E shtune, 09.11.2024, 09:37 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Komunizmi e ridënoi Pjetër Arbnorin, se u shkruante “ndjenjave erotike”

E marte, 29.12.2009, 06:59 PM


Aktakuza: Tjetër drejtim i veprimtarisë armiqësore të të pandehurit në shkrimet e tij është edhe ai i përkrahjes dhe i përhapjes së ideve fetare, i ndjenjave erotike

Nëse në procesin e parë Pjetër Arbnori u dënua se ishte pjesëtar në krijimin e një partie “Socialdemokrate”, gjë që regjimi nuk mund ta falte, ridënimi i dytë ishte një stisje për ta mbajtur atë edhe më gjatë në burg. Ndoshta regjimi mendonte se Arbnori, i njohur edhe si Mandela i shqiptarëve, vazhdonte të ishte mjaft i frikshëm për tu liruar. Dhe ndoshta ai vërtet ishte kur para hetuesit njeriu që i kishte shpëtuar njëherë togës së pushkatimit nuk kishte frikë të thoshte: “Me këtë dua të them se do të flisja kundër partisë e pushtetit popullor edhe përpara njerëzve të komandës, do të flisja në mbledhjet që janë bërë nga komanda në repart etjer”. Megjithatë ai mohon krejt akuzat e rreme dhe kundërshton dëshmitarët e rremë e thëniet e tyre. Në një betejë që ai nga fillimi e ka ditur që do të ishte e humbur, pasi regjimi nuk kërkonte drejtësi por thjeshtë ta mbante të mbyllur. Më poshtë gazeta publikon të plotë aktakuzën që iu bë atij dhe një pjesë të dëshmisë të dhënë para hetuesve ku ai jep edhe deklaratat e guximshme, ndërsa do të vijojë publikimin në vazhdim me mbrojtjen që Arbnori i ka bërë letërsisë së tij para hetuesve dhe një sërë dëshmish të tjera të rralla.

Akt-Akuzë kundër të pandehurit Pjetër Arbënori.

“Akuzohet se ka propaganduar dhe agjituar kundër partisë dhe pushtetit tonë popullor, krim ky i parashikuar nga neni 73/1 i kodit penal të çfuqizuar. Burgu i Burrelit 30 prill 1979. Miratohet. Prokurori i rrethit Matit Rexh Meta. Hetuesia e Degës së Punëve të Brendshme Mat ka hetuar kohët e fundit çështjen penale për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, të parashikuar si krim nga neni 73/1, i çfuqizuar, e ka marrë të pandehur e arrestuar të dënuarin Pjetër Arbnori, që vuan dënimin në repartin 321 Burrel. Nga hetimi i çështjes penale u provua si më poshtë: I pandehuri Pjetër Arbnori në vitin 1961 është dënuar për krimin e tradhtisë ndaj atdheut me 25 vjet burg (heqje lirie) dënim të cilit prej disa vjetësh vazhdon ta vuajë në repartin 321 Burrel. Dënimi i dhënë të pandehurit kishte për qëllim edhe korigjimin e tij nga rruga armiqësore, ku kishte hyrë në dëm të interesave të atdheut e popullit. Mirëpo i pandehuri gjatë kësaj periudhe jo vetëm që nuk arriti të bëjë një korigjim të tillë, por vazhdoi në rrugën e vet armiqësore, duke kryer këtë radhë në kushtet e izolimit në këtë repart krimin e agjitacionin e propagandës armiqësore kundër partisë e pushtetit popullor. Në realizimin e këtyre qëllimeve armiqësore i pandehuri e ka zhvilluar atë jo vetëm me gojë, direkt tek dëshmitarët e pyetur, por edhe me anën e shrkimit të një romani e disa tregimeve, që siç pretendonte ai i ka shkruar "për kënaqësinë e tij letrare". Kjo mënyrë është edhe forma më kryesore e përdorur nga i pandehuri për të zhvilluar këtë veprimtari armiqësore, mbasi në këtë mënyrë i jepet mundësia më e mirë për të shprehur botën e tij të brendshme, idetë e tij reaksionare, fetare me një fjalë armiqësore. Kështu, nga akti i ekspertizës së kryer nga eksperti Sofokli Afezolli, dalin qartë këto përpjekje armiqësore të të pandehurit, të cilat provohen në shprehjen e tyre direkte në këto shkrime të të pandehurit. Kështu, në veprimtarinë e tij letrare i pandehuri me qëllim të caktuar armiqësor largohet nga problemet e jetës e të kohës e të fut në një botë intime, të vockël, dashuriçka e qejfe, tipike kjo për letërsinë e sotme borgjeze e revizioniste dhe për ato ndikime të huaja që i kritikoi me forcë plenumi i 4-t i Komitetit Qëndror të PPSH. Kështu shprehet ai në romanin "Shtëpia e mbetur përgjysmë" në faqet 54-55, apo tregimet e tjera të tij, të cilat, pa dyshim që nuk mund t'i shpëtojnë këtij trajtimi armiqësor, mbasi jo vetëm janë shkruar nga një njeri i deklaruar armik, por dhe krijohen në kushtet e izolimit të plotë nga shoqëria, në burg, larg jetës sonë të vrullshme e optimiste. Kështu shpjegohet edhe ekzistenca e notave mjaft pesimiste në gjithë krijimtarinë e këtij të pandehuri. Në këtë mënyrë gjejnë konkretizim të plotë thëniet e shokut Enver se "… krijime të tilla, (duke patur fjalën për armikun Fadil Paçrami), janë pa vlerë dhe shoqëria e jonë nuk ka nevojë për to". Tjetër drejtim i veprimtarisë armiqësore të pandehurit në shkrimet e tij është edhe ai i përkrahjes e përhapjes së ideve fetare, i ndjenjave erotike, seksuale, degjeneruese e morale. Disa nga tregimet e tij kanë në qendër personazhe vagabond, aventueri, imoral e të tjerë, si ai i tregimit "Ardiani", "Zhgënjimi", i tregimit në fletoren nr.5 e të tjerë. Të konkretizuar e të provuara plotësisht këto ide armiqësore te i pandehuri gjenden të shprehura në ekspertizën e bërë në faqen 15-25 të dosjes hetimore. Po kështu në këtë akt shprehet qartë edhe dëshira e lexuesit shqiptar për krime të tilla, që drejtësia revolucionare të veproj, që Kushtetuta të zbatohet e ligja të veprojë. Kjo është arsyeja që i pandehuri "pretendon" se ky akt është tendencioz e duhet përsëritur, por sidoqë të përpiqet, përsëri nuk i shpëton dot goditjes së ashpër të diktaturës sonë preletare për kryerjen e krimeve të tilla, në dëm të partisë e pushtetit popullor. Përpjekje të tilla për të fshehur të vërtetën i pandehuri bën edhe në drejtim të thënieve të dëshmitarëve, të pyetur në hetuesi, duke arritur deri atje sa të akuzojë ata si "pjestarë të shoqërisë tenxherja", informatorë, gënjeshtarë e të tjerë. Nga thëniet e këtyre dëshmitarëve figura armiqësore e të pandehurit del edhe më e qartë, me gjithë egërsinë e urrejtjen e saj për pushtetin popullor. Kështu, në thënien e dëshmitarit Jorgo Zengo, del qartë botëkuptimi idealist e antisocialist i të pandehurit, që i marrë edhe në ato ide të shprehura e konkretizuara në shkrimet e tij, si mbrojtja e ideve fetare, imorale e tjerë, provojnë plotësisht veprimtarinë armiqësore të pandehurit. Kështu ai shprehet se "socializmi nuk ka për të triumfuar në shkallë botërore, ai mund të vendoset vetëm në vendet e varfëra… apo dëshmitarit Muharrem Koliqi, që i thotë se "… lëre se këto janë të poshtër, janë njerëz e shtet pa dinjitet… ndjekin vijën e Stalinit e … politika e këtij shteti është mashtrim …" e të tjera. Ndërsa dëshmitarit Baku Çuliqi, duke i folur për pushtetin tonë popullor i është shprehur se "këto gënjejnë në shtypin e gazetat e tyre". Por armiqësia e tërbuar e këtij të pandehuri me pushtetin tonë popullor shprehet hapur në dëshirën e tij për përmbysjen e pushtetit tonë popullor, duke i thënë dëshmitarit Jorgo Zongo që: "Ti bashkë me xhaxhanë tënd do të hapësh llogari para nesh, pikërisht për këtë gjë ti e mbron këtë sistem", apo kur këshillon dëshimtarin Muharrem Koliqi që "Të mos i përkulesh këtyre, ne na takon e ardhmja, prandaj duhet të përgatiteni e tjerë". Nga provat e grumbulluara në dosjen hetimore dalin edhe shumë biseda të tjera armiqësore të zhvilluara nga i pandehuri, apo ide e pikpamje të tij, por që bashkë me materialin tjetër të mbledhur në dosjen hetimore, me qëndrimin e tij prej armiku në hetuesi, provojnë plotësisht jo vetëm akuzën në drejtim të pandehurit, por qënien e tij si armik i betuar deri në fund i këtij pushteti popullor. Prandaj: I pandehuri Pjetër Arbënori, i biri i Filipit dhe i Gjystinës, i datl. 1935, lindur në Durrës, beqar, me arësim të lartë, i pa organizuar, i dënuar në vitin 1961 për tradhti ndaj atdheut me 25 vjet heqje lirie, i arrestuar datë 30.1.1979 akuzohet: Se ka agjituar e propoganduar kundër pushtetit tonë, duke kryer kështu krimin e parashikuar nga neni 73/1 I K.P. çfuqizuar. Kjo akt-akuzë u përpilua sot më datën 30.4.1979 nga unë, hetuesi Jani Kolezi e, bashkë me materialet e tjera të mbledhura në dosjen hetimore nr.13 K.H. I dërgohet Prokurorisë së rrethit për miratim e dërgim në gjyq të çështjes. Hetuesi Jani Koleci.

Marrja në pyetje

Në Burrel, sot me datën 11.3.1979 unë hetuesi Jani Kolezi i D. P Brendshme Mat, rimora në pyetje të pandehurin Pjetër Arbnori i cili rreth pyetjeve që i bëhen shpjegon si më poshtë:

Pyetje: Ç’keni për të thënë i pandehur rreth akuzës që ju bëhet për veprimtari armiqësore kundër partisë e pushtetit popullor?

Përgjigje: Nuk kam asgjë tjetër për të thënë përveç atyre që unë kam thënë më parë, unë shtoj se po të ishte për të bërë agjitacion e propagandë armiqësore kundër partisë e pushtetit popullor unë do ta bëja atë hapur.

Pyejte: Si e kuptoni dhe ç’doni të thoni i pandehur me këtë që “po të ishte për të bërë agjitacion e propagandë armiqësore kundër partisë e pushtetit popullor unë do ta bëja atë hapur”?

Përgjigje: Me këtë dua të them se do të flisja kundër partisë e pushtetit popullor edhe përpara njerëzve të komandës, do të flisja në mbledhjet që janë bërë nga komanda në repart etjer.

Pyetje: Po bisedën me përmbajtje armiqësore të zhvilluar me një person, si e konsideroni ju i pandehur, agjitacion të hapur apo të mbyllur?

Përgjigje: unë nuk kam zhvilluar biseda të tilla, prandaj nuk kam pse ta përcaktoj një gjë të tillë.

Pyetje: Po atëherë pse e ndan agjitacionin e propagandën në të hapur e në të mbyllur?

Përgjigje: sepse kam ndigjuar dhe di që ka njerëz të tillë që flasin hapur kundër partisë e pushtetit popullor, por që unë me emra nuk i përmend mbasi di që2 janë dënuar, por edhe mund të ketë që flasin edhe fshehurazi, por më tepër nuk kam çfarë të them.

Procesi pasi u shkrua, m’u lexua dhe u firmos.

Në Burrel, sot me datën 11.3.1979 unë hetuesi Jani Kolezi i D. P Brendshme Mat, rimora në pyetje të pandehurin Pjetër Arbnori i cili rreth pyetjeve që i bëhen shpjegon si më poshtë:

Pyetje: Ç’keni për të thënë i pandehur për akuzën që ju bëhet?

Përgjigje: Nuk kam asgjë tjetër përveç atyre që kam shpjeguar.

Pyetje: A e njihni i pandehur të dënuarin Bako Çuliqi, çfarë marrëdhëniesh keni me të?

Përgjigje: Unë të dënuarin Bako Çuliqi e njoh si fytyrë që në jetë të lirë, por më mirë nga koha kur është bërë gjyqi i tij për vjedhje të pasurisë socialiste në ndërmarrjen e Grumbullimit Shkodër. Me të nuk kam patur asnjë marrëdhënie që nga ajo kohë dhe tani që ai ndodhet në burgun e Burrelit e në një dhomë me mua. Me të nuk kam zhvilluar asnjë bisedë, biles as në prani të tij nuk kam biseda.

Pyetje: I pyetur si dëshmitar Bako Çuliqi shpjegon se, i lexohet procesverbali pyetjes së tij si dëshmitar, prandaj çfarë keni për të thënë i pandehur?

Përgjigje: Këto thënie unë pranoj kurrsesi t’i kem thënë dhe nuk pranoj kurrsesi të kem zhvilluar një bisedë të tillë. Për mua këto janë shpifje dhe arsyen pse e bën këtë ia them në ballafaqim. Procesi pasi u shkrua, m’u lexua dhe u firmos.

Në Burrel, sot me datën 27.3.1979 unë hetuesi Jani Kolezi i D. P Brendshme Mat, rimora në pyetje të pandehurin Pjetër Arbnori i cili rreth pyetjeve që i bëhen shpjegon si më poshtë:

Pyetje: Ç’keni për të thënë i pandehur rreth akuzës që ju bëhet për veprimtari armiqësore?

Përgjigje: Nuk e pranoj dhe përveç atyre që kam shpjeguar më parë nuk kam asgjë tjetër për të thënë.

Pyetje: Ju keni bërë dy deklarata i pandehur, ndër të cilat njëra është “për nënshtrim ndaj vagabondave edhe sikur ta dij që rrij gjith jetën në burg” prandaj çfarëq doni të thoni me këtë i pandehur?

Përgjigje: Këtë e kam bërë mbasi mua më kanë bërë presione këta njerëz që të mos i luftoj. Se kush janë këta njerëz nuk është nevoja që t’i them. Komanda i njohin mirë, nga ankesat që janë bërë nga njerëz të ndryshëm. Këtë deklaratë e di nga që një pjesë e mirë prej tyre ka çpifur për mua me qëllim që të më godasë pas shpine. Gjë tjetër s’kam.

Procesi m’u lexua, janë thëniet e mia e i firmos.

(Shënim: Fjala e prishur në rreshtin e tretë nga fundi u prish nga unë , meqë ishte pa kuptim aty. I pandehuri Pjetër Arbnori)

Në Burrel, sot me datën 5.4.1979 unë hetuesi Jani Kolezi i D. P Brendshme Mat, rimora në pyetje të pandehurin Pjetër Arbnori i cili rreth pyetjeve që i bëhen shpjegon si më poshtë:

Pyetje: A e njihni Muharrem Koliqin i pandehur dhe çfarë marrëdhëniesh keni patur me të?

Përgjigje: Këtë person e njoh, por kohën e saktë nuk e kujtoj. Mbaj mend se kam qenë i shtruar njëherë nga një krizë zemre dhe ka qenë edhe ai aty. Kam bërë fjalë me të për arsye kur kam qenë i sëmurë në infermieri, ka hyrë operativi i rapartit dhe meqë unë nuk u ngrita në këmbë se isha me krizë, ai më tha që “pse nuk ngrihesh ti po më rri i shtrirë si ndonjë kryeministër”. Këtë fjalë e ndigjoi Muharrem Koliqi dhe qeshi. Kur u largua operativi unë e pyeta atë përse kishte qeshur dhe ai më tha “e ndigjove si të tha operativi” xxxxxxxxxxxxxxxx (prishen tre fjalë) zoti kryeministër”. Unë i thashë “për mua ka rëndësi të respektoj ligjën, nuk pyes për shpifje”. Muharremi në darkë kërkoi të takohet me ndonjë person që nuk e di dhe më thotë mendja se “ka raportuar shtrembër bisedën e shkruar më lart. Ndonjë herë bisedë tjetër me këtë person nuk kam bërë.

Pyetje: I pyetur si dëshmitar Muharrem Koliqi ka shpjeguar se (i lexohet procesverbali i pyetjes dëshmiatrit) pra ç’keni për të thënë për to?

Përgjigje: Të gjitha thëniet e tij që m’u lexuan janë fantazira të tij. Nuk kam për të thënë gjë tjetër për to se janë gënjeshtra. Unë atë e kam njohur si njeri të degjeneruar dhe nuk jam ngatrruar kurrë. Procesverbali pasi u shkrua, m’u lexua, janë thëniet e mia të shkruara drejtë dhe unë i firmos me firmën time.


_______________

Arbnorin e akuzuan se përshkruante akte erotike

Eksperti: Sa gjëra interesante do të priste një lexues mbi kujtimet e asaj dite, por autori tamam atë ditë gjen kohë të përshkruaj me hollësi erotike aventurën e një vajze

Në dosjen e dytë mbi dënimin e Pjetër Arbnorit po botojmë pjesën ku ai merret në pyetje mbi letërsinë që kishte shkruar në burg dhe gjithashtu pjesa e para nga akti i ekspertizës që do të shtonte edhe 12 vite dënimin e tij në burgjet e diktaturës. Si e akuzuan se kishte përshkruar dashurinë mes dy personave pikërisht ditën që kishte kapitulluar Italia dhe pse nuk kishte shkruar për të tjera ngjarje atë ditë.

Pjesë nga ekspertiza nga Sofokili Afezolli

Materialet letrare përbëhen nga disa novela dhe tregime, një roman për fëmijë (pjesa e parë) dhe disa përkthime nga letërsia e huaj. Krijimet letrare origjinale të autorit, janë influencë e shëmtuar e letërsisë së verdhë, romantike e sentimentale, krejt të kundërt me letërsinë tonë të realizmit socialist. Në shumicën e tyre ato janë impresione të veçanta jete të autorit të cilat I përshkon pesimizmi, mbyllja në guaskën e vetvetes dhe largimi nga problemet e mëdha të jetës. Në pjesë të ndryshme të shkrimeve letrare mbahet një qëndrim reaksionarë tepër i qartë pavarësisht se autori herë herë është përpjekur ta mbulojë këtë, por prapëseprapë idetë e tij dekadente e çoroditëse janë shumë të hapura e të shkruara me dorën e autorit me bindjen që ka ai për to. Idetë e tij dekadente dalin në dritë edhe probleme të tjera shoqërore për problemet e gruas së fesë e të tjerë.

Analizën e krijimtarisë letrare të autorit do ta bëjmë duke u ndalur në disa probleme që spikatin në shkrimet e tij duke i dokumentuar ato me mendimet që shpreh vetë autori, pa u ndalur veçmas në çdo tregim ose novelë. Në ndonjë rast edhe mund të ndalemi në ndonjë krijim të veçantë. Këtë e bëjmë kryesisht për të vërtetuar se një ide reaksionare e autorit nuk është shkruar rastësisht në një tregim apo novelë, por ajo përshkon tërë krijimtarinë e tij letrare.

Në shkrimet e tij autori largohet nga problemet e mëdha të kohës, jetës dhe të fut në një botë intime, të vockël, me halle dashuriçkash ose qejfe, me brenga të tij të brendshme. Kjo që është sot tema tipike në letërsinë borgjeze... (pjesë që nuk lexohet)

... Në fragmentin e romanit që fillon në fq.99 kapet një ngjarje në momentin kur kapitulloi Italia. Sa gjëra interesante do të priste një lexues mbi kujtimet e asaj dite, por autori tamam atë ditë gjen kohë të përshkruaj me hollësi erotike aventurën e një vajze të pandershme me dashnorin e saj. Korrupsioni dhe imoraliteti siç duket e kanë tërhequr më fort autorin, se sa një ngjarje e tillë që në Shqipëri nuk kishte të madh e të vogël që të mos i interesonte, pasi për kapitullimin e Italisë ne kishim derdhur shumë gjak dhe kishim bërë shumë luftë.

Në Burrel sot më datë 12. 4. 1979 unë hetuesi Jani Koleci i DP Brendshme Mat, rimora në pyetje të pandehurin Pjetër Arbërori I cili rreth pyetjeve që I bëmë shpjegoi si më poshtë:

Pyetje: Në kontrollin e bërë ju janë gjetur edhe disa fletore të shkrurara, këto janë shkrime tuja i pandehur?

Përgjigje: Këto fletore janë shkruar nga ana ime me dorën time me shkrimin tim të gjitha, këtu kam shkruajtur tregime të ndryshme një roman e përkthime. Këto shkrime I kam bërë për të kaluar kohën gjatë burgut dhe me qenë se është profesioni im, si njeri që kam mbaruar për gjuhë letërsi dhe shqipe. Kështu në fletoren e trashë që më tregohet unë kam shkruar me shkrimin tim romanin për fëmijë “Shtëpi e Mbetur Përgjysmë” të cilin e kam shkruajtur në mars të vitit 1969. Në këtë roman kam përshkruar jetën e një fëmije të vogël gjatë okupacionit fashist e nazist ndeshjen e tij me shfrytëzimin dhe të këqijat e jetës dhe zhveshjen e tij shkallë-shkallë nga paragjykimet fetare derisa në fund të romanit arrin të dali në protestë nga kisha se nuk mund ta kuptojë se të pasurit dhe të varfrit të kenë të njëjtën parajsë në fletoret që më tregohen kam shkruar tregimet si “Frani”, “Natën e Mirë”, “Zhgënjimi”, “Kumbullat që Çelin Vonë”, Bisedë mbas Buke”, “Ardiani”, “Mbi romantikën në dashuri” dhe në fletoren numër pesë kam shkruajtur një tregim që akoma nuk ja kanë vënë titullin. Këto shkrime unë i kam bërë kryesisht për veten time por mundet t’i ketë lexuar edhe ndonjë nga të dënuarit, unë nuk e mbaj mend se kush është me saktësi. ---------------

Në shkrimin e tyre unë jam mbështetur në metodën e realizmit (prishet një fjalë) por duke mos ardhur në kundërshtim me metodën e realizimit socialist unë kam bindjen se në këto shkrime kam shkruar gjëra reale me vlerë edukative në përputhje me lirinë e kushtetutës për tu marrë më veprimtari artistike.-----

Pyetje: Cili ka qenë synimi juaj në krijimtari i pandehur. Me çfarë qëllimi i keni shkruar këto vepra?

Përgjigje: Unë i kam shkruar për kënaqësinë time letrare.

Pyetje: Në çfarë metode jeni mbështetur në shkrimin e tyre?

Përgjigje: Shkrimet e mia nuk vijnë në kundërshtim me metodën e realizmit socialist dhe po të mos kishin emrin tim mund të ishin të vlefshme për botim. Gjë tjetër nuk kam për të thënë.

Proçesverbali pasi u shkrua u lexua, janë shprehjet e mia dhe u firmos.

Në Burrel sot më datë 12. 4. 1979 unë hetuesi Jani Koleci I D P Brendshme Mat rimorra në pyetje të pandehurin Pjetër Arbërori I cili rreth pyetjeve që I bëmë shpjegoi si më poshtë:

Pyetje: Ç’keni për të thënë i pandehur për akuzën që ju bëhet?

Përgjigje: Nuk kam për të thënë gjë përveç sa kam thënë.

Pyetje: A e njihni Jorgo Zengon i pandehur e çfarë marrëdhëniesh keni patur me të?

Përgjigje: Këtë person e njoh shumë dhe për herë të parë e kam njohur në kampin e Laçit. Këtë e njoh nga larg sepse nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me të, vetëm armiqësi. ----------------------

Pyetje: I pyetur si dëshmitarë si shpjegoni këto gjëra i pandehur(i lexohet procesverbali i pyetjes së tij si dëshmitarë). Ç’keni për të thënë i pandehur?

Përgjigje: të gjitha thëniet e tij janë ëndrra dhe nuk janë të vërteta. Shkaku i vërtet i këtyre shpifjeve qëndron tjetër kund. Unë nuk kam pasur sa miqësi as shoqëri me këtë person vetëm armiqësi që kanë filluar prej veprimeve prej vagabondi e banditi të këtij personi unë kam dëshmitarë që vërtetojnë se gjatë kohës që kam ndenjur për gjashtë muaj në dhomë nuk kam diskutuar as njëherë për politikë për këtë person. Unë kërkoj si dëshmitarë të dënuarit Apostol Thano, Laze Shota, Ahmet Thaçi, Gramoz Apahiu që e dinë shumë mirë dhe vërtetojnë që nuk kam bërë asnjëherë bisedë me këtë dëshmitarë biles kam qenë në pozita armiqësore me të.

Jorgo Zengo ka qenë anëtarë i shoqërisë Tenxherja, ka marrë pjesë në grabitjen e pleqve dhe të dobëtëve, unë e kam përbuzur dhe e luftoj për këtë. Në vitin 1967 kur kufiri ynë kërcënohej nga kolonelët e zinj grekë, ky dëshmitar hidhte vallen “ella more papa” (për papa pallisin) kur lexonte se kishin ardhur aeroplanë mbajtëse në Mesdhe dhe kërcente hulaup dhe këndonte këngën e ushtrisë amerikane.

Që është “O suzana dont ju kraj for mi”. Kur e pa që nuk po bëhej deti kos, u kthye nga qielli dhe hapi parullën “Allahu në qiell, Jakupi në tokë”, ulej në gjunjë dhe thërriste “Jaaa Jakupt”. Për të gjitha këto veprime unë e kam demaskuar dhe kam bërë deklaratën e parë timen që është “më mirë të vdes në burg se sa të më vijë shpëtimi nga një operacion ushtarak, qoftë nga Perëndimi, qoftë nga Lindja, nga Jugu apo Veriu.

Atëherë unë bëra deklaratën e dytë se “presioni të vagabondëve të burgut unë nuk i nënshtrohem kurrë edhe ta di që rri gjithë jetën në burg”. Atëherë Jorgo Zengo më ka kapur në korridorin e krahut 1 dhe më ka thënë se je në listën e dënimit me vdekje dhe po vazhdove të shash shoqërinë Tenxherja do ta heqim kokën. Unë i kam thënë se ai që vret nuk të paralajmëron dhe me këtë rast i kam shkruar një letër Ministrit të Punëve të Brendshme, në verën e vitit 1970 ku jam ankuar për banditizmin në burgun e Burrelit. Mbas pak që kam hedhur letrën ky dëshmitar ka ardhur në dhomën një dhe ka thënë më tha operativi këta po shkruajnë kundër jush prandaj shkruani edhe ju. Unë dyshoj se ish operativi i asaj kohe e ka hapur letrën dërguar Ministrit. Jorgon e ka kapur frika dhe ka bërë denoncim shpifës. Unë nuk e sulmoj Jorgon as si njeri të rehabilituar, as si informator tuajin e sulmoj si bandit edhe si informator të rremë që dorëzon para kallpe dhe fsheh floririn. Këto gjëra kisha për të thënë për këtë dëshmitarë. -------

Proçesverbali: pasi u shkrua mu lexua janë thëniet e mia të shkruara drejt dhe unë i firmos me firmën time.

Në Burrel sot më datë 30.4 1979 unë hetuesi Jani Koleci I D P Brendshme Mat rimora në pyetje të pandehurin Pjetër Arbërori I cili rreth pyetjeve që I bëmë shpjegoi si më poshtë:

Pyetje: Ç’keni për të thënë për akuzën që ju bëjmë për veprimtari armiqësore i pandehur?

Përgjigje: Nuk kam për të thënë gjë përveç atyre që kam shpjeguar në proçes verbalet e pyetjes sime.

Pyetje : I pandehur, një veprimtari të tillë armiqësore ju e keni zhvilluar edhe nëpërmjet shkrimeve tuaja, prandaj çfarë keni për të thënë për to?

Përgjigje: nuk është e vërtetë sepse në shkrimet e mia nuk ka asgjë që unë të cilësoj si agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor.

Pyetje: Nga ekspertiza e disa krijimeve tuaja rezulton që me anë të tyre të keni zhvilluar një veprimtari të tillë, (i lexohet ekspertiza) prandaj çfarë keni për të thënë për këtë i pandehur? ------

Përgjigje: Kjo ekspertizë është përdhosje e plotë e frymës dhe e përmbajtjes së romanit dhe tregimeve të mia. Të gjitha shfaqjet negative që përshkruaj e që i luftoj nëpërmjet personazheve pozitivë. Ai i cilëson si mendime të mijat, gjë që nuk është falsifikim i plotë, mbasi unë përgjigjem për fjalët e personazheve negativë, ose për fjalët e personazheve që sqarohen shkallë-shkallë, e sa fitojnë ndërgjegjen e duhur në një roman që paraqitet qartë, sidomos situatat antifashiste, propaganda që bëhej në shkolla kundër okupatorit, si dhe sqarimi shkallë-shkallë i masave. Romani është krejtësisht i vlefshëm dhe po të mos ketë emrin tim është i botueshëm. Aty nuk bëhet propagandë fetare, por hiqet velloja të gjithë atyre që përfitojnë nga propaganda fetare për qëllimet e tyre. Shkrimet nuk janë kundër moralit përkundrazi personazhet dalin simpatik në të kundërt personazhet në shkrime urrehen nga autori gjë që duket qartë në fletore. Të shkëputen fjalë në erë për të shtrembëruar përmbajtjen ky mund të jetë zëri i Sofokli Afezollit që rrjedh ose nga tendencioziteti i verbër ose nga inkompetenca. Nuk do të arrijë të merrem me gjithë llafet e tij unë deklaroj se (nuk e njoh atë ekspertim) dhe kërkoj ekspertim tjetër për tu bërë. Gjë tjetër nuk kam për të thënë.

Pyetja: Pse të jetë tendencioz sipas jush ky ekspert i pandehur?

Përgjigje: Nuk e di por them se shkrimet duhet të ishin dhënë pa emër dhe se atëherë do të kishit gjykuar ndryshe.

Pyetje: Megjithëse ju vetëm në roman e keni të shkruar emrin i pandehur. Përsëri ai nuk ju njihte fare dhe këtë fakt e shpreh në akt fq. 5 e 11-të. Ç’ke për të thënë?

Përgjigje: Unë mendoj që e di se jam i arrestuar.

Pyetje: Ju i pandehur keni thënë edhe vetë se jeni mbështetur në metodën e realizmit pa rënë në kundërshtim me metodën e realizmit socialit.

Përgjigje: Unë them se për mua nuk përbëjnë asgjë që përbën agjitacion e propagandë kundër pushtetit përveç kësaj këto nuk janë shkruajtur me qëllim përhapjen, por për kënaqësinë time. Gjë tjetër nuk kam për të thënë. Pasi u shkrua mu lexua e janë thëniet e mia të shkruara drejt dhe unë i firmos me firmën time. (Marrë me shkurtime)


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora