E premte, 04.10.2024, 04:57 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Historik vizash, nga viti 1920 deri te Ahmet Zogu dhe Enveri

E marte, 09.11.2010, 07:52 PM


Pasaporte shqiptare e vitit 1935

 

 

Nga Arben Rrozhani

 

Vizat, si kanë lëvizur shqiptarët nga Ismail Qemali, tek Ahmet Zogu e Enver Hoxha.Flasin historianët Arben Puto, Pëllumb Xhufi, Muhin Cami

 

Pasaportat e para shqiptare u dhanë në 1920-ën. Që nga shpallja e pavarësisë në 1912-ën nga Ismail Qemali e deri në kohën e mbretit Zog dhe më pas Enver Hoxhës, rregullat kanë qenë të ndryshme. Ata që kanë jetuar në fillimet e shekullit të kaluar rrëfejnë se për të udhëtuar jashtë vendit nuk duheshin shumë procedura burokratike, ashtu siç ndodh sot. Këtë lehtësi, sipas rrëfimtarëve, tashmë të vjetër në moshë, e krijonte edhe pasaporta e kohës, e cila njihej në të gjitha shtetet e Europës.

Ndërsa sot kohët kanë ndryshuar kryekëput, pasaporta është rritur në elementët e saj të sigurisë, por është shumë e vështirë për të udhëtuar me të jashtë vendit. Vendimi i djeshëm për vizat i rijep pasaportës biometrike, të shpërndarë kohët e fundit, të drejtën e qarkullimit pa viza, por me kontrolle kufitare të përpikta.

 

Po çfarë thonë historianët? Si kanë udhëtuar shqiptarët nga Ismail Qemali deri më sot? "Në Itali shkonim pa viza". Historiani Arben Puto i ka jetuar ato kohë kur shtetasit shqiptarë lëviznin lirisht në fqinjin matanë Adriatikut. Ishte koha kur Shqipëria ishte aneksuar nga Mbretëria e Savojës, pas pushtimit të 7 prillit 1939. Nuk kishte nevojë për eksodet biblike që ndodhën gjashtë dekada më vonë, apo udhëtimet e vdekjes me skafet e trafikantëve të qenieve njerëzore.

Kush kishte punë, apo arsye tjetër për të udhëtuar për në Itali mjaft që të merrte vaporët e udhëtarëve dhe arrije në brigjet italiane. "Shqiptarët shkonin në Itali me viza që lëshoheshin nga organet konsullore italiane në Shqipëri", - shton historiani Pëllumb Xhufi - dhe më pas ato u hoqën dhe ata nuk kishin nevojë për to, sepse Shqipëria ishte bërë dhunshëm pjesë e Italisë".

 

Për të shkuar në vende të tjera duhet të kishe vizë. Historiani Puto thotë se aplikimi për vizë bëhej pranë zyrave konsullore të shteteve të huaja në Tiranë apo qytete të tjera të Shqipërisë. Sa e vështirë ishte të merrje një vizë atëherë? "Nuk besoj se ka qenë vështirë, por duheshin ndjekur procedurat që parashihte marrja e vizës", - sqaron z. Puto. Të njëjtën gjë mbron edhe historiani Pëllumb Xhufi, duke shtuar se pajisja me vizë deri në kohën e Luftës së dytë Botërore ishte një proces normal.

Pas izolimit të Shqipërisë dhe mbylljes së shtetasve të saj brenda kufijve të vendit, viza për jashtë vendit ishin një e drejtë e atyre pak njerëzve që ishin të ngarkuar me punë shtetërore. Historiani Arben Puto kujton pajisjen me vizë britanike në kohën e Shqipërisë së izoluar, kur ajo nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Londrën si me shumë shtete të tjera. "Mbaj mend në vitin 1972 isha në Paris dhe atje aplikova te konsullata britanike për një vizë, që të hyja në Mbretërinë e Bashkuar".

 

Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi shton se procedurat për pajisjen me vizë të shtetasve që do të dilnin jashtë vendit, në kohën e komunizmit kryheshin nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë: "Ishte ai dikasteri që përgatiste dokumentacionin dhe dërgonte kërkesat për vizë tek autoritetet konsullore të shtetit të huaj", - sqaron Xhufi. Ai shton se për të shkuar në shumicën e vendeve të botës, duhej më parë që të pajiseshe me vizë hyrëse.

Muhin Cami, historian, e përmbledh në një fjali të shkuarën e lëvizjes së lirë të shqiptarëve: "Lëvizja e shqiptarëve nëpër botë dikur nuk ka qenë fare problem".

 

PASAPORTA E 1920-ËS

Pasaporta e parë shqiptare në 1920-ën ishte shumë e thjeshtë. I vetmi element sigurie, nëse mund të quhet i tillë, ishte një shënim i vendosur në faqen e fundit, i cili ndalonte falsifikimin e saj. Në kokën e pasaportës ishte vendosur në një rreth me fushë të kuqe, shqiponja me dy krerë e huazuar nga stema e Kastriotëve. Në faqen e tretë të saj në vend të emërtimit Republika e Shqipërisë kishte të vendosur nocionin "N'emën të shtetit shqyptar". Në faqen e katërt në dialektin gegërisht vihen re gjeneralitetet, si "emri i t'et, i s'amës, data e lindjes, vendi i lindjes, banimi". Pak më tej përcaktohej feja, profesija, klasi ushtarak, si dhe drejtvotimi. Në mungesë të fotografisë, e cila për kohën ishte ende një luks, në këtë pasaportë, ky element plotësohet me të dhënat fiziologjike të personit. Në faqen ku shkruhej "Shënime" jepeshin shenjat, të cilat dallonin këtë shtetas, siç ishin mosha, balli, sytë, goja, hunda, flokët, mjekra, mustaqet, si edhe ngjyra e fytyrës. Në këtë pasaportë vendoseshin edhe shenjat e veçanta që dallonin një person, që nga çikatriçet e ndryshme e deri te nishanet.

 

PASAPORTA E PARA VITEVE '90

Letërnjoftimi ishte dokumenti, me të cilin shtetasit shqiptarë identifikoheshin gjatë sistemit komunist. Ndryshe nga pasaporta e Republikës, dhe më pas Mbretërisë së Zogut, në këtë letërnjoftim, i cili përdoret edhe sot nga një pjesë e madhe e popullatës, vihen re heqja e disa elementeve dhe shtimi i disa të tjerave. Kështu, në këtë letërnjoftim hiqet përkatësia fetare, hiqet klasi ushtarak, si edhe profesioni i personit që dispononte mjetin e identifikimit. Elementi që shtohet në letërnjoftimin e kësaj kohe është fotoja dhe gjendja civile e shtetasit, ku përkrah emrit të tij vihej, në rast të celebrimit, edhe emri i bashkëshortit ose i bashkëshortes. Kjo pasaportë do të vazhdonte të ishte në qarkullim deri në vitin 1995, ku u vendos të kalohej në pasaportën e re e ku do të viheshin elementet e reja të sigurisë.

 

PASAPORTA E PAS VITEVE '90

Në pasaportën e sotme janë shmangur shumë gjeneralitete, por janë shtuar shumë elemente të sigurisë. Kështu, ndryshe nga fotoja bardhë e zi e letërnjoftimit të paraviteve '90, pasaporta e sotme disponon foto me elemente të larta sigurie, çka e bën të vështirë ndryshimin e saj. Gjithashtu, në këtë pasaportë janë të vendosur edhe fotoelemente që nuk mund të dallohen me sy të lirë.

Me ndryshimin e periudhave historike ka ndryshuar edhe kopertina e pasaportave. Kështu, në periudhën e mbretit Zog vihet re simboli i shqiponjës, element që do të mungonte në letërnjoftimin e viteve '50. Më pas, ky element do të rivendosej në pasaportat e pasviteve '90, për të vazhduar deri në ditët e sotme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora