E enjte, 28.03.2024, 12:15 PM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Lëvizja Videosocialiste për Integrim

E shtune, 23.07.2011, 06:55 PM


Lëvizja Videosocialiste për Integrim

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Enver Hoxha dikur tha fjalët e famshme "Socializmin e ndërtojnë masat, Partia i bën ato të ndërgjegjshme". Në rastin e LSI, ky slogan mund të përshtatet në trajtën "Ilir Meta u drejtohet masave në gjuhë socialiste, videot i bëjnë ato të ndërgjegjshme". Lëvizja Socialiste për Integrim është partia e parë në botë e cila po shkatërrohet nga videoregjistrimet e skandaleve. Fjala "integrim" në rastin e kësaj partie ka kuptimin e integrimit në botën dixhitale të skandaleve, ku kjo parti tashmë ka siguruar një vend meritor.

 

Nëse ka ndonjë lidhje mes ideve socialiste dhe kësaj partie kjo lidhje mund të shprehet në termin videosocialiste. Videosocializmi është risia e Ilir Metës në politikën ndërkombëtare, dhe mund të shprehet me parullën drejtuar shqiptarëve e tashmë edhe ndërkombëtarëve "Duroni por...t tona". Pas skandalit të fundit të ministrit Haxhinasto, duket se njeriu më serioz në LSI ka mbetur z. Ylli Dylgjeri, gjë që e bën atë pretendent serioz për poste vakante qeveritare që pritet të hapen nga pasojat e cunamit të videoskandaleve.Videoskandali i fundit i Ministrit të Punëve të Jashtme, Haxhinasto, tregon se edhe ata njerëz në LSI të cilët kanë pasur hijen e burrave seriozë dhe të edukuar janë prishur në ambientin e partisë së Metës. Nga komunikimi mes ministrit Haxhinasto dhe ministres Bregu duket sikur ata ishin në ndonjë WC publike dhe jo në zyrat e Bashkimit Europian. Ministrja Bregu qeshi me fjalët e Haxhinastos sikur ky tha ndonjë gjë shumë inteligjente. Dy njerëz që e bëjnë këtë dialog mund të jenë e shumta pastrues në WC-të e qeverisë dhe jo ministra që kanë në dorë procesin e integrimit europian të vendit. Nëse ministri Haxhinasto do të kishte minimumin e dinjitetit, ai do të kishte dhënë dorëheqjen me t' u bërë publike videoja. Të njëjtën gjë duhet të kishte bërë edhe kolegia e tij, qeveritarja Bregu. Natyrisht që as Haxhinasto dhe as Bregu nuk e kanë këtë dinjitet. Ata do ta jepnin dorëheqjen vetëm nëse këtë gjë do t' ua kërkonin shefat e tyre, Meta dhe Berisha. Meta dhe Berisha do t' ua kërkojnë këtë gjë vetëm nëse do t' u vijë një sinjal nga Brukseli. Por në Bruksel presin që të shikojnë se si do të reagojnë Berisha dhe Meta ndaj këtij skandali. Pra, Brukseli pret që të shikojë se sa respekt kanë për të Berisha dhe Meta. Berisha dhe Meta nuk mund të mos e kenë të qartë se Skandali "Haxhinasto-Bregu" është kthyer në test të qëndrimit të tyre ndaj Brukselit.Pra, Brukseli pret që Haxhinasto dhe Bregu të ikin nga qeveria si Pango, dallëndyshi i parë videoskandaleve të kësaj mazhorance. Madje, duke qenë se Majlinda Bregu është një prurje e Ylli Pangos në PD (ajo ka qenë studente e Pangos dhe ka bërë karrierë në sajë të mbështetjes së tij) mund të thuhet se ka një koherencë mes videoskandaleve që kanë përfshirë mazhorancën. Ironia më e madhe është se videosocialisti Ilir Meta i ka kërkuar kryeministrit Berisha që në kuadrin e ndarjes së tortës të pushtetit t' i jepet LSI posti i kryetarit të Kontrollit të Shtetit, i cili do të zgjidhet në tetor. Kështu, LSI, partia e videoskandaleve e cila po e rrënon shtetin me kuadrot e saj, që i ka lëshuar në zyrat e shtetit si një tufë buburrecash në një arë me grurë, po kërkon që të shtjerë në dorë edhe çelësat e Kontrollit të Shtetit, duke i mbushur zyrat e tij, me militantët-buburreca metistë. Në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur që një partie të mbytur në skandale t' i jepet në dorë monopoli i kontrollit të shtetit, dhe nëse do të ndodhë kjo, do të jetë kuintesenca e skandaleve, përvecse një premisë për videoskandale të reja të Lëvizjes Videosocialiste për Integrim, të videosocialistit Ilir Meta.

 



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora