Editorial
Besim Muhadri: Një libër denigrues dhe me përmasa fyese dhe nënçmuese për UÇK-në, shqiptarët dhe shtetin shqiptar
E hene, 13.02.2012, 09:05 PM
NJË LIBËR DENIGRUES DHE ME PËRMASA FYESE DHE NËNÇMUESE PËR UÇK-në, SHQIPTARËT DHE SHTETIN SHQIPTAR
Përkitazi me librin “DUART E PËRGJAKURA: KIRURGU NË LUFTË”, të australianit me preardhje sllovene Craig Juriseviç, të botuar nga Shtëpia Botuese “Koha”, janar 2012.
Shkruan Dr. Besim Muhadri
Moti nuk më ka rënë të lexoj një libër të mbushur me kaq me trillime, me kaq nënçmime, me kaq insinuata, me kaq vetëvaldata të autorit, me kaq gënjeshtra, të cilat shkojnë deri në mani profesionale, ose në favor të një misioni të caktuar, se sa në librin e australianit me prejardhje sllovene, Craig Jurisevic, Me titull “Duart e përgjakura: kirurgu në luftë” të botuar në shtëpia botuese “Koha” e Veton Surroit, ditë më parë (janar 2012), libër që preteondoin që të jetë dokumentar dhe i ndërtuar bëmat dhe përjetimet e autorit.
Trillim apo tendencë për të parë me sy të keq Shqipërinë dhe Shqiptarët apo çka?
Kur mora për ta lexuar, shpresova shumë se do të lexoja një libër që do të më shërbente për të mësuar të vërteta, ose së paku për të ripërkujtuar ato ngjarje të vështira të dëbimit të madh të shqiptarëve nga soldateska serbe e kriminelit Sllobodan Millosheviç, ngjarje të cilat i kisha përjetuar edhe vet. I kisha prekur, i kisha ndier, ngase edhe unë si çdo shqiptar i Kosovës ( e jo si kosovarsiç e thotë nis e sos autori i këtij libri), isha pjesë e asaj dhembje të madhe në ato ditë të vështira, që nga 28 marsi i vitit 1999, që i bie rrafsh një muaj para se autori të fluturonte nga Australia e largët e të vinte në Rinas, më pas në Tiranë e së fundi në Kukës, Helshan, Krumë e Cahan.
Lexuesi i vëmendshëm që në fillim të librit, përkatësisht që në fillim të përshkrimit të arritjes së kryeprotagonistit të librit, C. Jurisveic, në aeroportin e Rinasit do të vërejë se me këtë njeri diçka nuk është në rregull, ose nuk do të jetë në rregull në mënyrë të vazhdueshme në faqet në vijim. Sapo zbret nga aeroplani ai vendin e shqiponjave (Shqipërinë) e shikon si një vend primitriv dhe me njerëz primitivë. Si një vend të hajdutëve, kriminelëve dhe bashikbozukëve. Madje edhe qeni i zgjebosur që rastias ta takojë në aeroport i duket tepër i shëmtuar, ashtu si pulat që po ashtu “takon” në aeroport, apo shqiptarët kudo që i has, sikur aeroporti të ishte kotec pulash, majesh e qensh. Ja se si e përshkruan atmosferën e arritjes së tij në Shqipëri, që i bie të jetë në fillim të kapitullit të parë të librit:
“Me të arritur në Aeroportin e Tiranës, pres se do të shoh hallakamë, piskamë, dëshmi të varfërisë endemike të këtij shteti ish-komunist- por jo në këtë masë. Terminali vlon nga masa e refugjatëve, ushtarëve, jeniçerëve mediatikë (!?), qenve endacakë, maceve të holla dhe pulave të plakura. Qëndroj i buzëqeshur në mes të tij ( këtu shihet se ai kënaqet nga “mjerimi” që sheh dhe të cilin e ka paramenduar në vend se t’ i vinte keq), i facionuar nga lëvizja dhe tollovitja, piskama e shtyrjet, madje dhe nga kundërmimi........ Një qen që s’e ka parë një ditë të mirë në jetë më afrohet te këmbët nëpër atë xhungël të çmendur dhe u merr erë këpucëve të mia. I afrohem dhe ia prek kokën, teksa i them: “Po fort i shëmtuar qenke!”, ai hap gojën dhe vazhdon...”
Këtu fillon ironia e misionit të Jurisevicit, ngase në këtë sy, ashtu siç e pa shëmtinë e qenit, ai do të shehë edhe shqiptarët në mënyrë të vazhdueshme.
Athua Craig Jurisevic nuk e kishte parasysh se ashtu sikurse edhe Kosova dhe shqiptarët e saj që po dëboheshin nga vatrat e veta, po vriteshin, po masakroheshin deri në dëbim, eksod, ashtu ishte edhe Shqipëria, në një varfëri të thellë të trashëguar nga pesëdhjetë vitet të një regjimi të egër komunist, po e përjetonte dy herë më rëndë atë dëbim të gjakut të tij. Athua Jurisevic nuk e dinte se në atë shtet të varfër, por me zemra të mëdha njerëzish, kishin hyrë dhe po mundoheshin të mbijetonin mbi 700 mijë shqiptarë të Kosovës. A nuk e dinte Jurisevic se si kudo tjetër në botë, edhe në Shqipëri mund të kishte situata të tilla. E aq më tepër kur tani ishte rrëmujë e madhe dhe një situatë e volitshme për hajdutët, kriminelët, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera, madje edhe të vendit nga vinte autori i këtij libri, që pretendon të jetë dokumentues.
Dhe ironia e këtij “bamirësi” që kishte ardhur të kontribuonte në këtë situatë të mjerë, nuk ka të ndalur. Ajo vazhdon edhe gjatë udhëtimit për në Tiranë, gjatë kohës së vendosjes në Tiranë, por ajo shpërfaqet tmerrësisht pas arritjes së tij në Kukës. Po e lexoja me shumë vëmendje dhe doja edhe të dija, por edhe të shihja se me çfarë syri po e shikonte Jurisevic kohën e eksodit të shqiptarëve të Kosovës, si po e ndihmonte ai me “profesionizmin” e tij tepër “të lartë” prej kirurgu, por edhe me përvojën e tij nga Gaza dhe vende të tjera të krizave, ku siç e pohon edhe vet ka marrë pjesë (nëse nuk është gënjeshtër apo mani profesionale e tij). Janë vërtet të tmerrshme pamjet që paraqet për ngjarjet e asaj kohe, të shikuara nga syri i një të huaj, e një humanisti apo edhe e një profesionisti, ngase kështu ishin më të vërtetë. Kirurgu Rurisevic nga Adelajdi i Australisë, i cili për të ardhur deri në Shqipëri me mision të caktuar, qoftë edhe humanitar, atje kishte lënë gruan dhe djalin. Është për t’u admiruar ky veprim i tij, mirëpo janë shumë gjëra të cilat të nevrikosin kur i lexon në librin e tij memorial.
Të pavërtetat - mani apo strategji profesionale e “kirurgut” Craig Jurisevic
Nuk e di mirë situatën në Kukës, veçanërisht atë në spitalin e Kukësit, por jo edhe atë në përgjithësi, ngase këmba ime dhe e familjes sime shkeli në Kukës natën e 28 dhe 29 marsit të vitit 1999. Aty kisha dhe kam shumë miq, të afërm,. Sa për informim, më duhet t’i them z. Jurisevic se unë jam nga Hasi i pjesës së Kosovës, të cilën Jurisevic jam i bindur se nuke di si është fati i kësaj pjese. Kur e them këtë, e kam parasysh një personazh të Jurisevicit, një grua të re nga Kushnini, fshat po ashtu i Hasit të pjesës së Kosovës, rrëfimi për të cilën më shtyri të dyshoja në sinqeritetin e australianit dhe librin tash ta lexoja me një sy krejt tjetër. Në Kukës kisha shkuar edhe shumë herë të tjera para se të ndodhte lufta në Kosovë, por edhe eksodi, prandaj aty kisha shumë miq, që ishin gazetarë, shkrimtarë, mjekë, politikanë etj. Dhe derisa po lexoja ato vise të librit që Jurisevic flet për “masakrat” e drejtorit të spitalit të Kukësit, me mbiemrin Cena, por edhe për “viktimën”, mjekun Ylber Vata, që është një emër i njohur për mua, padyshim që isha shumë i dëshpëruar në ato që kishin ndodhur sipas rrëfimeve te Jurisevicit. Isha i indinjuar në atë se si ky Cena paske qenë i lidhur në atë kohë me mafijen dhe në vend se të shëronin pacientët, ata që siç thotë Jurisevici, shkonin për t’u operuar në siptal, ndërsa Cena me mafijozët e tij, në vend se t’i shëronin, i vrisnin, do të thotë u kërkonin para dhe ata që nuk kishin t’u jepnin para, vdisnin për shkak të moskujdesit, mostrajtimit apo edhe për shkak veprimeve kriminale të Cenës me shokë. Gjatë leximit të këtyre viseve të librit, mendja më shkonte te Cena, që ishte drejtor i këtij spitali: Ku ndodhet tani ai dhe pse nuk kisha dëgjuar unë dhe askush tjetër për të, sepse sipas rrëfimeve të Jurisevicit, ai duhet të dilte në gjyq dhe ta akuzohej për krim të organizuar. Mirëpo dyshimi në sinqeritetin e asaj ose të atyre që thuhen në libër filloi pikërisht kur nga Jurisevic lexova storien për atë gruan nga Kushnini që është një fshat i Hasit të Kosovës, që shtrihet rrëzë Pashtrikut, ku në fund arrin imagjinata e prishur e Jurisvecit, për të demaskuar luftën e UÇK-së dhe të komandantëve dhe ushatërve të kësaj ushtrie. Ja se çka rrëfen për këtë grua, kinse para Kofia Annanit, në ditën kur ai vizitoi një kamp refugjatësh në Kukës:
“Arjana është kosovare 24 vjeçe nga Kushnini, një fshat afër, 10 kilometra përtej kufirit. Fshatin ia kishte sulmuar një njësi paramilitare serbe: burri dhe dy fëmijët e saj, një djalosh trevjeçar dhe një vajzë pesë vjeçe u vranë para shtëpisë së tyre. Në shtatzani të avancuar atëherë, iku në mal me disa fshatarë të tjerë, përfshirë edhe nënën e vet. Në ikje e sipër, lindi vajzën, Besianën, të vetmin fëmijë që i ka mbijetuar. Dy ditë më vonë, në një pyll afër linjës së frontit, ajo së bashku me grupin u zunë në mes të këmbimit të zjarrit ndërmjet forcave serbe dhe atyre të UÇK-së. E qëlluan në zogun e këmbës së djathtë, duke ia thyer atë në disa vende. Pasi eci dy ditë, me ndihmën e nënës, arriti të kufiri i Morinës. Prej aty e dërguan në Siptalin e Kukësit. Aty personeli i kërkoi para dhe meqë nuk kishte për ta paguar, ia mohuan trajtimin dhe e lëshuan nga spitali. Më vonë e çuan në Kampin Italia, ku i operua dhe u rehabilitua shpejt”.
Krejt në rregull si rrëfim trishtues me përmasa tmerri, me anë të të cilit ai dëshironte të sensibilizonte opinnionin e aq më tepër sekretarin e përgjithshëm të OKB-së. Mirëpo në këtë rrëfim ka të pavërteta të mëdha, ashtru siç ka edhe në shumë rrëfime të tjera që do t’i hasim gjatë leximit të mëtejmë të këtij libri. Fshati Kushnin për të cilin flet autori është nga Hasi. Edhe autori i këtij reagimi është nga Hasi, i cili ka çdo informacion për gjithçka ka ndodhur në Has gjatë saj kohe. E them me përgjgjesi të plotë se askund nuk rezulton asnjë grua e plagosur me emrin Ariana, të cilës paramilitarët do t’ia kënë vrarë burrin dhe dy fëmijët. Kjo është një rren e kulluar, një budallaki apo një ëndërr me sy hapur e Jurisevicit, për të shfryrë ndaj drejtorit Cena dhe mafisë së tij, të cilët kushedi përse nuk e lanë të kishte qasje të duhur në spitalin e Kukësit. Ndoshta për shak të dyshimeve në interesimet e tepërta të tij për të ditur gjithçka, apo edhe për t’u bërë zot në shtëpinë e huaj, ashtu sikurse do ta shohim duke u bërë edhe më vonë në shumë raste, ku kalon në përmasat e një maniaku. Apo ndoshta edhe për shkak të mbiemrit apo kushedi për çka. Kjo le të mbetet punë e tyre. Kjo del se ata kishin krijuar një averzion ndaj këtij njeriu dhe vetëm ai mund ta dijë se përse do ta këtë krijuar këtë averzion dhe për të krijuar një alibi ai nuk kursen asgjë. Madje edhe këtë gënjeshtër më Arianën nga Kushnini dhe për tragjedinë e saj. U shërua shpejt ajo vetëm pasi që shkoi në spitalin Italian. Këtu del haptas tendenca e C. Jurisevizit për të nënçmuar çdo gjë shqiptare dhe për të paraqitur ata vetëm si mafioza, apo si bashibuzukë, kudo që janë. Jurisevic në atë kohë, po pse jo edhe tani, mund të jetë njeri i dyshuar ndër shqiptarë, qoftë për shkak të mbiemrit, qoftë për shkak të veprimeve të tij. Ai del më tepër së një maniak që ngjall dyshime. Ai madje na del se është edhe narcisoid, i dashuruara fort në vetveten. nJë person që e mivlerëson veteveten, dhe që, madje del edhe si shumë i përgatitur në aspektin profesional të kirurgut, por edhe të ushtarakut. Ai madje arrin që në Helshan të bëhët edhe epror ushtarak që të trajnojë ushtarët në përdorimin e armëve etj., ashtu suiç do ta shohim më vonë si udhëheqës operacionesh dhe ekspeditash për të “zbuluar” pozicionet serbe, për informacion trupave të NATO-s për të goditur mbi to. Dhe përse i bën të gjitha këto, vetëms pse shqiptarët nuk na ditkan asgjë dhe se ata qenkan së koti duke luftuar. Miropo shuyqyr që më në fund zbriti engjëlli nga Australia dhe i shpëtoi nga të gjitha të këqijat?!
Se Jurisevic është një debil i papërmisuar këtë tregon në shumë raste. Do t’i shohim disa prej këtyre manive të tij:
Rasti i një vajze që ishte dëbuar nga spitali i Prizreni e që ishte me leukemi, nxjerr në shesh simpatinë e Jurisvicit ndaj mjekëvë serbë (një letër që me “shpejtësi” ia paska pas shkruar në një anglishte të dobët mjeku serb pasi që vajza qe dëbuar nga paramilitarët e në të cilën i apaleonte kujdoqoftë që kjo vajzë të trajtohej, sepse ishte rast i rëndë). Vajza vdes pasi që është trajtuar,
Ajo që del këtu sheshit dhe në shumë raste të tjera, është se Jurisëevic nuk flet kurrë keq për ushtarët serb, por vetëm për paramilitarët. Edhe në këtë rast ai akuzon vetëm paramilatarët që kinse ata paskan pas hyrë në spitalin e Prizrenit dhe kanë dëbuar të gjithë të sëmurët. Por kështu vepron edhe në raste të tjera, ndërkohë që për ushtarët serbë flet si për trimat më të mëdhenj në botë, më të zotët, më profesionistët, në kohën që ai shkruan zi e më zi për UÇK-ë, e cila sipas tij na qenka një ushtri bashibuzukësh, që nuk ka moral, që nuk ka komanadë, dhe që komandanët e saj nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se të sillen klubeve të Krumës apo të Kukësit, ndërsa në fronte lënë ushtarët pa komandë. Dhe në shumë raste ai na del më eprorë se shumë eprorë të UÇK-së. Madje fantazia e Jurisvicit shkon aq larg sa që të “merr pjesë” edhe në shikimin e hartave luftrake së bashku me ushtarët e NATO-se që kishin shkuar apo që shkonin në Cahan për të marrë koordinatat për sulm ndaj caqeve serbe që ndodheshin në Pashtrik.
“Sa më shumë që i afrohemi bazës në Cahan, aq më shumë pamja u ngjet skicave “Katastrofat e luftës” të Goyas. Këto i kisha parë për herë të parë në adolshencë, arti i Goyas e shprehte tmerrin dhe neverinë që ndiente për atë që lufta ua bën burrave, përderisa tmerri dhe neveria ime rriteshin prej çastit në çast. Shtegu dhe brigjet e rrugës tash janë një varrezë e hapur e shtazëve të cofura - dhi, lopë, dele, - duke u qelbur në të nxehtin e verës (ende nuk ishte verë dhe madje shi binte vazhdimisht, në Pashtrik edhe borë). Poshtë në luginë (ç’ironi, ai sheh shumë larg, atje në luginë!), është i shtrirë trupi i bariut mbi njërën dele ( sa pa lidhje mbi njërën dele, sikur të shfaqte apo shihte film ky Jurisevici. Mirë që nuk i thotë se bariu shqiptarë mbase kishte të dashur delen mbi të cilën qëndronte edhe i vdekur). Qeni i bariut po qante.....”
E gjithë kjo storie është rrenë. Nuk ka asgjë nga e vërteta. Në Cahan gjatë kohës së luftës janë varrë vetëm dy civilë: Musë Cahani me vajzën e tij në derë të shtëpisë. U vranë nga predha e ushtrisë serbe, ndërsa për këtë bariun me siguri që po ditka vetëm Jurisevic. Bariu i rënë mbi delen e tij po ashstu të ngordhur, ndërsa qeni që po qanë pranë kufomave të tyre. Vërtet një imagjinatë trishtuese, e denjë për çdo film të tmerrit, por asgjë në këtë rast me realitetin. Mbase Jurisevicit iu ka përfytyruar kjo skenë nga frika dhe mendimi që një gjë e tillë mund t’i shfaqej kurdo dhe kurdo. Mirë që s’e ka thënë edhe më ndryshe dhe budallëllëku më i madh do të ishte sikur kjo skenë t’i kishte ngjallur ndopnjë asociacion tjetër).
“Na nevoiten dy orë për të arritur te porta e bazës në Cahan ku s’kishte roja. Një shtëpi zë hapësirën qendrore të fermës. Një nga ndërtesat më të vogla të fermës krejt në lindje, - mbase vendi ku milen dhentë, - po digjet zjarr. Ushtarët vrapojnë si pa kokë, duke bërtitur dhe ulëritur, duke u përpjekur të bartin ujë për të shuar zjarrin ( ku të merrnin ujë të gjorët në Cahan kur nuk kishin as për vete e lërë më të shuanin zjarrin). Dy ushtarë të vdekur janë shtrirë në tokë afër ndërtesës që po digjej; ushtarët e tjerë po i ngrehin zvarrë dhe po i bartin të plagosurit nën një strehë të fermës nga ana perendimore e saj.....”
Craig Jurisveicit dua t’ia përkujtoj se gjatë luftës në Pashtrik u vranë vetëm 13 ushtarë, ndërsa numri i të plagosurve ishte shumë i vogël, por jo në atë masë sa i paraqet ai. Nga lista e ushtarëve të vrarë që i paraqet Jurisviv asnjëri nuk është i vërtetë. Ai jep dhjetë emra, por asnjëri nuk është i vërretë. Prej 13 ushtarëve të vrarë, 4 u varrosën në varrezat e Krumës me nderime të larta ushtarake (mori pjesë në varrim dhe identifikim të tyre edhe autori i këtij reagimi), ndërsa 4 u varrosen në Kukës dhe 5 në Pashtrik.
Ironik është edhe përshkrimi i Krumës, e cila atij na i del me atraktive se Kukësi. Kulmi i të pavërtetës arrin kur thotë: “Pjesa e vjetër e qytetit madje gati e meriton një turne shetitës me cicëron. Xhamitë, të reja e të vjetra.....”. O Zot. Ky është kulmi që nuk mund të përmbahet njeriu pa i thënë se po gënjen babazisht. Nuk e di nëse këtë e ka thënë në origjinal autori, apo këtë ia ka shtuar përkthyesja. Po Kruma ka vetëm një xhami dha asnjë tjetër. Dhe kjo është xhamia e re, për të cilën flet pak më vonë, ku ishte vendosur spitali ushtarak, ndërsa autori i këtij reagimi në oborin e kësaj xhamie kishte një “zyrë” informacioni të dhuruar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, e cila gjatë kohës së luftës shërbeu për refugjatët, por edhe për rekrutët që regjistroheshin dhe pastaj shkonin në Cahan.
Kjo vërtet nuk është serioze dhe nuk i bën nder as autorit të librit, por as atyre që iu kushtua.
Edhe “vizita” e tij te stanet (Stanet e Vlahnes në Pashtrik- vërjejta ime), na del shumë e kamufluar. Ka shumë pavërtetësi. Nuk kishte komandant, ishte në Krume, njëri stan sdipas Jurisevicit shërbnete si morg. Aty ai pau trupat e pajetë të njerëzve, ushtarëve të UÇK-së dhe ndjeu erë gjaku etj. Sipas tij UÇK-ja në ato kohë kishte dalë fare, në anën tjetër thotë se ushtarët UÇK-së nuk luftojnë, janë frikacakë etj.... PO nëse ishin frikacakë si kishte mundësi që ata të vriteshin, apo të plagoseshin, të qëndronin në istikmave. Frikacakët nuk i bëjnë këto veprime...
Aia takon ushtarë të fshehur në biruca nga frika e armikut që në çdo moment pret me i marrë pikat, ndërsa ky endet si sovran herë në njërën pikë e herë në tjetrën, sikur të kishte lindur në ato shkrepa. Në anën tjetër nuk e njeh fare terenin....
“Ushtarët dolën nga strehimoret dhe ndezin zjarre të vogla për të zier. Disa po e shkrijnë borën për të zier kafe... (pak më herët thoshte se kufoma e bariut qelbej në diellin e nxehtë të verës, ndërsa tash na shfaqet bora. Më herët po ashtu thoshte se ushtarët merrin ujë për të shuar zjarin e ndërtesës së kallur nga një bombardim e tash ata nuk paskan ujë as për kafe) f. 243
Craigu hero dhe komandant i UÇK-së
Craig Jurisveic, kirurgu i “famshëm” në luftën e Kosovës të zhvilluar në Pashtrik, në mungesë të komandantëve të UÇK-së, arriti që këtë post ta “merrte” vet. Pas shkuarjes në Cahan ai kërkon gjithandej istikameve, shpellave, por edhe staneve ku ishin të përqëndruar në malin e Pashtrikut qindra ushtarë, sipas tij, të braktisur nga komandantët e tyre. I vetmi komandant që Craig arriti të takojë, ishte Riza Imer Alia, apo siç e paraqet ai si komandant i brigadës inekzistente 123, ashtu siç ishte edhe inekzistenca e të qenit komandant edhe vet Rizait, apo Rezaku, siç e kishte Nofkën komandat Hoxha. Është e vërtetë se Riza Alinë, komandant Hoxhën (tash i burgosur dhe i dënuar me disa vite burg) Craig do ta gjejë në një shpellë, të cilën mbase edhe e merr dhe e shfrytëzon si bazë dhe “spital” të improvizuar për dhënien e ndihmës së parë ushtarëve të plagosur. Komandantë tjerë të UÇK-së, sipas Rizait dhe Craigut ndodhen në klubet e Krumës, ku edhe i japin Njësitit amerikan koordinatat për pozicionet e ushtrisë serbe, në mënyrë që më pas NATO-ja t’i bombardonte. Ironia e madhe e rrëfimit të Craigut na del këtu se për shkak të dhënies gabim të koordinatave, NATO-ja nuk paska sulmuar ushtrinë serbe, por delet që ishin nëpër male. Me këtë Craig, sikur bën shakanë më të madhe, jo vetëm me UÇK-në, por edhe me vet aleancën veriatlantike. Mirëpo ajo që është shumë interesante është ajo kur vetë Craig merr rolin e komandosit të UÇK-së, së bashku me disa ushtarë del vet në teren dhe “zbulon” pozicionet serbe. Kjo atij i shërben për të dhënë koordinata të “sakta”, në mënyrë që më pas aeroplanët e NATO-s të sulmojnë mbi pozicionet serbe. Kjo, sipas Craigut rezulton me humbjet më të mëdha të ushtrisë serbe, për çka edhe u detyrua të nënshkruante kapitullimin e plotë. Kjo nënkupton se po të mos ishte Craig Jurisevic, NATO-ja do të kapitullonte, por ja që ishte ai dhe e shpëtoi Koëovën dhe NATO-n.
Duke lexuar librin e Craig Jurisevicit, ne shohim shumë të pavërteta, shumë mllefosje personale të këtij njeriu, i cili mbivlerëson veten duke nënçmuar totalisht shqipatërt dhe UÇK-në. Në shumë raste, për të mos thënë tërësisht, sipas Craigut ajo është një ushtri bashibuzukësh, të paditurish, të cilët as që dinin të luftonin e lërë më të përballeshin më forcat serbe.
Duke qenë një njeri mjaft konfuz në përshkrime, në mendime etj., Craig Jurisevic, në shumë raste na del qesharak, i painformuar apo i mbivlerësuar. Kapitujt 26, por edhe ai 27 janë të stërmbushur me të pavërteta. Shkuarja e tij dhe e Njësitit Shqiponjat në Planejë dhe Gorozhup, nuk mund të jetë e vërtetë fare. Përse të shkonin në Planejë dhe Guruzhup që të rerzikonin kot së koti jetën kur atje nuk jetonte asnjë njeri që nga fundi i marsit të vitit 1999, ashtu sikurse edhe në Kushnin të Hasit, ku siç pohon ai pasi që shkuan panë duke u maskaruar shumë shqiptarë. Craig nuk e di se fshati Kushnin, ashtu sikurse edhe fshatrat e tjera të Hasit ishin zbrazur nga popullata që nga data 29 mars dhe banorët kishin dalë në Shqipëri, ku ishin vendosur në Krumë dhe Kukës, por edhe vende të tjera të Shqipërisë. Craig nuk ka si ta dijë, sepse për këtë nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe këtë as që e ka kërkuar qoftë nga ushtarët e Brigadës 126 që ishin të vendosur në Cahan e pjesë e së cilës ishte edhe Riza Alia (jo komandant i kësaj brigade) që e përmend ai, ndërsa me ekipin e tij që kishin shkuar ai sikur vëren një gjë të tillë, pra që fshati ishte boshatisur, por jo që banorët ishin arratisur në mal.
Ka edhe shumë gjëra të tjera të pasakta, të cilat në fund i pranon edhe vet. Është rasti i paraqitjes se Shkumbinit dhe i Rukijes, dy infermierë, me të cilët e thotë se ka punuar në Cahan. Për këta dy ai në libër thotë se u vranë së bashku me dhejtra të tjerë në një sulm bombash të artilerisë serbe. Kështu ia fotografoi fantazia e tij në një moment mbase halucinacioni e frike. Kjo ia demanton edhe shumë gjëra të tjera. Në këtë rast është plotësisht e pasaktë, e pavërtetë ajo që thotë se në Gorozhup ata gjetën shumë trupa njerëzish të vrarë nga serbët, në mesin e të cilëve edhe një fëmijë, të cilin më kërkesë të nënës e mori dhe e varrosi me duart e tij, pasi që më parë, po ashtu me kërkesë të gruas, ai vrau nënën e fëmijës, e cila ishte e sakatosur nga plagët e plumbave të paramilitarëve serbë.
Në faqet e librit të tij Craig Jurisevic noton mbi shumë të pavërteta.
Nuk e di se cili ishte qëllimi i tij kur e shkroi këtë libër. Nuk e di se cilat janë reagimet e atyre njerëzve më të cilët ai pohon se ka bashkëpunuar. Nuk e di se cilat janë dhe cilat do të jenë reagimet e ushtarëve të UÇK-së me të cilët thotë ai se ka bashkëluftuar, ka bashkëvuajtur në Helshan, Krumë, Cahan, Pashtrik. A duhet ta thonë edhe ata të vërtetën rreth qëndrimit apo mosqëndrimit të të gjitha atyre që thuhen ne librin e Craig Jurisevicit? Mirëpo, me ato që kam mundur të vërej gjatë leximit, të atyre që kam njohur gjatë asaj kohe, sepse në ato vende ku thotë ai kam qenë edhe vetë në të njejtën kohë, madje edhe shumë më herët se ai, unë mendoj libri në fjalë, sa mendohet se i bën nder luftës ë UÇK-së, aq i bën edhe dëm, në mos më shumë. Apo ky nuk i bën nder aspak, ngase në këtë rast autori tërë këtë luftë e ka shikuar në një sy tjetër: në syrin e degradimit të vlerave të kësaj lufte. Ai në asnjë rast nuk përmend emra të njohur, që do të të mund të ta mbushin mendjen dhe që kjo mund të ishte kështu. Në Pashtrik, prandaj edhe në Cahan, më 26 maj kishte filluar operacioni “Shigjeta”, operacion ky që u udhëhoq nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në koordinim të plotë edhe me forcat ndërkombëtare, në këtë rast të NATO-s. Se kishte edhe uddhëheqës të atij operacioni kjo dihet botërisht. Kishte komandantë dhe zv momandantë. Kishte batalione, Brigada, togje, Njësite dhe çdo gjë që i takon organizimit të mirëfilltë të një ushtrie, ndërsa gjërat që i paraqet Craig Jurisevic janë shumë komfuze, me plot insinuata, me plot tronditje të pavërtetash. Sipas tij, numri i të plagosurve dhe i të vrarëve na del qindra herë më i madh se sa ai reali. Prandaj, është e arsyeshme që ky libër të lexohet me shumë vëmendje nga përjetuesit e drejtpërdrejtë të atyre ngjarjeve, të atyre momenteve, të atyre organizimeve, sepse kjo do të ishte me interes edhe për luftën e UÇK-së, e cila në këtë rast është degraduar në masë marramendëse, por edhe për vet ata që kanë qenë të emëruar për të udhëhqeur këtë luftë. Mirëpo faqet e këtij libri, në pjesën më të madhe të tyre, japin një pamje të shëmtuar të shtetit shqiptar, dhe paraqitja e tij do të ndikonte në shkatërrimin e imazhit edhe ashtu bukur të rrënuar të këtij shteti në arenën ndërkombëtare.
Libri, përmbajtja dhe qëllimi i shkruarjes së tij, doemos se duhen shikuar, duhen diskutuar, në mënyrë që gjërat të vihen në vendin e duhur. Në të kundërtën libri dhe dalja e tij në skenë, do të shkaktojë shumë konfuzitet.
(Autori i këtij shkrimi është doktor i shkencave filologjike)