E hene, 15.04.2024, 06:12 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Rëndësia e diplomacisë publike - Shqipëria dhe Kosova

E enjte, 24.11.2011, 09:03 PM


RËNDËSIA E DIPLOMACISË PUBLIKE - SHQIPËRIA DHE KOSOVA

 

Nga Frank Shkreli

 

Fund javën që kaloi në Prishtinë u mbajt një conference, me qëllim të përmirsimit të imazhit të shtetit të Kosovës duke përdorur si mjet diplomacinë publike, në të cilën morën pjesë mbi 100 pjesëmarrës nga e gjithë bota.   Konferenca, që është e para e këtij lloji në trojet shqiptare, u organizua nga Ministria e Jashtme e Kosovës me përkrahjen e Këshillit Britanik dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe në bashkpuim me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme (ECFR).  Në këtë konferencë ishin ftuar zyrtarë të lartë të politikës së jashtme botërore, përfaqsuesë dhe ekspertë të shoqërisë civile, përfaqsuesë të medias dhe ekspertë të tjerë, duke e bërë këtë mbledhjen më të madhe ndërkombëtare që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë në lidhje me këtë çështje.

 

Është një shënjë pjekurie politike dhe diplomatike që në Kosovë u mbajtë një konferencë e tillë dhe është tejet pozitiv fakti që udhëheqsit e Kosovës dhe e gjithë shoqëria, siç duket, ka arritur të realizoj rëndësinë dhe rolin që mund të luaj diplomacia publike në jetën e një shteti dhe në jetën e një kombi.  ''Diplomacia publike'' është një term ose një emërtim që u përdor së pari nga ish-diplomati amerikan Edmund Guillon dhe nënkupton mënyrën e hapët të komunikimit të një shteti me publikun dhe shoqëritë në vende dhe shtete të tjera.  Përdorimi i diplomacisë publike, të pakën siç nën-kuptohet në Amerikë, bëhet për të informuar dhe për të influencuar publikun e huaj, me qëllim të promovimit të interesit kombëtar dhe të avancimit të objektivave të politikës së jashtëme të kombit.  Dhe si e tillë, diplomacia publike është pjesë integrale e diplomacisë së zakontë shtet me shtet, që normalisht zbatohet nga përfaqsuesit zyrtarë diplomatikë të vendit.   

 

Me këtë rast, Zëvendës Ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi deklaroi për media duke thënë se qëllimi i kësaj konference ishte ''sensibilizimi i opinionit publik dhe i përmirësimit të imazhit duke përdorur si mjet diplomacinë publike, me të cilën Republika e Kosovës synon ta përforcojë prezencën e saj në Bruksel dhe në kryeqytetet e shteteve që nuk e kanë njohur ende.'' 

 

Imazhi është i rëndësishëm për secilin prej nesh si individ ose si organizatë , shtet ose shoqëri pjesë e së cilës jemi, pasi na intereson dhe na shqetëson fakti se si na shikojnë ose përfytyrojnë të tjerët, sepse duke u bazuar në përshtypjet e tyre të para ndaj nesh, ata do të  reagojnë dhe do të na gjykojnë për mirë ose për keq.  Kështu ndodhë edhe me shtetet.   Unë jam në dijeni të pakën të dy shteteve që diplomacisë publike i japin kujdesin dhe rëndësinë që meriton duke e bërë atë, për dekada tani, pjesë integrale të politikës së tyre të jashtme.  Këto dy shtete janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, por edhe edhe shtete të tjera si për shëmbull Izraeli, përdorin diplomacinë publike për të avancuar interesat kombëtare jashtë vendit.

 

Diplomacia publike, tradicionalisht, ka shërbyer si një instrument dhe si një proces i politikës së jashtëme për të edukuar të tjerët rreth vlerave, kulturës, interesave kombëtare dhe në të njëjtën kohë, për të promovuar objektivat  dhe qëllimet e politikës së jashtëme të shtetit duke paraqitur fakte, duke  ofruar shpjegime, duke korigjuar shtrëmbërimin e fakteve dhe duke kundërshtuar gënjeshtrat.  Për shqiptarët,ky duhet të jetë një proces i vazhdueshëm për të mos thënë i përherëshëm, pasi në rastin e kombit shqiptar, politika aktive serbe kundër kombit shqiptar gjatë më shumë se një shekull, dhe 50-vjetë të regjimit komunist shqiptar që i kishte shpallur luftë pothuaj të gjithë botës, e kanë njollosur keqas imazhin e shqiptarëve kudo.

 

Përpjekjet e diplomacisë publike do të dalin me sukses jo sepse thjeshtë shpërndajnë informata rreth një politike ose interesit kombëtar, por është saktësia dhe besueshmëria e këtyre informatave që do të bindin publikun e huaj.  Edhe Radio Tirana gjatë monizmit, megjithse  përfaqsuese e një vendi të  vogël e me burime shumë të kufizuara, ishte për një periudhë njëra ndër radiot më kryesore në botë.  Por arsyeja që asaj nuk i vente kush veshin, megjith orët dhe gjuhët e shumëta në të cilat transmetonte, ishte fakti se informatat që transmetonte ishin trillime dhe ekzagjerime, të pa-vërteta, e jo të bazuara në fakte, të para nga syri i një ideologjie  që nuk mund të bindte njeri, me përjashtim të ndonjë marksist-leninsti  në botën e tretë.  Sepse komunikimi i informatave në masë nuk është në vetvete i mjaftueshëm, është cilësia e informatave dhe e mesazheve ajo që duhet të jetë në përputhje me kulturën dhe politikën e vërtetë të një shteti dhe përfaqsuesve të tij politikë; ato duhet të jenë një pasqyrim i vërtetë i shoqërisë shqiptare dhe identitetit kombëtar.

 

Rëndësia e zbatimit të diplomacisë publike për Kosovën dhe për Shqipërinë, në përpjekjet për të përmirësuar imazhin e tyre dhe të kombit shqiptar, është në faktin se megjith përpjekjet e diplomacisë tradicionale -- sipas ekspertëve – politika botërore nuk përpilohet më kryesisht nga udhëheqsit politikë dhe zyrtarë e diplomatë të lartë ndërkombëtarë.  Shtetet  dhe fuqitë e mëdha përdorin mjete diplomatike, ekonomike dhe ushtarake në favor të politikës së tyre të jashtme, por për shtete të vogëla si Shqipëria dhe Kosova me mundësi modeste, diplomacia publike  është pothuaj e doemosdoshme si mjet i politikës së jashtëme për të influencuar publikun në vendet e huaja, opinionet e të cilit pastaj janë vendimtare në përpilimin e politikës qeveritare të atyre shteteve ndaj Kosovës dhe Shqipërisë.

 

Në prak të 100-vjetorit të pavarësisë, Shqipëria ka një rast të mrekullueshëm që të ndërmarrë një proces duke përdorur metoda të diplomacisë publike për të përmirësuar imazhin e saj dhe për Kosovën -- që sot për sot ka nevojë për njohje  të mëtejshme ndërkombëtare-- diplomacia publike është një mjet i mirë, që do të ndihmojë atë në përpjekjet për ta vendosë përgjithmonë Kosovën në familjen e shteteve të pavarura e sovrane, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta me të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.    

 

Të shpresojmë që konferenca që u mbajtë në Prishtinë, fundin e javës që kaloi, të jetë fillimi i përpjekjeve serioze për të bërë diplomacinë publike pjesë integrale të politikës së jashtme    të Kosovës, (e pse jo edhe të Shqipërisë), dhe të avancimit të interesave kombëtare duke informuar dhe influencuar publikun në shtete me rëndësi, dhe në të njëjtën kohë shpreh shpresën që diplomacia publike të bashkrendohet midis dy ministrive të jashtme,  pasi kemi të bëjmë me përmirësimin e imazhit të dy shteteve shqiptare dhe të shqiptarëve kudo. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora