E merkure, 16.10.2024, 04:59 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Masakra e tmerrshme e Tivarit

E merkure, 06.10.2010, 09:11 PM


MASAKRA E TMERRSHME E TIVARIT

 

Dhe femijet ne barkun e nenes u drodhen,

Kur bajoneta ju ngulej ne gjoks,

Kur tradhetija e eger komuniste,

Bashk me UDBne vriste dhe priste.

 

              1_ Radiogrami i diktatorit per masakren e Tivarit.

              2_ Si u dorezuan Kosovaret tek UDBja

              3_Alibija e Shefjet Pecit per te shfaqesuar Ramiz Aline.

 

                     Më kërkonin t'u hiqja bajonetën nga gjoksi

 

Rrëfimi i Azem Hajdinit-Xani, i mbijetuari i Masakrës së Tivarit. Një rrëfim tronditës do të kujtonte Azem Hajdini shumë vite pas Masakrës së Tivarit, nga ku ai falë fatit i mbijetoi. Ja se si i kujton i ndjeri Hajdini ato çaste dramatike e tmerri të natës së 31 marsit në Tivar, të cilat shënuan masakrën më të tmerrshme të bërë ndaj shqiptarëve në historinë e kombit tonë.

Dëshmia e Plotë

Pas një të shtëne me top të kalibrit të madh, të forcave ushtarake, njësive paramilitare, institucioneve ushtarake, shtetërore, civile dhe qytetarëve serbo-malazez të Tivarit, dhe të lokaliteteve përreth u shërbeu si sinjal për ta filluar sulmin masiv mbi rekrutët shqiptarë, shpërtheu një zjarr i menjëhershëm nga të gjitha anët dhe nga të gjitha llojet e armëve. Unë, isha bashkë me qindra rekrutë të tjerë shqiptarë, një grumbull i dendur në një kënd, brenda në oborr të ndërtesës famkeqe të monopolit të duhanit (aty ku ndodhi masakra masive). Në fillim mendoja se u bë tërmet me përmasa katastrofale apo se, erdhi vetë kiameti. Nga bubullima e armëve të zjarrta, toka na dridhej nën këmbë. Pluhuri, flaka, tymi që ishte krijuar nga të shtënat e armëve e kishin mjegulluar vendin dhe mezi mund ta shihnin njeri-tjetrin.

Më dukej se bjeshkët dhe kodrat përreth u bënë rafsh dhe ranë mbi ne.....

Breshëria e armëve të zjarrta ishte aq tronditëse sa që shumë prej nesh, edhe pa u goditur fare nga plumbat ranë në depresion psikik dhe silleshin si të çmendur.

Në këtë situatë dramatike e tmerri, nuk di as vetë se si jam rrëzuar përtokë, por më vonë kuptova që për një kohë kisha qenë pa vetëdije. Kur më është kthyer vetëdija, vërejta se trupin e kisha të mbuluar me kufoma dhe me trupa të plagosur, rrobat më ishin qullur me gjak.

Për një çast, mendova se isha plagosur. Fillova ta prekja trupin, por, për fat të mirë, plumbat më kishin kaluar vetëm nëpër rroba. Papritmas pranë meje shpërthyen disa granata, të cilat goditën kufomat dhe të plagosurit, ku kufomat, gjymtyrët e këputura dhe copat e mishit fluturonin disa metra në lartësi dhe mbi çati të shtëpive. E di se, prapë për një kohë kisha qenë pa vetëdije...

Kur m'u kthye vetëdija, dëgjova britma, vaje, ofshama, klithje të të plagosurve që kërkonin ndihmë. Këto i dëgjoja nga të gjitha anët.

Nuk guxoja të jepja shenjë që isha gjallë.

Derisa qëndroja nën kufoma dhe nën trupa të plagosurish, vëreja se si ushtarakët dhe civilët serbo-malazez, hulumtonin kufomat për të vërtetuar mos kishte shpëtuar ndonjë i gjallë, të cilët në duar mbanin thika e bajoneta të futura në pushkë, sëpata dhe mjete të tjera të mprehta me të cilat thernin të plagosurit, apo i bënin shoshë me armë kudo që i gjenin.

Madje edhe i plaçkisnin dhe u merrnin çka gjenin në trupin e xhepat e tyre.

E pata të vështirë përjetimin, kur pranë meje zbuluan Asllan Mustafën nga Tërnavci, Bislim Pajazitin nga Krasmirovci e disa të tjerë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen, dhe iu drejtuan me fjalë ofenduese: "Shiptarsku t'i majku, josh si zhiv" dhe ua futën bajonetat në kraharor dhe gjymtyrët e tjera të trupit.

Për të kënaqur sadizmin e vet shtazarak, në shenjë kënaqësie, ngrinin thikën apo bajonetën lartë nga maja e së cilës rridhte gjak deri në tokë. I tronditur nga këto skena patologjike, humba vetëdijen për një kohë. Pastaj, më erdhi vetëdija dhe vërejta se nuk më kishin zbuluar dhe se ende isha gjallë. I shtyrë nga përvoja e mëparshme, edhe pas proklamatës së shtabit për amnisti nuk lëvizja nga vendi duke mos dhënë asnjë shenjë që isha gjallë, vetëm prisja se çfarë do të sillte çdo minutë apo sekondë e ardhshme.

Më në fund, kur e humba shpresën dhe mendoja se do të më zbulonin, do më masakronin dhe do më ngarkonin në mjetet transportuese, së bashku me të vdekurit e tjerë, veten e mendoja të vdekur, mendoja: A do të shpëtojë ndonjëri i gjallë për t'u treguar shqiptarëve në Kosovë për kobin e zi që përjetuan djemtë e tyre në Tivar?

Këtë heshtje mortore timen, e theu momenti kur i sollën ata pak rekrutë shqiptarë, të cilët kishin shpëtuar të gjallë në katet e epërme të Monopolit të Duhanit dhe i vendosën mbi qindra trupa të vdekur dhe të plagosur në oborr të kësaj ndërtese, mu në këndin ku unë me dhjetëra të tjera isha fshehur nën kufoma dhe të plagosur.

Derisa xhelatët mbanin fjalim për Titon, për UNÇJ-në dhe për Bashkim-Vëllazërimin, me ndihmën e Riza Hajdinit dhe Selim Sinanit nga Baksi, që qëndronin në këmbë mbi trupin tim dhe të shumë të tjerëve, pa treguar askush, ia arrita të dalë disi nga kufomat, ata të dy më ngritën në këmbë dhe iu bashkëngjita atyre rekrutëve shqiptarë që për momentin ishin të vendosur mbi qindra trupa të rekrutëve shqiptarë të vdekur e të gjallë, në oborrin e ndërtesës së mallkuar të Monopolit të Duhanit.

Shpëtimi i tyre, ishte dhe shpëtimi im. Ndërsa shpëtimi i atyre pak rekrutëve shqiptarë që shpëtuan të gjallë nga kjo masakër, ishte një xhip me vëzhgues amerikanë i vërejtur nga xhelatët, aty pranë vendit të ngjarjes.

Pasi më nxorrën nga kufomat dhe iu bashkova të gjallëve, vërejta një skenë të llahtarshme përreth nesh, por edhe në këmbët tona, ku shtriheshin me mijëra të vrarë e të plagosur. Pamje trishtuese ofronin sidomos sendet e mreshta, si bajonetat, thikat, sëpatat, shkopinjtë që kishin mbetur të ngulitura në gjokse, stomakë, në shpina e nëpër gjymtyrë të tjera të trupit të njerëzve. Në atë grumbull njerëzish të kryqëzuar, si kubik drurësh, një mbi një, nuk mund të dallohej se kush ishte kush, ku e kishte kokën, e ku këmbët apo trupin. Kishte shumë të plagosur që klithnin, vuanin, vajtonin fatin, kërkonin ndihmë, qanin....

Është vështirë të përshkruhet gjithë ajo skenë e tmerrshme, kur të plagosurit që u shkonte gjaku rrëke kërkonin ndihmë, dhe ne, nuk ishin në gjendje t'i ndihmonim. Për ne që mbetëm gjallë ishte shumë i vështirë detyrimi të qëndronim në këmbë mbi kufoma dhe të plagosur të vëllezërve tanë. Edhe ne qanim së bashku me të plagosurit, të cilët shpesh klithnin: "Ndihmomë vëlla e mos shkel mbi varrin tim". "Vëlla ma jep një pikë ujë", "Ma hiq sëpatën, thikën, sfurkun, nga shpina, gjoksi, barku". "Më nxir prej kufomave" etj. Nuk ishin të rralla as lutjet: "Vëllezër, mos na lini në duar të këtyre xhelatëve", "Na mbytni ju", "Na mbuloni me diçka", "Na ndalni gjakun" etj. Në një situatë të tillë ku kudo rreth nesh, por edhe nën këmbët tona dëgjoheshin vaje, ofshama dhe klithje të të plagosurve, që kërkonin ndihmë, xhelatët neve na detyronin të bërtisnim: "Roftë Shoku Tito", "Rroftë UNÇ-ja", duke thënë se duhet t'i jemi mirënjohës, sepse neve që kemi mbetur gjallë, ai na e fali jetën.

Për të shprehur mllefin e vet shtazarak, fjalimi i tyre zgjati plot 80 minuta, derisa u pastrua nga viktimat sheshi para oborrit dhe gjaku shkonte rrëke si ujë pas shtrëngatës dhe derisa ra terri i natës që mos të na vërente në rrugë ndonjë vëzhgues anglo-amerikan.

 

_______________________________________________________________________________________

 

Dokumentet e formosura nga Enver Hoxha; "Të arratisurit dërgojani divizionit serb"

 

Radiograma e diktatorit Hoxha për Masakrën e Tivarit

Gjenocidi i ekzekutimit të mbi 5000 mijë kosovarëve në periudhën shtator 1944 e deri qershor 1945 nga Ushtria Nacional Çlirimtare jugosllave e ndihmuar nga divizionet shqiptare vazhdoi edhe pas masakrës famëkeqe të 31 marsit në Tivar. Pasi të mobilizuarit kosovarë kishin pikasur qëllimin e vërtetë të mbledhjes së tyre, i cili nuk ishte aspak ndjekja e fashistëve për të çliruar Kosovën, por eliminimi fizik i tyre, ata filluan që të dezertonin nga radhët e ushtrisë së Kosmetit. Një mbështetje për të mobilizuarit e traumatizuar në këtë periudhë nga dhuna sistematike e kryer nga UDB-ja, ishin divizionet V dhe VI shqiptare, të cilat kryenin misionin e caktuar nga diktatori Hoxha. Por si duket, skema e rekrutimit të kosovarëve nga divizionet shqiptare dhe dorëzimi më pas i tyre në radhët e ushtrisë jugosllave filloi të zbulohej nga kosovarët, të cilët po dezertonin edhe nga divizionet shqiptare. Ky shqetësim vë në lëvizje krerët drejtues të divizionit V, pjesë e të cilit ishte edhe Ramiz Alia, ku i kërkojnë një mendim urgjent komandës së përgjithshme për të vepruar sa më shpejt. Kjo vërtetohet nga letërkëmbimi që Komisari Politik i divizionit V, Gafur Cuci, bërë në datën 28 maj 1945. "Ata që gjer dje kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit dhe sot janë dorëzuar në reshtat tona, fillojnë të dezertojnë se është hapur parrulla që ne do të shkojmë në kufirin grek. Dezertimet po ngjasin nga këta të fundit dhe prej atyre që për të mos u hedhur në ushtrinë jugosllave nga frika ardhën me ne, ndërsa pjesa tjetër qëndron mirë. Në rast lëvizjeje për në një tjetër sektor të gjithë ata që kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit mund të na dezertojnë. Mejtoni dhe na lajmëroni", shkruan Cuci për komandën e përgjithshme të UNÇSH. Në Arkivin Qendror të është gjetur edhe një dokument tjetër, i cili implikon divizionet shqiptare në dorëzimin e kosovarëve në ushtrinë jugosllave. Në këtë dokument dërguar nga Divizioni V për komandën e përgjithshme, ku udhëheqës ishte Enver Hoxha, i kërkohej këtij të fundit si të vepronin me kosovarët e kapur, pasi Shtabi Operativ i Kosmetit i urdhëronte që t'i dorëzonin të mobilizuarit në Divizionin 52 serb. "Shtabi Operativ i Kosmetit prapë na i kërkon të gjithë të dorëzuarit ose të kapurit, që sot janë në divizionin tonë, t'ia dorëzojmë Divizionit 52. Me këta të Shtabit Operativ të Kosmetit mezi merremi vesh se bëjnë gjithsecili pas kokës, çdo përgjegjës zyre. Për shembull, oficeri i artilerisë na dërgoi një urdhër", thuhet në letrën e datës 30 maj 1945. Po në këtë datë, diktatori Enver Hoxha, udhëheqësi i komandës së përgjithshme, i kthen një përgjigje, me anë të së cilës i kërkon krerëve të Divizionit V ta informojnë rreth numrit të kosovarëve që ky divizion ka mobilizuar në terren. "Na lajmëroni sa bëhet numri i të arratisurve që janë dorëzuar në divizionin tuaj dhe sa bëhet numri i kosovarëve që keni mobilizuar në terren", shkruan Enver Hoxha. Divizioni V informon Enver Hoxhën nëpërmjet një letërkëmbimi një ditë më vonë, në 1 qershor 1945, ku i jep numrin e të arratisurve dhe të të mobilizuarve kosovarë. "Numri i të arratisurve që janë dorëzuar në repartet tona arrin deri në 155 veta, me përjashtim të disa kriminelëve që ja kemi dorëzuar M.P sipas kërkesës së tyre. Numri i kosovarëve që janë mobilizuar është 1398", shkruan sekretari politik i divizionit të V, Gafur Cuci. Ajo e cila do ta faktojë më së miri bashkëpunimin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare shqiptare dhe asaj jugosllave në dorëzimin e kosovarëve nën komandën e jugosllavëve dhe më pas eliminimin fizik të tyre, është radiograma e dërguar nga Enver Hoxha. Në përgjigje të urdhrit jugosllav për t'iu dorëzuar atyre kosovarët e divizionit të V, diktatori Hoxha jep miratimin e kësaj lëvizjeje. "Të arratisurit e dorëzuar në divizionin tuaj dërgojani Divizionit 52", urdhëron Hoxha. Regjimi komunist dhe drejtuesit e tij në Shqipëri heshtën dhe nuk pranuan asnjëherë që kishin bashkëpunim apo dijeni në këtë masakër. Por letërkëmbimet e zbardhura në gazetën tonë hedhin poshtë mosdijeninë, ndërsa faktojnë diçka më shumë që jo vetëm kanë qenë në dijeni, por edhe që kanë patur gisht në gatimin e masakrës më famëkeqe të kombit shqiptar.

Dëshmitë e Shefqet Peçit dhe Arif Haskos për masakrën

Xoxe: E mo, Shefqet, ç'bëhesh merak për ca të vrarë të Kosovës... Mirë t'iu bëhet!

Lidhjen mes komunistëve serbë dhe atyre shqiptarë për Masakrën e Tivarit e vërtetojnë edhe dëshmitë e dy prej njerëzve që kanë qenë pjesë e divizioneve shqiptare V dhe VI me mision në Kosovë. Në librin "Dëshmi dhe udhëkryqe të historisë", ku është edhe Masakra e Tivarit, shkrimtari dhe publicisti Apostol Duka jep dëshmitë e Shefqet Peçit dhe Arif Haskos, të cilët shprehen për këtë ngjarje. I pari që ka hedhur dritë mbi këtë masakër ka qenë Shefqet Peçi, i cili pasi informon Koçi Xoxen për situatën dhe veprimet midis divizioneve shqiptare dhe serbe, vetë Xoxe i kthehet duke i thënë të mos merakoset për ca të vrarë të Kosovës. "I bëra njëmbëdhjetë faqe informacion Komitetit Qendror, që në Tiranë t'a mësonin si qe puna dhe të ankoheshin te Titua. Kur u ktheva në Tiranë, u poqa me Koçi Xoxen dhe e pyeta se ç'ishte bërë me atë informacionin tim dhe ai më tha qetësisht: 'E mo, Shefqet, ç'bëhesh merak për ca të vrarë të Kosovës...' Por ata nuk ishin ca, po mijëra të rinj, o shoku Koçi, iu ktheva me zemërim. Mijëra, mijëra, por të gjithë ishin bashkëpunëtorë të Rexhep Mitrovicës dhe Xhemë Gostivarit, që i kishin lyer duart me gjak partizanësh jugosllavë dhe e patën me hak gjysmën e lekut, e mbylli bisedën Koçi", shprehet Peçi. Ndërsa Arif Hasko, në atë kohë komisar i Divizionit të Dytë Sulmues të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, pohon me shumë përgjegjësi se, "Në ditët e fundit të marsit të vitit 1945, ndodhesha rastësisht në Shkodër, ku më ndodhi edhe një incident me partizanët e Brigadës së 22-të Sulmuese, të cilët nuk më njihnin dhe më arrestuan, nga që më panë të veshur bukur dhe menduan se mund të isha ndonjë ballist ose kolaboracionist i maskuar. Në ato çaste mërzie, më lajmëruan nga Tirana me fonogram se aty do të vinin ca kosovarë (vullnetarë), të cilëve ishte mirë t'iu flisja për luftën kundër fashizmit, për vëllazërimin midis shqiptarëve dhe popujve të Jugosllavisë etj", shprehet Hasko në librin e Apostol Dukës. Gjithashtu, komisari i Divizionit të Dytë Sulmues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare tregon edhe për keqtrajtimet dhe torturat që kryheshin për kosovarët nga ushtritë jugosllave. "Interesohem dhe mësoj se një kolonë të madhe kosovarësh e kishin rrasur në Tebojë, në ca kazerma të braktisura. Ishte paraditja e 31 marsit. Shkoj dhe i gjej të rrahur, të masakruar, disa edhe të lidhur nga duart. Sa hyra mes tyre, ata ulën kokat, asnjëri nuk deshi të më shihte në sy. Rrethoheshin nga shoqërues malazez, të armatosur mirë, anash ishin ngritur mitralozët. I pyes shoqëruesit se ku po i çonin dhe më thonë se janë rekrutë që do të plotësojnë formacionet e Armatës së Katërt Jugosllave. Pyes se përse nuk kanë armë, përderisa janë rekrutë dhe më thonë se do t'i marrin kur të shkojnë në vend, kërkoj shpjegime se përse shumë prej tyre janë të keqtrajtuar dhe më thonë se ata kanë dashur të arratisen. Në këto kushte, nuk kam ç'të flas, thashë dhe u largova i revoltuar", shprehet Hasko. Për të forcuar dëshminë e dhënë nga Shefqet Peçi, ne po iu publikojmë edhe rrëfimin që ka dhënë Hasko përsa i përket dijenisë së udhëheqjes së UNÇSH për këtë masakër. Sipas tij, jo vetëm që ata ishin në dijeni, por edhe se për krerët e UNÇSH kjo masakër nuk përbënte asgjë. "Pasdite, ata i nisën me ngut për në Malin e Zi, ndërsa të nesërmen a të pasnesërmen, u përhap me shpejtësi lajmi se i kishin vrarë e masakruar të gjithë në qytetin e Tivarit. Kur u ktheva në Tiranë, ia tregova ndodhinë Koçi Xoxes dhe ai nuk shfaqi asnjë shenjë shqetësimi. "Mirë t'iu bëhet! - më tha. - Janë të gjithë pasues të Xhemë Gostivarit e Rexhep Mitrovicës… E di mirë këtë problem, më ka shkruar edhe Shefqet Peçi…", thekson Hasko për shkrimtarin Duka. Ish-Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia, ka hedhur poshtë akuzat e Kryeministrit Sali Berisha për implikimin e tij dhe komunistëve në Masakrën e Tivarit, të ndodhur në mars të vitit 1945, kur UDB-ja jugosllave, sipas udhëzimeve të qeverisë së saj në Beograd, ekzekutoi mbi 5000 kosovarë të pafajshëm. Por nga dëshmitë e dhëna dhe nga letërkëmbimet e publikuara nga gazeta jonë, vërtetohet se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia kanë qenë pjesë e gatimit të masakrës famëkeqe në historinë e kombit shqiptar.

Divizioni V, datë 28.5.1945

Komandës së përgjithshme.

Në lidhje me telin tonë N,exrtra rez datë 22.5.1945. Ata që gjer dje kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit dhe sot janë dorëzuar në reshtat tona, fillojnë të dezertojnë se është hapur parrulla që ne do shkojmë në kufirin grek. Dezertimet po ngjasin nga këta të fundit dhe prej atyre që për të mos u hedhur në ushtrinë jugosllave nga frika ardhën me ne, ndërsa pjesa tjetër qëndron mirë. Në rast lëvizjeje për në një tjetër sektor të gjithë ata që kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit mund të na dezertojnë. Mejtoni dhe na lajmëroni.

Për shtabin e Divizionit V.

Komisari Polititk Gafur Cuci.

Divizioni V, 30.5.1945

Komandës së Përgjithshme

Shtabi Operativ i Kosmetit prapë na i kërkon të gjithë të dorëzuarit ose të kapurit që sot janë në divizionin tonë t'ia dorëzojmë Divizionit 52. Me këta të Shtabit Operativ të Kosmetit mezi merremi vesh se bëjnë gjithsecili pas kokës çdo përgjegjës zyre. Për shembull, oficeri i artilerisë na dërgoi një urdhër.

RADIOGRAMË

Divizionit V

Na lajmëroni sa bëhet numri i të arratisurve që janë dorëzuar në divizionin tuaj dhe sa bëhet numri i kosovarëve që keni mobilizuar në terren.

ENVER

Divizioni V, 1.6.1945

Komandës së Përgjithshme

Numri i të arratisurve që janë dorëzuar në repartet tona arrin deri në 155 veta, me përjashtim të disa kriminelëve që ia kemi dorëzuar M.P sipas kërkesës së tyre. Numri i kosovarëve që janë mobilizuar është 1398.

Gafur Cuci

Radiogramë 5 qershor 1945

 

Divizionit V

Të arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj dërgojani divizionit 52.

Enver

______________________________________________________________________________

 

 

Bie alibia e Alisë, provohet se gjatë masakrës ishte në Kosovë dhe jo në Bosnje. Dëshmia-provë e Shefqet Peçit

 

Letërkëmbimi i Alisë, si i dorëzoi kosovarët tek UDB-ja

Ish-Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia ka hedhur poshtë akuzat për implikimin e tij në masakrën e Tivarit, të ndodhur në mars të vitit 1945, kur UDB-ja jugosllave, sipas udhëzimeve të qeverisë së saj në Beograd, ekzekutoi mbi 5 mijë kosovarë të pafajshëm. Koha kur ka ndodhur masakra i përket fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur ushtria partizane shqiptare kishte shkuar në ndihmë të popujve të ish-Jugosllavisë për t'u çliruar nga ushtria gjermane. "Tivari është në Mal të Zi dhe kur ka ndodhur ngjarja ne kemi qenë në Bosnjë. Është një ngjarje e rëndë për kosovarët dhe le të përgjigjen vetë ata ose më mirë serbët që e organizuan", kjo ka qenë alibia e ish-diktatorit Ramiz Alia rreth dijenisë së tij për Masakrën e Tivarit, ku u ndërmor gjenocidi më famëkeq kundër shqiptarëve të Kosovës. Ramiz Alia është treguar i kujdesshëm në eliminimin e dokumenteve komprometuese përgjatë 50 viteve diktaturë nga ai dhe regjimi komunist i kohës. Terri i informacioneve për periudhën mars-prill në arkivat qendrore të shtetit nuk ndihmon shumë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Por gjatë një interviste dhënë për gazetarët me Blerim Shalën dhe Llukman Hallili, më pas të botuar në librin e tij "Unë, Ramiz Alia Dëshmoj për Historinë" botuar në vitin 1993, Ramiz Alia konfirmon faktin se në datën 13 mars 1945 ka qenë në Prishtinë.

o o o

Në Arkivin e Shtetit shqiptar një tjetër dokument që implikon Ramiz Alinë në gjenocidin kundër shqiptarëve të Kosovës. Ekziston një letërkëmbim ku në datën 7, prill një javë pas Masakrës së Tivarit, ai i bën të ditur Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi listën emërore të dorëzuar dhe të vullnetarëve kosovarë të ardhur në radhët e këtij divizioni, ku fatin e tyre e priste ekzekutimi fizik si ai i një jave më parë në Tivar. Nga koka e letrës cilësohet qartë se Ramiz Alia nuk ndodhej në Bosnje me misionin e tij të caktuar ashtu sikundër është alibia e tij pas 65 vitesh nga Masakra e Tivarit. Si për çudi nga ato që pretendon Alia në dy data, 3 javë para masakrës dhe 1 javë pas saj, ai ndodhet në Kosovë e jo në Bosnjë.

Misioni i divizioneve shqiptare për të mobilizuar kosovarët

Por, a ka patur lidhje mes komunistëve serbë dhe atyre shqiptarë për Masakrën e Tivarit? Kësaj pyetjeje është munduar t'i përgjigjet edhe shkrimtari dhe publicisti Apostol Duka në librin "Dëshmi dhe udhëkryqe të historisë", ku është edhe Masakra e Tivarit. Në librin e tij jepen dëshmitë e Shefqet Peçit për ato ditë të marsit 1945, ku sipas rrëfimit të tij, duket qartë se kosovarët i kishin mobilizuar me zor, me gënjeshtra dhe po i keqtrajtonin. "Gjatë rrugës së kthimit në Shqipëri, kujton Shefqet Peçi, u ndodha në Prizren. Ishte fundi i marsit të vitit 1945. Më thonë se, me porosi 'nga lart', duhej të shkoja e t'iu flisja disa rekrutëve kosovarë, të mobilizuar në ushtrinë jugosllave. T'iu flisja për bashkim-vëllazërimin, t'iu thoja se më në fund edhe çështja e Kosovës do të zgjidhej në mënyrë 'internacionaliste' e kështu me radhë. Mua, përherë se si më janë dukur këto porositë 'nga lart', kur nuk të thonë se kush i ka dhënë, kur unë i merrja urdhrat vetëm nga komanda dhe udhëheqja ime. Nuk shkoj, thashë, ata s'e kuptojnë labçen time, le të flasë më mirë Esat Ndreu, që është nga Dibra. Dhe vajti e foli Esati. Se kisha hiç hallin tek labçja, që kosovarët e kuptonin që ç'ke me të, po kisha dëgjuar se kosovarët e kishin mobilizuar me zor, me gënjeshtra dhe po i keqtrajtonin, naj nuk doja të bëja lojën e të tjerëve. Dhe dolli ashtu siç e menoja, ata u pushkatuan të gjithë në Tivar pas disa ditësh", ky është rrëfimi i Shefqet Peçit, i cili edhe pse ishte bashkëpunëtor në këtë mision nuk ka nguruar të hedhë dritë mbi disa të vërteta të gatimit të Masakrës së Tivarit.

Divizionet V dhe VI rekrutonin shqiptarë dhe ia dërgonin UNÇJ

Në vjeshtën e vitit 1944, Shtabi Suprem i UNÇJ-së i drejtuar nga Josip Broz Tito, në emër të internacionalizmit, do të bëjë marrëveshje me ushtrinë e kuqe ruse, më pastaj me forcat bullgare dhe më 2 shtator 1944 edhe me SHP të UNÇ të Shqipërisë, për të zhvilluar operacione të përbashkëta ushtarake kundër forcave gjermane në Jugosllavi. Por nga faktet e nxjerra deri tani, qëllimi real nuk ka qenë ndjekja e forcave gjermane. Kjo vërtetohet fare lehtë nëpërmjet letrës që Miladin Popoviçi i dërgonte komandës së përgjithshme jugosllave. "Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda. Bandat duhen likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë". Për t'ia arritur qëllimit të sundimit në Kosovë, Ushtrisë Nacional Çlirimtare Jugosllave do t'i duhej ndihma e Divizionit V dhe VI të UNÇSH, mision që sipas dokumenteve të zbuluara nga ne, në Arkivin Qendror të Shtetit, Ramiz Alia dhe drejtues të tjerë të Divizioneve V dhe VI e kanë kryer më së miri përgjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, si para edhe pas Masakrës së Tivarit. Në tre letërkëmbimet e gjetura në Arkivat e Shtetit, duket qartë ky veprim. Një nga këto letra është dërguar nga ish-Presidenti i fundit i regjimit komunist, Ramiz Alia, në të cilën dërgohen emrat e të rekrutuarve kosovarë (banditëve, sipas Miladin Popoviç, të cituar më lart). Në letrën e datës 21 maj 1945 pas Masakrës së Tivarit, Sekretari Politik i Divizionit V, Gafur Cuci e informon për ecurinë e misionit Komandën e Përgjithshme se ata po i dorëzojnë kosovarët e dezertuar nga radhët e ushtrisë jugosllave drejt shtabit operativ të Kosmetit. Ai kërkon një mendim për këtë lëvizje. Dezertimi i të mobilizuarve kosovarë nga radhët e ushtrisë jugosllave tregon edhe shqetësimin e tyre për një fund të hidhur si ai i shqiptarëve të ekzekutuar në Masakrën e Tivarit natën e 31 marsit.

Pyetje e gazetarit: Ku keni qenë atë ditë kur u vra Miladin Popoviçi?

Ramiz Alia: Po, po… Unë bashkë me Gjin Markun komandantin e divizionit të gjashtë atë ditë udhëtuam nga Mitrovica për në Prishtinë. Kishim takim me shtabin e Kosmetit, si thuhej atëherë. Ky shtab ishte pas administrimit ushtarak. Më duket se Fadil Hoxha ishte zëvendëskomandant. Ishim në një kafene kur morëm vesh se atë mëngjes kishin vrarë Miladinin. Nuk dua të hyj në detaje të çështjes, por për mendimin tim nga mënyra se si na e shpjeguan Dushan Mugasha dhe Fadili ngjarjen, vrasjen e Miladinit…

Pyetje e gazetarit: Ju shkuat në vend të ngjarjes, apo…?

Ramiz Alia: Po, po ne shkuam në vendin ku kishte ndodhur ngjarja. Ne pamë dhomën e punës së Miladinit ku rrinte, plumbat të cilët i kishin rënë, madje njëri kishte thyer dorezën e telefonit. Plumbat ishin koncentruar në një trekëndësh shumë të vogël, gjë që tregonte se vrasësi kishte qëlluar me një qetësi shumë të madhe në një kohë kur në të njëjtën ndërtesë në katin e poshtëm gjendeshin dymbëdhjetë partizanë si roje.

Marrë nga: "Unë, Ramiz Alia dëshmoj për historinë"

* * *

Mitrovicë 7.4.1945

Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi

Bashkangjitur po iu dërgojmë listën emërore të dorëzuarve dhe të vullnetarëve kosovarë të ardhur në radhët e këtij divizioni.

Komisari Politik (Ramiz Alia), Komandanti (Rahman Parllaku)

Në këtë letër Ramiz Alia duket qartë se ndodhet akoma në Kosovë dhe jo në misionin e tij për të ndjekur forcat nazi-fashiste në Bosnjë, ashtu sikur ai ka ngritur në alibinë e tij për t'u shpëtuar akuzave se është bashkautor në Masakrën e Tivarit. Këto fakte rrëzojnë alibinë e Ramiz Alisë për mospraninë e tij në Kosovë gjatë gatimit të gjenocidit më të madh të shqiptarëve deri në atë kohë, e cila u krye nga forcat e Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë me mbështetjen e forcave partizane shqiptare, gjenocid i cili nuk përfundoi vetëm me ekzekutimin e pamëshirshëm të shqiptarëve në mesnatën e 31 marsit 1945 në Tivar.

* * *

Ushtria NÇLSH-Shtabi i BRIG III Divizioni i V

Shtabit të Divizionit të V Mitrovicë 10.4.1945

Bashkangjitur po iu paraqesim edhe një listë tjetër të vullnetarëve dhe të dorëzuemve pranë Shtabit të Batalionit të I-rë e të II-të të kësaj brigade për t'ia u shtu listave që kemi dërguar më parë.

Komandanti (Saliko Sulo)

Divizioni i V datë 21.5.1945

Komandës së Përgjithshme

Partizanët e Kosmetit që janë në brigadën e ushtrisë jugosllave kanë dezertuar nga ata deri më sot janë kapur e dorëzuar nëpër repartet tona në këto ditë po ia dorëzojmë shtabit operativ të Kosmetit. Ky është mejtimi ynë, ju çmejtoni? Na lajmëroni me lidhjen e parë.

(Gafur Cuci)

______________________________________________________________________________

 

 

Si u dorëzuan nga Enver Hoxha tek brigadat serbe mijëra shqiptarë të Kosovës

 

Masakra e Tivarit, zbardhen dokumentet mbi Ramiz Alinë

Mbi 5000 shqiptarë të vrarë është bilanci i masakrës më të tmerrshme në historinë e kombit shqiptar. Më e tmerrshme dhe pa u dënuar asnjëherë nga pushtetarët e asaj kohe si nga pala jugosllave po ashtu edhe ajo shqiptare. E përmendim shtetin dhe udhëheqësit e saj shqiptar pasi kjo masakër në një farë mënyre, megjithëse janë fshehur shumë të dhëna që faktojnë bashkautorësinë e tyre në vrasjen e mbi 5000 mijë shqiptarëve, përsëri historia i nxjerr zbuluar ata. Po cili është roli i udhëheqësve shqiptarë të vitit 1945 në ekzekutimin makabër të vëllezërve tanë kosovarë? Nëpërmjet disa fakteve duhet të ndezim një shkëndijë të vogël, e cila do të ndezi përgjithnjë dritën e madhe të së vërtetës së genocidit shqiptar të muajve mars-prill 1945.

Si nisi kjo ngjarje

Shtabi Operativ i "Kosmetit" i urdhëruar nga Shërbimi Sekret i Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë, me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill, por edhe më tej të vitit 1945, mobilizon me dhunë shqiptarët për t'i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të "Adriatikut" në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren - Kukës - Shkodër - Tivar - Dubrovnik - Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Besiana (ish-Podujeva), Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni. Intervali i mobilizimit do të prekte edhe territorin e Shqipërisë dhe për këtë forcat e UNÇJ duhet të bashkpunonin me UNÇ shqiptare, të cilat do të lejonin kordonin e gjatë të "kosovarëve fatkeqë" nën drejtimin e udhëheqësve jugosllavë, pa u cenuar në territorin shqiptar. Deri në këtë moment historia tregon se udhëheqësit shqiptarë me në krye Enver Hoxhën, nuk do të ishin drejtpërdrejtë bashkautorë në masakrën e shfarosjes së burrave të rezistencës kosovare. Por marrëveshja e bërë midis UNÇJ me ushtrinë e kuqe ruse, me forcat bullgare dhe me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ të Shqipërisë në 2 shtator të vitit 1944 do të faktojnë të kundërtën.

Çfarë synonte marrëveshja?

Në vjeshtën e vitit 1944, Shtabi Suprem i UNÇJ-së i drejtuar nga Josip Broz Tito, në emër të internacionalizmit, do të bëjë marrëveshje me ushtrinë e kuqe ruse, pastaj me forcat bullgare dhe më 2 shtator 1944 edhe me SHP të UNÇ të Shqipërisë, për të zhvilluar operacione të përbashkëta ushtarake kundër forcave gjermane në Jugosllavi. Kjo marrëveshje, e cila kishte synimin parësor luftën kundër fashizmit, devijoi në një plan tjetër ku do të eliminoheshin të gjithë kosovarët, të cilët do t'i bënin rezistencë forcave jugosllave. Luftimet më të ashpra në Kosovë brigadat sllavokomuniste, do t'i zhvillojnë gjoja "kundër Forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë Etnike dhe bandave shqiptare që po mbretërojnë në Kosovë". Për të argumentuar këtë qëndrim, letra e Miladin Popoviçit, të cilën në emër të KK të PKJ-së ua dërgoi të gjithë komisarëve politikë në Kosovë, e shpjegon më së miri qëllimin e marrëveshjes së 2 shtatorit 1944. Në letër ndër të tjera, M.Popoviç shkruan: "Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda. Bandat duhen likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit e këtë (konfiskim - vërejtja ime Sh.B) do ta bëjnë shtabet (e UNÇJ-së-vërejtja ime Sh.B). Në fshatrat që është bërë rezistencë duhen gjetur organizatorët dhe duhet dorëzuar gjyqit ushtarak, që do t'i gjykojë menjëherë e fshatarët t'i çarmatosë…". Sipas marrëveshjes, UNÇJ-UNÇSH, në fillim të tetorit 1944 në Kosovë do të futen Brigadat III dhe V të Korparmatës I të UNÇ të Shqipërisë. Marrëveshja UNÇ jugosllave-UNÇ shqiptare: Brigada e III dhe e V nga Shqipëria për spastrimin e Kosovës nga çetat që bëjnë rezistencë. Këtu do të dilte fare hapur emri i më të përfolurit për pjesëmarrje në genocidin kundër shqiptarëve, Ramiz Alisë.

Si e mori urdhrin Ramiz Alia për të qenë pjesë e forcave të UNCSH në mobilizimin e shqiptarëve që do të bënin rezistencë kundër pushtimit jugosllav në Kosovë

Për shumë vite me radhë Ramiz Alia e ka mohuar prezencën e tij në mobilizimin dhe ekzekutimin e mijëra shqiptarëve, të cilët u bënë pengesë e ushtrisë jugosllave në pushtimin e Kosovës. Kjo për shkak të regjimit 50-vjeçar të diktaturës më të egër në historinë komuniste botërore. Duke u mbrojtur nga komoditeti që jepte regjimi komunist në fshehjen e shumë krimeve makabre të bëra nga udhëheqësit politikë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe eleminimin e dokumenteve, Ramiz Alia nuk është prononcuar asnjëherë për çka ndodhi netët e fundit të marsit 1945. Komisari politik Ramiz Alia, i dyshuari kryesor në vrasjen e mijëra shqiptarëve në librin e tij të botuar së fundmi është munduar të shtrembërojë të vërtetën, por gjithsesi në mes rreshtash ku Alia tregon për momentet e caktimit të tij në krye të Divizionit V nga komisari i Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, shumë njerëz do të zbulojnë misionin e fshehtë që do të kishte Divizioni V dhe VI në mobilizimin dhe ekzekutimin e kryengritësve kosovarë. Ndër të tjera, në librin e tij "Jeta ime", Alia shkruan se urdhri i erdhi nga Enver Hoxha, ku i kërkoi që të kryente më së miri këtë detyrë pasi ky mision kishte një rëndësi të veçantë politike. Çfarë ka dashur të nënkuptonte Enver Hoxha me "rëndësinë e veçantë politike"? A mos vallë ky mision ishte një ndër nderet e diktatorit Hoxha në shërbimin ndaj Jugosllavisë? Këto përgjigje duhet t'i japë Ramiz Alia, i cili refuzon gjithmonë të hedhë dritë në prapaskenat e miqësisë së udhëheqësve shqiptarë dhe atyre jugosllavë.

Një pjesë e bisedës midis Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë e shkruar nga ky i fundit në librin "Jeta ime"

Enver Hoxha:

Ti je caktuar si Komisar Politik i Divizionit V, që bashkë me divizionin VI do të vazhdojnë ndjekjen e ushtrisë fashiste në territorin jugosllav.

Ramiz Alia:

Puna si Komisar Politik më trembte për mungesë përvoje dhe për moshën e re që kisha në atë kohë.

Enver Hoxha:

Partia ka besim tek ti se do ta kryesh më së miri këtë detyrë. Mbështetu tek shokët dhe bashkë me to, që komandat dhe shtabet të kryejnë me nder misionin e madh që u është besuar. Vendimi për dërgimin e dy divizioneve tona për të ndjekur ushtrinë gjermane edhe në Jugosllavi ka rëndësi të veçantë politike. Kështu ne ndihmojmë popujt vëllezër të Jugosllavisë për çlirimin e tyre nga fashizmi.

Pse u zgjodh Ramiz Alia?

Shumë pikëpyetje janë ngritur se përse Ramiz Alia do të ishte njeriu adapt për kryerjen e këtij misioni. Pa asnjë hamendësim, por bazuar në të vërteta historike, Ramiz Alia nuk është shqiptar në gjak. Nga pema gjenealogjike atërore konstatohet se Ramiz Alia ka atësi serbo-boshnjake. E ëma erdhi në Shkodër në fillim dekadën e dytë të shekullit të kaluar. Gjithashtu, Ramiz Alia kurrë në jetë nuk përmend origjinën e vet, të familjes, farefisit në kujtimet e shumta. Pra, as ardhja dhe as hapat sistematike të Ramiz Alisë në jetë nuk janë një okazion human, por një program i cipuar i shërbimeve jugosllave të asaj kohe. Si pinjoll besnik i gatuar që në embrion me antishqiptari, agjenti serb Alia i infiltruar përmes lëvizjes komuniste, antinazifashiste u bë promotor i deshqiptarizmit të Kosovës dhe ndihmëtar i instalimit të kolonëve serbo-boshnjak.

Faktet që dëshmojnë se Ramiz Alia ka qenë bashkautor i ngjarjeve të marsit 1945

Ramiz Alia mohon të ketë dijeni se ç'ka ndodhur natën e 31 marsit 1945, duke mohuar kështu edhe se ishte në dijeni që kosovarët e mobilizuar nga çetat partizane shqiptare iu dorëzoheshin atyre jugosllave, ku i priste fundi i hidhur i eliminimit fizik. Duke kërkuar në arkivën qendrore të Shqipërisë rreth ngjarjeve të vitit 1945 vihet re eliminimi i dokumenteve zyrtare që kompromentonin udhëheqësit shqiptarë të kohës përgjatë regjimit komunist. Në arkivën qendrore të Shqipërisë është një terr informacioni përsa i përket periudhës shkurt-qershor të vitit 1945 për letërkëmbimet midis Shtabit të Përgjithshëm dhe dy divizioneve V dhe VI të forcave UNÇSH të dërguara në Kosovë. Nga kërkimi i gjatë në këto arkiva, Gazeta "Rilindja Demokratike" ka bërë të mundur gjetjen e disa dokumenteve ku tregojnë urdhrat që vinin nga Shqipëria për në Kosovë dhe anasjelltas.

Menjëherë pas marrjes së detyrës si Komisar Politik i Divizionit V, i cili u çua me misionin "politik" të Enver Hoxhës, Ramiz Alia filloi të kërkonte mendime nga Shtabi i Përgjithshëm për mënyrën e kryerjes në përpikmëri të detyrave të ngarkuara në kryerjen e misionit si dhe të jepte informacione për ngjarjet e ditës gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Në letrën drejtuar Shtabit të Përgjithshëm në datën 3 mars 1945, Alia informon udhëheqësin e UNÇSH, Enver Hoxhën se në datën 7 të po këtij muaji, ai dhe forcat e divizionit të tij do të niseshin drejt Novi Pazar-it dhe Mitrovicës. Por ai nuk shkruan se sa do të zgjasë misioni i tij në Mitrovicë. Kjo mbetet e vetmja letër që ekziston në arkivat e shtetit për muajin mars të vitit 1945 nga të tjerat që janë eliminuar nga regjimi komunist për të zhdukur çdo provë që konpromenton lidhjen e Masakrës së Tivarit me udhëheqësit e Partisë Komuniste shqiptare.

Letra dërguar Shtabit të Përgjithshëm nga Ramiz Alia dhe Rahman Parllaku (Komandant i Divizionit V) 3 mars 1945

Komandës së Përgjithshme

Sipas urdhërit të Komandës së Përgjithshme jugosllave përcjellë me anë të korpusit të II jugosllav, forcat e divizionit tonë po lëvizin në drejtim Novi Pazar, Mitrovicë. Lëvizja do të fillojë në datën 7.3.1945 në mëngjes. Për lëvizjen e forcave tona u morëm vesh me mjekët dhe ramë dakord me qenë se nuk lëvizjen Tonë??, jemi marë vesh edhe me Divizionin VI, i cili do të vendoset në Vuçiternë e rrethe.

Nga divizioni i V Rahman e Ramis.

 

Dokumentat e mbledhura nga masakra e Tivarit.

 

 

Per te gjitha keto dokumenta i jemi mirnjohes jo vetem ne por dhe te gjithe familjet e viktimave Kosovare te terrorit komunist z KRESHNIK MERSINLLARI.

 

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora