që kanë prej tyre. Këtu ka rëndësi të madhe që fëmijët të kuptojnë pasojat
logjike të veprimit ose të mosveprimit të tyre. Njohja e pasojave
lidhet me cilësinë e vetëvlerësimit dhe të vetëpërgjegjësisë, si forcë për të
parandaluar veprimet negative. Psh., dhënia ose marrja e kopjes është një
veprim me pasoja të rënda, sepse nxënësi humb imazhin e tij të mirë dhe
ndëshkohet sipas rregullave në fuqi.
Mësuesit e kujdesshëm theksojnë gjithnjë pasojat
logjike si një mjet për të nxitur veprime pozitive.
Përforcimi i vlerave e normave morale ka rëndësi
të madhe për të ngulitur tek nxënësit gjërat e mira. Prandaj vetëvlerësimet e
vazhdueshme ndihmojnë për të krijuar marrëdhënie të drejta me të tjerët, duke
përfshirë dhe mësuesit e prindërit. Kjo krijon mundësi që ata të forcojnë
përgjegjësinë për veprimet që kryejnë, duke komunikuar me të tjerë në shkollë,
familje e shoqëri. Duke vepruar kështu, realizohet një vetëformim aktiv i
fëmijëve që len gjurmë të forta në kulturën e tyre në fushën e marrëdhënieve
shoqërore.
Lufta që bën shkolla e familja për
t’i përgatitur nxënësit si vetëformues, vetëvlerësues dhe vetëpërgjegjës të
aftë, është një kontribut që japin ato për formimin e anëtarëve të ardhshëm të
komunitetit, që do të çojë më tej zhvillimin e tij të përgjithshëm
ekonomiko-shoqëror.
17 – 12. TË ZHVILLOJMË TEKNIKA TË REJA PËR TË
MËNJANUAR LUFTËN PËR PUSHTET MBI FËMIJËT DHE PËR TË FORCUAR PËRGJEGJËSINË E
PUNËS QË BËJMË PËR TË FITUAR ZEMRAT E TYRE
Siç dihet, nxënësit ndodhen përpara dy lloj pasojash:
natyrore e logjike.
Nuk mund t’i lejojmë fëmijët të provojnë pasoja
natyrore për të kuptuar rrezikshmërinë e tyre. Ne nuk mund të pranojmë që ata
të bëjnë një lojë të rrezikshme, që të kuptojnë dëmin që sjell ajo pra,
pasojën.
Pasojat natyrale duhet të shikohen me
kujdes. Fëmijët duhet të nxiten që të vetëvlerësojnë pasojat e veprimeve që
kryejnë dhe të ndjejnë përgjegjësinë që kanë, për dëmet që u sjellin ato.
Nxënësit e të gjitha moshave duhet të aftësohen
që në vetëvlerësimin e veprimeve të tyre të jenë në gjendje të kapin pasojat
logjike të veprimeve që kryejnë. Psh, disa e shfrytëzojnë keq kohën. Ata duhet
të kuptojnë se pasoja logjike e këtij veprimi është prapambetja.
Ndërhyrja e të rriturve për të
ndihmuar fëmijët për të kuptuar pasojat logjike, duhet të jetë e menduar mirë.
Parandalimi i veprimeve me pasoja negative, siç mund të jetë pirja e duhanit,
apo marrja e drograve etj., nuk bëhet me ndëshkime e ofendime, por duke zbatuar
parimet e disiplinës pozitive, që nxisin tek fëmijët besimin e respektin
reciprok dhe bashkëpunimin në zgjidhjen e problemeve. Krijimi i një mjedisi
miqësie për fëmijët në familje dhe në shkollë, është mjeti më i mirë për të
siguruar ndikimin e prindërve dhe të mësuesve mbi psikologjinë e tyre
socialkulturore.
Në manualin “Një udhëzim për një disiplinë
pozitive thuhet: “Të rriturit duhet të marrin rolin e lidershipit, duke
shfrytëzuar teknika që nxitin një mjedis pozitiv për të fituar fëmijët dhe jo
për të fituar mbi fëmijët. Një nga këto teknika janë masat e natyrshme dhe
logjike në vend të ndëshkimit.”
(faqe 75).
Kur mësuesi di të hyjë në zemrën e fëmijëve, ai
gëzon besimin e tyre, që kthehet në një respekt reciprok të vërtetë dhe rrit
përgjegjësinë që kanë për të siguruar një sukses të plotë në zbatimin e
vlerave, normave dhe kufizimeve sociale. Ne duhet t’i bindim nxënësit se
vetëvpërgjegjësia është qëndrimi që secili mban ndaj vetvetes për punën që bën
për t’u vetëformuar deri në atë shkallë sa të forcojë dhe të ruajë imazhin e
tij në zhvillim e sipër, gjithnjë të pastër.
Përfundimisht, në edukimin e moshës
shkollore, fiton mirëkuptimi logjik edhe jo ndëshkimi kërcënues, që kërkon të
vendosë pushtet mbi fëmijën.
17 – 13. VETËPËRGJEGJËSIA FITOHET GRADUALISHT NGA
NXËNËSIT QË NË VITET E PARA TË FËMIJËRISË NË FAMILJE, SHKOLLË E SHOQËRI DHE
ZHVILLOHET GJATË GJITHË JETËS NËPËRMJET VETËVLERËSIMESH RIGOROZE
Vetëpërgjegjësia është një ndjenjë e rëndësishme,
që e ndjek njeriun gjatë gjithë jetës dhe e mban brenda kërkesave, rregullave
dhe të ligjeve që ka vendosur shoqëria.
Që në moshë të njomë, fëmija mëson nga nëna se
ç’është mirë e ç’është keq. Atyre u duhet bërë gjithnjë e qartë se çfarë
janë duke bërë dhe çfarë u kërkohet të bëjnë me qëllim që të mësohen të
gjykojnë mbi veprimet e tyre, dmth që të bëjnë vetëvlerësime të thjeshta. Ata,
pak nga pak, mësojnë edhe vetëpërgjegjësinë, që është një koncept i vështirë
për t’u kuptuar.
Po përpiqemi të japim një kujtesë për të gjithë
ata që punojnë për të përgatitur nxënës vetëpërgjegjës për punën që bëjnë dhe
për sjelljet e tyre.
KUJTESË për ata që punojnë për t’i bërë fëmijët të
përgjegjshëm për veprimet që kryejnë. 1. Të jenë sistematikë në kërkesat ndaj nxënësve për
zbatimin e detyrave dhe rregullave. 2. Përpiquni që ata të ndjejnë përgjegjësi për veprimet
që kryejnë. 3. Kur t’i qortoni, arsyetoni çdo gjë me kujdes. 4. Mos kërkoni të vendosni me kërcënime e ndëshkime
pushtet mbi fëmijët, por gjeni rrugën për të fituar zemrat e tyre. 5. T’i mësoni që ata të jenë të arsyeshëm në kërkesat
që bëjnë për plotësimin e dëshirave të tyre. 6. T’i aftësoni ata që të përcaktojnë kriterin e tyre
për të gjykuar me saktësi vetveten dhe të tjerët. 7. Keni kujdes që, paralajmërimi i nxënësve për pasojat
e veprimeve të ndryshme, të jenë të besueshme. 8. Kur të ngarkoni nxënësit me punë, organizoni diskutime
për të nxjerrë përgjegjësinë për realizimin e tyre. 9. I mësoni të kërkojnë falje, kur nuk kanë të drejtë. 10. Luftoni që të futni në shpirtin e tyre kërkesën
ndaj vetvetes për të korrigjuar të metat. 11. Mësoni që ata të nxjerrin
mësime nga sukseset dhe të metat. 12. Edukoni nxënësit me shpirtin problemzgjidhës dhe të
përgjegjshëm për të krijuar marrëdhënie të drejta me të tjerët si qytetarë të
një shoqërie demokratike. |
Si përfundim, mund të themi se puna
për edukimin e fëmijëve mund të quhet e mirë atëhere kur ata i njohin vlerat,
normat dhe kufizimet shoqërore dhe ndjejnë përgjegjësi për zbatimin e tyre në
krijimin e marrëdhënieve me të tjerët dhe në qëndrimin ndaj vetvetes.
17 – 14. VETËPËRGJEGJËSIA MËNJANON KONFLIKTET E
KRIJON MARRËDHËNIE AFEKTIVE NË MES TË NXËNËSVE DHE I HAP RRUGËN INTEGRIMIT TË
TYRE SOCIAL
Mësuesit dhe prindërit duhet të përqëndrohen
shumë tek puna për forcimin e ndjenjës së vetëpërgjegjësisë së çdo nxënësi,
sepse ajo përbën çelësin e zgjidhjes së problemeve të vështira, që lidhen me
edukimin e shpirtit problemzgjidhës dhe të përgjegjshëm për të krijuar
marrëdhënie të drejta me të tjerët.
Kur nxënësi ndjen përgjegjësi për veprimet që
kryen, zakonisht nuk krijon konflikte me të tjerët dhe përpiqet t’i menjanojnë
rastet që mund t’i lindin ato.
Vetëpërgjegjësia krijon kushte për të
forcuar mirëkuptimin që mbështetet mbi vlera, norma dhe kufizime sociale si dhe
për të krijuar afrime shpirtërore me njëri-tjetrin, që përbën bazën e
integrimit të tyre social.
Shkolla e familja duhet t’i përgatisin fëmijët që
të bëhen nxënës të suksesshëm dhe qytetarë të vetëpërgjegjshëm dhe të denjë të
shoqërisë demokratike, që me punën e sjelljen e tyre të gëzojnë respektin e të
gjithëve.
17 – 15. VETËPËRGJEGJËSIA, KUR KA SI OBJEKT
KRYESOR KAPËRCIMIN E SHQETËSIMEVE QË NXJERR VETËVLERËSIMI QË NXËNËSIT U BËJNË
VEPRIMEVE TË TYRE, FORCON VETËBESIMIN DHE MBRON IMAZHIN E MIRË
Vetëpërgjegjësia e nxënësit për veprimet që kryen
brenda dhe jashtë orës së mësimit, është një parandaluese e mirë e shkeljeve të
disiplinës së punës, të normave shoqërore dhe në të njëjtën kohë është një
rregullatore e fuqishme për të gjetur rrugët për realizimin e vizioneve
individuale e të përbashkëta për të siguruar një përgatitje të plotë për një të
ardhme gjithnjë e më të sigurtë.
Vetëpërgjegjësia është edhe një qëndrim ndaj
vetvetes për punën që bën secili për t’u vetëformuar dhe për të ruajtur imazhin
në nivelin e kërkesave shoqërore të kohës si dhe aftësitë për të
vetëmonitoruar e vetëvlerësuar të gjithë aktivitetin mësimor e social që
zhvillon.
Si përfundim, mund të themi se
vetëbesimin, vetimazhin e vetëformimin, nxënësit i mbajnë në normat shoqërore
që kërkohen nëpërmjet vetëkontrollit e vetëvlerësimit rigoroz dhe me një
ndjenjë e vetëpërgjegjësie të nivelit të lartë.
PËRMBLEDHJE
Siç e pamë gjatë këtij kapitulli,
vetëvlerësimi forcon përgjegjësinë e nxënësve për respektin që duhet të kenë
ndaj vetes dhe të tjerëve.
Siç del edhe nga studimi, aftësimi i nxënësve për
të përcaktuar kërkesat ndaj vetvetes për njohjen e zbatimin e vlerave, normave
dhe kufizimeve sociale, tregon se ata kanë arritur pjekurinë e nevojshme për të
bërë vetëvlerësime të sakta e me përgjegjësi edhe në aspektin
socialpsikologjik.
Vëzhgimet vërtetuan se nxënësi që di të kalojë
çdo veprim të tij nën gjykimin personal, që e mbështet atë në një vetëvlerësim
të sinqertë, rrit kërkesat ndaj vetvetes dhe përgjegjësinë për realizimin e
tyre gjithnjë e më të mirë.
Nga kërkimet e kryera, u vërtetua se
vetëpërgjegjësia, duke ruajtur ekuilibrat shoqërore, ndihmon për të krijuar
marrëdhënie të drejta në mes të nxënësve.
Gjithashtu u hodh dritë mbi faktin se
vetëvlerësimi fuqizon vetëpërgjegjësinë dhe së bashku motivojnë nxënësit për
punë të suksesshme.
Në të gjitha shkallët e këtij studimi doli se
vetëvlerësimi, vetëformimi, vetëbesimi dhe vetëpërgjegjësia realizohen me
sukses kur shkolla u transmeton nxënësve vlera, norma dhe kufizime sociale me
profesionalizëm të lartë, duke zbatuar teknika që sigurojnë fitimin e zemrave
të nxënësve dhe jo të vendosin pushtet kërcënues mbi ta.
Në përfundim, del qartë se forcimi i
vetëpërgjegjësisë mënjanon lindjen e konflikteve në shoqërinë e nxënësve dhe
krijon marrëdhënie afektive mes tyre, që i hapin rrugën integrimit social dhe
forcojnë vetëformimin, vetëbesimin, vetimazhin, vetëvlerësimin deri në normën
që kërkohet.