Editorial
Sami Repishti: ''Tragjedia'' e anti-heroit
E diele, 23.10.2011, 07:06 PM
“TRAGJEDIA” E ANTI-HEROIT
Nga Sami Repishti
sdrepishti@att.net
Ridgefield, CT.USA.- Shtypi dhe mediat shqiptare si dhe agjensitë ndërkombëtare të lajmeve kanë lajmërue vdekjen e ish Presidentit të Shqiperisë, Ramiz Alia, ish sekretar i parë i PPSH-së. Në mbështetje të Rregullores së Presidencës, kufomës i u dha mundësia e një funerali dinjitoz, dhe një varrimi të përshtatshëm për çdo qytetar të lirë të Republikës së Shqiperisë.
Kam njohë vogëlushin Ramiz Alia si fqinj në lagjen time Dudas të qytetit Shkodër.
Kemi lindur në të njëjtin vit, 1925, dhe kemi ndjekë së bashku disa klasë të shkollës fillore, si dhe kemi kalue orët e lira si femijë, sidomos me ndeshje futbolli në rrugët e lagjes sonë.
Kujtimet që kam sot, janë ato të nji filloristi me edukatë, të sjellshëm, me natyrë paqësore. Rreth moshës 8 ose 9 vjeçare, Ramizi u largue familjarisht nga Shkodra dhe zuni vend në Tiranë. Që nga ajo kohë, nuk kam pasë asnji kontakt me ate.
Për nji ironi të fatit, në shkurt 1942, ai dhe unë kemi kalue dy eksperienca që kanë përcaktue të ardhmen tonë. Si aktivist i grupeve studentore mikste të rezistencës në Liceun e Shkodrës, nji ditë u gjeta i papërgatitun në nji mbledhje konspirative me nji aktivist komunist, që ma vonë kuptova se kishte qenë Qemal Stafa. Që në minutën e parë u ballafaqova kur ai cilësoi mbledhjen si “mbledhje komuniste”. Protestova. “Unë nuk jam komunist”- i thashë. Ai i terhoqi vërejtjen “shokut” që më kishte shoqenue, dhe më kërkoi të vendosë në se dëshirojsha me marrë pjesë, “JO!”- i thashë, e dola nga mbledhja.
Deri atë ditë, lëvizja e jonë e përbashkët ishte përqëndrue në “luftën për çlirimin e Shqiperisë e kthimin e pavarësisë së humbun”; ajo kishte nji karakter të fortë kombëtar. Mbas hymjes në luftë të Bashkimit Sovietik, qershor 1941, filloi propaganda “me ndihmue Bashkimin Sovietik“, dhe indoktrinimi për ndertimin e socializmit në Shqipëri simbas modelit të Bashkimit Sovietik.
Lëvizja mori karakter social dhe ideologjik. Lufta tani bahej kundër “fashizmit” jo kundër dy shtetevet okupuese. Lëvizja e re u përqëndrue në marrjen e pushtetit me çdo kusht. “Na duhen vetëm dy javë në pushtet,“ më tha nji aktivist komunist,“ dhe nuk ka zot që na heq nga dora”.
Ndamja në mes nesh u ba e plotë. Që nga dita e incidentit, “shokët“, më anashkaluen, dhe me zhvillimin e ngjarjeve, unë mora nji qëndrim të premë ndaj valës së re pro-komuniste. Si rrjedhim, pa kalue shumë kohë, me ardhjen në fuqi të komunistëve, erdhi edhe arrestimi im, torturat, burgosja, internimi i familjes, arratisja, dhe mërgimi politik që vazhdon akoma... Megjithatë, asnjiherë nuk mallkova fatin tim!
Pikërisht në shkurt 1942, Ramiz Alia anëtaresohet në organizatën e rinisë komuniste, dhe për të gjithë jetën e tij i qendron besnik ideologjisë marksiste, dhe praktikës leniniste-staliniste. Zhvillimi i karrierës së tij politike ashtë tashma i njohun nga të gjithë.
2
E paprituna e madhe për mue, si shok fëminije, ka qenë dhe mbetet akoma enigma e transformimit të nji natyre të qetë në nji element të egër që përkrahë, dhe përkryen, akte krimesh masive, qoftë si militant, qoftë si udheheqës. Shumë sekrete të llahtarshme ngjarjesh në Shqipëri dhe në Kosovë, kanë vdekë së bashku me autorin e tyne. Megjithatë, edhe ajo sasi e kufizueme që ashtë e njohun, mjafton me gjykue veprimtarinë e komunistit Ramiz Alia si veprimtari kriminale me vrasje viktimash të pafajshme.
Disa nga oratorët që folën para kufomës së tij lavdëruen veprimtarinë e tij gjatë Luftës Anti-fashiste (1942-44). Unë pajtohem, natyrisht me disa rezerva. Nji sqarim: Të gjithë ata shqiptarë që patën guximin me kundërshtue, me armë ose me mjete tjera, okupatorin, meritojnë mirenjohejen tonë. Ata kanë krye detyrën e tyne ndaj popullit e atdheut; por nuk kanë fitue asnji privilegj. Njikohesisht, të gjithë ata që nuk kanë kundershtue okupatorin nuk kanë krye detyrën e tyne ndaj popullit e atdheut; por ata nuk kanë humbë të drejten me qenë qytetarë të lirë me të drejta të barabarta në nji shtet shqiptar. (Këtu përjashtohen ata që kanë bashkëpunue me okupatorin)
Por. karriera e Ramiz Alisë shtrihet kryesisht mbas vitit 1944; për këtë folësit preferuen heshtjen.
Me fitoren e Lëvizjes Nacional Çlirimtare, dhe marrjen e pushtetit në dorë nga drejtueset e saj (nandor 1944) fitimtarët reklamuen të drejtën absolute të sundimit dhe qeverisjes, dhe përsëri të drejtën absolute me imponue me dhunë mbi popullsinë vendëse formën e regjimit të ri. Kundërshtarët, tue përfshi edhe mendjet e ndrituna dhe ndërgjegjet e pastra që kishin dhanë aq shumë për çlirimin e vendit nga i hueji, u shtypën pamëshirë, ose u eliminuen fizikisht.
Arrestimet, torturat, burgosjet, internimet dhe pushkatimet me gjyq e pa gjyq me qëllim të frikësimit të popullsisë u benë rendi i ditës se “rendit te ri” që reklamonte “bukë e paqe edhe liri” dhe që imponoi, de fakto, uri, luftë klasash, dhe diktaturë.
Në këtë ndërmarrje kriminale ku nuk sundonte ligji por individi i veshun me petkun e autoritetit partiak, Ramiz Alia luejti nji rol të damshëm dhe ndihmoi në krijimin e situatave shumë të vështira, me nji rrjet të gjanë dhe të komplikuem spiunazhi dhe terrori, e nji sadizëm dhe urrejtje nga e cila asnjeri nuk mund të ikte, qoftë zyrtar ose qytetar i thjeshtë. Nji qëndrim i ketillë kriminal dhe anti-njerezor i siguroi atij mundësinë e ngritjes në hierarkinë e Shtetit e të PPSH-së deri sa arrijti kulmin. Ma në fund, për afër dhjetë vjet, ai ka qenë violina e parë e koncertit vdekje-prurës të luejtun nga PPSH-ja dhe xhelatët e saj të pakorrigjueshëm.
Si komisar politik i divizionit shqiptar në Jugosllavi, Ramiz Alia akuzohet për bashkepunim në masakrimin e elementit rezistues kosovar gjatë sulmeve kriminale serbo-malazeze të viteve 1944-45 (tregimet e ish Gjeneral Rrahman Perllaku), dhe sidomos për aprovimin e masakrës së Tivarit, ku humbën jetën disa mijëra rekrute kosovarë, viktima të brigadave partizane serbo-malazeze. Burime të besueshme, tregojnë se i pyetun nga udheheqësi komunist Tuk Jakova, çfarë ngjau me mijëra kosovarët që u përcollën nëpër Shqipëri, (shkurt-mars 1945), ai përgjegji: “I kemi vra si qentë rrugës… të gjithë ishin kundërshtarë”!
3
Më 1951, ai formalisht aprovoi ekzekutimin e 21 intelektualëve të pafajshëm të akuzuem për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovietike. Ramiz Alia ashtë nji nga të pakët “elitistë” të PPSH-së që u dërguen në Moskë për arsimim të naltë ideologjik, dhe së bashku me kryekriminelin Kadri Hazbiu, u ngritën në pozita kyçe të administratës së vendit. Ai ashtë vetë-deklarue si “inisiator” i lëvizjes së rinisë kundër institucioneve fetare dhe klerit, sidomos të klerit katolik, qendër shekullore e shqiptarizmit. Si ideolog i PPSH-së ai ashte përgjegjës për indoktrinimin e rinisë me frymën e urrejtjes dhe ideve kriminele të komunizmit stalinian, nji orientim që shërbente shumë mirë interesat diktatoriale të satrapit aziatik, E. Hoxha, padroni tij i padiskutueshem.
Edhe me ardhjen e tij ne fuqi si President i Republikes, 1982, dhe si sekretar i parë i PPSH-së, 1985, ai kurrë nuk gjeti guximin e duhun me ndryshue orientimin e gabuem, megjithëse gjithë bota rreth tij po ndryshonte me shpejtësi. Edhe mbas ligjit të majit 1988 për dekriminalizimin e arratisjes nga shteti, besohet se 82 qytetarë, shumica të rij e të reja që tentuen arratisjen nga skëterra 45 vjeçare, u vranë nga rojet e kufinit. Asnji nuk u arrestue ose dënue për këto krime. Ai heshti edhe kur xhelatët e PPSH-së (si Koço Danaj në Sarandë) tërhiqshin me litar në grykë kufomat e viktimave nëpër rrugët e qyteteve. Zani i arsyes së errësueme dhe i ndërgjegjes së flliqun nuk kërkoi falje. Ramiz Alia heshti!
“Ai nuk diti për asnji moment të ishte lider, dhe ky ishte fataliteti i tij i madh”, shkruente analisti Blendi Fevziu. Ky “fatalitet” i tij ka qenë edhe tragjedia e Shqiperisë që në momentet kyçe të historisë saj, ajo ishte pa udheheqje. “Tragjedia” e Ramiz Alisë ka qenë dikotomia e karakterit, butësia natyrale e personalitetit tij nga njena anë, dhe nga ana tjetër egërsia e krimit komunist që e mori me vete, dhe e detyroi me veprue kundër natyrës së tij. Ai ishte kthye ne nji automaton, nji mekanizëm që reagonte simbas udhëzimeve të marruna nga nalt, ose nga frika e rrjedhimeve të aktit tij. Ramiz Alia ka jetue dhe veprue në “mauvaise foi”, siç thonë francezët, në nji botë të gënjeshtërt që në mbrendinë e vetes ndoshta ai nuk e pranonte, por që anti-heroi nuk gjente forcën e duhun me kundërshtue…!
Nji shembull: Mbas vdekjes së satrapit aziatik, E.Hoxha, ai gjeti kurajon me amnistue gruen e shkurirëzueme, dhe djalin, e kryekriminelit Haxhi Lleshi, ish kryetar i Komisionit Shtetnor për Internimet, dy viktima të çapkunerisë komuniste. Por ai, nuk gjeti guximin e duhun me amnistue ma shumë se 15.000 viktima, burra, gra e femijë të internueme në kampet e dëbimit, disa prej tyne për 45 vjet me rradhë…! Nji qëndrim i këtillë tregon fatalitetin e karakterit të tij, dobësinë e anti-heroit që nuk e lejon asnjiherë me qene “besnik i vetes”, me mendue e veprue autentikisht megjithë konfliktin e mbrendshëm e frikën e botës së jashteme…!
Tragjedia përcaktohet edhe si dialogu i individit me ngjarjet e ditës, ose me veteveten, ku ai nuk ashtë i kënaqun me ekzistencën e caktueme nga fati...! I frikësuem nga tragjedia kolektive që ai kishte përgatitë me duert e veta, Ramiz Alia përfundoi në nji figurë kuazi-komike. Ai nuk u ndërgjegjësue asnjiherë me pranue botënisht zhgënjimin, sepse nji pranim i këtillë do të kishte sjellë revoltimin që përfundon në “aktin e lirë e heroik”, nji zgjidhje që ai nuk ishte i përgatitun me ballafaque. Duket se karakteri i tij dhe butësia e tij natyrale nuk i lejojshin “me refuzue” por “me u nënshtrue”… dhe fatkeqësiht, të paktën në dukjen e jashteme, me pranue këtë nënshtrim me entuziasëm. Ramiz Alia ka jetue nji jetë “jo-autentike”!
4
Fakti që Ramiz Alia vdiq në krevat, me shërbimet ma të plota mjekësore, tregon humanizmin e shoqënisë shqiptare sot. Por nuk mund të heq nga mendja dhjetëra mijëra viktima të komunizmit që ai nuk mbrojti e që vdiqën rrugave, në këneta e kanale, të harruem… pa shtrat, pa mjek, pa plang, pa shtëpi!
Dëshiroj me veçue nji rast të vetëm: poetin kukësian Havzi Nela, i varun në litar,- e përsëris i varun në litar,- sepse shkroi nji poemë ku dënonconte kriminalitetin e pushtetit komunist e paralajmeronte ardhjen e ditës së re.
Trupi i tij u mbajt në litar për dy ditë me radhë që të frikësohej popullsia e vendit nga “forca e pushtetit popullor”. Imazhi makabër me del para syshë vazhdimisht e më rikujton poetin francez të shekullit 16, Francois Villon, e poemën “La ballade des pendus”(1555), si ai përfetyronte veten të varun, trupin që kalbëzohet, korbat që i nxjerrin sytë dhe përfundon:
“Vellazën të racës njerëzore! Kini mëshirë për ne!”
Ramiz Alia nuk pati mëshirë për poetin, as për familien e tij! Afër pesë shekuj ma vonë, Ramiz Alia urdhënon varjen e nji poeti …dhe dekreton varrimin e tij pa shtrat, pa mjek, pa funeral. Ai refuzon kërkesën e familjes për faljen e jetës, dhe nënshkruen pa bremje ndërgjegjje nji vendim gjyqësor politik që turpënon sot gjithë kombin tonë shqiptar.
17 tetor 2011