Editorial
Sami Repishti: Nostalgjia për diktaturë
E marte, 23.11.2010, 09:59 PM
NOSTALGJIA PËR DIKTATURË
Nga Sami Repishti
Ridgefield, CT.USA.- Keto ditët e fundit, faqet e fletoreve dhe internetit shqiptar kanë qenë plot shkrime, opinione në favor a shfrime kundër, vendimit qeveritar për prishjen e “Piramidës së Enver Hoxhës”, sot e njohur si “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës Pjetër Arbnori” e vendosur në sheshin krysor të Tiranës. Lajmi nuk më tronditi; reagimi, po!
Interesimi im u rrit akoma më shumë mbas “politizimit zyrtar” të problemit, dhe sidomos mbas debateve agresive në Kuvendin e Shqiperisë. Nga leximi i shtypit shqiptar kuptova se “opozita” (kryesisht PS) ka vendosë të dalë jashtë Kuvendit për arsye të katër (ma vonë gjashtë) kërkesave të parashtruara, dhe të refuzuara nga shumica në pushtet (krysisht PD). Njëra nga këto “kërkesa” ka qenë anulimi i vendimit për prishjen e “Piramidës”, dhe zëvendsimin e saj me një ndërtesë të rë,. moderne, “dinjitoze” për baballarët e kombit.
Kjo “kërkesë” u paraqit nga krytari i grupit parlamentar të PS, Z.Gramos Ruçi, ish ministër i punëve të brendshme gjatë viteve të diktaturës, dhe personi që akuzohet rëndë si përgjegjës i masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër, ku gjetën vdekjen katër të rij demokratë, dhe u plagosën shumë të tjerë nga forcat e Sigurimit të Shtetit, Z.Ruci kërcënoi haptazi : “Anuloni vendimin për kompleksin e ri parlamentar”…dhe “ nga ky moment braktise Parlamentin”.
Në seancën plenare të datës 21 tetor 2010, Kuvendi i Shqiperisë, miratoi prishjen e “Piramidës” dhe ndërtimin në vend të saj të godinës së re të legjislativit (Kuvendit). Projekt-vendimi i paraqitur me kërkesë të disa deputetve të PD-së (shumica) u pranua me 71 vota në favor (nga 140 që ka Kuvendi) dhe 64 kundër. Simbas shtypit shqiptar, seanca në vete ka qenë e zhurmeshme, kaotike, dhe me mungesë dekori fillestar.
Ajo që më shqetësoi më shumë janë dy aspekte të problemit:
E para, përcaktimi çka përfaqëson kjo “piramidë“; dhe e dyta: si është e mundur që ka akoma forca politike në Shqipëri, që ruajnë një respekt dhe admirim për satrapin aziatik Enver Hoxha, e për regjimin e tij diktatorial, akoma sot dhe në vitin 2010 duan të aktualizojnë këtë “respekt dhe admirim” me një aksion politik që kërcënon funksionimin e rregullt të legjislativit dhe paralajmëron një ngërç të ri në politikën e brendshme të vendit që sot vuan rëndë nga mungesa e frymës së bashkepunimit dhe harmonizimit të zhvillimit politik, ekonomik e shoqëror?
E para: ç’është dhe çka përfaqëson “piramida“? Ajo është nji monument, figurativisht, diçka e shquar, me rëndësi ose vlerë të madhe, diçka madhështore. Në këtë rast unë mendoj se jo! Fjalori i njohun Webster, spjegon se vjen nga fjala latine monere, “për të rikujtuar”. Si objekt ajo është një varr sipas egjiptologëve, Ky përcaktim nuk vlen për rastin tonë. Ose piramida është një ndërtesë, një shtyllë, një gur ose diçka e ketij lloji, e ndërtuar në kujtim të një të vdekuri ose një personi që akoma jeton, apo një ngjarje të dalluar etj., që meriton “për të rikujtuar” ose që ka vlera të përhereshme. Këtu. pa dyshim nuk ka asgjë që meriton t’i vishet satrapit aziatik shqiptar.
Fjalori i Gjuhes Sotme Shqipe (1985) shpjegon: Përmendore, ndërtesë apo tjetër vepër arti (urë etj.) e vjetër me vlera artistike ose historike. Këtu nuk mund të mbrohet “vlera” e satrapit si histori as ndërtesa si art. Ai sot është një emër i mallkuar, dhe ajo është një gërmadhë që të vret syrin…!
Një vepër monumentale ka rëndësi e vlerë të madhe historike, kulturore, artistike etj., për të kaluarën e një populli, a të një vendi. Kjo është antiteza e satrapit aziatik shqiptar. Si art, kemi p.sh. Piramidën e arkitektit Pei në oborrin e Louvre-it, Paris, që ka fituar admirimin e milionave qoftë për bukurinë e saj qoftë për funksionalitetin e hyrjes të Muzeumit... Për mendimin tim, “Piramida”, sot “Qendra Pjetër Arbnori” është një gërmadhl në qendër të Tiranës që nuk ka vend në Sheshin Skenderbeu, dhe që është ndërtuar nga xhelozia e diktatorit me qëllim konkurrimi me heroin kombetar që ai shpresonte ta zëvendësonte një ditë, e në kondita “të përshtatshme”.
E dyta, “politizimi” i skajshem i prishjes së “piramidës” kalon kufijt e së besuarshmes. Në një tjetër vend të qytetruar, një politizim i hapur dhe dëmprurës i së kaluarës së hidhur të vendit tonë, do tl quhej “wishful death” (një dëshirë për vetëvrasje) ose “Freudian slip” (një dëshirë e brendshme e trathetuar pa dashje)
Ka individë që duan ta ruajnë atë, sepse kanë frikë që pas saj mund të shkaterrohen edhe vepra tjera të diktaturës së kuqe. Ky është një thjeshtësim deri në naivitet i problemit. “Piramida” është ndërtuar vetëm për glorifikimin e diktatorit. Ajo nuk ka funksion publik, as shërben një nevojë të popullsisë. Veprat tjera “të rregjimit” siç janë Pallati i Brigadave, Muzeumi Kombetar, “pallatet” e banimit, kanalizimet, rrugët e urat kanë vlerat e tyre intrinseke, dhe shërbejnë popullin që i ngriti, shpesh herë nën kërbaçin e “rojës së kuqe” Universiteti i Tiranës ka qenë Partia Fashiste Shqiptare gjatë okupaciuonit Italian. Ndërtesat e Ministrive, ashtu siç janë Banka Kombëtare dhe Pallati i Bashkisë janë ndërtue gjatë regjimit monarkist në Shqipëri, por asnjëra nuk u prish, sepse bëjnë një shërbim. (Një marrëzi e këtillë është bërë vetëm në Rusinë sovietike ku prishën hekurudhat sepse “janë ndërtuar nga borgjezia”)
Të tjerë mendojnë se “është pjesë e historisë sonë“. Jo! “Piramida” nuk është pjesë e historisë sonë; regjimi komunist, po! Pjesë të historisë sonë është vandalizmi enverist: të gjitha kishat mesjetare të prishuna nga “talibanët” komunistë…!
Historia e vertetë e diktaturës së kuqe (1944-1991) janë burgjet politike në çdo qytet të Shqipërisë, janë viktimet e Sigurimit të Shtetit kriminel, janë kampet e punës së detyrueshme në Beden, Vloçisht, Orman Pojan, Myzeqe, Lushnje e tjera, janë aeroportet e Urës Vajgurore dhe Rinas në Tiranë; janë minierat e Spaçit, Qafë Barit, Bulqizës,
Memaliaj e tjera vende të tmerrit, të errësinës, ku tortura dhe vdekja mbretëruan për 46 vite të gjata. Historia e jonë janë:“ashpërsimi i luftës së klasave”, “diktatura e proletariat it”, ”lufta e pandërprerë kundër mbeturinave borgjeze” etjera. Në qoftë se duam të reklamojmë historinë, aty ku gjindet sot “Piramida”, duhet rikrijuar një burg si ai i Burrelit, ose një kamp si ai i Vloçishtit që të shikojnë të gjithë, pa përjashtim, sa e egër ka qenë tirania komuniste në Shqipëri, dhe sa poshtë ka ra kryekomunisti i çmendur shqiptar me vuajtjet që shkaktoi për vëllezërit dhe motrat shqiptare që kundërshtuan çnjerëzimin e plotë që solli sistemi komunist në Shqipëri.
Historia e Shqipërisë është shumë e dhimbshme. Zakonisht, ne theksojmë atë që na ka bërë i huaji, dhe me të drejtë, sepse i huaji ka bërë shumë të këqia në kurrizin tonë. Por periudha e regjimit komunist në Shqipëri, në mënyrë të veçantç tregon sa shumë të këqia i kemi bërë vetes. Dalldisja ideologjike, injoranca mbytëse, dëshira e pangopur për pushtet, shkëlmimi i së kaluarës sonë, i dokeve e zakoneve që kanë mbajtë të gjallë e të fortë shoqërinë tonë shqiptare, tue përfshi edhe fenë, për shekuj me rradhë janë shfaqje negative që na kanë kushtuar shumë rëndë. Sot, më kujtohen fjalët e fratit franceskan At Anton Harapi (i ekzekutuar më 1945):“O, me kobure nuk bahet ai tjetri vëlla, por mizor ose hipokrit!” Paralajmerim hyjnor!
Shqiptarët në regjimin komunist u bënë vrasës të vëllezërve të tyre, ose spiunë të vëllezërve të tyre. Rrjedhimet e një sistemi kaq çnjerezor, krijuan kaosin e thellë moral; që trashëguam në vitin 1992. Është ky kaos moral, kjo zbrazëti shpirtërore që lejoi kaosin politik që kemi jetuar për afër 20 vjet tranzicioni. Dhe është ky kaos politik që lejon sot daljen në skenë të një partie politike në mbrojtje të terrorit, varfërisë, çnjerëzimit që na imponuan satrapi aziatik shqiptar dhe këlyshët e tij.
Në një Shqipëri të kulturuar, debati mbi “Piramidën”duhet shfrytezuar jo për sharje e ndasi politike - një qëndrim që nuk sqaron figurën e tiranit të kuq;- por, me seriozitetin e nevojshëm duhet të ngrihet debati në një reflektim ma të naltë. Debati për “Piramidën” duhet të përfaqësojë një proces të çiltër të vetëekzaminimit për të gjithë neve si komb shqiptar dhe për përgjigjen e pyetjes së madhe: si ka qenë e mundur që një regjim aq kriminel e antikombetar u mbajt në këmbë për afër 46 vjet me rradhë? Debati për “Piramidën” duhet të sqarojë dukurinë e mbijetesës së figurës së diktatorit në kujtesën publike, dhe në ndërgjegjen e atyne që i shërbyen me bindje e zell të madh -megjithëse shumë prej tyre shpjegohen me tezën banale të “viktimës së manipulimit”- si dhe përgjegjësinë tonë që nuk kemi qenë të aftë të “anatemizojmë” përbindshin komunist. Një debat i tillë mbi “Piramidën” do të sqaronte shumë pyetje sot pa përgjegje dhe do të justifikonte energjitë tona të harxhuara për një “vlerësim” serioz dhe ndoshta të përhershëm të problemit te hapur.
*
Sot, diktatori e ka një varr, dhe shtëpinë të ngritur në këmbë. Lereni të pushojë në gjumin e vdekjes pa ringjallje! Por, çfarë të themi për mijëra qytetarë të ekzekutuar në errësirat e burgjeve e të natës pa henë, dhe sot akoma janë pa varre? Çfarë të themi për mijëra familje me shtëpi të prishura, dhe sot pa vatër familjare ku të mblidhen së bashku? T’i harrojmë, t’i lëmë pas dore dhe të merremi me “Piramidën”? Pse kjo nostalgji këmbëngulëse për diktaturën, dhe mosdënimin e një sistemi shkatërrimtar të dënuar nga e gjithë bota e qytetëruar? Para një gjendje kaq dëshpëruese që pasqyron nostalgjinë për terror, varfëri, dhe izolim nga bota e jashteme, miliona viktima përsërisin, sëbashku me poetin: “…Na lini, në ëmbëlsi, jetën të rijetojmë, mos na tregoni përsëri qen që kafshojnë”. (Nellie Saks)
Nëntor 2010 (Shënim: Sami Repishti, pedagog në pension, ka qenë i burgosur politik në Shqipëri (1946-56) dhe në Jugosllavi (1959-60)