Editorial
Gjergj Kabashi: Jo, faleminderit Barack Obama e Christofer Dell! Kosova nuk është shtet islamik dhe shqiptarët nuk janë një komb musliman!
E premte, 16.12.2011, 09:06 PM
Jo, faleminderit Barack Obama e Christofer Dell! Kosova nuk është shtet islamik dhe shqiptarët nuk janë një komb musliman!
Diçka e pakuptueshme për njeriun është duke ndodhur me raportet ndërmjet politikës zyrtare të SHBA-ve dhe Kosovës në vecanti dhe SHBA-ve dhe kombit shqiptar në përgjithësi, diçka misterioze dhe e rrezikshme njëherit, të cilën politika e politikat aktuale të kombit shqiptar në Gadishullin Ilirik nuk kan kapacitet që t’i përgjigjen, trajtojnë e shpjegojnë si duhet në bazë të interesave kombetare shqiptare.
Nga Gjergj Kabashi
Urimi i Barack Obama’s, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që para një kohe ia drejtoj Presidentës së Kosovës Atifete Jahjaga me rastin e festës fetare të Bajramit, që kremtohet nga shqiptarët që e praktikojnë islamin si fe, ishte një befasi e madhe për këdo që i përcjell marrëdhëniet ndërmjet amerikanëve që iu gjenden në ditët më të vështira Kosovës e shqiptarëve; pasi në një vend “multietnik”, sikurse që është Kosova, nuk kishte ndodhur ndonjë herë tjetër që një urim i tillë t’u drejtohej edhe komuniteteve të tjera fetare brenda kombit tonë, as ortodoksve, as katolikve, as bektashinjve shqiptarë, kurse në Kosovë as serbëve ortodoks që padrejtësisht e bën për vete me ndihmë ndërkombëtare pothuaj gjithë trashëgiminë historike të vendit. Në Kosovë na u la si “trashëgimi historike” vetëm ajo që na u imponua nga pushtimi i gjatë osman, dhe, pothuajse asgjë tjetër!
Një popull pa histori, që i imponohet dhe udhëzohet se cila duhet të jetë historija e tij!
Urimi i Barack Obamas’ “Për Bajram” për kreun shtetëror të një vendi “multietnik”, ishte sikurse të ishte sajuar e nxitur nga qarqet më antishqiptare, më dashakëqija ndaj kombit shqiptar dhe Kosovës së posa dalë nga një luftë shkatërrimtare, nga një pushtim i pafund në histori, prej atij osman e deri tek pushtimi i fundit të Serbisë. Politika shtetërore e Kosovës sikur iu desht t’a pranonte e përpinte urimin e tillë të pakuptimt dhe antihistorik për kombin tonë, apo e pranoj me kenaqësi pasi është fakt publik tashmë se Islami Politik është futur në shumë pore të jetës institucionale të shtetit më të ri të Gadishullit Ilirik, Kosovës?!
Në vazhdën e kësaj platforme amerikane ndaj Kosovës, ishte edhe deklarata e sotme e Christofer Dell, gjatë një ligjërate që i mundësohej Presidentës Jahjaga në Manmonth University të New Jersey, ku fjalëpërfjalë tha:
“Kosova është një tregim i mirë në lajme, jo një lajm i keq. Eshtë një shtet që kërkon vendin e tij në hapësirën evropiane… Besoj se ajo (Jahjaga) përfaqëson një të ardhme sipas së cilës një shtet musliman mund të tregoj se vlerat Islamike dhe ato perëndimore mund të bashkëjetojnë”, sipas citimit të Indexonline.
Me konceptin e tillë amerikan ndaj Kosovës ku një pjesë e kombit shqiptar që e banon hapesirën e vendit, konsiderohet si muslimane dhe vet Kosova si “shtet musliman”, së pari gjithcka është në kundërshtim me Kushtetutën aktuale të Kosovës, të hartuar në bazë të Pakos Ahtisari dhe së dyti, deshtëm a s’deshtëm t’a pranojmë, një cilësim i tillë i një pjese të gjeografisë shqiptare shkakton reagime të heshtura e më vonë edhe të hapura brendapërbrenda kombit shqiptar, cili kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të pranojë të quhet si komb musliman, si dëshirojnë të na quajnë miqët tanë të dëshmuar amerikan apo si kan dashur të na njohin gjithmonë fqinjët tanë pretendues ndaj territoreve të Atdheut tonë. Pa pretenduar ndonjë analizë më të thellë të cilën do të duhej t’a bënin institucionet shkencore të vendit, qoftë në Kosovë a gjetiu ku jetojnë shqiptarët, Akademitë Shqiptare të Shkencave, Institutet Historike, Ministritë e jashte të Kosovës e të Shqipërisë, duhet t’a themi hapur ashtu sikurse njeriu me sinqeritet i thotë mikut që e ka shpëtuar e të cilit i është mirënjohës për ndihmën e dhënë kur e ka pasur më së vështiri e kur i është kanosur zhdukja, se identifikimi i kësaj pjese të kombit tonë si muslimane dhe shtetit të Kosovës si “shtet islamik” , sjell pasoja fatale në raportet brendakombëtare pasi heshtja e deritashme e shqiptarëve të tjerë që praktikojnë fe të tjera brenda kombit, një ditë mund të përfundojë me pasoja të paimagjinueshme për integritetin e kombit shqiptar, i cili nga një trajtim i këtillë mund të përjetojë një qarje të rrezikshme identitare që askush nuk e dëshiron nga shqiptarët e ndërgjegjshem e të përgjegjshëm kombëtarisht. Ndërsa në anën tjetër, pa dashje, me kesi qëndrimi diferencues na lindin probleme të panjohura në historinë e kombit pasi me këso “urimesh” dhe këso “definicionesh” për një pjesë të kombit tonë, trimërohet mercenarizmi brendakombëtar, i jepet shtysë veprimi islamit politik dhe trimërohet ligjërata pafundësisht antikombëtare e antiperëndimore e hoxhallarëve të Kosovës dhe atyre trushperlarëve të tjerë të Maqedonisë. Nëse është dikush mbi këtë dhe që do të duhej të reagonte urtësisht por me vendosmëri tek politika amerikane, do të ishin politika e Kosovës dhe ajo e shtetit shqiptar…
Të gjithë duhet t’a dijnë dhe askush nuk ka asnjë arsye me e fshur, se një pjesë jo e vogël e shqiptarëve e praktikojnë islamin por nuk gjindet askund dhe as që ka mundësi të krijohet ndonjëherë “shteti islamik” i Kosovës e as Muslimanët e Kosovës. Ne jemi komb i vogël e me plagë të pashëruara, andaj ne si komb nuk guxojmë asnjëhere të lejojmë që të tjerët, qofshin ata edhe miqët më të mëdhenj, të na caktojnë se kush jemi dhe si duhet të quhemi.Diçka e pakuptueshme për njeriun është duke ndodhur me raportet ndërmjet politikës zyrtare të SHBA-ve dhe Kosovës në vecanti dhe SHBA-ve dhe kombit shqiptar në përgjithësi, dicka misterioze dhe e rrezikshme njëherit, të cilën politika e politikat aktuale të kombit shqiptar në Gadishullin Ilirik nuk kan kapacitet që t’i përgjigjen, trajtojnë e shpjegojnë si duhet në bazë të interesave kombetare shqiptare. Mirënjohja e thellë dhe e përjetshme nuk do të thotë se duhet mbajtur qëndrim servil dhe kombëtarisht të pandërgjegjshëm, por duhet nxitur me forcë e vendosmëri gjithëkombëtare që këta politikanë të mjerë të kombit tonë, sidomos këta të Kosovës së kapluar nga gjithfarë krimesh, t’i thonë një Jo njerëzore, të thjeshtë e dinjitoze kujtdoqoftë…
Jo, falemnderit Barack Obama e Christofer Dell! Kosova nuk është “shtet islamik” e as shqiptarët nuk janë komb musliman…
Cështjet e një kombi, nuk mund të jenë cështje e kombit tjetër, sidomos jo ato që ndërlidhen me raportet ndërfetare brendakombetare, pasi cdo ndërhyrje nga jashtë mund të nxisë e shkaktojë lëndime të brendshme, lëndime e plagë këto ende të pashëruara nga pushtimet e gjata të kaluara si komb. Fakti i ditur se dy njerëzit kryesor që qëndrojnë në krye të dy komuniteteve më të mëdha fetare shqiptare janë në funksion të hapur apo të kamufluar të politikave të huaja antikombëtare, tregon se kombi shqiptar ende nuk e ka gjetur e as që e ka forcën që vet t’i zgjidhi këto probleme, prandaj “urimet” si ai i Presidentit të nderuar amerikan Barack Obama, “për Bajram” dhe deklarata e pakuptimtë e Ambasadorit Dell në Prishtinë, e bërë në universitetin e New Jesey, ku Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga duhej të ligjëronte përpara studentëve…, janë së paku skandaloze dhe në kundërshtim me interesat e Kosovës e të kombit shqiptar në përgjithësi.
Kujtoj se vet Presidentja Atifete Jahjaga duhet më në fund të përgjigjet ashtu si duhet dhe si i takon në rradhë të parë si njeriu i parë i shtetit të Kosovës e pastaj edhe si shqiptare me një traditë familjare të njohur për atdhetari, ku feja kurrë e në asnjë rrethanë nuk ka qenë shenja identifikuese, por vetëm kombi dhe interesat e tija.
Fe islame të praktikuar nga një pjesë shqiptarësht po, por komb musliman shqiptar nuk mund të ekzistojë se kanë kaluar periudhat e rënda të ndikuara nga fati i keq historik, kur ky komb është përdorur mish për top për interesat e huaja. Kombi shqiptar duhet t’a gjejë paqen brendakombëtare, paqen e drejtë me fqinjët e jo të lejojë vetën të shndërrohet në një komb mercenar në shekullin 21. Një mercenarizëm i tillë pjellë sherre, lind kriminelë shqiptar panislamist që nuk e njeh veten e tij por e vret mikun e kombit të tij, si veproi Arild Uka e disa shpirthumbur e shpirtzinj të tjerë.