E premte, 02.05.2025, 10:19 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Shqiptarët në “Maqedoni” dhe “maqedonasit” në Shqipëri

E premte, 23.12.2011, 09:04 PM


Shqiptarët në “Maqedoni” dhe “maqedonasit” në Shqipëri

 

Nga Valon Kurtishi

 

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Shqipëri është ndjekur me vëmendje të plotë nga mediat sllavofone në IRJ të Maqedonisë. Televizionet kanë emituar kronika të plota kurse shtypi i shkruar është angazhuar në drejtim të mbrojtjes së maqedonasve të atjeshëm. Një shkrim i këtillë interesant me titullin agresiv “Shqipëria ua ndalon maqedonasve të jenë maqedonas”, u botua së fundmi nga gazeta Vecer, (datë 20 nëntor 2011, faqe 3). Para se të analizojmë artikullin në fjalë,  na duhet të paraqesim një vështrim të shkurtër të përvojave të grupeve etnike në dy shtetet për të qartësuar problemin që trajtojmë. Pak para fillimit të procesit regjistrues, Shqipërinë  e vizitoi në një mënyrë të çuditshme gati incognito kryeministri aktual, Gruevski i cili gjatë qëndrimit në Gollobërdë premtoi ndihma ekonomike për këtë pjesë pasive të Shqipërisë duke u kërkuar banorëve të zonës të regjistrohen si maqedonas etnikë. Cenzusi shqiptar u bë dhe sipas të gjitha parashikimeve numrat e pakicave etnike në Shqipëri janë përafërsisht të njëjta me projektimet e  Institutit shqiptar të Statistikave duke ndjekur vijën logjike të dinamikës së popullsive. Kjo nënkupton përpunimin e të dhënave të natalitetit, mortalitetit, emigracionit, dhe variablave tjerë që ndikojnë në shtimin apo rënien e numrave të grupeve të caktuara shoqërore. Edhe numri i maqedonasve etnikë në Shqipëri nuk doli të jetë i ndryshëm nga parashikimet e institucioneve kompetente në Tiranë. Kjo pasi qeveria shqiptare asnjëherë dhe në asnjë rethanë nuk ka planifikuar apo aplikuar agjenda shoviniste për ti mohuar dikujt përkatësinë nacionale. Asnjë qeveri shqiptare  nga viti 1912 e deri më sot nuk ka përpiluar politika shtetërore për diskriminimin, terrorizimin apo gjenocidin ndaj grupeve të caktuara etnike të mbetura rastësisht brenda jurisdiksionit shqiptar që nga vendosja e kufinjve të padrejtë më 1912.

 

Në këtë drejtim, shteti shqiptar ka pranuar legjislacionin ndërkombëtar që rregullon mbrojtjen dhe autonominë politike-juridike dhe ekonomiko-sociale të cdo pakice kombëtare që jeton në shumicë të konsiderueshme në ndonjë pjesë të vendit. Si shteti shqiptar i periudhës 1913 – 1939, ashtu edhe qeveritë komuniste në periudhën 1945 -1992, kanë pranuar ligjërisht ekzistencën e minoriteteve etnike si dhe kanë lejuar, ofruar dhe në raste edhe inkurajuar arsimin në gjuhën amtare për grekët etnikë në zonën e Dropullit, maqedonasit në zonën e Liqenasit dhe sërbo-malazezët në zonën e Shkodrës. Shteti demokratik nga viti 1992 e deri më sot, në kuadër të limiteve ekonomiko-financiare, ka implementuar një politikë të avancuar europiane të respektimit të lirive e të drejtave individuale e kolektive për grupet e ndryshme minoritare në vend. Për më tepër, praktika avangardë e diskriminimit pozitiv është aplikuar vetëm në Shqipëri ku pakica greke jo vetëm që ka siguruar gjithë të drejtat e mundshme individuale e kolektive por ia ka dalë madje të uzurpojë në masë të madhe edhe hapësirën ekonomike të shumicës shqiptare të popullsisë. Fenomeni i njëjti vërehet kohëve të fundit edhe në shtetin shqiptar të Kosovës, ku një pakicë e papërfillshme gjoja “turke” është duke përvetësuar hapësirën ekonomike – sociale të 2 milionë shqiptarëve kosovarë. Duket se shoqëritë shqiptare kanë mungesa të theksuara në traditën shtetformuese si dhe një qëndrim interesant gati “stoik” në mbrojtje të pakicave reale apo të imagjinuara në jurisdiksionet e tyre. Kjo politikë e drejtë ta quajmë “shqiptare” e respektimit dhe bile edhe inkurajimit të diversitetit etno-fetar të vendit, qëndron në kontrast të drejtpërdrejtë dhe të plotë me politikat shoviniste në raste edhe gjenocidiste të fqinjve ndaj shqiptarëve e  Shqipërisë. Një prej këtyre fqinjve që dallon fuqishëm në qasjen ndaj grupeve të caktuara etnike në territorin e vet, është që nga viti 1991/92 edhe  Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Shteti i vogël ballkanik ka trashëguar (kuptohet në një formë të modifikuar në pajtim me kohën në të cilën jetojmë) politikat jugosllave të diskriminimit të komunitetit etnik shqiptar. Regjimi maqedonas ka ushtruar presion të fuqishëm dhe të organizuar shtetëror që shqiptarët muslimanë në regjistrimet konsekutive të popullsisë të regjistrohen si turq apo sllavë muslimanë. Shqiptarët katolikë dhe ortodoksë as që janë pyetur për përkatësinë e tyre etnike pasi janë regjistruar në mënyrë të detyruar, brutale dhe kolektive si maqedonas etnikë. Një formë tjetër për të zvogëluar përmasën shqiptare në popullsinë e Maqedonisë ka qenë emigrimi i detyruar i shqiptarëve në Turqi, në bazë të konventave zyrtare dhe marrëveshjeve “xhentëllmene” mes Jugosllavisë (Maqedonisë) dhe Turqisë. Në vitet 60-70, politika jugosllave  e liberalizimit të regjimit të vizave dëmtoi më së shumti shqiptarët pasi territoret e tyre duke qenë pa zhvillim ekonomik të qëndrueshëm u shndëruan në zona me përqindje të lartë emigracioni në botën perëndimore. Një numri të madh të shqiptarëve me origjinë nga Kosova dhe Sanxhaku që u vendosën në Maqedoni gjatë kohës së Ish RSFJ, nuk u jepen dokumentet e shtetësisë duke ulur edhe për ndonjë përqindje numrat e shqiptarëve të këtushëm. Nga viti 1991 e deri më sot, qeveritë e ndryshme maqedonase kanë dalluar vetëm sipërfaqësisht në trajtimin e grupit të dytë më të madh në vend, atij shqiptar. Duke filluar me aksionet e famshme policore të fillimviteve 90, me vrasjet gjatë themelimit të Universiteti të Tetovës, vrasjet në lidhje me flamurin kombëtar në Gostivar e Tetovë, përpjekjet për pastrim etnik në shkallë të gjerë në zona të caktuara gjatë luftës së vitit 2001, vrasjet e shumta gjatë aksioneve ndëshkuese policoro-ushtarake në zonat shqiptare etj, politika shtetërore maqedonase ndaj shqiptarëve në IRJM, dallon plotësisht nga politika e shtetit shqiptar ndaj minoritetit të vogël maqedonas në RSH. Për më tepër, edhe në periudhat kushtimisht “paqësore”, politika zyrtare maqedonase ndaj shqiptarëve të këtushëm ka qenë aspak miqësore dhe me shumë keqkuptime. Faktikisht, Shteti i ri maqedonas e ka vazhduar praktikën e regjimit jugosllav për të ulur sa të jetë e mundur numrin e popullsisë shqiptare në vend. Me këtë, popullsia shqiptare artificialisht është paraqitur nga Enti shtetëror i Statistikave larg realitetit dhe të vërtetës. Sot, popullsia shqiptare këtu qëndron zyrtarisht mes 25 e 26% nga numri i përgjthshëm i popullsisë. Minoriteti maqedonas në Shqipëri në bazë të të dhënave të Institutit të Statistikave edhe në rastin më të mirë nuk i kalon të 10,000 mijë banorët të koncentruar në zonën e Liqenasit në Prespë. Sllavishtfolësit myslimanë të zonës së Gollobërdës në Peshkopi, të cilët Edmond Temelkos dhe Nikolla Gruevskit i duken maqedonas, nuk janë asgjë tjetër pos shqiptarë të sllavizuar gjatë periudhës së dominimit bullgar në trevat etnike shqiptare dhe të islamizuar më vonë gjatë periudhës së okupimit 500 vjeçar turk. Sllavofolësit myslimanë në Gollobërdë dhe përtej në zonën e Dibrës historike kanë qenë, janë dhe do mbeten shqiptarë të pastër dhe nuk mund të shiten apo blihen me ndihmat humanitare politike të kryeministrit të Maqedonisë apo me pallavrat e Edmondit të Aleancës maqedonase për “integrim europian” nëpër mediat sllavofolëse të Shkupit. Problematika në lidhje me ankesat që i paraqet gazeta Vecer kanë të bëjnë me vendimin e Gjykatës Kushteuese të RSH për të larguar nga formularët pjesët ku kërkohen të dhënat për përkatësinë etnike dhe fetare të personit që regjistrohej. Duke qenë një praktikë tërësisht koruptive e inicuar fillimisht nga shteti grek për të shtuar artificialisht numrat e pakicës greke, por e pranuar krahëhapur edhe nga shteti maqedonas, ky ishte vendimi i vetëm i mundshëm i Gjykatës Kushteteuse. Kjo mund të mos i pëlqejë Vangjel Dules apo Edmond Temelkos, por shteti ligjor dhe demokratik shqiptar nuk mund të lejojë shitblerjen e shpirtërave në tregun ballkanik të shitblerjes së kombësisë.  Vendimi i Gjykatës Kushtetues shqiptare tregoi se shteti ynë kombëtar është stabilizuar disi dhe nuk është më ai ”hani me dyer të shqyera” për të cilin ëndërojnë shovinistët e disa kryeqyteteve ballkanike bashkë. Agjenturat e huaja ballkanike të personifikuara nga Dule dhe Temelko në Tiranë mund të ankohen deri në Strazburg apo edhe përtej për gjoja diskriminim  e tyre apo për mosrespektimin e nenit 20 të Kushtetutës, por asnjë legjislacion ndërkombëtar nuk mund të detyrojë Shqipërinë të mos mbrojë identitetin historik shqiptar të banorëve të saj. Cenzusi në Shqipëri megjithë lëshimet e shumta që paradoksalisht shkonin në dëm të shumicës shqiptare të popullsisë, mori përkrahjen e BE e cila nuk akuzoi autoritetet shqiptare për ndonjë padrejtësi ndaj pakicave etnike. Madje përfaqësuesi europian në konferencën e djeshme për shtyp në Tiranë  bashkë me drejtoreshën e INSTAT, znj.Ines Nurja, përgëzoi autoritetet shqiptare për menaxhimin e suksesshëm të këtij procesi. Republika e Shqipërisë është shtet demokratik, anëtar me të drejta të plota në NATO dhe në prag të integrimit të plotë në BE. Integrimi është vonuar paksa si pasojë e përplasjeve partiake, por këto janë mosmarëveshje të brendshme shqiptare të cilat së shpejti do marin fund. Shqiptarët të majtë e të djathtë qofshin kanë pikëpamje të ngjashme e të unifikuara për çështjet madhore ku bën pjesë edhe regjistrimi i popullsisë apo problemi  me minoritetet reale apo artificiale në vend. Shqipëria në historinë 99 vjeçare si shtet sovran dhe i pavarur ka respektuar plotësisht minorancat e papërfillshme etnike duke dhënë një shembull të shkëlqyer ndoshta planetar të respektimit perfekt të diversitetit etno-kulturor. Prandaj mediat e Shkupit të mos meren me Tiranën dhe ti lënë rehat banorët e Gollobërdës e të Liqenasit. Sa për Edmondin, ai tashmë është shndëruar bashkë me Vangjel Dulen në figura tragjikomike të politikës shqiptare të cilët askush nuk i mer seriozisht.



(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx