E premte, 01.11.2024, 12:05 AM (GMT)

Editorial

Kimete Berisha: Heroi vishet me Prada!

E hene, 14.11.2011, 08:04 PM


Heroi vishet me Prada!

 

Nga Kimete BERISHA

 

Dy ditë prita në oborrin e Komunës së Skenderajt për t’u takuar me kryetarin Sami Lushtaku. Disa herë u afrova deri te porta. Sapo matesha të futem në ndërtesë, e pushtuar nga një ndjenjë negative, zmbrapsesha përsëri. Nuk kisha frikë, nuk frikohem ditën, po, druaja mos po e ngacmoj me ndonjë pyetje që nuk i pëlqen, pastaj ai nervozohet dhe pa dashje vjen puna deri te më e keqja!

Unë kam kujdes ku shkel! Që nga viti 2008 kam kujdes edhe nga Samiu, prejse ish-kryeadministratori i Kosovës Joakim Rycker e autorizoi Gjyqin e Qarkut në Mitrovicë që të pezullojë vendimin që kishte marrë kjo gjykatë për ta dënuar kryetarin e Skenderajt me 11 muaj burg. Rykeri e urdhëroi  Gjyqin e Qarkut në Mitrovicë, edhe me gojë, edhe me shkrim: “Mbylleni rastin”, u tha dhe Gjykata e mbylli. Më 2011 u bë publik prirja e Ryker-it për shantazhim të gjykatave. Këtë veprim antiligjor Ryker e ndërmori për të mirën e Kosovës: sikur t’i kalonte 6 muaj në burg, Sami Lushtaku s’do të mund të vazhdonte karrierën e tij si kryetar, dhe kjo do të ishte tragjedi për Skenderajn. Kur u zbulua ana e errët e Ryker-it ai e arsyetoi ndërhyrjen e tij, tha “u desh të sillem si kauboj kundër dëshirës sime, me hidhërim të madh shkela në ligj e në drejtësi, krejt për të mirën e vendit”, se këtë gjest antiligjor e kishte bërë për hir të stabilitetit në Kosovë. Asnjë cent nuk e përfitoi Ryker, kur e “rrezikoi” karrierën e tij politike në OKB për hir të stabilitetit të Kosovës, sepse për OKB-në stabiliteti i Kosovës e ka selinë e saj në zyrën e Sami Lushtakut. Sikur të largohej nga pozita e kryetarit Sami Lushtaku, do të kallej Kosova. Deshi OKB-ja, shpëtuam të gjithë: Kosova shpëtoi pa u kallur, Samiu shpëtoi karrierën, Rykeri shpëtoi duke ikur nga Kosova.

 

Sami Lushtaku mirë ia bëri OKB-së së Rycker-it! I dëshiroj fat që sa më shpejt të dalë edhe nga Lista e Zezë amerikane, ku qëndron që nga viti 2001. US “Blacklist”, e ka humbur seriozitetin që nga koha kur në këtë listë figuronin emrat e skenaristëve, regjisorëve e aktorëve që njëkohësisht ishin edhe anëtarë të Partisë Komuniste Amerikane! Sikur të ishte e rëndësishme kjo listë, do të sanksiononte karrierat e njerëzve që i përfshinë lista, por, përkundrazi, kjo listë asnjërit s’po ia nxin jetën, përkundrazi është e mbushur me deputetë, me ministra dhe me njerëz që e bëjnë ligjin në Kosovë. Prandaj, kot që Departamenti i Shtetit Amerikan gjatë një dekade e konsideron antipatik Sami Lushtakun, antipatia e tyre asgjë s’po i prish punë Samiut!.

U futa në ueb-faqen e Komunës. Profili i Samiut është letër e bardhë, asnjë fjalë për biografinë e tij. Më pëlqen “biografia” e pashkruar e Samiut, sepse biografia e tij duhet të merret me mend, të nënkuptohet vetvetiu!

Më 2008, Sami Lushtaku ka qenë student i vitit të dytë në Fakultetin e Historisë, askush në komunë nuk e di a i ka përfunduar studimet dhe në të njëjtën kohë do të më vinte keq  ta pyesja burrin 50 vjeç a i ka përfunduar studimet! I lexova CV-të e këshilltarëve të KK të Skenderajt. Shumica janë djem e vajza studentë.

E shihja duke hyrë e dalë nga ndërtesa e komunës me një mantel të zi e të gjatë deri te zogu i këmbëve. “Ia sheh mantelin e zi”, më tha një armik i tij, që po më shoqëronte. “Ti nuk di gjë”, më tha. “Kështu vishen njerëzit e rrezikshëm”. Kësisoj, i veshur me një mantel deri në fund këmbëve, të zi si korbi, Xhavit Haliti i “vrojtonte” pjesëmarrësit e protestave të 81-shit! Manteli i zi është simbol i frikës, i mistikës, i dyshimit, i drakullës dhe i ninxhës. “S’di pse të është dukur Xhavit Haliti ninxhë, mua përkundrazi Samiu s’po më duket si ninxha, por romantik po më duket”, i thashë!

E dija që Samiut nuk do t’i pëlqenin shumica e pyetjeve të mia. Prandaj, ditën e tretë vendosa që nga qytetarët të kuptoj se çfarë mendojnë ata për kryetarin e tyre, s’më intereson opinioni i Sami Lushtakut për Sami Lushtakun.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, me apo pa BMV-në e tij X5, sa herë që lëviz pas vetes çon pluhur 100 %, dhe sidomos natën. Të gjithë i frikohen, sidomos kur e burgosin herë pas here për ndonjë vepër kriminale, sepse e dinë që ai përsëri do të kthehet aty në

zyrën e tij edhe më i fortë. Të gjithë e kanë inat, në veçanti ata që e votojnë.

Samiu është i aftë dhe si i tillë e ka të qartë se të githa kurthet ia bëjnë nga xhelozia, kryesisht janë nga rrethi i ngushtë, rivalët lokalë, që kanë dështuar të bëhen Sami Lushtak, të varfrit që kanë dështuar të bëhen të pasur dhe ushtarët që kanë dështuar të bëhen politikanë. Por, armiq ka edhe nga elita e nivelit kombëtar. Brenda dhe jashtë partive politike e kanë zili për arritjet e tij kulmore në jetë. Xhelozia ëshët ndjenjë, Samiu e di që xhelozia është e pashërueshme, prandaj si i liruar nga kjo ndjenjë, kohën e tij të çmuar nuk ua kushton të sëmurëve nga xhelozia, por qytetarëve të shëndoshë të komunës së tij Skenderajt, të cilën e ka çliruar me duart e veta! Heronjtë i paramendojmë vetëm të vdekur. Ka edhe heronj të gjallë dhe të pasur! Prit derisa të na mësohen sytë!

 

U afrova deri te shtëpia e tij. Samiu është më milioneri. U zotua dhe tha që edhe Skenderajn do ta bëjë si kukull, përgjithmonë do ta ndryshojë botëkuptimin për këtë komunë të varfër dhe të sinqertë. Njeriu që është i sinqertë përfundon i varfër, siç përfunduan të varfër e tërë popullata e kësaj komune. Ia nisi nga vetvetja, dha model vetveten. Nuk u tregoi qytetarëve se si bëhet (me fjalë) shtëpia e bukur, por e bëri me pare “cash” shtëpinë më të bukur në komunë. Ani pse shtëpia e tij është personale, nuk është e hapur për publikun, të gjithë e morën vesh, më kallëzuan dhe mua se shtëpia e tij disakatëshe është me ashensor. Samiu u bë qytetari i parë që do të shënohet në analet e historisë së ndërtimtarisë për faktin se i pari e solli ashensorin në komunën e Skenderajt,për nevoja personale.

 

Në kohën kur (edhe) partia e tij shqiponjën e larguan me dhunë nga flamuri, protestoi në mënyrë të heshtur dhe kreative dhe e hapi një lokal tregtar me emrin Shqiponja, e cila e  bën milioner. Votuesit e tij e kishin gabim, ata nuk e kuptonin, edhe pse ua shpjegoja se Samiu askujt nuk i ka faj që nuk di të pasurohet. Biznesi është talent, e ai është kryetar i tyre, nuk është aty për t’i trajnuar të varfrit se si të bëhen shpejt dhe sigurt të pasur. Varfëria është edhe çështje fati! Nga fati s’ka shpëtim!

 

E nesërmja jonë fashiste

 

Në dekadën e tij të gjashtë të jetës, dualisti Bajram Rexhepi zbuloi aftësinë e tij që t’i mbajë nëpër xhepa njerëzit, sidomos fëmijët e “Vetëvendosjes”, sepse e nesërmja është e fëmijëve, e jo e pleqve si Bajrami. E tashmja është e Bajramit. Por, policia është e Samiut. Duke qenë ish-kirurg me profesion, Bajram Rexhepi gjakon që ta konsiderojnë hero, s’ka qejf më të madh sesa ta konsiderojnë të guximshëm. Dhe është. Por, më i guximshëm se Bajrami është Samiu. Në njërin nga xhepat e tij të vogël Sami Lushtaku e mban z.Rexhepi dhe boll mirë ia bën. Samiu ishte luftëtar i luftës, e jo kirurg, prandaj Bajramin e mban në xhep sa herë që do, dhe do Zoti që këtë dëshirë e mban të rezervuar, pra dëshirën për ta mbajtur në xhep të vogël Bajramin. Sami Lushtaku është tjetër tip, s’është si Bajrami, që ligjëron për trimërinë, por Samiu flet pak dhe vepron trimërisht. Policia e Bajram Rexhepit, sipas nevojës, është edhe e Sami Lushtakut, por edhe e Kosovës është policia.

Policia e Kosovës  përballë bandave të armatosura serbe në veri është inferiore, por përballë qytetarëve me duar në xhepa të Skenderajt është superiore. Drenica është vend i trimave, prandaj në Skenderaj PK-ja e kthen mashkulloritetin që e humb në veri. Të vrarë dhe të shkërryer nga bandat kriminale serbe, ata kërkonin një terren ku do të shprehnin forcën e tyre, me performancë të dhunshme e primitive do të dëshmonin se janë gjallë. E zgjodhën Polacin e Hasan Prishtinës, këtë fshat të bukur, me njerëz të shkolluar, me djem të papunë e me vajza të varfra. Nën mbikëqyrjen e kryetarit të Komunës, aty policia e nervozuar me shufra gome shfrynë mllefin mbi studentë e mbi nxënës, mbi burra e djem, që lypnin rrugëdalje. Përveç rrugës ata i kanë të gjitha të mirat: kanë ajër të pastër, kanë gjelbërim, pinë ujë nga burimi. Sami Lushtaku, për hatër të fshatarëve, e kish zhvendosur zyrën e tij në odë, por kot, këta vazhdojnë të lypin marrëveshje në rrugë. Rruga gjendet në odë, e jo në rrugë. Më ra në dorë përshkrimi sugjestiv që studentët këshilltarë të KK i kishin bërë kryeprotestuesit Xani, e kishin tipizuar si “njeri i dështuar”. Komuna e Skenderajt është e vetmja e këtij lloji në planet që i certifikon njerëzit me diagnozën “i dështuar”. Desha për këtë gjest ta bëjë horë Samiun, po thashë mos po nxehet ai e pastaj nxehem edhe unë!

Kur i rrahu protestuesit e Polacit, Samiut nuk iu kujtua Hasan Prishtina. Alkimi ka bërë Hasan Prishtina. Ishte i pasur dhe tërë pronat e tij i shiti për t’i shkolluar studentët shqiptarë nëpër universitetet e Evropës. Samiu ka tjetër stil, ky ani pse është milioner, nuk ua jep paret e veta studentëve që të studiojnë nëpër Evropë, por përkundrazi i nxjerr nga UP-ja studentët e varfër dhe i punëson në zyrat e tij në politikë. Më mirë si Samiu sesa si Hasan Prishtina, që u vra nga shqiptari (Ibrahim Çelo) e në varrin e tij sot nuk e gjen asnjë lule. Interesant, Policia e Kosovës është specializuar për rrahje të protestuesve që kërkojnë bashkim kombëtar me Shqipërinë, si “Vetëvendosja”, dhe pasardhësit e Hasan Prishtinës që luftonte për bashkim kombëtar. (Më 1993 u mbajt 60-vjetori i vdekjes së Hasan Prishtinës, kur policia serbe rrahu dhe arrestoi 80 pjesëmarrës).

 

Qëllova aty kur i rrahën protestuesit e Polacit. Asnjë police femër. Më shumë më pengonin pasthirrmat kafshërore të policisë: “shuj, asnjë fjalë, shuj po t’them”! Policia e Kosovës nuk kanë kulturë të komunikimit me protestues. Po, s’ka kulturë të rrahjes, s’ka rrahje me stil, s’ka pendrek të bukur!

Ambasadori Fitu nuk guxoi t’i kualifikojë policët e Sami Lushtakut, të Bajram Rexhepit dhe Policinë e Kosovës si fashiste, por u tha fashistë fëmijëve të “Vetëvendosjes”. E nesërmja jonë është fashiste. Kështu nganjëherë Fitu-s i shpëtojnë nga goja disa fjalë gjigante. Më gjigante se epiteti fashist për ”Vetëvendosjen” ishte epiteti “dështim” për Amerikën.  Më 2008 në Kabul, Fitu kish marrë pjesë në një bisedë kreative me një diplomat tjetër, të cilët pas një analize gojore, kishin konstatuar se Amerika po i rrezikon ushtarët francezë dhe do të dështojë në Afganistan.

Spontanisht e përzunë nga Kabuli dhe erdhi këtu te ne. Fitu e përmendi Bovarinë si vendlindje të fashizmit, por nuk tregoi se fashizmi për herë të parë u paraqit në Francë më 1888.

Ditë vere, në sheshin “Adem Jashari”, në qendër të Skenderajt, kumbonin tupanët. Më pëlqen kur shoh burrat kah kërcejnë. Së bashku me një kushërirën time, që më shoqëronte, u afruam deri te tenda ku e kishin vendosur dasmorët. Dasmë e madhe! Një vajzë e re u afrua dhe pa e pyetur na tha: “Vajza e Samiut po martohet”. “O Zot, sa po ua lakmoj lumturinë. Po a thua janë vërtet të lumtur këta burra që po vallëzojnë kaq me qejf”, e pyeta kushërirën”. “Nuk është vallëzim lumturia, tha ajo, shumë njerëz të mërzitur këndojnë e vallëzojnë duke qarë”. Burrit që po udhëhiqte vallen i ra në sy kureshtja jonë dhe i buzëqeshur na ftoi t’i bashkangjitemi valles. Por, ne ishim të mërzitura, ia kthyem shpinën dasmës duke fshirë lotët!



(Vota: 275 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora