E enjte, 03.10.2024, 05:34 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Paskal Milo: Ja si u bë marrëveshja Hoxha-Tito për minimin e Korfuzit

E shtune, 13.11.2010, 11:31 AM


Ja si u bë marrëveshja Hoxha-Tito për minimin e Korfuzit

 

Nga Paskal Milo

 

Përballimi i rrezikut nga një ndërhyrje greko-britanike në verën e vitit 1946 ishte edhe një nga motivet kryesore të vizitës së parë zyrtare, por edhe të fundit të Enver Hoxhës në Beograd dhe të bisedimeve të tij me udhëheqësin jugosllav J. B. Tito. Kjo vizitë u realizua nga 23 qershori deri në 2 korrrik 1946. Enver Hoxha e kishte dashur me kohë ta kryente këtë vizitë, sikurse edhe atë në Moskë, por për arsye që ai vonë i ka kuptuar, ato nuk ishin bërë.

Vendimi që Enver Hoxha më në fund të vizitonte Beogradin u mor gjatë vizitës së Titos në Moskë dhe në takimin me Stalinin në 27 maj. Stalini dhe Molotovi e informuan udhëheqësin jugosllav se Hoxha kishte shfaqur dëshirën që të vinte në Moskë, por ata e kishin frenuar atë për shkak se mund të shkaktonte reagim jo të pëlqyeshëm nga ana e anglezëve dhe amerikanëve dhe kjo mund të ndërlikonte më tej situatën e jashtme politike të Shqipërisë. Stalini dhe Tito ranë dakord që të ftohej Hoxha në Beograd dhe të nënshkruhej edhe Traktatit i Miqësisë dhe i Bashkëpunimit midis të dy vendeve. Refuzimi i Stalinit për ta pranuar Enver Hoxhën në Moskë deri në maj 1946, përveç pengesës së njohur të Titos, sillte në vëmendje edhe marrëveshjen e tij me Çurçillin në tetor 1944 ku Shqipëria ishte ndarë në 50 me 50 për qind influencë.

Tito sapo u kthye nga Moska porositi përgatitjen e vizitës së Enver Hoxhës në Beograd. Në 19 qershor Hysni Kapo takoi Aleksandër Rankoviçin dhe po atë ditë i raportoi Enver Hoxhës se çfarë ai i tha: "Kur ishim në Moskë biseduam me Stalinin e Molotovin ardhjen tuaj në Jugosllavi dhe lidhjen e një marrëveshjeje. Ata ishin dakord me mendimin e Titos. Markua, (A. Rankoviçi - P. M) më tha se biseduam me Titon dhe se tashti është çasti më i mirë që të vijë Enveri mbasi tashti zhvillohet Konferenca e Parisit. Do të bisedojmë dhe të përfundojmë një marrëveshje për ndihmë reciproke e cila do të shpallet në Beograd dhe do të ratifikohet në Tiranë. Markoja më tha se është mirë që Enveri të vijë sa më parë, mundësisht të dielën. Pritet vetëm mendimi Juaj…".

Enver Hoxha iu përgjigj menjëherë ftesës dhe shkoi në Beograd. Se për çfarë është biseduar atje nuk ka gjurmë në arkivat shqiptare veçse thërrime protokolli, kush vajti e kush erdhi, kush e priti e kush e përcolli. Nuk mund të konceptohej që Enver Hoxha të shkonte në vizitën e tij të parë jashtë vendit si kryetar qeverie dhe aq më tepër në Jugosllavi për t'u takuar me Titon e të mos kishte një dosje me çështje që do të bisedoheshin. Gjithashtu nuk mund të mendohet se nuk janë mbajtur shënime gjatë bisedave zyrtare nga njerëzit që e rrethonin Hoxhën ose edhe nga vetë ai e se nuk është bërë një informacion në përfundim të kësaj vizite. Në arkivat e Beogradit me siguri që kjo vizitë dhe ngjarje të tjera të rëndësishme në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave janë të pasura me dokumente, por ato vazhdojnë të mbeten rreptësisht të kyçura, veçanërisht për shqiptarët. Beogradi për këtë vizitë ofron vetëm detaje protokolli.

Hoxha ka dhënë variantin e tij për bisedimet e vizitën në Jugosllavi. Ai në të vërtetë thotë shumë pak nga çfarë është biseduar në realitet me Titon e bashkëpunëtorët e tij. Tregon ngjarje të parëndësishme deri në detaje, por nuk flet për mjaft çështje thelbësore që janë trajtuar. Megjithatë pohon se ka diskutuar për situatën në jug të Shqipërisë si dhe për provokacionet që bëheshin në kufijtë detarë të saj.

 

Arkivat

 

Por, për të hedhur dritë se çfarë u bisedua gjatë takimeve me Titon, ndihmojnë arkivat ruse të Ministrisë së Jashtme, raportet e ambasadorëve sovjetikë në Tiranë e në Beograd, pasi janë takuar e kanë biseduar me Hoxhën e me Titon. Ambasadori sovjetik në Beograd, A. Lavrentjev, në raportimin që i bëri Moskës në 2 korrik 1946 për takimin me Titon, menjëherë pas largimit të Hoxhës nga aerodromi, shkruan se "ai ka folur dje me Enver Hoxhën për problemet ushtarake… u morën vesh për nevojën e krijimit të mbrojtjes bregdetare, që më shumë rëndësi ka në rajonin e Vlorës". "Tito, thuhej më tej në këtë informim, shpreson që topat me qitje të largët për këtë qëllim do i marrë nga Bashkimi Sovjetik, në mos si zbatim të porosisë, atëherë ndoshta nga fondi i trofeve".

Një ditë më vonë, në 3 korrik, ambasadori sovjetik në Tiranë D. Çuvahin, pasi ka takuar Enver Hoxhën, i dërgoi V. Molotovit, ministrit të Jashtëm sovjetik, përmbajtjen e bisedës, e cila ishte e hollësishme dhe për një numër çështjesh. Kryeministri shqiptar e kishte informuar diplomatin sovjetik se gjatë bisedimeve "u diskutuan të gjitha çështjet ushtarake për të cilat janë të interesuara si Shqipëria ashtu edhe Jugosllavia, se Tito, u interesua më tej për gjendjen e tanishme të mbrojtjes së kufijve tokësorë dhe detarë të Shqipërisë, se ai kishte mendimin se, Shqipëria tani duhet të merret, para së gjithash, me forcimin e kufirit të saj jugor me Greqinë, si dhe të bregdetit". Referuar gjithnjë Hoxhës, Çuvahini raportonte se udhëheqësi jugosllav kishte thënë se si Shqipëria e Jugosllavia aktualisht nuk kishin mundësi materiale për të ndërtuar fortifikime moderne të mbrojtjes, ndaj sugjeronte që "përgjatë gjithë kufirit detar të Shqipërisë mbrojtja do ndërtuar në mënyrë të tillë, që, në rast lufte, kjo mbrojtje e përkohshme të mund të pengojë në njëfarë shkalle zbarkimin e forcave të armatosura të armikut". Në vijim, Tito kishte folur për domosdoshmërinë e forcimit të mbrojtjes së Vlorës, në veçanti të ishullit Sazan dhe gadishullit të Karaburunit, si dhe të rajonit të Sarandës, si i kufizuar drejtpërdrejtë me territorin e Greqisë (me ishullin e Korfuzit)". Në fund të diskutimit për këtë çështje, ai i kishte premtuar E. Hoxhës ndihmën e gjithanshme të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave për ushtrinë shqiptare në organizimin dhe ndërtimin e fortifikimeve të mbrojtjes si dhe dërgimin në një të ardhme të afërt për studimin e çështjes së ndërtimit të mbrojtjes bregdetare të disa specialistëve ushtarakë jugosllavë (jo zyrtarisht).

 

Biseda tito-hoxha

 

Nga sa ka biseduar e ka folur publikisht në atë kohë, Enver Hoxha u kthye i kënaqur nga vizita në Beograd. Aty u ra dakord edhe për nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë e të Ndihmës Reciproke midis të dy vendeve, i cili u bë në 9 korrik 1946 në Tiranë. Kluton, i ngarkuari me punë britanik në Beograd e vlerësoi vizitën e kryeministrit shqiptar si një "demonstrim politik". Traktatin e vlerësoi një dokument të fryrë ku tërhiqte vëmendjen neni 3 i tij, sipas të cilit në qoftë se njëra nga të dy palët sulmohej nga ndonjë fuqi tjetër me synimin kundër pavarësisë së saj, për pushtimin ose shkëputjen e një pjese të territorit të saj, pala tjetër do të jepte menjëherë ndihmën e saj ushtarake si dhe çdo ndihmë tjetër sipas mjeteve që dispononte. Tehu i këtij neni drejtohej kundër Greqisë dhe pretendimeve të saj territoriale për Shqipërinë e Jugut. Diplomatët britanikë e nënvizuan këtë nënkuptim të Traktatit, por nuk ishin në gjendje të mësonin ose të merrnin informacion mbi përmbajtjen e bisedimeve Tito-Hoxha. Në Moskë kishin hezituar për të mbështetur këtë Traktat. Çuvahinit në Tiranë dhe Lavrentjevit në Beograd u ishte kërkuar disa herë mendimi i qeverisë sovjetike, por vonesa justifikohej me përgjigjen se "kjo gjë është mjaft e komplikuar dhe se përgjigjja mund të vonohet". Pasi ka kërkuar e ka marrë sqarime të mëtejshme, Moska ka dhënë pëlqimin e saj për nënshkrimin e Traktatit. Vetë Stalini në bisedimet me Titon në Moskë, në 27 maj u interesua për këtë Traktat dhe kërkoi shpjegime nga udhëheqësi jugosllav.

Enver Hoxha menjëherë sa u kthye nga Beogradi mori të gjitha masat e përmendura për forcimin e mbrojtjes në jug të vendit e sidomos mbrojtjen bregdetare. Me këtë çështje u mor veçanërisht edhe koloneli sovjetik Kogan. Në muajin gusht komandanti i Divizionit I, Shefqet Peçi me konsulencën edhe të Koganit i kërkoi Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare shtimin e efektivave ushtarake dhe rritjen e volumit të zjarrit për mbrojtjen e bregdetit në zonën e Himarës. Mehmet Shehu i thirrur nga Akademia Ushtarake "Voroshillov" në Moskë dhe i sapo emëruar si kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, në fund të muajit gusht urdhëroi shtimin e forcave ushtarake dhe rritjen e kapaciteteve të vrojtimit e të mbrojtjes për të përballuar zbarkimet e mundshme me njësi të vogla në këtë zonë.

Atmosfera në verën e vitit 1946 në jug të Shqipërisë ishte shumë e tensionuar. Ajo u bë e tillë edhe më tepër kur në Konferencën e Paqes në Paris që kishte filluar që në 29 korrik kryeministri i Greqisë K. Caldaris bëri thirrje që Shqipëria duke qenë në "gjendje lufte" me vendin e tij të trajtohej si palë e mundur në Luftë. Ai kërkoi që Shqipëria e Jugut t'i jepej Greqisë.

Në Tiranë deklarata e Caldarisit u vlerësua shumë e rrezikshme. Ajo bëhej edhe më e rrezikshme kur dihej se pretendime të tilla ishin mbështetur edhe nga Britania e Madhe. Në këto rrethana Enver Hoxha vendosi që të shkojë vetë në Paris, në Konferencën e Paqes ku ndodhej një delegacion shqiptar me në krye Hysni Kapon. Rrugës për në kryeqytetin francez ai kaloi nga Jugosllavia. Jo vetëm se zakonisht në atë kohë delegacionet shqiptare që shkonin në Evropë e në SHBA kalonin nga Beogradi për shkak të fluturimeve ajrore. Për rëndësinë e misionit që kishte dhe për kërcënimet e hapura të adresuara nga Caldarisi kundër Shqipërisë, Enver Hoxha e gjykoi të arsyeshme që të bisedonte e të këshillohej me Titon. Për këtë qëllim shkoi edhe e gjeti Titon në Bled të Sllovenisë, rreth datës 18 ose 19 gusht, në një nga rezidencat e shumta që udhëheqësi komunist jugosllav kishte qejf të pushonte.

Enver Hoxha e ka rrëfyer këtë takim me Titon kalimthi. Ai thotë se biseduan për problemet që do të diskutoheshin në Konferencë. Nuk ka asnjë dyshim që ai ka biseduar edhe shqetësimet e tjera të ditës, për kërcënimet greke. Dhe në këtë kuadër aty duhet të jenë rikapitulluar edhe çështjet që u diskutuan dy muaj më parë në Beograd dhe veçanërisht shpejtimi i marrjes së masave mbrojtëse në bregdetin shqiptar nga Vlora në Sarandë.

Pas takimit Tito-Hoxha në Bled është zhvilluar gjithë ajo ngjarje e mistershme që nuk u zbulua e nuk u vërtetua kurrë deri më sot, por që është hamendësuar se si ka ndodhur. Dyshimi dhe supozimi nuk është provë. Kërkimet arkivore intensive e jo të lehta sollën përfundimisht dokumente e prova të pakundërshtueshme për të ndërtuar sa më afër realitetit skenarin e vendosjes së minave në Kanalit e Korfuzit.

Dhjetë ditë pas takimit në Bled, në 29 gusht, shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Jugosllave, gjeneral-leitnant Koça Popoviç i dërgoi një shkresë Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare në të cilën në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por të nënkuptuar shprehte gatishmërinë e palës jugosllave për të kryer minimin e ujërave territoriale të Shqipërisë në emër të çminimit të tyre. Kjo mënyrë komunikimi u bë për të ruajtur sekretin e operacionit. Popoviçi shkruante se: "Për arsye të vendosjes së lidhjeve të rregullta me anën e vaporëve dhe për arsye të përmirësimit dhe të sigurimit të lëvizjes detare midis Jugosllavisë e Shqipërisë e quajmë se do të jetë e vlefshme që gjatë bregdetit shqiptar të pastrohet prej minave rruga e lundrimit me një gjerësi të mjaftueshme, si dhe lidhjet e rrugës së lundrimit në limanet. Marina luftarake e Jugosllavis do të ketë mundësi që në mbarim të shtatorit ose në fillim të tetorit të këtij viti do t'u vërë në dispozicion për kryemjen e kësaj pune një grup kërkusësh (kërkusa të minave). Në qoftë se ju e quani që kyj pastrim të bëhet prej kërkusave të Marinës luftarake të Jugosllavis, ne me lejen tuaj do të dërgojmë forcat dhe mjetet e nevojshme për të kryer këtë detyrë (punë). Veprimi do të kryhet si mbas planeve tuaja në bashkëpunim me personelin tuaj (të ngarkuarët tuaj)".

Në 6 shtator, Shtatmadhoria shqiptare ktheu përgjigje se ishte dakord me propozimin që bëhej, veç kërkonte që të lajmërohej disa ditë para se njësitë e Marinës Luftarake Jugosllave të niseshin për në portet shqiptare me qëllimin që të merreshin masat e rastit. Menjëherë pas kësaj përgjigjeje, Shtatmadhoria jugosllave i dërgoi dy radiograme misionit jugosllav në Tiranë, me Nr.48 e 71 të cilat janë firmosur në fund nga Shulja, që siç dihet ishte emri me të cilin njihej në këtë kohë Kristo Themelko, anëtar i Byrosë Politike dhe drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë. Ka të ngjarë që ai të ketë përkthyer të dy radiogramet për shkak të njohjes së gjuhës serbo-kroate e të origjinës së tij.

 

Radiogramet

 

Radiogramet ishin për Mehmet Shehun. Në të parin thuhej se: "në një nga bazat tona detare gjindet nji vapor gati me personelin e nevojshëm për të minuar fushat në bregdetin Shqiptar. Për këtë punë kemi në dispozicion 100 copë mina. Mejtimi i jonë asht që këto mina të vendosen para Sarandës, para Himarës, dhe Borshit e eventualisht në Palermo. Asht i nevojshëm konspiracjon i math, dhe sidomos për personelin tonë".

Në radiogramin e dytë kërkohej: "të na japi mejtimin Xh. Mehmet Shehu mbi këtë: e para: Vëndin në bregdetin Shqiptar ku do ta presi oficjeri i deleguar nga Statmadhorija Shqiptare vaporin tonë. Ne mejtojm që të jetë sa të jetë e mundur ma në Veri, e dyta: Në çfar mënyre do të regullohet lundrimi i këtij vapori gjat bregdetit Shqiptar. Asht e nevojshme që oficjeri i deleguar që do të presi vaporin në ndonji sqelë të ketë me vehte dhe planin e vendosjes së minave i aprovuem prej Shtatmadhoris Shqiptare dhe aji të udhëtojë me vaporin tonë dhe të asistojë në vendosjen e këtyre minave. Jo me vonesë do ju njoftojmë datën se kur oficjeri Shqiptar i deleguar do të presi vaporin tonë. Urgjentisht na njoftoni mbi sa u kërkojmë".

Për të mbuluar operacionin e vendosjes së minave dhe lëvizjen e anijeve ushtarake jugosllave në bregdetin jugor të Shqipërisë u nënshkrua në 10 shtator në Tiranë marrëveshja midis qeverive të të dy vendeve për vendosjen e shërbimit detar për transportin e mallrave e të pasagjerëve nga porti i Susakut në Dalmaci në portin e Sarandës në Shqipëri. Pala jugosllave deri në korrik e kishte refuzuar një marrëveshje të tillë për shkak të mungesës së mjeteve e të leverdisë ekonomike. Marrëveshja vendosi shërbimin e rregullt javor midis porteve jugosllave të Zadarit, Shibenikut, Splitit, Dubrovnikut e Zelenikës me portet shqiptare të Shëngjinit, Durrësit, Vlorës e Sarandës. Anijet dhe ekuipazhi do të ishin jugosllave dhe ato do të gëzonin të gjitha lehtësirat portuale dhe do të ishin të çliruara nga taksat. Kjo marrëveshje nuk kaloi pa u vënë re nga misionet diplomatike në Tiranë e në Beograd në atë kohë. Ajo u përmend më vonë edhe në Gjyqin e Hagës duke aluduar, por jo duke provuar se për çfarë ishte përdorur.

Mbi bazën e marrëveshjes midis dy Shtatmadhorive pasi ishin bërë të gjitha përgatitjet e duhura, në 17 shtator, në orën 8 të mbrëmjes tre anije ushtarake jugosllave u ankoruan në portin e Ishullit të Sazanit në sekret të plotë. Aq konspirative ishte ardhja e tyre sa që edhe komandanti i Ishullit, majori Mevlan Dervishaj nuk kishte asnjë dijeni. Ai informoi që atë natë Komandën e Përgjithshme e Shtatmadhorinë me radiogram duke u ankuar që nuk ishte njoftuar për ardhjen e anijeve jugosllave, por edhe duke pyetur se si do të veprohej në raste të tjera. Me radiogram po kaq urgjent, vetë Mehmet Shehu urdhëron komandantin e Sazanit që "tre vaporat Jugosllav lejohen të strehohen në Sazan. Herë tjetër do lajmëroheni me kohë".

Minimi i ujërave territoriale shqiptare në bregdetin jugor e në Kanalin e Korfuzit është bërë natën e 18 shtatorit duke u gdhirë 19. Vetë misioni që kishin marrë përsipër për të realizuar anijet jugosllave ishte i fshehtë dhe ato as nuk mund ta kryenin operacionin ditën dhe as mund ta vononin. Siç edhe ishte vendosur në procesin e minimit do të merrte pjesë edhe një oficer shqiptar i caktuar nga Shtatmadhoria shqiptare. Komanda e Marinës nuk kishte ekspertë për minimin e çminimin e ujërave dhe as mjete të posaçme për kryerjen e procesit. Por në atë kohë dihej se oficeri i marinës Abdi Mati kishte marrë pjesë si përfaqësues i palës shqiptare në çminimin e rrugëve ujore Durrës-Vlorë-Sarandë nga minat gjermane të kryer nga anijet britanike në shkurt-mars 1945. Sekretin e minimit të ujërave territoriale në vjeshtën e vitit 1946 e dinin një rreth shumë i kufizuar njerëzish si Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Nako Spiru, Mehmet Shehu, Kristo Themelko, Hysni Kapo, Bedri Spahiu e ndonjë tjetër nga udhëheqja e kohës. E kanë ditur ndoshta edhe persona si oficeri që ka marrë pjesë në operacion apo ndonjë njeri i shërbimeve sekrete. Para incidentit të ardhshëm e pas tij askush nuk e nxori sekretin se kur dhe si u krye vendosja e minave. Sot pas 64 vjetëve kjo po bëhet e njohur me dokumente. Shtatori i vitit 1946 ka qenë muaji fatal kur britanikët e shqiptarët u përgatitën të sfidonin njëri-tjetrin në ujërat e kaltra të Detit Jon në Ngushticën e Korfuzit.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora