Kulturë
Stan Dragoti, film për agjentin amerikan që do të vriste Enver Hoxhën
E enjte, 14.02.2008, 09:59 PM
“Si dështoi agjenti Tom Stefan në detyrën për të eliminuar Hoxhën”. “Filmi për Skënderbeun s’do të përqendrohet te lufta, por te drama jetësore”
Regjisori i njohur amerikan me origjinë shqiptare, Stan Dragoti, thotë se Shqipëria vuan prej shumë vitesh nga mungesa e imazhit, por ajo ofron shumë gjëra që mund të ndihmojnë për t’ia përmirësuar pozitën në botë. Dragoti ka një agjenci reklamash dhe është regjisor i 7 filmave, disa prej të cilëve mjaft të njohur në Amerikë. Ai thotë se dëshiron që me ndihmën e dy shqiptaro-amerikanëve të tjerë, Besnik Bezhi dhe Enver Jusufi, të përsërisë me Shqipërinë suksesin që pati një reklamë e tij e viteve ’70, e cila përmirësoi imazhin e qytetit të Nju-Jorkut.
Në rastin e Shqipërisë, sa rëndësi mendoni se ka përmirësimi i imazhit, sa mund ta ndihmojë vendin një imazh i mirë për të konkurruar me sukses?
Shqipëria vuan prej shumë vitesh nga mungesa e imazhit. Njerëzit nuk dinë çfarë të mendojnë kur dëgjojnë për Shqipërinë. Është një rajon i vështirë që njerëzit ta kuptojnë, pra kur ti flet për Shqipërinë, ata nuk e kanë të qartë nëse po flet për Kroacinë, për Malin e Zi apo për Kosovën. Dua të them se të huajt nuk kanë një ide të qartë për shkak të viteve të gjata të errësirës, kur Shqipëria ishte e përjashtuar nga komuniteti botëror. Dhe kjo është e kuptueshme. Mirëpo sot, nëse njerëzit nuk flasin për ty, atëherë ti nuk ekziston. Prandaj plani ynë përfshin disa aspekte, dhe njëri prej tyre është aspekti kulturor. Shqipëria ka një histori të mahnitshme për të cilën askush nuk di. Gjithashtu, Shqipëria ka burime natyrore të jashtëzakonshme, ka male, ka një bregdet të bukur. Mendoj se një nga burimet më të mëdha të Shqipërisë është elementi njerëzor, ajo ka njerëz të rinj, tërheqës, njerëz që flasin anglishten, të shkolluar dhe me një etikë të shkëlqyer pune. Mendoj se për të gjitha këto duhet folur, këto duhet t'u tregohen të tjerëve përmes mekanizmave të komunikimit, si marketimi, reklamat dhe filmat, të cilat duhet të flasin për heronjtë tanë, për historinë tonë. Këta filma duhet të shërbejnë si kurora kulturore nën të cilën të kalohet pastaj te reklamat dhe marketimi.
Ju jeni një personalitet i mësuar me suksesin. Sa i sigurt jeni se nuk do të dështoni në projektin për Shqipërinë?
Në radhë të parë ne nuk mund të dështojmë, sepse tani për tani nuk është duke u bërë ndonjë gjë në këtë fushë. Pra ne po bëjmë diçka që është më e mirë se asgjëja. Dhe jemi jashtëzakonisht të gëzuar që kemi një rast të tillë
Si do të përhapet ky informacion, cili do të ishte në këtë rast roli juaj si personalitet i artit të reklamimit?
Jemi ende në fazat e bisedimeve por ideja është që Shqipëria të hyjë në rrjetin televiziv amerikan History Channel dhe shpresoj se do t'ia arrijmë kësaj. Kjo do të bëjë që Shqipëria të futet në shtëpitë e njerëzve kudo në botë. History Channel më ka premtuar se do të lejojë transmetimin e projekteve të mia për Shqipërinë. Ky është një rrjet i madh që shikohet nga mbi 200 milionë njerëz në botë. History Channel është klienti im prej më shumë se 10 vjetësh. Kam punuar për një kohë të gjatë, që nga fillimet e tij, për ta bërë të njohur këtë rrjet. Kemi marrëdhënie shumë të ngushta me ta dhe ata u treguan të gatshëm për bashkëpunim. Pra, çfarëdo që unë dëshiroj të transmetohet, që unë mendoj se ka rëndësi për Shqipërinë dhe që ata e pranojnë, ne do ta realizojmë për t'ia paraqitur botës.
Në mos gaboj është fjala për një strategji komplekse, e cila në fund të fundit ka për qëllim të sjellë në Shqipëri turizëm dhe biznes…
Përpjekjet tona do të funksionojnë ndoshta si një fushatë marketimi të drejtpërdrejtë, për ta paraqitur Shqipërinë si një destinacion me vlera të vërteta. Por përpara kësaj, plani ynë është të bëjmë një fushatë imazhi, pra t'u themi njerëzve të biznesit se përse ata duhet të shkojnë të investojnë në Shqipëri. Shqipëria do të jetë ndërkohë tërheqëse për një nivel të caktuar njerëzish, që ne i quajmë "backpackers", udhëtarë "me çantë shpine", të cilët mund t'i karakterizojmë si në gjendje të mirë financiare dhe paksa të moshuar, njerëz të cilëve u pëlqen të shkojnë në vende pak të vizituara nga të tjerët. Pra kjo është kategoria e parë që ne do të përpiqemi të arrijmë me fushatën e imazhit. Gradualisht, pasi infrastruktura e Shqipërisë të përmirësohet, për shembull, pas një viti ne do të fillojmë të bëjmë fushatë turizmi. Kjo fazë do të jetë interesante sepse e di që do të kemi rezultate, pasi Shqipëria është një territor relativisht i pazbuluar. Kroacia po përjeton tani një bum turistik dhe ne do të përpiqemi t'ia marrim këta turistë dhe t'i tërheqim drejt Jugut.
Ju njiheni si realizues i njërës prej fushatave më të mëdha të marketimit në botë, fushata për qytetin e Nju-Jorkut në fund të viteve ’70, kur qyteti kishte nevojë urgjente për të përmirësuar imazhin. Si lindi ajo fushatë dhe a ka këtu një analogji me Shqipërinë?
Njerëzit në atë kohë e kishin marrë frikë Nju-Jorkun. Ata vinin nga larg për të parë teatër dhe nuk ishin të sigurt nëse bileta që kishin rezervuar do t'u njihej, nuk ishin të sigurt nëse do t'i gjenin të lira dhomat e hotelit që kishin rezervuar. Kudo dëgjonin të flitej për dhunë. Pra ishte një imazh mjaft negativ dhe shprehja "E urrej Nju-Jorkun" ishte shumë në modë. Së bashku me partnerin tim, u bëmë një vlerësim anëve pozitive të Nju-Jorkut, i cili ofronte shumë gjëra të mira: ai kishte Broduein me tërë ato shfaqje të mahnitshme si askund në botë, kishte muzeume të jashtëzakonshme dhe restorante të mira, kishte Parkun Qendror dhe zonën veriore, e cila ka një peizazh të mrekullueshëm. Dhe vendosëm që shprehjen negative "E urrej Nju-Jorkun" ta zëvendësonim me frazën "E dua Nju-Jorkun" – "I love New York". Gjetëm një muzikë të bukur dhe realizuam reklamën. Unë bëra filmimet dhe isha njëkohësisht regjisori i saj. Reklama ishte një sukses i menjëhershëm, njerëzit nuk ngopeshin duke e parë. Dhe solli pastaj një reaksion zinxhir. Ajo u përhap si valë kudo në qytet brenda natës. Aq i madh ishte ndikimi saqë është fakt se dikush në atë kohë shkroi edhe në Murin e Madh kinez fjalët "E dua Nju-Jorkun". Nuk besoj se ka ndonjë fushatë tjetër reklamash që të ketë funksionuar me kaq sukses. Pra, ideja është që të bëjmë për Shqipërinë atë që bëmë për Nju-Jorkun.
Le të flasim pak për filmat që do të bëni me temë nga Shqipëria. Njëri prej tyre trajton temën tashmë të njohur të shpëtimit të hebrenjve gjatë luftës. Ç'farë do të ketë të veçantë filmi juaj?
Në shumicën e filmave për Holokaustin, të cilët të gjithë tregojnë skenat e rënda dhe të trishtueshme që i kemi parë kaq herë, zakonisht flitet për një njeri të caktuar, i cili ndihmon një popull të caktuar, siç ishin hebrenjtë. Ndërsa historia shqiptare është ndryshe, ajo dëshmon për një popull që ndihmon një popull tjetër. Të gjithë shqiptarët, me besën e tyre, u premtuan hebrenjve se ata nuk do t'i prekte askush. Dhe ashtu ndodhi. Është një histori tepër frymëzuese. Në film ju nuk do të shikoni asnjë skenë nga Holokausti, por aty flitet për një familje që vjen nga Hamburgu, i shpëton nazistëve, vjen në Shqipëri, ku pritet ngrohtë dhe integrohet në jetën shqiptare. Tregohet se si pastaj vijnë gjermanët, por ata nuk mundën t'i zbulojnë dot, sepse shqiptarët u kishin vënë hebrenjve emra myslimanë. Është një histori e fuqishme.
Keni thënë se do të bëni një film për Skënderbeun. A keni frikë se kjo mund të ishte një sipërmarrje e kushtueshme dhe që do të kërkonte kohë për t'u realizuar?
Është një film që ne do ta bëjmë në mënyrë paksa të ndryshme. Unë nuk mund të bëj një film si Braveheart, për të cilin u deshën 60-70 milionë dollarë. Nuk kam dëshirë të bëj një film me shpata e mburoja. Skënderbeu bëri shumë beteja dhe për këtë do të duhej një film i gjatë 20 orë. Por jam i interesuar në një gjë: askush deri sot nuk ka pasqyruar në një film se cili ishte Skënderbeu, çfarë mendonte ai në kokën e tij, cilat ishin shqetësimet e tij dhe ç'e shtyu të vinte nga Turqia, ku u rrit si figurë ushtarake e të kthehej në vendlindje, duke e ditur se ata do të hakmerreshin me të gjithë forcën kundër tij. Dhe ata vërtet erdhën, por ai i mundi ata. Është historia e dikujt që lufton me fatin, lufton kundër atyre që dikur kishin qenë miqtë dhe mësuesit e tij. Pra tërë këta elementë janë aq dramatikë, saqë mendoj se do të ishin të përshtatshëm për çdo film nëse realizohet siç duhet. Një film tjetër bazohet mbi librin “Zyra e Shërbimeve Strategjike gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri”. Është një libër shumë interesant, shkruar nga Peter Lukas. Filmin do ta bazojmë mbi marrëdhëniet mes agjentit shqiptaro-amerikan Tom Stefan dhe Enver Hoxhës, se si amerikanët e këshilluan agjentin e tyre që të vriste Hoxhën, gjë që ai nuk e realizoi dot.
A nuk do të ishte pak e vështirë të gjendej treg për filma të tillë që do të kenë një tematikë të fokusuar te një vend i vetëm, pra te Shqipëria?
Bëni mirë që më pyesni. Unë jam jashtëzakonisht i interesuar në atë që quhet segmentim i tregut. Unë nuk synoj të marr Tom Kruizin për të luajtur Enver Hoxhën, nuk po përpiqem të bëj filma me buxhete gjigante. Dua që këta filma të kenë një buxhet modest dhe që të shpërndahen në tërë rajonin e Ballkanit ku jetojnë ndoshta 12 milionë shqiptarë, duke përfshirë edhe ata në Turqi. Pastaj ka njerëz të tjerë në rajon që dinë për Skënderbeun. Pra, shpresoj që në rajon të ketë një audiencë të tillë që këta filma të dalin me fitim. Në rast se filmat vlerësohen pozitivisht, atëherë ne mund ta zgjerojmë shpërndarjen e tyre edhe në Europën Perëndimore. Më pas, mund të kalojmë edhe Atlantikun dhe t'i shfaqim ato në pjesën lindore të Amerikës, ku jetojnë shumë shqiptarë, por ku ka edhe shumë njerëz me kulturë që pëlqejnë filmat cilësorë. Më në fund, filmat mund të shfaqen edhe në pjesën perëndimore të Amerikës si në Festivalin Sundance.
Në fillim të viteve ‘90 ju u kthyet në Nju-Jork për t'u marrë ekskluzivisht me artin e reklamës. Përse e latë Hollivudin, i cili është aq i lakmuar nga artistët?
Në atë kohë bëra një film me titull "Necessary Roughness" me kompaninë “Paramount”. Ishte një film i suksesshëm, që kishte si temë futbollin amerikan. Kur isha në shkollë të mesme luaja futboll, prandaj gjithmonë kisha dashur të bëj një film me këtë temë. Gjatë kësaj kohe fillova të shikoj ndryshime në Hollivud: njerëzit e filmit po vinin tani gjithnjë e më shumë nga shkolla të shtrenjta si Harvardi dhe çdo gjë diktohej nga fitimi. Pra qëllimi nuk ishte më filmi, por paraja dhe kjo nuk më pëlqente. Megjithatë, unë e doja punën si regjisor. Ishte pikërisht kjo periudhë kur partneri im më telefonon me një ofertë të jashtëzakonshme për t'u kthyer në Nju-Jork dhe për të hapur një kompani reklamash. Fillova të mendohem. Në vitin 1994 Kalifornia u godit nga një tërmet i madh. Unë vetë shpëtova, por shtëpia ime e madhe u shkund mirë. Kurrë nuk kisha parë një gjë të tillë në jetë dhe thashë me vete: "Zoti po përpiqet të më thotë diçka." Shita shtëpinë, paketova plaçkat dhe u ktheva në qytetin tim të lindjes.
Krahasuar me atë kohë, si kanë ndryshuar sot shijet e Hollivudit?
Kam frikë se Hollivudi po kalon nëpër një cikël ku studiot po u përgjigjen më tepër shijeve të adoleshentëve. Kur isha adoleshent, më qëllonte të shihja filma ku luanin Spencer Tracy apo Katherine Hepburn, filma që nuk ishin për ndonjë audiencë të caktuar dhe unë mësoja shumë prej tyre. Po kështu shihja filma komikë dhe dramatikë të njohur për kohën. Sot projektori është ngushtuar së tepërmi dhe është fokusuar tek adoleshentët për shkak se ata janë konsumatorët më të shumtë. Kështu që sot shikon shumë filma banalë, të cilët e kanë reduktuar kulturën e filmit në nivele të ulëta. Si pasojë, është i trishtueshëm fakti që shkrimtarët po humbasin aftësinë për të bërë skenarë, kjo formë arti po humbet. Ata nuk e njohin më zhvillimin e personazhit, nuk njohin radhën e shpalosjes së dramës por vetëm u servirin adoleshentëve gjëra banale.
(Marrë nga Zëri i Amerikës)