E enjte, 10.10.2024, 02:55 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

“Zogu shkeli statutin, iku pa lejen e Parlamentit”

E diele, 25.04.2010, 11:27 AM


Nga Alma Mile

 

Bëhen 71 vjet që nga dita kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Një ngjarje që nuk kishte se si të mos linte gjurmë në jetët e shqiptarëve. Shqipëria kishte humbur mëvetësinë, ishte aneksuar nga Italia, ndërsa mbreti Zog u arratis bashkë me familjen e tij.Është folur shumë për këtë moment, i cili iu llogarit për “tradhti” mbretit, ndërsa nuk është shumë e qartë vijimësia e aktivitetit të mbretit në emigrim. Askush më mirë se sekretari i tij nuk mund të tregojë për rrugëtimin e mbretit nga Shqipëria, në drejtim të Turqisë, deri në Paris. Është pikërisht Gjenco Naçi, fillimisht sekretar në përfaqësinë shqiptare në Ankara dhe më tej ndjekës dhe sekretar i vetë mbretit përgjatë rrugëtimit dhe aktivitetit të tij të mëpasshëm, që tregon këtë pjesë historie. Me qëllimin për të saktësuar disa momente të historisë së periudhës së pushtimit fashist, Naçi shkroi librin “Largimi i Mbretit Zog nga Shqipëria 1939-1945”. Një dorëshkrim voluminoz, përgatitur për botim nga Bejtulla Destani e që së shpejti do të botohet nga shtëpia botuese “55”. Libri hedh dritë mbi një sërë veprimesh të ndërmarra nga mbreti Zog dhe Qeveria e tij, pas largimit, politikën e ndjekur kundrejt pushtuesve dhe përpjekjet që u bënë në emigrim për të ruajtur “mëvetësinë” e Shqipërisë, duke organizuar kolonitë dhe intelektualët shqiptarë në emigrim, çka rezultoi jo e suksesshme. Libri është i ndarë në disa kapituj, në varësi të ngjarjeve, të cilët ndahen në nënkapituj. Fillimisht njihemi me pushtimin e Shqipërisë (“Gjendja para 7 prillit”, “7 prill 1939”), për të vijuar me udhëtimin “Nga Turqia në Francë”, më tej “Në Francë” dhe “Në Angli”.

“Ky libër nuk është një mbrojtje ose një kritikë e veprimeve të mbretit Zog gjatë kohës së lartpërmendur. Këtë punë duhet ta bëjë historiani i ardhshëm, i cili do të jete më i shkëputur nga personat dhe ngjarjet dhe i cili do të ketë dokumentet dhe informacionet nga burime të ndryshme. Në rast se midis burimeve të tij do të gjejë të udhës të përdorë edhe këtë libër, atëherë një nga qëllimet e tij do të përmbushet. Me vonë mundet të gjejë rastin që të bëjë një skicë të mbretit Zog, të cilin e pashe ç’do ditë për me shumë se 4 vjet dhe veprimet të tij gjatë kësaj kohe. Por edhe kjo skicë nuk do të jete një vepër historiani, do të jetë vetëm një mbledhje lënde për historianin e vërtetë. Arsyeja kryesore që më ka shtyrë të shkruaj këtë libër është kjo: Me gjithë vuajtjet dhe humbjet e tmerrshme, me gjithë mizoritë që pësoi bota deri sot, nuk ka siguri se bota u bë më e mençur. Nuk ka siguri se kjo punë nuk do të përsëritet përsëri. Çdo njeri që ka jetuar këto kohëra dhe që është njeri, shpreson me gjithë zemër dhe uron nga shpirti i tij që një fatkeqësi e tillë të mos përsëritet kurrë me. Por njeriu që rron në këtë botë, njerëzit që qeverisin një shtet nuk duhet të bazohen vetëm në një ideologji dhe në një shpresë sado të mira dhe të larta që të jenë. Duhet përgatitur populli i tyre për çdo ngjarje të ardhshme. Dhe akoma më shumë, për atë që është më e keqe dhe më e tmerrshme. Një popull duhet të rrojë gjithmonë në çdo kohë dhe në çdo rast dhe njerëzit që e drejtojnë, biles çdo qytetar e ka për detyrë që të mos luajë kumar me fatin e tij, por të bëjë hesap, duke marrë parasysh çdo mundësi edhe atë më të keqen”, shkruan në parathënien e librit, vetë autori.

 

Pjesë nga libri

 

Gjendja para 7 Prill 1939

 

Në mbarim të vitit 1938 u emërova sekretar i lidhjes sonë në Ankara. Nga Parisi u nisa në fund të Dhjetorit 1938 për në Turqi, duke kaluar nga Tirana për të rregulluar disa punë të mijat. Gjatë javëve që u detyrova të rri në Tiranë pata rastin të informohem përsëri mbi gjendjen e brendshme të vendit. E gjeta siç e kisha lënë dy vite më parë. Një atmosfere pakënaqësie, dyshimi, frike, plot me pëshpëritje të ndryshme dhe njëkohësisht apatike dhe oportuniste. Një qark i ngushtë njerëzish “të regjimit” dhe një shumicë e madhe njerëzish të pakënaqur, kritikues. Të parët mundoheshin të përfitojnë prej lidhjeve të tyre të drejtpërdrejta, ose të tërthorta me Oborrin dhe botërisht tregoheshin kryelartë për këto lidhje. Në qarkun e tyre edhe këta vetë kritikonin, pëshpëritnin çdo lajm rezervë dhe prisnin një ndryshim dita-ditës. Disa prej tyre, veçanërisht bejlerët megjithëse ishin “të regjimit” mbanin lidhjet më të mira me të arratisurit. Shumica e të tjerëve ishin të pakënaqur dhe pritnin ndonjë ndryshim çdo mëngjes, por nga ana tjetër mundoheshin të rregullonin punët e tyre me anë të miqve. Natyrisht nuk flas për masën e popullit, as për idealistë të paktë që ishin gati për çdo sakrifice. Flas për pjesën vepruese të qytetarëve. Kjo pjesë i urrente njerëzit e regjimit dhe disa herë shprehej kundra tyre në mënyrë të hapur. Për Mbretin flisnin pak, me shumë ndrojtje dhe vetëm në qarqe krejt miqësore ku përdorej fjala karakteristike “I madhi”....

Ndërkohë që gjendja politike e brendshme më dukej shumë e helmatisur, pozita jonë e jashtme më dukej pa ndryshim. Botërisht “regjimi” vazhdonte politikën miqësore me Italinë, kurse në realitet kishim “mosmarrëveshje” me “aleaten e madhe”. Të pakënaqurit i urrenin italianët dhe e quanin regjimin si të shitur tek Musolini. Por edhe njerëzit e “regjimit” e urrenin Italinë. Gjatë kohës që pata rastin të afroj disa prej tyre u binda që në këtë pikë edhe ata kishin ndjenjën e përgjithshme kundrejt Italisë...

Është për të shënuar se u largova nga Tirana pa marrë asnjë udhëzim nga ministri, i cili ishte shumë i zënë me përgatitjet për festimin e lindjes se Trashëgimtarit. Ministri i Jashtëm z. Ekrem Libohova më pranoi disa minuta dhe më uroi suksese. Nuk më tha asnjë fjalë tjetër, kjo ndodhi 15 ditë para 7 Prillit. Si mund të shpjegohet? Shpjegimi i parë mund të jetë se ministria kishte rezervat e saj sipas zakonit. Megjithatë më vjen çudi që ministria nuk përfitoi prej faktit që një nëpunës i tij shkonte në vendin prej nga Shqipëria duhej të priste ndihmë për të dhënë udhëzimet e duhura lidhjes se Ankarasë si dhe lidhjes se Athinës. Mundet që edhe vetë Ministri nuk dinte gjë mbi gjendjen. Jam gati ta besoj këtë edhe pse e di se ishte zakon i sunduesve të atëhershëm në Shqipëri, që çdo send të mbahet rezervë dhe prej atyre që nga puna e tyre duhej të dinin faktin e rezervuar. Oborri kishte parimin se të gjitha punët, të vogla dhe të mëdha, t’i drejtonte vetë, veçanërisht punët e jashtme. Nuk përjashtohet hipoteza se Oborri vetë nuk dinte planet e aleates së madhe. Si do qoftë puna unë ika pa ditur gjë....

 

Largimi pa lejen e Parlamentit

 

...Parlamenti dhe Qeveria nuk bënë asnjë veprim formal me karakter zyrtar dhe s’duhet harruar se për vlefshmërinë e veprimeve zyrtare formalitetet kanë shumë rëndësi. Mbreti dhe Qeveria u këshilluan me Parlamentin, ose të paktën me shumicën e parlamentarëve, por jo ligjërisht nuk mjafton. Nuk kam dijeni mbi një deklaratë, ose një votë të Parlamentit. Kemi thirrjen për rezistencë të Mbretit drejtuar popullit, por edhe kjo nuk ka formën që nevojitej. Nuk kemi një deklaratë luftë të rregullt që mund të behej në themel të statutit. Vetëm 14 muaj më pas u bë një lloj deklarate luftë, por dhe kjo nuk ka formën e duhur. Mbreti iku jashtë shtetit pa lejen e Parlamentit dhe pa i bërë asnjë deklaratë popullit. Kemi pra një shkelje të statutit që Mbreti dhe Ministrat e tij ishin betuar ta nderonin. Kur e mësova këtë gjë në Stamboll dhe ua theksova ministrave, kuptova se ata nuk e kuptonin rëndësinë e një veprimi të tillë. Vetëm shumë më vonë në Angli, në verën e vitit 1942, Mbreti filloi të thoshte se Parlamenti i kishte dhënë një “mandat” për mbrojtjen e interesave të vendit jashtë shtetit dhe që ta vërtetonte këtë teori të mandatit, përmendi dhe mandatin e përgjithshëm që i jep statuti. Por unë mendoj se nuk ka ndonjë akt formal që të jep këtë mandat. Teoria e mandatit duhet të jetë pjellë e mendjes legaliste të Mbretit ose të ndonjërit prej miqve të tij.

 

Nga Turqia në Francë

 

Mbreti arriti në Stamboll më 1 Maj 1939, herët në mëngjes. Ishte i shoqëruar nga shumica e ministrave, disa oficerë dhe familja e tij. Z. Xhaxhuli u nis nga Ankaraja me avion që ta priste. Unë nuk vajta sepse duhej që dikush të rrinte në legatë....

Mendimi im i mëparshëm mbi ndjenjat kombëtare të Mbretit dhe të njerëzve të tij ishte tronditur thellësisht. Në fund të fundit këta njerëz, po të donin, e kishin pasur në dorë për të ndenjur në Tiranë nën mbrojtjen e Italisë. Ky ishte qëndrimi që kishin kujtuar se do të mbanin. Përkundrazi, me gjithë rrethanat e veçanta personale (gjendja e Mbretëreshës dhe e Princit të porsalindur), Mbreti preferoi të mos nënshtrohej. Në atë kohë nuk munda ta shpjegoj ndryshe këtë qëndrim, përveç se me ndjenja patriotike të Mbretit.. Pra, duhej pranuar se ky njeri qe një patriot i vërtetë. Këtë mendim shprehi atëherë edhe Dr. Bilali. Po të pranohej ky themel, atëherë duhej që kundërshtimet politike të liheshin mënjanë, sepse shqiptarët e mërgimit e kishin për detyrë që të bashkoheshin të gjithë dhe të shikonin se ç’mund të bëhej...

Në këtë kohë mësova se Mbreti kishte kërkuar të vizitonte Presidentin e Republikës Turke në Ankara, por gjenerali Inëonu e lajmëroi se do vinte vetë në Jalove afër Stambollit dhe se do ta takonte atje. Kjo ishte një mënyrë fisnike për t’i dhënë vizitës një karakter tërësisht privat, që të mos zemërohej Duçja. Kur ishim akoma në Ankara z. A. Xhaxhulli më foli për herën e parë mbi vajtjen time me Mbretin si sekretar i tij i veçantë...

Më 1 Korrik 1939 u nisa nga Stambolli për në Rumani dhe nëpërmjet Polonisë, shteteve Balltike, Skandinave dhe Belgjikës mbërrita në Francë. Ajo çka frymëzoi këtë rruge të gjatë, e cila u studiua imtësisht dhe solemnisht në hartat gjeografike, qe se italianët mund të kapnin Mbretin po të kalonte nga deti Mesdhe. Kjo arsye mu duk atëherë qesharake.

Mbreti mori me vete një pjesë të familjes së tij, kurse pjesën tjetër e dërgoi nëpërmjet Mesdheut z. Sotir Martini, i cili atëherë mori titullin Ministër i Oborrit. Qazim E. Kastrati dhe unë ishim personeli civil, kurse nënoficera shqiptarë ishin rojet e tij.

...Në Rumani zbarkuam prej anijes “Transilvania” në Konstancë. Në molin e portit na priste një tren i posaçëm, i venë nga Qeveria e vendit. Në këtë liman na priti vetëm z. Koxhamani. Në Konstancë kishte një koloni shqiptare të vjetër, të madhe dhe vepruese. Jam i sigurt se kishte shumë kundërshtarë midis nacionalistëve shqiptarë të Rumanisë që kishin ëndërruar një Shqipëri të ndryshme nga ajo që shihnin të realizuar. Por vetëm ky fakt nuk mjaftonte që të shpjegoja qëndrimin e tyre. Që qeveria rumune bëri të pamundurën të pengonte lëvizjen shqiptare në këtë kohë mund të provohet nga fakti se gjatë ndenjes së Mbretit në Rumani gazetat nuk thanë asnjë fjalë për të. Por kjo gjë nuk mjaftoi për të thënë se shqiptarët nuk e morën vesh se Mbeti ishte në vendin ku jetonin. Mendoj se shpjegimi i qëndrimit të tyre apatik mund të shpjegohet nga të dyja arsyet se bashku.

Qëndrimi i Rumanisë qe ky: Mbreti Karol dërgoi një përfaqësues në stacionin e Bukureshtit për të pritur Mbretin Zog. I vuri në dispozicion një automjet, e thirri se bashku me Mbretëreshën në një darke në pallat dhe i dha leje që të vizitonte Sinajen. Qeveria rumune nga ana e saj mori të gjitha masat e sigurimit që duheshin, por bëri sikur nuk e dinte ardhjen e Mbretit Zog në kryeqytetin rumun. Këtu, si në Turqi dhe vende të tjera, ideja që të mos zemërohej Duçja. Duke qenë se Rumania ka qenë gjithnjë mike e Shqipërisë duhet kuptuar se presioni italian qe shumë i fortë dhe ndoshta i ndihmuar prej fuqive mike me Italinë. Për Qeverinë Rumune, Mbreti u prit në mënyrë private, sikur kishte qenë i pritur nga Qeveria Turke...

Qeveria Rumunë vuri përsëri një vagon në dispozicionin tonë deri në kufi. Në Poloni, Qeveria e Varshavës dërgoi një përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, z. Mejstoviç dhe në Varshavë sekretari i Ministrit të Jashtëm Kolonel Bek, Konti nën toger Lubienskie priti Mbretin. Këta 2 zotërinj na shërbyen shumë, gjatë ndenjës sonë në Poloni, por Qeveria u mundua ta shkurtonte ndenjen tonë mesa qe e mundur. Në atë vend nuk patëm asnjë kontakt zyrtar dhe gazetat e vendit nuk shkruan asnjë fjalë rreth nesh. Të 2 miqtë tanë polakë i takuam më pas në Londër, ku ishin në mërgim, siç kishim qenë ne në vendin e tyre.

Nga Polonia u nisa për në Letoni. Deri në kufi udhëtuam me vagonin e Qeverisë polake, por atje për arsye të ndryshimit të gjerësisë së vijave të hekurudhës na u desh të ndërronim trenin. Në kufirin letonez mbaroi çdo pritje zyrtare, por filloi pritja e popullit. Në çdo stacion deri në Riga populli i vogël letonez kishte dale të priste Mbretin e një populli të vogël, që ishte sulmuar padrejtësisht. Mbretëresha dhe Princi u detyruan të dilnin shumë herë në dritaret e trenit dhe të falënderonte popullin që i brohoriste. Në Riga pritja qe madhështore megjithëse arritëm në mes të natës. Gjatë ndenjes sonë, sheshi përpara hotelit “Shën Peterburg” qe gjithnjë mbushur me njerëz që prisnin të shikonin Mbretin dhe Mbretëreshën. Gazetat u mbushën me përshkrime mbi Shqipërinë dhe gazetarët nuk na u ndanë as në tren dhe as në hotel. Mbreti i priti dhe bëri disa deklarata me anë të zotit Kastrati dhe timen. Kur ikëm me vapor për në Stockholm, moli ishte i nxirë prej njerëzve që na brohorisnin.

Pas një udhëtimi të keq, arritëm në Stockholm dhe u sistemuam në hotelin “Grand”, ku na vizitoi krye Konsulli ynë i nderit z. Gard Lung. Ky zotëri organizoi më pas shumë dëfrime për nder të Mbretit. Gjatë një vizite në një nga vendet e famshme të qytetit dëgjuam për herë të parë himnin tonë dhe populli suedez brohoriti më shumë Mbretin e shqiptarëve sesa Princin e vet. Por Mbreti dhe Qeveria suedeze bënë sikur nuk e dinin gjendjen e shqiptarëve në vendin e tyre. Më pas mësova nga Mbretëresha se Qeveria nuk kishte dashur të jepte vizën për kalim dhe vetëm pas shumë lutjeve na dha një vizë tranziti.

Nga Stockholmi u nisem për në Oslo të Norvegjisë, ku për arsye të ndryshme qëndruam për një kohë të gjatë. Qëndrimi i popullit, i Mbretit dhe i Qeverisë së vendit qenë si në Suedi. Vetëm se Mbreti Haakon kur iu përgjigj Mbretit Zog në një telegram falënderimi që ky i dërgoi nga vapori, duke udhëtuar për në Belgjikë, i dha titujt e tij ligjor.

Kalimi ynë përmes Belgjikës vazhdoi vetëm një ditë, por në Watërloou, kur vizituesit morën vesh qenien e Mbretit shqiptar midis tyre i bënë një manifestim të pa përgatitur, por zemëror. . Në Antwerpen na doli përpara sekretari i Legatës se Parisit, Milto Noçka dhe nipi i Mbretit, Kapiten Sali Doshishti. Kështu arritëm në Paris në Chateau de la Naye më 8 gusht 1939 në mëngjes herët, të pritur vetëm prej policisë franceze, e cila me zor na gjeti jo në kufi, por fare afër kryeqytetit.

 

Kush ishte Gjenco Naçi

 

Gjenco Demetre Naçi (1907-1992) ka lindur në Turqi prej prindërish me prejardhje shqiptare. Shqipëria ishte në atë kohë ende pjesë e Perandorisë Otomane. Familja e tij më vonë u transferua në Greqi dhe ai u rrit në Paxos dhe Korfuz. Ka pak informacion mbi jetën e hershme të tij, por dihet se është kualifikuar si një avokat, u zhvendos në Shqipëri dhe në fillim të viteve 1930, u martua me belgen Jeanne Rozhe-Vancappel (1911-1992). Kur Shqipëria u pushtua nga Italia në prill 1939, Naçi dhe bashkëshortja e tij u largua nga vendi. Ishte koha kur ai u bë sekretari privat i Mbretit Zog (1896-1961). Mbreti Zog u bë president në vitin 1925 dhe mbret në 1928. Naçi dhe bashkëshortja e tij u larguan nga Ankaraja ku shërbente, së bashku me mbretin, familjen e tij dhe personalitete të tjera. Ndërsa në ’46-ën Mbreti u vendos në Egjipt, Naçi mbeti në Londër, ku punoi si gazetar dhe përkthyes. Atje lindi dhe fëmija i tyre i vetëm Alexander Leonidha Peter. Në vitet në vijim Naçi punoi pranë BBC dhe vazhdoi të jetë i interesuar për çështjen shqiptare.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora