Editorial
Lavdrim Lita: Ngjashmëritë e skllavërisë komuniste, Enver Hoxha dhe Kim Jong Il
E marte, 20.12.2011, 09:03 PM
Ngjashmëritë e skllavërisë komuniste, Enver Hoxha dhe Kim Jong Il
Nga Lavdrim Lita
Imazhet e histerisë kolektive të koreano-veriorëve, pas vdekjes së diktatorit komunist, Kim Jong Il, na kthyen në kujtesë qarjen kolektive për vdekjen e Enver Hoxhës. Si duket, është një gjë e zakonshme e larjes me lot të imazhit të diktatorëve komunistë, si pasojë e shpëlarjes së trurit për një kohë të gjatë. Lajmi për vdekjen e Kim Jong Il, i ngjashëm për vdekjen e Enverit në Shqipëri, u përjetua si fundi i botës për komunistët e atjeshëm. Kudo lot e trishtim si në një histeri kolektive. Si sot, në Kore të veriut, po ashtu dje në Shqipërinë komuniste, televizionet publike japin muzikë funebër: i Pavdekshmi ka vdekur. Por pse qajnë Koreanët veriorët për 12 ditë rresht Kim
Sidoqoftë për shumë persona që s’e kanë jetuar atë kohë, qarja kolektive për Enverin mund të tingëllojë sot absurde, siç ka qenë absurd total komunizmi në Shqipëri, dhe siç ngjan qarja e sotme në Korenë e Veriut për Kim Jong Il. Distancimi nga besimi religjioz dhe nga vlerat tradicionale: zakonore dhe kanunore, të mbrujtur me ideologjinë nacional-komuniste dhe hyjnizimin metodik i Enverit, brezi që u gjet në burgun komunist përjetoi një nga vakuumet më të tmerrshme sa historike aq dhe histerike; një jetë surreale e pa ide. Afërmendsh mënyra se si u ngrit kulti i Enverit në vendin tonë, në imitim me atë të Stalinit në Rusi dhe Kim Jong Il në Kore, bëri që në vdekjen e tij të shtohej budallallepsja, pasi boshllëku që la vdekja e Enverit, kishte qenë më e madhe se vendi që zinte ai në të gjallë.
Megjithatë për të shpjeguar sadopak këtë fenomen mund të të vijë në ndihmë publicistika e Faik Konicës, i vetmi shqiptar që nuk i ngjau askujt. Në shkrimin e tij të titulluar “Zakoni i Skllavërisë”, ai rrëfen diçka që mund të na ndihmojë sot për të zhbiriliruar faktin aktual që na intereson. Konica shkruan se “Skllavëria, siç çdo pësim tjetër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në fund një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë përmbi zverk e durojnë më gëzim. Veçanërisht atyre skllavëria që lindin skllav, u është bërë si një natyrë e dytë; dhe ata jo vetëm s’marrin vesh çdo me thënë liri, por e ndjejnë një farë urrejtje për mbrojtësit e lirisë dhe ushqejnë respekt më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit”.
Natyrisht për të provuar sa tha më lart, Faik Konica e shpjegon me ngjarje të vërteta: “Këto që themi s’janë teori të thata. Kemi fakte historike që e provojnë. E dini të gjithë se nga 1861 deri në 1865, në Amerikë u bë një luftë civile e madhe mes shteteve të Veriut dhe shteteve të Jugut. Veriu, me Lincoln-in si President, i quajti të gjithë skllevërit të lirë. Jugu, nuk e pëlqeu këtë veprim. Jugu deshi t’i mbajë skllevërit si një institucion legal, dhe u nda nga Veriu duke u vetëshpallur një republikë më vete me Jeferson Davis-in si president. Fundin e di çdo njeri: Jugu u mund, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllavëria u zhduk përgjithnjë. Lincolni u vra në mbarim të luftës.