E enjte, 31.10.2024, 11:15 PM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Manipulimi me videon që solli dhunën e 21 janarit

E diele, 13.11.2011, 07:58 PM


Manipulimi me videon që solli dhunën e 21 janarit

 

Nga Enver BYTYÇI

eb_shqip@hotmail.com

 

Grupi i ekspertëve të videos së famshme të Dritan Priftit, në të cilën ish-ministri kishte incizuar dhe filmuar shefin e tij partiak Ilir Meta, ka shkuar në përfundimin e falsifikimit të saj. Ata kanë dhënë shumë argumente, me të cilat provojnë se videoja Meta–Prifti është e manipuluar dhe se materiali filmik i “Fix Fare” nuk është i njëjtë me materialin filmik që Dritan Prifti ka dorëzuar në Prokurori. Vetë Prifti ka reaguar menjëherë, duke i quajtur ekspertët “të blerë” e “të shitur”, ndërkohë që ka kërkuar me ngulm një grup ekspertësh nga jashtë. Prokurorët kanë kërkuar dhjetë ditë kohë për të analizuar ekspertizën në fjalë dhe për të dhënë përfundimet e tyre rreth së vërtetës së videos së famshme, e cila i ka kaluar ekranet shqiptare, duke u përhapur në të gjithë kontinentin europian dhe përtej Atlantikut.

Kur shqiptarët panë asokohe videon e Priftit, shumica u shokuan. Shumë besuan se një zëvendëskryeministër bën afera aq ordinere. Ndërkaq me këtë video kreu i opozitës, Edi Rama, pati mobilizuar një numër të madh militantësh dhe njerëz të tjerë të hurit e të litarit me qëllim rrëzimin e përdhunimin e institucioneve të shtetit. Ngjarjet në bulevard më 21 janar ishin produkt i frymëzimit antishtet të opozitës shqiptare, i përcjellë te publiku përmes kësaj videoje “të tmerrshme”, ku zëvendëskryeministri i Shqipërisë “fliste” për qindra mijë euro, për favore dhe të tjera afera të paimagjinueshme. Vartësi i tij ministër ishte shndërruar në regjistrues, por duke qenë një diletant dhe në pamundësi të kërkonte ndihmën e ndonjë eksperti, ai pati regjistruar edhe vetveten në një sekuencë pamjesh, ku shihej qartë se po merrte nja 70 mijë euro nga vartësi i tij zëvendësministër.

Në të gjitha mediet e huaja e më pak në ato shqiptare ngjarjet e dhunshme të 21 janarit janë shpjeguar me videon e shfaqur. Në gazetën austriake “Der Standard” të datës 23 janar shkruhej se “pas dorëheqjes së zëvendëskryeministrit Ilir Meta për shkak të skandalit të korrupsionit opozita përforcoi protestat me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.” (Nach dem Rücktritt von Vize-Ministerpräsident Ilir Meta wegen eines Korruptionsskandals verstärkte sie ihre Proteste und forderte den Rücktritt der Regierung sowie vorgezogene Neuwahlen.) Ndërkaq të gjitha mediet europiane e kanë interpretuar videon si skandal të korrupsionit dhe protestën e dhunshme të 21 janarit si aksion të opozitës të frymëzuar nga ky “skandal”. 

Tash ekspertët thonë se videoja nuk ishte një skandal korrupsioni, por një skandal manipulimi. Një analizë e ftohtë e ngjarjeve, dukurive, diskurseve dhe ballafaqimeve politike në këtë vend gjatë jo më pak se dy vjetve të çon në përfundimin se manipulimi ka qenë dhe mbetet skema e vetme e lojës politike, të cilën ka ditur dhe di ta luajë kreu i opozitës shqiptare Edi Rama. Në këtë skemë ai ka përfshirë shumë prej shërbëtorëve të tij: politikanë, opinionistë, kalemxhinj, njerëz të letrave e deri ndonjë studiues-politikan. Para 8 majit forma e rëndomtë e manipulimit ishte fabrikimi i akuzave. Me radhë u akuzuan disa deputetë e ministra të mazhorancës. U vu në shënjestër kryeministri dhe familja e tij. U akuzuan ministrat e shtetit si “ministra të oborrit”, duke e krahasuar qeverisjen e sotme me qeverisjen e mbretërve të absolutizmit. Opinioni shqiptar u përballë me lloj-lloj shifrash të çfarëdolloji, ashtu paushal, vetëm e vetëm që publiku të manipulohej dhe kreu i Partisë Socialiste të realizonte ëndrrën e tij të të qenit kryeministër. “Një milion të papunët” u bënë refreni i ditës në 24 orë rresht. Për opozitën Shqipëria çdo ditë jetonte në tmerrin e krizës ekonomike e të varfërisë ekstreme, ndërsa “banda e hajdutëve” në oborrin e pushtetit pasurohej pa limit, duke harruar se milionerët më të shumtë të këtij vendi i përkasin grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Kreu i opozitës ka manipuluar me fatkeqësitë natyrore, veçmas me përmbytjet në Shkodër. Fati i keq i fatkeqësive natyrore për Shkodrën kishin dhe një anë tjetër të medaljes: fatin se këto fatkeqësi nuk kishin ndodhur në ndonjë zonë tjetër kollaj të manipulueshme, si p.sh. Bulqiza. Shkodra fisnike e qytetëruar e njihte natyrën manipuluese të Edi Ramës, ndaj për asnjë moment nuk u gënjye që të bëhej mashë e aventurës së tij për ta shkatërruar Shqipërinë e shqiptarët. Duke u gjendur përballë dështimeve të njëpasnjëshme, duke mos pasur sukses në grevat e stisura të urisë dhe në bllokimin e rrugëve, duke ndier boshatisjen e xhepave nga pagesat e mitingashëve, kreu i socialistëve shqiptarë manipuloi me një video të ministrit të Ekonomisë dhe zëvendëskryeministrit të Shqipërisë. Që atëherë zoti Meta u shpreh se videoja ishte e manipuluar. Ai dha dorëheqjen, duke synuar me këtë veprim të amortizonte sulmet anarkiste të Edi Ramës kundër destabilizimit të vendit. Megjithatë, nuk mundi ta ndalte inatin dhe turrin e kryesocialistit shqiptar. Më 21 janar disa dhjetëra anëtarë dhe simpatizantë të Ramës sulmuan godinën e Kryeministrisë si dhe gardhin e policëve për të rrënuar shtetin. Qëllimi i tyre nuk ishte thjesht rrëzimi i Berishës, përkundrazi, krijimi i kushteve për anarki, plaçkitje e dhunë në modelin e vitit 1997. Ndërsa Rama, duke shkelur mbi “kufoma”, siç pati deklaruar më 20 janar në mbrëmje, kërkonte një “qeveri teknike” dhe marrjen e pushtetit me dhunë.

E gjithë kjo histori u ndërtua sipas logjikës së manipulimit. Manipulim me shifra, manipulim me akuzat e njëpasnjëshme, manipulim më në fund me një video të sajuar e montuar thjesht në funksion të një aventure për pushtet. Po të ishte Shekspiri gjallë, me bëmat e Ramës në Shqipëri në këtë fillim të shekullit XXI do të kishte realizuar një kryevepër tjetër botërore. Fatkeqësisht, krijuesit tanë në këtë vend, duke mos qenë krijues të vërtetë, në vend të pasqyrimit të një realiteti të tmerrshëm me detaje të shumëllojta shprehjesh të ngjarjeve, emocioneve, ndjenjave, psikozave e psikologjive, përpiqen të qëndrojnë “asnjanës”, edhe pse Shqipëria i ngjan vitit 1914, siç thoshte para pak ditësh ambasadori i OSBE-së Eugen Volfart.

Megjithëse manipulimi, shpifja dhe shtrembërimi i të vërtetave, si mjete të marrjes së pushtetit me dhunë, ishin dhe mbeten pjesë thelbësore e strategjisë së opozitës së Edi Ramës, ishte vështirë të mendoje se edhe videoja që shkaktoi tërmetin e 21 janarit do të luante të njëjtin rol e të njëjtin funksion. Duke ndjekur me vëmendje gjithë aktivitetin manipulues të kreut të opozitës, nuk mund të mos e besosh faktin që videoja Meta-Prifti është një montim politik me të njëjtin funksion e qëllim si të gjitha makinacionet e tjera manipulative. Ndaj përveç arsyetimit teknik të ekspertëve, së vërtetës së manipulimit të kësaj videoje i duhet shtuar dhe aspekti logjik. Kur u vra i ndjeri Fatmir Xhindi, pata shkruar një koment në “Bota sot”, në të cilin shprehja dyshimin tim të arsyetuar për gjetjen e autorëve. Madje, kam shkruar se autorët e krimit janë më të specializuar sesa ekspertët e kriminalistikës, pasi ata kanë mësuar në shkollën e Sigurimit të Shtetit, shkollë e cila është e ndaluar të aplikohet në një demokraci. Koha më ka dhënë të drejtë jo vetëm për shkak të arsyes që kisha përmendur asokohe, por dhe për shkak të lidhjeve politike të kriminelëve me disa struktura kushtetuese të shtetit. Sa kohë që do të kemi këtë prokurori, aq kohë krime të tilla si Gërdeci, Xhindi, 21 janari nuk do të zbulohen e nuk do të dënohen. Edhe kjo skemë është pjesë e manipulimit të kreut të opozitës, sepse tashmë gjithkush e njeh faktin që prokuroria, SHIK-u, Presidenca etj. janë jashtë çdo ndikimi, qoftë dhe pozitiv, të mazhorancës. Sot mund të them se as vrasja e djegia e oficerit të SHIK-ut në Durrës nuk do të ndriçohet derisa pas kësaj ngjarjeje makabre ende kreu i SHIK-ut nuk është prononcuar, megjithëse do të duhej të jepte dorëheqjen. Dorëheqjen e tij duket se nuk e dikton morali, por urdhri politik i Edi Ramës. Nuk do të mësojmë ndoshta as vrasësit e gjyqtarit të Vlorës. Të gjitha këto vrasje janë mbuluar e do të mbulohen me mister, jo se drejtësinë e manipulon mazhoranca, por se kriminelët profesionistë kanë prapavijë politike, pikërisht për ta shkatërruar këtë mazhorancë. Kriminelët profesionistë janë më të aftë sesa zbuluesit e krimit në Policinë e Shtetit dhe janë të mbrojtur nga mosveprimi i prokurorisë dhe SHIK-ut. Këtë të vërtetë të manipulimit me ngjarjet, fenomenet, ndodhitë e trishta në këtë vend ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë. Por manipuluesit e një videoje, e cila u shoqërua me skërmitje dhëmbësh e kanosje publike të kreut të opozitës, shkaktoi dridhma në jetën normale të qytetarëve shqiptarë, si dhe viktima të pafajshme pa autorë. Autorët mungojnë sepse kreut të opozitës  i duhet vazhdimi i procesit të manipulimit me vdekjet njerëzore për të marrë pushtetin me dhunë. Autorët mungojnë sepse kreu i opozitës ka nevojë për viktima për ta shkatërruar imazhin e Shqipërisë, pasi në gjykimin e tij në këtë formë shkatërron mazhorancën. Autorët mungojnë sepse kreu i opozitës nuk dëshiron suksesin e Shqipërisë, nëse vetë ai nuk është autor i këtij suksesi. Pra, autorët mungojnë pasi kreu i opozitës duhet të ketë hapur shtigjet e manipulimit. Videoja që gjakosi Shqipërinë është dëshmi tronditëse e këtij manipulimi. Autor i saj është dhe mbetet Edi Rama, edhe pse Dritan Prifti ka marrë goditjen e fundit në agoninë e vet politike, pasi askush nuk mund t’i besojë më ta ketë bashkëpunëtor në politikë. Madje, ai shihet me dyshim edhe në rrethet shoqërore e të biznesit. Por Edi Rama ende nuk përceptohet si i tillë, dhe kjo do të prodhojë edhe në të ardhmen skenarë të tjerë të manipulimit, me ose pa gjakderdhje. Ndaj dhe do të duhej që Gjykata e Lartë krahas provës së manipulimit të videos të çonte para gjyqit manipulatorët e saj, të cilët prodhuan jo vetëm një video të montuar, por edhe një aksionizëm revolucionar me viktima.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora