Shtesë » Historia
Masakrën e shqiptarëve në Dubravë e urdhëroi Serbia
E premte, 15.10.2010, 07:55 PM
Masakra mbi të burgosurit shqiptarë në burgun e Dubravës gjatë bombardimeve të NAT0-s ,në vitin 1999, është kryer me urdhër të Qeverisë së Serbisë.
Kështu pohon edhe Prokuroria serbe për krime lufte, e cila ka siguruar dokumentin që e ngarkon ministrin e atëhershëm serb të drejtësisë, Dragolub Jankovic, dhe zëvendëskryeministrin e RF të Jugosllavisë, Nikolla Shainovic, për krimet e luftës në burgun e Dubravës afër Istogut.
Sipas kësaj urdhërese, të burgosurit serbë për krimet më të rënda janë transferuar në burgun e Dubravës, për t'i qëruar hesapet me të burgosurit shqiptarë.
Siç shkruan e përditshmja "Danas" e Beogradit, gjatë hetimeve është zbuluar se mbi të burgosurit shqiptarë fillimisht është hapur zjarr me revole dhe pushkë, e pastaj kur të dyshuarit e kuptuan se për këtë krim nuk mund ta "akuzojnë NAT0-n, atëherë kanë vendosur që kundër të burgosurve nëpër dhoma të hapet zjarr nga mortajat 'zola'".
Pas krimit, rreth 90 për qind e të burgosurve serbë marrin pushim nga 15 deri më 20 ditë, dhe pastaj kurrë nuk janë kthyer për të vuajtur dënimet me burg. Gazeta citon zëvendësministrin e atëhershëm të drejtësisë, Zoran Stefanovic, i cili ka thënë se të gjitha urdhrat kanë arritur nga Jankovic.
Gjatë hetimeve është konfirmuar se njerëzit në terren, të cilët u kanë raportuar autoriteteve të atëhershëm të regjimit në Beograd për krimin në burgun e Dubarvës, qëllimisht kanë rritur numrin e të vrarëve, sepse kanë pasur urdhër që numri i viktimave të jetë rreth 500.
Fondi për të Drejtën Humanitare, me seli në Beograd, në maj të këtij viti ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë për krime lufte kundër 34 përgjegjësve për vrasjen e mbi 90 personave dhe plagosjen e më se 150 të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës. /Koha/Telegrafi/