Shtesë » Historia
Xhemaledin Salihu: Disa shkrime të vjetra mbi Preshevën
E merkure, 21.04.2010, 09:58 PM
SHKRIME DHE UDHEPERSHKRIME TE VJETRA MBI PRESHEVEN
Udhëtimi Beograd- Nish- Vranjë- Preshevë- Shkup- Selanik
Shkruan: Xhemaledin Salihu
Disa shkrime të vjetra mbi Preshevën
Duke hulumtuar shkrimet e vjetra mbi Preshevën, në librin e austriakut Fr. Miklosich : Monumenta Serbica, të botuar në Graz, më 1964, zbulova një dokument të vjetër, në të cilin përmendet Presheva, Rahovica /Arhilevica/, fshat në veri të Preshevës, Ostrovica, mali më i lartë në Preshevë, pastaj fshati Arbanas, në jug të Preshevës, gjegjësisht në mes të Preshevës dhe Kumanovës.
Dokumenti është i vitit 1349 : CXXV.(1349) 6857. ind.X. Skopije, ndërsa në fjalinë e parë të dokumentit shkruan : Stephanus, Serborum et Graecorum imperator, quasdam terras donat S. Mariae in Arhiljevica.
Në këtë kohë, car Dushani, pasi ushtria serbe nën komandën e babës së tij i pat mundur bullgarët, në mes të vitit 1335 dhe të vitit 1346, me ushtrinë e tij kaloi nëpër Shqipni dhe Maqedoni dhe mbërriti deri në Thesali. Në Shkup, më 1346, ai u shpall perandor i Grekëve dhë Serbëve, Bullgarëve dhe Shqiptarëve.
Kazaja e Preshevës, sipas studjuesit bullgar Vasil Kënçov(Izabrani proizvedenia, Makedonia, Etnografia i Statistika, Sofia, 1970), u themelua me Marrëveshjen e Kongresit të Berlinit, atëherë kur Vranja mbeti me Serbi.
Sipas Salnames së Vilajetit të vitit 1311, Kazaja e Preshevës kishte 15.932 muhamedanë(8168 burra dhe 7770 gra) dhe 26.047 bullgarë(13.868burra dhe 12.179 gra). Në këtë statistikë janë të shënuar më pak fshatra muhamedane-arnaute/shqiptare/ se sa zyrtarisht ato janë. Sidomos nuk janë të shënuara vendbanime të Malësisë së Karadakut, sepse vështirë depërtohej dhe vështirë shënoheshin ato.
Sipas Kënçovit ekzistonin 96 vendbanime me popullatë bullgare, greke dhe arnaute/shqiptare/. Fillon ga Preshova / Presheva /, duke i përmend të gjitha vendbanimet e Kazasë deri te Shoshaja. Në cekjen e vendbanimeve, ai shënon edhe grekët, të cilët kur i jep shënimet e përgjithshme statistikore mbi Kazanë e Preshevës nuk i përmend.
Edhe një konstantim, atëherë dhe për atë kohë jo vëtëm studjuesi bullgar Vasil Kënçov, po edhe shume studjues të tjerë aspak nuk cekin popullatën serbe në Kazanë e Preshevës. Mirëpo, është e njohur se Kazaja e Preshevës përbëhëj edhe nga 2 nahi : ajo e Bujanocit dhe ajo e Tërgovishtës, e cila kishte popullatë serbe.
I madhi Sami Frashëri në Kamus al-a’lam, II, 1530 shkruan : Presheva është një kasaba e vogël, qendër kazaje, në sanxhakun e Prishtinës, të Vilajetit të Kosovës.Gjendet
Dokumenti i vitit 1349
Kazaja e Preshevës ndodhet në këndin juglindor të sanxhakut të Prishtinës. Kufizohet me Serbinë nga verilindja, me kazanë e Gjilanit nga veriperëndimi, kurse nga jugu me sanxhakun e Shkupit. Toka është shumë e plleshme dhe e punuar, edhe rrushi bëhet gjithashtu shumë i mirë. Kazaja përfshin 134 fshatra me 39.545 banorë, nga të cilët shumica janë muslimanë, kurse të tjerët sllavë. Në tërë kazanë ka 13 xhami, 2 mesxhide, 500 dyqane, 33 bujtina, 13 karaulla(posta kufitare) dhe 1 spital ushtarak.
Në përshkrimin e Kazasë së Preshevës të vitit 1899, Carigradski glasnik : Presheva
(me 3 000 banorë), qytezë e bukur dhe e pastër në rrënzë të Karadakut, jo shumë larg hekurudhës. Ajo ka pozitë shumë të mirë dhe shihet bukur nga hekurudha. Gjithë qyteza është e mbjellur dhe e mbushur me pemë dhe kur shikohet prej së largu duket si një kopsht.
Presheva është qendër administrative e kazasë. Aty ishte selia e kajmekamit dhe e pushtetit.
Rruga kryesore në kazanë e Preshevës është hekurudha. Pastaj rruga për Kumanovë dhe Shkup shkon paralel me hekurudhën. Rruga tjetër shkon për Gjilan, në perëndim.
Në kazanë e Preshevës jetojnë rreth 30.000 banorë të fesë muslimane dhe krishtere. Të tjerë nuk ka.
Studjuesi Skender Rizaj në : Kazaja e Preshovës 1896/97 dhe Rajoni modern osman në Kazanë e Vranjës dhe Preshovës shkruan :
Preshova /Presheva/ siç është e njohur që nga kohët e vjetra është vendbanim-qytezë. Gjithashtu edhe pas rënies së Preshevës nën sundimin turk 1455, ajo mbetet qytezë. Më 1489, Presheva është qendër e vilajetit. Edhe më vonë mbetet dhe mban funksionin e vendbanimit-qytezë, më shumë si kasaba dhe pallankë.
Në fund të shekullit XIX, Kazaja e Preshovës(Presheva), në pikëpamje administrative ishte në kuadër të Sanxhakut të Prishtinës, në përbërje të Vilajetit të Kosovës.
Kasaba Preshova ishte qendër e kazasë. Qyteza kishte 3 mahalla, 600 shtëpi. Si kaza, Presheva kishte 122 fshatra, në realitet 6.958 shtëpi. Kazaja kishte popullatë muslimane dhe të tjerë, gjithësej kishte 42.248 banorë.
Në Preshevë kishte 600 shtëpi, 2 xhamia, 1 godinë shteti, 1 qendër telegrafike e postare, 1 stacion të policisë, 1 depo për dhjetëshina /osur/, 1 banjo komunale publike /hamam/ e tjerë. Në brendi të kazasë së Preshevës kishte rreth 500 dyqane, disa stacione, 1 shkollë tetëvjeçare /rusdiye/, 13 xhamia, 3 xhamia të vogla /mesxhida/ ; në vend ka 2 shkolla muslimane “sibjan” me144 nxënës ; në kaza ka 14 shkolla muslimane “sibjan” me 364 nxënës dhe 4 shkolla të tjera “sibjan” me 138 nxënës.
Emri Preshova sipas mendimit të autorit vjen nga fjala turqishte që do të thotë : “Presh (presh bot. Allium porrum) dhe “ova” (fushë) ; fushë e preshëve.
Presheva është kazaja e pestë e Sanxhakut të Prishtinës, Vilajeti i Kosovës. Kazaja e Preshevës është themeluar kah mesi i vitit 1878 dhe si e tillë ka mbetur deri në mbarim të pushtetit turk në Kosovë /1912/. Ajo është themeluar nga një pjesë e kazasë së Vranjës, kur Vranja, në mbështetje të Marrëveshjes së Berlinit i bashkangjitet Serbisë.
Nahitë e kazasë së Preshevës janë : Nahia e Bujanocit(1905-1912) dhe Nahia e Tërgovishtes(1911-1912).
Presheva
Bujanoci i takonte kategorisë së dytë të nahive. Ai kishte 28 fshatra, ndërsa nahia e Tërgivishtes, nahi e kategorise së tretë kishte 34 fshatra.
Në vitin 1530, mbreti Ferdinand i Austrisë, Çekisë dhe Hungarisë dërgoi në Carigrad një diplomaci sulltan Sylejmanit për të vua paqë apo armëpushim. Kjo diplomaci numronte 37 persona, pos të tjerëve si përkthyes i gjuhës latine, këtij grupi iu bashkangjitë edhe Benedikt Kuripeshiqi. Grupi u nis nga Lublana, më 22 gusht 1530 dhe në Carigrad arriti më 17 tetor të njëjtit vit. Nga Carigradi, grupi u nis më 22 dhjetor 1530 dhe në Lublanë arriti më 9 shkurt 1531.
Grupi udhëtoi nëpër Kroaci, Bosnje, Serbi, Bullgari dhe Rumeli. Udhëtimin e grupit e përshkroi Benedikt Kuripeshiëi në librin e tij : Udhëpërshkrimi nëpër Bosnje, Serbi, Bullgari dhe Rumeli 1530.
Grupi në të këthyer nga Carigradi, kaloi edhe nëpër Preshevë për në Kosovë. Kuripeshiqi mbajti ditar të hollësishëm për udhëtimin dhe në librin e lartëpërmendur kështu e përshkruan Preshevën :
Të mërkurën, më 11 janar 1530 u nisën nga Stracina/vend në Bullgari-autori/, duke udhëtuar shumë gjatë kaluam disa fshatra dhe arritëm në Preshevë /Frastheuo/, ku dikur ishte një qytet i bukur dhe aty fjetëm.
Të enjtën, më 12 janar u nisëm nga Presheva nëpër malet e larta të Malit të Zi /Jeruagara/ dhe arritëm në fushën e Moravës, pastaj në Livoç /Linatz/ dhe Poneshin e Epërm ku edhe fjetëm.
Gjermani Spiridon Gopçeviq udhëtoi më 1888, me tren, nëpër hekurudhën Vranjë-Shkup për në Selanik, atëherë edhe përfundoi ndërtimi i hekurudhës. Ai udhëtimin e përmnedur e përshkroi në librin e tij : Serbia e Vjetër dhe Makedonia(Udhëtimi nëpër Serbinë e Vjetër) më 1890, botuar në Beograd.
Kështu e përshkruan udhëtimin edhe nëpër Preshevë :
Hekurudha Vranjë-Shkup është e hapur sikur që është e njohur në pranverë të vitit 1888.
Nëpër viset që kalon hekurudha prej kufirit turk deri në Shkup nuk janë aq tërheqës. Udhëtari, sëpari kalon nëpër luginën e lumit Binaç, i cili në jug përkufizohet me malin Rujan(970m), ndërsa në veri me malin Kosharnik(950m), Pastaj hekurudha vazhdon në jug, lë pas në lindje malin Rujan, ndërsa në perëndim
Karadakun dhe më pastaj kalon nëpër luginën e Moravës dhe Banjkës. Mali Rujan nuk është i lartë, por Karadaku ngritet deri në
Udhëtimi Vranjë -Preshevë- Shkup
Gjatë udhëtimit u takova me Arbanas, Turqë e Serbë, me të cilët bisedova gjatë për këto vise. Të parin që e pyeta ishte nga Bilaçi dhe në mesin e Arbanasve, nuk ishte Arbanas, por e flitte gjuhën shqipe. Atëherë nuk është për t’u çuditur kur udhëpërshkruesi Han thotë dhe shkruan se në fshatin Bilaç jetonin „bullgarë“ dhe „arbanas“.
Lugina nëpër të cilën kalon hekurudha Vranjë-Shkup është shumë e gjërë. Ajo i afrohet malit në lindje deri në Tabanoc, ndërsa në perëndim mbetet larg Karadakut. Pra ditën, pamja e malit është shumë tërheqëse. Si duket kjo fushë është shumë pjellore, por nuk punohet sa duhet. Një bashkëudhëtar më tregoi se këto vise janë të banuara me shqiptarë : Osllara, Shoshaja, Garja, Kurbalia, Gruhalia, Strazha, Llojani, Vaksinca, Belanoci, Sllupçani,Opaja, Llopati, Orizare dhe Preshova /kështu e quan Preshevën edhe Kuripeshiqi-autori/.
Në stacionin hekurudhor të Preshovës më ra në sy, se kishte më shumë binarë dhe binarë thyesë të hekurudhës. Si duket Porta e kishte zgjedhur stacionin e Preshovës për bazë në rast të luftës me Serbinë. Me ndihmën e kësaj hëkurudhe do të mund Turqia te Preshova shpejt të mbledh ushtrinë kundër Serbisë.
Me njëherë pas Preshovës, hekurudha kalon nëpër Çukarkë, ku gjendet bifurkacioni i Detit të Zi dhe Detit Egje, edhepse këtë udhëtari nuk e vëren nga treni. Në veri rrjedh Moravica kah Morava, në realitet kah Danubi ; në jug rrjedh Banjka kah Vardari në Detin Egje.
Banorët e Çukarkës vërtetojnë se në breg, që shihet në jug-perëndim të fshatit ishin shtruar shatorët e sulltan Muratit, kur shkoi për në Kosovë. Sipas udhëpërshkruesit Han, në Tabanoc jetojnë Arbanasit.
Gjermani J. v. Hahn në librin e tij : Reise von Belgrade nach Sallonik, më 1868/Udhëtimi prej Beogradit për në Selanik/, në kapitullin VII shkruan : Udha prej Bilaçit për në Kumanovë :
Prej Bilaçit në drejtim të Kumanovës shtrihet fshati Pratoshelca /Pratoschelza/ me 15 shtëpi, i vetmi fshat bullgar, i pastër etnikisht.
Bushtrani me 30 shtëpi shqiptare shtrihet në lindje të Udhës, në një gji të Luginës së Moravicës.
Kryqëzimi i përroit të Leranit, i cili rrjedh në drejtim veriperëndimor të Moravicës. Lerani shtrihet i shpërndarë në të dy anët e Udhës. Burimi i përroit është prej aty në drejtim juglindor.
Zhunica shtrihet në rrafshinën e Luginës me 20 shtëpi shqiptare, përkundrejt përrockës së Rahovicës.
Golemidolli me 16 shtëpi arnautësh dhe 4 shtëpi bullgarësh.
Çukarka shtrihet, një pjesë e këtij fshati, majtas afër Udhës.
Miratoci në perëndim të luginës dhe nja gjysmë ore prej aty në të njëjtin drejtim Llojani, me një përrua që vie nga vëriperëndimi.
Në shpatin e përtejmë të lartësivë, të cilat kufizohen me luginën kah lindja shtrihen 3 fshatra shqiptare : Susheva, Mutulova dhe Bugarina.
Tabanoci me 40 shtëpi shqiptare, në katër periferi me 1 xhami, në të djathtë të Udhës ; majtas nga Udha, varri i themeluesit të xhamisë. Edhepsë, ky fshat i takon rrethinës së Kumanovës, prap konsiderohet si një fshat i rrethit të Moravicës. Ai ka një han të madh.