E diele, 10.11.2024, 06:06 PM (GMT)

Shtesë » Shkenca

Adnan Abrashi: Kalendari Maja dhe shkatërrimi i botës 2012?!

E premte, 13.01.2012, 08:01 PM


KALENDARI MAJA DHE SHKATËRRIMI I BOTËS 2012?!!

 

Nga Adnan Abrashi

 

Po të mos ishim aktualisht në vitin 2012 dhe po të mos bëhej fjalë për një kalendar të civilizimit të lashtë pagan MAJA, në të cilin senzacionalisht 21 dhjetori i këtij viti parashihet si viti i një kataklizme të mundshme planetare (fundit të botës), për shumicën, interesimi për këtë civilizim të shuar do të ishte kufizuar në shkallën e nivelit të kërshërisë së zakonshme intelektuale.

Nga ana tjetër, kur rreth këtij kurioziteti, me imagjinatën e vetë të bujshme krijuese kyçet edhe korporata më e madhe filmike botërore – “Hollywood”, atëherë, pa dyshim se, nga një e dhënë e zakonshme në formë të një dëshmie hipotetike gjysmë/shkencore, në opinionin gjithëbotëror do të arrihet një efekt i fuqishëm mbresëlënës psikologjik kolektiv. Konkretisht, fjala është për filmin e regjisorit të famshëm holivudian, Rolanda Emmericha, titulluar, “2012”, premiera e së cilës, u shfaq në nëntor të vitit 2009.

E realizuar përmes një teknike shumë të përsosur bashkëkohore me përplot efekte virtuale, ky film artistik i stilit komercial holivudian, jo vetëm që arriti një shikueshmëri rekorde në botë, por përmes temës specifike tejet sugjestibile që trajtonte, provokoi emocione masive të frikës dhe ankthit kolektiv tek njerëzit. Sa më shumë afrohej viti dhe dita kalendarike e parashikimit të kësaj kataklizme botërore, aq më tepër njerëzimi mbahej nga makthi i pritjes. Dhe ja, viti 2012 erdhi! Jemi në fillim të saj.

A thua, sa kanë pas të drejtë MAJA-të dhe sa mund të jetë reale kjo profeci e tyre pagane mbi mundësinë e shkatërrimit fizik-material (apokalipsit) të planetit tonë në vitin 2012?!

Për tu përgjigjur në mënyrë sa më meritore kësaj pyetjeje dhe shumë pyetjeve tjera kureshtare rreth kësaj profecie, së pari do të ishte e udhës që në pika të shkurta të sqarojmë historikun e këtij civilizimi të lashtë dhe të përparuar për kohën e vetë.

 

Civilizimi i lashtë MAJA

 

Sipas të dhënave ekzistuese materiale- historike, civilizimi i lashtë MAJA ka ekzistuar shumë më parë, por kulmin e përparimit të vrullshëm të saj e arrin në periodën 250- 900 p.e.s. Shtrihej në një hapësirë gjeografike të kontinentit të sotëm të Amerikës Qendrore (në mes të Guatamalës, Belizesë, Hondurasit dhe Salvadorit të sotëm). Me një forme të përsosur të organizimit të përgjithshëm shtetëror – administrativ fisnor, për kohën e vetë dhe në krahasim me kulturën dhe njohuritë e Evropës së atëhershme mesjetare, MAJA-të kanë qenë një etnitet tepër i zhvilluar dhe shumë i përparuar në çdo aspekt të dijes: ishin njohës të mirë të matematikës, astronomisë dhe arkitekturës.

Qyteti Çiçan Ica ka qenë qendra kulturore - administrative, politike, religjioze dhe tregtare e këtij civilizimi ndërsa sot është një vend i madh arkeologjik në Meksikë (siujdhesa Jukatan). Po ashtu, në këtë qytet ishte i vendosur edhe observatoriumi i madh astronomik, nga i cili MAJAT kanë vrojtuar qiellin e pafund, duke parashikuar kështu ngjarjet e ardhshme që kryesisht mbështeteshin në ciklin e barasditës - barasnatës (ekvivoksit) të lëvizjes së planetit Venera.

Sa për sqarim dhe konkretizim, barasdita- barasnata, apo “ekvinoksi”, është një dukuri natyrore astronomike i cili ndodh 2 herë në çdo vit. Gjithnjë më 20/21 mars dhe 22/23 shtator. Në këto ditë, në gjysmën veriore nga Ekuadori i tokës fillon pranvera, gjegjësisht vjeshta, ndërsa në gjysmën tjetër të hemisferës jugore ndodh e kundërta. Po ashtu, në këto data, gjatësia e ditës është e barabartë me atë natës dhe zgjat fiks 12 orë.

Në kohën e sotme, qytetin Çiçan Ica UNESCO e ka futur në listën e trashëgimisë së mbrojtur kulturore Botërore, ndërsa më 7 gusht 2007, ky regjion shpallet edhe si njëra prej 7 çudirave të botës.

Kukulkan është emri i perëndisë hyjnore të besimit MAJA. Piramida e njohur Kukulkan kushtuar këtij hyjnori në Çiçan Ica, në fakt paraqet një kalendar guri. Nga çdo anë e saja ekzistojnë 91 shkallë të cilat së bashku me shkallët në platformën e majës së piramidës gjithsejtë numërojnë 365 shkallë sa ditë numëron një vit kalendarik.

Është shumë e çuditshme se si MAJAT e kanë ndërtuar kaq preciz këtë piramide, sepse, pikërisht në momentin e ndodhjes së fenomenit astronomik të barasdita- barasnata (ekvinoksit) të Diellit, drita bie mu tek nisma e shkallëve të bazamentit në pjesën veriore të piramidës, duke krijuar kështu me hije pamjen e trupit të gjarprit. MAJAT kanë besuar se ky gjarpër zbret nga qielli në tokë dhe më pas hyjnë në botën nëntokësore.

Gjithë dijen dhe mençurinë e tyre, si meritë kryesore, MAJAT ia atribuonin hyjnisë qendrore të quajtur Kukulkan, i cili, në besimin e tyre paraqitej në dy forma: e para si gjarpër me krih zogjsh fluturues, dhe e dyta, i personifikuar në pamje njeriu që aspak nuk i përngjan me fizionomi njerëzve të këtij populli. Këtë hyjni të tyre ata e përshkruajnë kështu: me kokë të zgjatur, sy të kaltër, flokë dhe mjekër të gjatë në ngjyrë të bardhë. Për nga karakteri, ky hyjni tregohej si person tejet i mirë, parimor dhe me vlera të larta morale. Rreth vitit 1000 të e.s , Kukulkani, i braktis MAJA-të dhe kthehet në det nga kishte ardhur më parë, duke ju premtuar atyre se patjetër përsëri do t’ju kthehet një ditë. Por, deri më sot, një kthim i tij i pritur, nuk ka ndodhur ende.

Kur në vitin 1519, në truallin e kontinentit të Amerikës Jugore, paraqitet, Hernando Kortez, njëri nga prijësit e kolonizatorëve spanjoll që me dhunë kishin pushtuar atë pjesë të kontinentit amerikan, për shkak të lëkurës dhe mjekrës së tij të bardhë, MAJAT kanë besuar se mu ky është hyjnori i tyre i kthyer mitik që e prisnin, andaj edhe iu janë bindur dhe nënshtruar në tërësi sundimit të tij. Kuptohet se ky besim i gabuar dhe ndërrimit naiv të identitetit të hyjit të tyre me këtë pushtues, me kohë është treguar tejet fatale për ta.

Gjatë sundimit të egër në këto vise, spanjollët si pushtues, kanë kultivuar një urrejtje të paparë, duke ushtruar një gjenocid sistematik dhe të pamëshirshëm ndaj këtij populli të lashtë autokton. Kështu që, gjatë gjithë kohës kolonizues 50 vjeçare, MAJAT kanë humbur mbi 90% të popullsisë së tyre, ndërsa pjesa tjetër e mbetur, dhunshëm është konvertuar në fenë katolike.

Jo vetëm kaq! Përveç gjenocidit shfarosës, spanjollët kolonizator, ndaj këtij etniteti kanë ushtruar edhe gjenocid kulturor. Ata kudo kanë djegur dhe shkatërruar shumë tempuj të kultit, ndërtesa dhe objekte të rëndësisë së veçantë arkitekturale, si dhe shumë e shumë libra dhe tekste të vjetra të shkruara me hieroglifë ti cilat konsideroheshin si bazë të kulturës dhe dijes shumë të përparuar të këtij civilizimi të lashtë indigjen.

Sot, nga një mori tekstesh të lashta të shkruara nga ky civilizim, në gjendje të mirë janë ruajtur vetëm 4 sosh të emërtuara si kodekse. Ndërsa, si më e vlefshmja prej tyre është e katërta - i quajtur si “Kodeksi i Drezdenit”.

Kodekset ishin shkresa të shkruara në letër të bërë prej kores së brendshme të fikut . Sipërfaqja e letrës kishte ngjyrën e verdh në të limontë dhe arrinte gjatësinë prej 7 metrave. Për qëllime praktike të ruajtjes dhe arkivimit të tyre, zakonisht paloheshin në formë të harmonikës. “Kodeksin e Drezdenit” e ka blerë në Vjenë kustosi i Bibliotekës saksone mbretërore në Drezden, ku gjendet edhe sot e kësaj dite.

Tek në vitin 1880, shkencëtari gjerman, Ernest Fosterman, ka arritur që t’i deshifroj hieroglifët nga ky Kodeks. Gjatë këtij deshifrimi shkencor, ai ka vërejtur se në “Kodeksin e Drezdenit” gjenden të shkruara qartë një numër i madh i parashikimeve astronomike për të ardhmen, e të cilat në përgjithësi kanë të bëjnë me ciklet e Hënës, Venerës dhe zënien e Diellit (eklipsi) etj. Parashikimet ishin tejet precize dhe ngërthenin në vete një periudhë prej një mijë vitesh. Në këtë Kodeks ai ka zbuluar edhe një kalendar i cili është shumë më i saktë se sa ky i yni bashkëkohor. Ndryshe nga koncepti perëndimor i llogaritjes lineare të kohës, MAJAT kanë konsideruar se koha është ciklike (e përsëritshme). Ajo çka ka ngjarë në të kaluarën patjetër do të përsëritet sërish. P.sh. një katastrofë elementare me përmasa të mëdha e ndodhur më parë, patjetër se ajo do të përsëritet edhe në të ardhmen.

Është tejet interesante që në këtë kontest të cekim edhe një paradoks shumë të çuditshëm për këtë civilizim të cilin gjer më tani e prezantuam si tejet të përparuar në dije e posaçërisht si njohës shumë të mirë të matematikës dhe astronomisë. Edhe pse dinin aq shumë për lëvizjet e trupave qiellore dhe llogaritjen e saktë të pozicioneve të tyre në Universin e pafund, MAJAT për planetin e vet – Tokën, kujtonin se është një pllakë e rrafshët të cilin e mban në shpinë një krokodil që noton përmbi sipërfaqen e madhe të ujit?!!

 

Kalendari MAJA

 

Kalendari Maja është i ndërtuar nga 3 kalendarë të ndryshëm së bashku në një vend.

E para dhe më e njohura prej tyre është kalendari solar apo e njohur si “haab”. Është e ndërtuar nga 365 ditë të ndarë në 18 muaj me nga 20 ditë. Asaj ju është shtuar edhe 5 ditë të tjera të cilat janë konsiderua si tejet të papërshtatshme dhe ogurzeza. Sa për kuriozitetin tonë, duhet ta dimë se kalendari “haab”-e si kalendar është për 10 mijtën e ditës më e saktë se kalendari ynë bashkëkohor.

Kalendari i dytë është i ashtuquajturi “tokin” i cili konsiderohet si kalendar ceremonial. Atë e formon cikli hyjnor prej 260 ditëve: 20 shenja ditore në të janë të kombinuara me numrin magjik 13. “tolkin”-i si formulim mbështetet në 9 muajt e zgjatjes së natyrshme të shatëzënisë gjatë zhvillimit të frytit në mitrën e nënës. Ajo është shfrytëzuar me qëllim të arritjes së njësimit (baraspeshës) në mes të proceseve hyjnore në qiell dhe atyre tokësore materiale në realitetin tonë objektiv.

TOLKIN-i zakonisht është përdorur për përzgjedhjen e datave më të përshtatshme për martesë, luftërave, për emërimin e personave të rëndësishëm në poste udhëheqëse dhe parashikimit të fenomeneve tjera astronomike sikurse që është cikli i planetit Venera, të zënunit e Hënës (eklipsi) ...etj. Venera për MAJAT është planeti mi i ndritshëm i cili kalon një cikël të rrotullimit rreth Diellit për 584 ditë. Ndonjëherë ajo është ylli i parë i shndritshëm i mbrëmjes e ndonjëherë i mëngjesit. Përmes tolkin-it MAJAT kanë qenë në gjendje të parashikojnë pozitën e saktë të Venerës në qiell. Kjo aftësi parashikuese të pozitës planetare-yjore shtrihej edhe për trupat tjerë qiellor.

Kështu kalendari TOLKIN është kombinuar me kalendarin HAAB në mënyrë që të përfitohet një cikël apo rreth në kohëzgjatje prej 52 viteve i cili në mënyrë astronomike e unison vitin solarik me ciklin prej 260 ditëve. Kjo do të thotë se ditët dhe netët patjetër përsëriten çdo 52 vjet.

Shkencëtari Ernest Fosterman, në deshifrimet e veta të mëtutjeshme të hieroglifëve kodeksiane ka zbuluar se MAJA-të kanë përcjell kohën edhe përmes një kalendari të tretë të quajtur si “Llogaritja e gjatë” (“Count Long”), përmes së cilës supozohet se data 21 dhjetori 2012, mund të jetë si dita e ndodhjes së apokalipsit të tokës.

 

Si funksiononte ky kalendar?

 

Sikurse toka që rrotullohet rreth boshtit të vetë për 24 orë dhe rreth diellit për 365 dite, MAJA-të kanë llogaritur se i tërë sistemi ynë planetar, për 26.000, rrotullohet rreth një ylli qendror në univers që quhet Alsiona andaj edhe kalendari “Llogaritja e gjatë”, sipas kohëzgjatjes përfshinë një cikël prej 26 mijë vite, të ndare ne 5 nën-cikle te njëjta me nga 5125 vite , për të cilat mendohet se ato si tërësi në vete përfaqësojnë një kohë (epokë) të caktuar të zhvillimit të botës. Cikli (epoka) në të cilin gjendemi ne tani, siç e kanë quajtur MAJAT, është “periudha e Diellit të pestë”, e cila ka filluar nga 13 gushti i vitit 3112 p.e.s. dhe duhet të përfundoj më 21 dhjetor 2012.

Përveç kalendarit të cekur që ishte simbolik dhe numëror, në kuadrin e saj MAJAT kishin edhe një libër përcjellës interpretues që quhej “Çilam Balam”. Aty në detaje përshkruheshin datat e rëndësishme të ngjarjeve dhe mënyra e ndodhjes së tyre.

Një ditë në këtë kalendar quhet “Kin”; njëzetë ditë formonin një “Unial”; njëzetë “Unial” formonin një “Tun”; njëzetë “Tun” formonin një “Katun”, ndërsa, njëzetë “Katun”, formonin një “Baktun”. Ndarjet periodike me këtë mënyrë tek ky kalendar, pa dyshim se kishin një rëndësi të madhe të procedurës parashikuese, sepse çdo kalim nga njëra etapë në tjetrën, ndërlidhej me momentin e profetizuar të ndodhjes së një ngjarjeje tejet të rëndësishme në botë.

Është lista e gjatë e parashikimeve të njohura si saktësisht të realizuara të ngjarjeve të ndryshme historike në mes të këtyre etapave kalimtare (nga Unial në Tun, nga Tun etj.) të cilat me këtë rast nuk do t’i përmendim të gjithat. Ta zëmë, perioda e”Baktun-it” të trembëdhjetë, e cila ka filluar në vitin 1618, në këtë kalendar është cilësuar si “koha e harresës” apo “triumfi i materializmit”.Gjatë kësaj periode është parashikuar se njerëzimi kolektivisht do filloj të harroj lidhjen e vetë hyjnore me natyrën duke ju kthyer tërësisht gjërave materiale dhe nënshtrimit total ndaj kërkesave të shfrenuara të EGO-së, realitet ky që objektivivisht sot po ndodh kaherë me shoqërinë tonë bashkëkohore. Edhe njohuria e jonë e kohës bashkëkohore e quajtur - SHKENCË, formalisht zyrtarizohet me krijimin e elitës së Shoqërisë Mbretërore në vitin 1640 në Londër. Të gjithë ne e dimë se shkenca në thelb është filozofia e matjes e bazuar kryesisht në parimet empirike apo eksperimentale.

Po ashtu, si një ndryshim i rëndësishëm global i parashikueshëm për këtë periodë nga ky kalendar MAJA, është edhe përqafimi definitiv nga të gjitha shtetet evropiane (përveç disa shteteve ortodokse) i “matjes së re të kohës” (Kalendari Gregorian) i cili përdorohet edhe sot e kësaj dite. Ky sistem i ri i matjes së kohës, ishte iniciuar nga Papa Gerguri XIII-të (1582) dhe ai në këtë periodë e zëvendëson në tërësi kalendarin e mëparshëm Julian që deri atëherë zbatohej në Evropë qysh prej viti 45.p.e.s. (kohës së Jul Cezarit ).

 

Aspektet që sipas disave mund të merren si prova për fundin e mundshëm të botës më 2012?!!

 

Në vazhdim, do të paraqesim disa teori si aspekte, që po paraqiten kohëve të fundit në opinion e që favorizojnë atë parathënie të profetizuar sipas kalendarit MAJA, mbi mundësinë e shkatërrimit të botës më 2012. Nga shumë sosh të njohur dhe pak të popullarizuara, unë i përzgjodha disa si më poshtë:

 

I. Është një grup i astronomëve dhe astrofizikanëve në botë që pikërisht më këtë datë (21.12,2012) parashikojnë se në Univers do të ndodhë një fenomen shumë i rallë astronomik i cili përsëritet në çdo 26.000 vjet. Mu atë ditë, pozita e sistemit tonë diellor do të barazohet me pozitën e Rrugës së Qumështit, e që, kjo baras-renditje do të rezultojë me bashkimin e galaktikës sonë me dy galaktika tjera të afërta fqinjësore. Me këtë rast, theksojnë këta shkencëtar, do të shkaktohej ndryshimin radikal i fushës ekzistuese magnetike të tokës. Nëse e tërë kjo vërtet ndodh, atëherë ka mundësi që të provokohet katastrofa planetare me përmasa kataklizmike.

 

II.. Ekspertet e NASA-së (National Academy of Sciences) kane paralajmëruar se në vitin 2013 do te ketë një “black out” global te sistemeve komunikuese satelitore. Shkaktarë i kësaj gjendjeje do të jetë një shpërthim diellor në Univers i cila në hapësirën e gjerë qiellore do të provokohej një stuhi të fuqishme magnetike. Kjo ngjarje do ta sjellë në gjendje çoroditëse gjithë sistemet e lokalizimit te lidhur me “GPS” (komunikim satelitor): shërbimet financiare, transportin ajror, komunikimet radio ushtarake etj. Fenomeni në fjalë përputhet me një intensifikim të shtuar të energjisë diellore që nga instrumentet e sofistikuara të NASA-së po regjistrohet në rritje viteve të fundit .

Ky alarm erdhi nga një samit shkencëtaresh te mbledhur në Washington (2009) për te analizuar një raport të “NASA-së mbi efektet e një “apokalipsi magnetik” që parashikohet të ndodh në fund të këtij dyvjeçari (2012 -2013) . Mega-shpërthimi diellor, fenomen shkencërisht i njohur si ndriçim diellor ose yjor, do te përkojë me një intensifikim te energjisë diellore i cili ndodh çdo 11 vjet. Sipas eksperteve amerikanë, stuhia magnetike do te ketë një fuqi prej 100 bombash hidrogjeni, dhe mund ta riktheje teknologjinë tonë ne epokën e mesjetës.

 

III. Aspekti i tretë që citohet shpesh në favor të parashikimit apokaliptik 2012, është invertimi i poleve magnetike të Tokës. Prej disa vitesh, në sistemin tonë diellor, po manifestohet një dukuri energjetike e fuqishme, e çuditshme dhe gjithnjë në rritje, e cila po shkakton ngadalësimin e rrotullimit te Tokës, dobësimin e fushës se saj magnetike dhe hollësimin e shtresës se ozonit. Ky fenomen misterioz, mund të jetë shkaktar i shumë dukurive sizmike, te ç’ekulibrit klimaterik dhe i ngrohjes globale që veç po i ndodhin me të madhe gjithë sistemit tonë diellor, përfshirë edhe Tokën!

Gjeofiziku i njohur rus Alexei Dmitriev është i sigurte se i gjithë sistemi ynë diellor ka hyrë në një “zonë plazme të magnetizuar” të pagëzuar nga vetë ai si “Brezi Fotonik”. “Kjo dëshmohet nga rritja e regjistruar 10 herë e plazmës ndëryjore në heliosferë dhe nga fakti se, prej 30 vitesh, janë shfaqur papritur në atmosferën tokësore një numër gjithmonë në rritje pjesëzash drite (fotone). Pra, me pjesëza “drite”, qe çuditërisht janë te ngjashme me ato që duhet të përmbytin Tokën mu ashtu sikur parashikohet në kalendarin e civilizimit të lashtë MAJA” – thotë gjeofiziku rus, Alexei Dmitriev.

 

IV. Aspekti tjetër është ndryshimi klimaterik dhe katastrofat natyrore qe sot po verifikohen si dukuri me një frekuence gjithmonë e me te madhe.

Renucio Boscolo, një ekspert dhe studiues i profecive të Nostradamusit, paralajmëron se nga një pjesë e dokumenteve të profetit kuptohet se tërmetet që po shkatërrojnë planetin janë të lidhur me shpërthimin e vullkanit islandez që ndodhi disa muaj më parë. Dokumenti “zbulues”, shpjegon Boscolo, është i 43-ti i Centuria II:

 

“Gjate shfaqjes së një ylli,

tre udhëheqësit do te bëhen armiq të njeri-tjetrit,

do te goditet toka e paqes (Paqesori) me një tronditje fizike te të gjithë planetit,

lumi Po dhe Tevere dhe gjarpri në bordin e tyre“.

 

Kjo profeci lidhet me një parashikim për 2 tërmete të fuqishme që duhet të ndodhim në Romë në Maj të këtij viti dhe në vitin 2012.

Meqë edhe unë vetë jam amator dhe hulumtues i pasionuar i profecive të Nostradamusit, menjëherë do ta hedh poshtë këtë teori të Renucio Boscolos. Të gjitha profecitë e shkruara të Nostradamusit si tërësi, me parashikime fillojnë që nga viti 1557 dhe përfundojnë me ngjarjet që do të ndodhin gjer më vitin 3797.

Pas këtij viti parashikues përfundimtar, parathuhet se do të vijë një etapë e gjatë e stabilitetit, paqes dhe harmonisë gjithënjerëzore.

Është më se e vërtetë se Nostradamusi në profecitë e veta parathotë shumë luftëra, zjarre, shkatërrime, thatësi, vërshime, vdekje dhe viktima masive njerëzish... por askund taksativisht në to nuk përmend fundin e botës apo apokalipsin. Janë vetëm 2 sensacione astronomike qiellore që sipas parashikimeve të Nostradamusit do të ndodhin në të ardhmen: E para është paraqitja afër tokës e një ylli flokatë shndritës me bisht (kometë), dhe, e dyta, ka të bëj me lindjen e dy diejve në qiell. Fatlumësisht, për asnjërën prej këtyre fenomeneve të parashikuara të sensacioneve astronomike që pritet të ndodhin, askund nga Nostradamusi nuk thuhet se ato do të jenë apokaliptike për planetin tonë.

 

V. Përveç këtyre aspekteve për besueshmërinë mbi gjasat e ndodhjes së një apokalipsi të botës që i cekëm si më lartë, kemi edhe një seri sinjalesh që identifikohen nga mbështetësit e kësaj teorie apokaliptike si njëra ndër shenjat e qarta të fundit të kohës sonë, midis te cilave duhet t’i citojmë: hapjen e arkivave sekrete në të gjithë boten mbi materialet për UFO, eksperimentet ne CERN mbi bosonin e Higgs-it, dhe zbulimi i një numri gjithmonë e më te madh ekzoplanetesh, midis te cilëve në një ditë jo shumë të largët do të jetë dhe Nibiru, planeti i dhjetë etj.

 

A do të ndodh vërtet shkatërrimi i botës në vitin 2012?!!

 

Jo! Aspak! Së paku jo në këtë vit kalendarik dhe as në vitet tjera gjatë këtij shekulli në vijim. Kjo duhet të jetë përgjigja ime më e përgjithësuar dhe më decidive rreth kësaj profecie apokaliptike. Për një konstatim të tillë të prerë kamë shumë argumente:

Kalendari Maja nuk kryhet më 21.12.2012 ! Kjo është vetëm koha e përfundimit të një cikli (epoke) dhe data e kalimit në një epokë të re 26.000 vjeçare nëpër të cilën sistemi ynë planetar, së bashku me Diellin në qendër, prej fillimit duhet ta shtegtoj rrugën e rrotullimit të vetë rreth yllit më të mall të quajtur ALSIONA. Pra, pas kësaj date, ne do të kemi një tjetër “Llogaritje të gjatë” por tashti të pashkruar si kalendar. Së paku jo deri më sot nga dikush.

Por, gjithsesi vitet që janë para nesh, do të jenë vendimtare jo vetëm për historinë gjeopolitike të planetit tonë, por gjatë kësaj kohe do të ndodhin një sërë fenomenesh natyrore të cilat patjetër do të ndikojnë në ndryshimin e bindjeve tona për botën nga ato sikurse i kemi pasur deri më sot.

Shikuar realisht, vërtetë deri më 21 dhjetor 2012 diçka do të ndodh në botë. Diçka si shkatërrim, transformim dhe zhdukje, por jo në aspektin fizik- material sikurse komentohet, por kjo rilindje do të jetë pikërisht në shpirtin kolektiv të njerëzimit.

Civilizimi i lashtë MAJA ka qenë një etnitet i lashtë me mentalitet tërësisht intuitiv dhe jo/materialist. Ata, të gjitha ngjarjet që ngjanin në realitetin tonë objektiv, i kanë konsideruar si trysni të proceseve të ndodhura në planin tjetër paradoksal jo/material të esencës tonë objektive (shpirtit), andaj, sado që të jetë e saktë kjo profeci e tyre, NE detyrimisht asaj duhet t’i qasemi nga një këndvështrim metafizik (jo/material).

Gjegjësisht, edhe nëse aty ka diçka të vërtetë, kalendarin në fjalë duhet ta interpretojmë si zhdukje dhe shkatërrim, PO, por të njëmendësisë tonë të gjertanishme të gabuar kolektive mbi botën dhe realitetin e saj; si ringjallje, ardhje e kohës së duhur për veprim të përbashkët kundër, padrejtësive, moralit të degraduar kolektiv, sundimit të pakicës tejet të pasur, nga njëra anë, dhe shumicës e cila dita më ditë varfërohet në botë... Pra, sipas këtij kalendari parashikues, viti 2012 mund të jetë një vit i kulmimit të rebelimit kolektiv drejtë një emancipimi revolucionar shpirtëror të gjithë njerëzimit... E, nëse realitetin e tashëm global e vështrojmë pak më ndryshe dhe nga një këndvështrim tjetër, do të shohim se ky ndryshim kolektiv kuantitativ dhe kualitativ shpirtëror, veç ka nis të ndodh kudo në botë. Vetëm shikoni: “Pranverën arabe”, lëvizjen “Occupy Wall Street”, që shpejt morri përmasa globale, kriza e madhe financiare që e ka kapluar kohën e fundit eurozonën dhe e cila me shpejtësi të madhe po reflektohet edhe në shtetet tjera të këtij kontinenti në dukje me stabilitet të qëndrueshëm financiar (Itali, Spanjë, Portugali...), nisja e protestave masive kundër manipulimit me zgjedhje në Rusi...etj.

 

As Kosova nuk do të kursehej na ky rebelim i vetëdijesuar kolektiv

 

Edhe pse disa herë të shpallur si populli më i durueshëm dhe më optimist në botë, në vitin 2012, as ne nuk do të jemi indiferent kundrejt këtyre lëvizjeve populliste që veç kanë filluar të kaplojnë tërë botën. Pra, as ne gjatë vitit vijues nuk do të kursehemi nga “ndodhja e popullit”.Edhe pse, ndoshta i ndikuar nga një trend botëror në rritje, shprehja kolektive e pakënaqësisë përmes kësaj forme, për ne kosovarët do të vijë në një teren të gatshëm dhe të parapërgatitur mirë me kohë, sikurse është: papunësia e madhe, varfëria, korrupsioni, hajnia, nepotizmi, mediokriteti dhe servilizmi pushtetar, morali i degraduar tej mase të shoqërisë në përgjithësi…Të gjitha këto dukuri shoqërore negative në rritje, dita-ditës po e demaskojnë fytyrën e vërtetë të kësaj politike dhe të këtij koalicioni në pushtet.

E kjo rrënje graduale e kredibilitetit të saj, në vitin 2012, do të vazhdoj me një ritëm edhe më të shpejtuar. Andaj, përballë gjithë kësaj të keqeje që na ka kapluar si shoqëri, ndjenja e ardhjes së një stuhie të madhe të pakënaqësisë kaherë të akumuluar sociale, po rritet me një masë të progresioni matematikor në Kosovë. Tashmë po vërehet qartë se, tek shumica e qytetarëve, “barku i zbrazët” ka filluar të ndikoj në ndryshimin e mendimit dhe bindjeve të tyre për këtë elitë politike dhe për mënyrën e saj të gjertanishme të politikëbërjes në vend.

Krejt në fund, atë që them gjithnjë kur dikush më pyet në lidhje me këtë parashikim apokaliptik të Majave për këtë vit, si përfundim, do ta përsëris edhe këtu: Më 21 dhjetor 2012 unë personalisht e kam datën e lindjes sime dhe ju garantoj se, sikurse çdo vit tjetër, edhe këtë vit do ta kremtoj atë shëndosh e mirë por, me një lutje që të mos më pyetni se sa vite i mbushi atë ditë...?



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora