E shtune, 05.10.2024, 01:23 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

“Lufta në Kosovë, kur nga oborri im flitej me Blerin”

E premte, 28.05.2010, 09:04 PM


Nga Ferdinand Dervishi

 

Çdo ngjarje e madhe ka edhe detajet e saj më të spikatura, më të paharruara. Ndërsa protagonistët, që ndonjëherë rastësia i vendos pranë këtyre ngjarjeve, mbeten gjithsesi nga dëshmitarët më optimistë, më të këndshëm. Në këtë rast ngjarja e madhe është Lufta e Kosovës e 11 viteve më parë, personazhi është Lordi Paddy Ashdown, i dërguari i Kryeministrit Britanik Tony Blair në Shqipëri, evenimenti që do të mbahet mend është intervista e drejtpërdrejtë e tij për BBC-në dhe alarmi për krizën humanitare, ndërsa dëshmitari është djaloshi Destan Spahiu, që dëgjonte këto komunikime në ballkonin e shtëpisë së tij, në një lagje të qytetit të Kukësit.

“Lordi Paddy Ashdown, që në atë kohë ishte kryetari i Liberal Demokratëve të Anglisë, të cilët këto ditë kanë ardhur në pushtet duke marrë edhe postin e zv/kryeministrit, mbërriti në Kukës më 18 prill 1999 në shoqërinë e Neritan Cekës dhe u strehua në shtëpinë time. Unë isha dhe jam Kryetari i Aleancës Demokratike i rrethit të Kukësit. Neritani më kishte marrë një ditë më parë në telefon duke më thënë se njeriu që po shoqëronte ishte një nga 3 njerëzit më të rëndësishëm në Angli dhe se në Kukës duhet t’i krijonim ca kushte minimale për realizimin e punëve të tij”, nis të rrëfejë Destan Spahiu historinë, që mbase e ka më shumë për zemër.

Destani, në atë kohë merrej me një biznes fitimprurës dhe kishte mundur të ndërtonte një shtëpi të rehatshme në qytet, kështu që, pa shumë ceremonira, i kishte ofruar mikut anglez bujtje. Pra nuk kishte tentuar të prenotonte një dhomë në të vetmin hotel të hajrit që ekzistonte në atë kohë në qytet dhe që ishte i tejmbushur me ushtarakë, misionarë apo gazetarë të huaj, të mbërritur me shumicë për shkak të nisjes së bombardimeve të NATO-s, por edhe shpërnguljes me forcë, nga regjimi i Milosheviçit, i banorëve të Kosovës, në drejtim të kufirit me Shqipërinë e Maqedoninë.   

“Lodri Ashdown në Tiranë kishte takuar pothuaj të gjithë krerët e shtetit, që nga Presidenti Rexhep Mejdani te Kryeministri Pandeli Majko, madje edhe kreun e opozitës, Sali Berisha, ndërsa qëllimi i vërtetë i vizitës së tij ishte të prekte nga afër dhe të transmetonte në Londër situatën e krijuar në dy anët e kufirit për shkak të shpërnguljes forcërisht të kosovarëve. Fillimisht Lordi Ashdown vizitoi kampet e refugjatëve, pastaj shkuam edhe në zyrën e Shefit të Shtabit të ushtrisë sonë. Aty ai mësoi se ushtarët serbë, që kishin provuar të futeshin në territor shqiptar, ishin gjuajtur me batare topash. Po këtu ai takoi, mes të tjerëve edhe Azem Sylën, në atë kohë me atributet e kreut të UÇK-së, apo ato të Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës. Ishte kulmi i fluksit të refugjatëve kosovarë në kufi, një situatë e rëndë humanitare dhe kujtoj se sa herë që e pyesnim, Lordi Ashdown, përgjigjej se Milosheviçi, në qershor, do të dorëzohej patjetër. Dhe e fitoi bastin, pasi në 10 qershor bombardimet e NATO-s, të filluara në 24 mars 1999, përfunduan”, rrëfen Destani. Në vazhdim të vizitës së Ashdown, Destani kishte marrë pjesë në një drekë, ku të ftuar kishin qenë edhe zv/ministri shqiptar i Mbrojtjes, I. Boçka, por edhe Nënkolonel Selim Spahiu, Shefi i Shtabit të Divizionit të Kukësit, vëllai i Destanit. “Lordi kërkoi të shkonim në një restorant, ku të mundte të provonte mish qengji autokton dhe kështu bëmë. Pas drekës, ku sigurisht që i pëlqeu pa masë mishi i qengjit, ne shkuam në shtëpinë time, ku shoqëruesit e lordit instaluan, në oborr, pajisjet për komunikim të drejtpërdrejtë audio me Londrën. Në fillim Lordi Ashdown komunikoi me Kryeministrin Britanik Tony Blair, të cilit i bëri një pasqyrë të plotë të situatës, që nga gjendja në kufi, te situata me refugjatët, numri i tyre, mundësia e akomodimit deri te takimet me krerët e ushtrisë shqiptare dhe ata të UÇK-së”, rrëfen Destani kujtimet për këtë vizitë të 11 viteve të shkuara.

Po atë ditë Lordi Ashdown, sipas Destanit, bëri një vizitë në aeroportin e Kukësit, ku takoi pararojën e forcave tokësore të NATO-s, që ishin anglezë. U fut ne mes tyre dhe u dha autograf të gjithëve sa mundi. Vizita tjetër ishte realizuar në spitalin e Kukësit, sidomos pavijoni me refugjatë kosovarë të keqtrajtuar e të plagosur. Ndërsa darka i kishte gjetur të gjithë të shtëpinë e Destanit. “Kujtoj nënën, në atë kohë 80 vjeçe, që iu drejtua Lordit Ashdown duke i thënë: Kur do mbarojë kjo e mallkuar luftë se u faruam, se edhe ata shqiptarë, gjaku ynë janë? Ndërsa Lordi iu përgjigj: Unë kam nënën time gati në moshën tuaj dhe po ju flas siç flas me të. Gjithçka do mbarojë shumë shpejt, Milosheviçi do përballet me ligjin dhe refugjatët do kthehen në shtëpitë e tyre. Kështu edhe ndodhi, madje Lordi Ashdown ka qenë dëshmitar i krimeve serbe në gjyqin e Hagës”, rrëfen Destani. “Kujtoj se nëna i bëri dhuratë dy palë çorape leshi të punuara me dorë, ndërsa Lordit i’u duk sikur i kishin falur gjithë botën. U emocionua dhe i puthi duart nënës me lot në sy duke thënë se do i ruante si diçka të shenjtë. Të nesërmen, në orën 10:00, Lordi Ashdown dha deklaratën e famshme për Radio BBC-në, një intervistë e transmetuar direkt, ku ai bëri një përshkrim real të gjendjes në Kukës duke e quajtur si prag të një katastrofe jo të zakontë humanitare. Një intervistë që veçohet për nga rëndësia dhe që futet në gjërat më të vlefshme të gjithë luftës në Kosovë, pasi pati një impakt shumë të madh në opinionin botëror për sqarimin apo përcjelljen e situatës së vërtetë në terren”, shpjegon Destani. Pas një lidhjeje të dytë të drejtpërdrejtë me Kryeministrin Blair, Lordi Ashdown niset për të parë nga afër situatën e fluksit të refugjatëve në Maqedoni, por nuk i harron kurrë miqtë shqiptarë. Shpejt në shtëpinë e Destanit, në Kukës, vjen një pako me dhurata për nënën e tij, ndërsa një vit më vonë, në 2000, Lordi Ashdown organizon edhe vizitën në Angli të një grupi përfaqësuesish të Partisë Aleanca Demokratike, mes të cilëve pret dhe respekton edhe mikpritësin e tij kuksian, Destan Spahiun.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora