Shtesë » Historia
Shevki Sh. Voca: Murat Toptani, figurë poliedrike e rilindjes kombëtare (III)
E shtune, 05.12.2009, 07:47 PM
III
Nga Shevki Sh. VOCA
Në
Bukuresht Murati botonte shkrimet e tija në gazetën “Shqiptari”. Kjo gazetë
shkruante: “Prej tri javësh gjendet midis vëllazërisë së shqiptarëve të
Bukureshtit, mëmëdhetari Murat Bej Toptani nga Tirana, një nga të shkëlqyerit
fare të paharruarit burrë Skenderbeg.”
Murat
Toptani ngjalli te shqiptarët e mërguar shpresën se po trokiste ora e çlirimit
të atdheut. Madje jehona e veprimtarisë së tij si emigrant i shquar politik e
vunë Muratin në qendër të vëmendjes edhe të shteteve të huaja të interesuara
për ngjarjet në Shqipëri.
Në Bukuresht, në sallën “Amiçicia” (Miqësia)
më 13 nëntor 1898, u mbajt Kongresi i Shqiptarëve të Rumanisë në të cilën u
trajtua hollësisht gjendja e atdheut nën sundimin osman. Në këtë Kongres morën
pjesë edhe përfaqësuesit e kolonive të tjera shqiptare të mërgimit.
Në fjalimin që e mbajti Faik Konica thuhej se
qëndrimi i Kongresit është që të mendojmë shoqërisht dhe vëllazërisht për
çështjen tonë shqiptare. Në vazhdim të fjalimit të vetë F. Konica përsëriti
kërkesën kryesore të Lëvizjes Kombëtare: “të njihemi si komb në vete, si komb i
vjetër, plotfuqi e gjallëri, të kemi shkollat kombëtare në gjuhën shqipe.” Faik
Konica në këtë fjalim pohon se në Shqipëri gjenden vetëm katër shkolla shqipe,
kurse të huaja përmbi 5.000, të cilat punojnë në dëm të qeverisë turke dhe
kundër shqiptarëve, nga se ndjekin politikën e shteteve të tyre. Kjo gjë-shtoi
Konica-na bënë që të zgjohemi dhe medoemos të kërkojmë hapjen e shkollave
shqipe dhe autonominë nga Turqia, kur dihet se 1/6 e vergisë ndahet nga Qeveria
për institute publike...”51
Në këtë Kongres foli edhe Murat Toptani, i
cili dhe nënshkroi Thirrjen drejtuar Portës së Lartë, për të drejtat e mësimit
të gjuhës shqipe. Telegrami u shkrua në gjuhën frëngjishte.52
Duhet cekim se një ndihmesë të veçantë në përgatitjen dhe organizimin e këtij
Kongresi Shqiptar dha Dervish Hima. Përveç Faikut, Muratit dhe Dervishit në
këtë Kongres folën edhe Visar Dodani, Janaç Meksi etj.
Murat Toptani gjatë qëndrimit të tij në Bukuresht
ishte vendosur te atdhetari dhe veprimtari Dervish Hima. Ky gjatë vitit 1898
pati disa takime me ambasadorin turk në Rumani, por i shfrytëzoi ato në të mirë
të çështjes kombëtare, për të paralizuar veprimet dhe prapaskenat e tij kundër
shqiptarëve të Bukureshtit. Në njërën nga takimet me të
hershme me te, Dervishi protestoi për arrestimin e Murat
Toptanit. “Në qoftë se do të vazhdojë kjo punë kështu,-i tha ambasadorit,-do të
jetë keq-dhe kërkoi të ndërmjetësonte për lirimin e Muratit.
Në fund të
vitit 1898 (dhjetor), Dervishi u detyrua të shkonte përsëri te ambasadori turk
për të marrë një letër që i kishte ardhur Murat Toptanit nga i ati,53 (kjo letër nuk ka
mundë me qenë nga i ati, siç shkruan Kristaq Prifti në
librin “Dervish Hima, kushtuar këtij atdhetari, të cilës iu kemi referuar disa
herë gjatë këtij shkrimi, nga se dihet se i ati i Muratit kishte vdekur si e
kemi cek më lartë shumë vite më parë, Sh. V. ). Nga një letër që Hima ia dërgon
Ibrahim Temos, kuptojmë se ambasadori turk ishte interesuar që Murati vetë të
shkoi te ai. Dervishi pasi ia përcjell të falat nga Murati, ambasadori e pyet:
“Pse nuk erdhi edhe Murati? Këtu është dera e shtetit. Ai ka të drejtën e
vjetër të Naimit dhe të Samiut për të bërë vizitë.”(Ambasadori e mbante veten
si mik i vjetër i Naim dhe Sami Frashërit dhe e përsëriste këtë sa herë që i
nevojitej).54
Në Bukuresht, Murati zhvilloi një aktivitet
mjaft të dendur politik Nga këtu Murati mbante lidhje me shoqëritë patriotike
dhe atdhetarët brenda dhe jashtë vendit. Ai nëpërmjet kontakteve personale,
letrave dhe thirjeve që dërgonte në të gjitha anët e Shqipërisë dhe jashtë saj,
kontribuonte në të mirë të zgjerimit të ideve kombëtare. Murati dhe
bashkëpunëtorët e tij e sidomos Dervish Hima mbanin lidhje edhe me Hazhi Zekën,
dhe atdhetarët tjerë në Shqipërinë e Veriut. Në një letër që Murati i dërgonte
në mars 1899 Kadri Fishtës, e vlerësonte formimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës,
dhe kërkonte që ajo të përhapej në tërë Shqipërinë për të bashkuar gjithë
shqiptarët pa dallim feje.55 Me këtë rast është interesant ti
referohemi një letre që Faik Konica i drejtonte më 7 prill 1899 Ministrisë së
Jashtme austro-hungareze me ç’rast e njoftonte Vjenën se Murat Toptani i kishte
shkruar një letër nga Bukureshti Mulla Zekës (Kryetarit të Lidhjes së Pejës),
në të cilën e nxiste atë që të ngrihej kundër Turqisë, dhe që gjithashtu ishte
i gatshëm që të vinte edhe ai në Shqipëri për të marrë pjesë në këtë
kryengritje. Mulla Zeka, iu përgjigj me një letër të shkruar gjysmë shqip,
gjysmë turqisht tekstualisht me këto fjalë: “Nuk ka ardhur akoma koha për këto
gjëra.”56 Me që jemi te Faik Konica është e
udhës të përmendim se ç’shkruan ai në pjesën e katërtë të “Parashtresës mbi
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” që përfshin vitet 1895-1899, për arritjen e tij
dhe të Muratit në Bukuresht. “Lidhur me këtë unë kamë bërë vrojtime interesante
me rastin e udhëtimit tim në Bukuresht, thotë Faiku duke vazhduar, atje neve na
u bënë një pritje madhështore dhe entuziaste sikurse të ishim shpëtimtarë të
Atdheut. Ky manifestim do të merrte përmasa edhe më të mëdha, sikur unë të mos
isha ftohur dhe zemëruar pak, duke
dërguar nga stacioni hekurudhor i Vjenës një telegram me të cilën lajmëroja
ardhjen tonë, jo komitetin greko-sllav,
po “Dritën” e Naços. (Në Bukuresht vepronin dy shoqëri shqiptare pak sa të
përçarë mes veti, “Drita” dhe “Dituria”, në krye të dytës ishte Kostaq Duro, të
cilit ia mbanin anën Naim dhe Sami Frashëri, vër. SH. V.).
Duke
ardhur në Bukuresht dhe duke parë këtë entuziazëm, i thashë vetes: “Ja një gjë
e çuditshme, gjë që më habit nga ana e këtyre tregtarëve të thjeshtë dhe
indiferentë. Sigurisht se aty do të ketë diçka...”Dhe me të vërtet nuk u
gënjeva. Disa ditë më vonë, më propozuan të vazhdoj “Albaninë” në Bukuresht; (“Shqipëria”
do të pushonte të dilte), se do të m’i jepnin të gjithë lexuesit, ndërsa një
komitet i redaksisë do t’i siguronte gazetës 10.000 frankë në vit. Ky ishte një
propozim që të vazhdoja gazetën nën ndikimin e partisë ortodokse. Kurthi ishte
i rëndë. Kërkova të mendoja dhe nuk fola më për këto.”
Më pas shkruan Faiku, në njërën nga mbledhjet
e shumta që mbajtëm, Murat Toptani, paraqiti një projekt për propagandën e
përgjithshme. Ata shfaqën rezerva të hapëta për sa u përket çetave kryengritëse:
ata ishin partizanë të kësaj, por me kusht që çetat duhej të sulmonin vetëm
funksionarët turq, e të mos i preknin bullgarët dhe grekët, siç propozonte
Murati. Me këtë rezervë ata pranuan, dhe u mor vendimi për një fond prej 150
deri në 250 mijë franga. Mirëpo, kur Murat beu preku çështjen e selisë së
propagandës, dhe tha se Dalmacia ose Bosnja, i duken më të përshtatshme,
menjëherë mbretëroi një heshtje e ftohtë akull. Në fund, P. Evangjeli tha se,
për sa u takon atyre, nuk shohin gjë të papëlqyeshme në këtë, mirëpo ekziston
rreziku të mos formohet fondi në kushte të këtilla, “sepse shqiptarët e tjerë
të Bukureshtit janë fanatikë dhe nuk do të pranojnë që qendra e propagandës të
ndodhet në një shtet katolik”. Unë mora një qëndrim krejt të pritur, sepse
kuptova që çdo gjë është e kotë dhe që fondi nuk do të formohet kurrë. Dhe nuk
u gënjeva. Qe katër muaj që ata e mbajnë Murat Toptanin me shpresa që s’do të
realizohet kurrë. E vetmja gjë që fitova, ishte nënshkrimi i një depeshe, në
një mbledhje publike, tekstin e së cilës e përgatita unë dhe që iu dërgua
Sulltanit.”57
Me dispozita të tilla shpirtërore, natyrisht
se ishte e lehtë të bëhet antanta (marrëveshja) midis shqiptarëve të
Bukureshtit dhe atyre që paraqiten si shqiptarë në Itali. Marrëveshja qe aq më
i fortë, për shkak se Italo-shqiptarët janë katolikë, po të ritit grek, që
lejon martesën e priftërve (gjë që i afron posaçërisht me ortodoksët),
marrëveshja qe më e fortë për shkak se ata janë ndoshta partizanë të Malit të
Zi në Shqipëri, pse mungonte fuqia e Italisë. Me mendimin tim në lidhje me këtë
pikë u pajtua plotësisht edhe Murat Toptani.
“Nëpërmjet shqiptarëve të Bukureshtit,
Italianët bëjnë propagandë në Shqipërinë
Jugore, kurse në Shqipërinë e Veriut me anë të konsullatave italiane.
Kolegjet e seminaret
shqiptare në Shën Dhimitër Koronë (San Demetrio Corone)
dhe në Sicili, ku nga ana tjetër nuk mësohet asnjë fjalë shqip,(në shkollën e
Makit në Kalabri ka një kurs të shqipes
që e mban Jeronim de Rada, shënim i Konicës), tërheqin
një numër të njerëzve të rinj dhe ushtrojnë kështu në Shqipëri një opinion të
favorshëm për koloninë shqiptaro-italiane.
Të shënojmë kalimthi që:
1) Sido që të
duket nga jashtë, ekziston marrëveshja e plotë midis të gjithë shqiptaro-italianëve,
siç e provojnë alfabetet e tyre identike me shifra;
2) Ata nuk
dinë të flasin shqip (Murat beu ka vërtetuar këtë pas të tjerëve), fund i
citatit nga pjesa e katërtë e Prashtr... Lëv.. Komb... të F. K.58
Faik Konica mendonte se çështjes shqiptare do
t’i shërbente një lëvizje e hapur politike për krijimin e një vilajeti shqiptar
autonom, si kundërvënie ndaj përpjekjeve të shteteve fqinje, të cilat synonin
aneksimin e trojeve shqiptare. Andaj, Faiku i propozonte Muratit që të qëndronte
në emigracion, si figurë politike që tashmë ishte i njohur edhe në arenën
ndërkombëtare dhe të vihej në krye të lëvizjes politike shqiptare. Madje
shqiptarët e Misirit (Egjipti), kishin marrë obligim që të dalin me një organ
periodik me program krijimin e një principate shqiptare. Drejtimin e organit
ata qenë të gatshëm t’ia ngarkonin Murat Toptanit.
Ndërkaq që,
Naim dhe Sami Frashëri nuk e shikonin me sy të mirë, një bashkëpunim aq të
afërt të Muratit me Faikun, gjë që do të shohim më poshtë në një letër që Naimi
dhe Samiu ia dërgojnë Muratit, si dhe që atyre nuk iu pëlqente propozimi që
ofronte Faiku, nga se kishin bindje se ende nuk ishte koha e përshtatshme për
një lëvizje politike, të cilën e quanin madje edhe të dëmshme. Sipas Naimit dhe
Samiut, në këtë moment, çështjes shqiptare i shërbente ende shumë më mirë
lëvizja kulturore shqiptare në përgjithësi dhe hapja e shkollave shqipe në
veçanti. Midis Faikut dhe vëllezërve Frashëri pos kësaj ekzistonin divergjenca
edhe në dy pika tjera.
E para kishte të bënte me cilin alfabet duhej
të shkruhej gjuha shqipe, sepse Faiku ishte kundër alfabetit të Shoqërisë së
Stambollit të miratuar më 1879, mbi parimin për çdo zë një germë, me të cilën
ishin botuar gjatë 20 viteve të fundit veprat e Naimit dhe Samiut. Në revistën
e tij “Albania” që ai kishte filluar të botonte në Bruksel (1897) përdorte një
alfabet të mbështetur krejtësisht mbi germat latine dhe me kombinimin dy
germash për disa zëra të veçanta të shqipes. Madje kishte filluar të botonte si
shtojcë të “Albanisë” disa faqe shqip të shkruar me alfabetin turko-arab.
E dyta, pas
botimeve të numrave të parë të revistës duke vënë re se ajo nuk përhapej në
Shqipëri, Naimi dhe Samiu i kishin propozuar se ishin të gatshëm t’i ndihmonin
me
mbledhje subvencionesh dhe me shkrime në rast se Faiku do
ta botonte revistën në Shqipëri ku do të përhapej lehtë, natyrisht duke kursyer
sulmet ndaj sulltanit, mbasi në rrethanat e asaj kohe shqiptarët kishin më
tepër nevojë për lëndë kulturore patriotike, se sa për polemikë politike. Për
të gjitha këto arsye ata mendonin se Murat Toptani do t’i shërbente më mirë
çështjes kombëtare duke u kthyer në atdhe. Përkundrazi Faiku ngulte këmbë se
revista e tij e shkruar pjesërisht në shqip, pjesërisht në frëngjisht, do të
kontribuonte në popullarizimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare,
për të cilën kishte aq nevojë Shqipëria.59
Me një letër
të përbashkët dhe mjaft të gjatë (rreth
tetë faqe) që Naimi dhe Samiu i drejtohen Murat Toptanit më 8 janar 1899 në atë
kohë në Bukursht, i parashtruan një varg argumentesh për ta bindur të shkëputej
nga platforma e Faik Konicës dhe të kthehej në shtëpi. Naimi dhe Samiu e
siguronin se po të jepte pëlqimin për të kthyer
do të ndërhynin me anën e Ali Beut (vëllai i gruas së parë të Samiut),
funksionar i lartë pranë Sekretariatit të Pallatit Sulltanor (Majbej) për të
nxjerrë dekretin e faljes në bazë të lutjes që vetë Murati i kishte drejtuar
valiut të Manastirit, (për këtë lutje kemi shkruar më lartë Sh. V).
Nga ajo letër tepër e gjatë ne me këtë rast do të japim
një version të shkurtë aq sa disponojmë me literaturë përkatëse.
Letra diku fillon me “Drita e syve tonë
bejefendi”,60 ndërsa në një vend
tjetër “Drita e syve tanë Murat”.61
...Faiku është një erudit, e sidomos
kundërshtar i rrugës sonë...62 U mor
vesh përse Faiku nuk pranon alfabetin tonë që zuri rrënjë dhe u
përhap...Armiqtë e kombit tonë prej kohësh kanë dashur të na gënjejnë se gjuha
shqipe është një gjuhë e prishur dhe trashamane, se nuk shkruhet e nuk mund të
shkruhet, se s’ka gramatikë, se shkencat nuk
mësohen me të etj. Por më në fund panë se shqipja u bë, u
shkrua, u krijua alfabeti i saj (është fjala për alfabetin e Stambollit), u
hartua gramatika, u shtypën librat e shkencës, u përkthyen poezi të bukura prej
çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë, u kuptua se ç’gjuhë e përsosur dhe e rregullt
është shqipja. Na thonin se shkrimet tuaja s’i pranon askush. Por, panë se
myslimanë, katolikë e ortodoksë, të gjithë i pranuan. Shkrimet e saj u përhapën.
U çelën shkolla. Për armiqtë tanë ka shumë rëndësi t’i dalin përpara një orë e
më parë
kësaj lëvizjeje, ta shembin këtë ndërtesë, që u ngrit dhe
ta shkulnin këtë pemë, që ka lëshuar pemë. Për të arritur këtë qëllim armiqtë
s’po lënë gurë pa lëvizur. Të thuash se tani shqipja s’bënë nuk ta vë veshin
kush...Biri ynë, jeni ende i ri, gënjeheni shpejtë. A e mbani mend kur më
shkruanit prej Brukselit se Rpçildi deshi ta shpëtojë Shqipërinë? Vazhdimin e
kësaj letre s’e patë. E ç’do t’i bënte Roçildi Shqipërisë? Shumë-shumë një
lëmosh prej 100-200 lirash e asgjë më tepër. Pastaj thoni se në Bukuresht për
çdo vit do të mblidhen 150.000 lira. Këto fjalë janë vetëm një kështjellë në
erë. Jo për çdo vit, po sikur të japin shqiptarët menjëherë gjithë pasurit
e tyre, s’dimë a plotësohet shuma e 150.000 lirave. Këto janë ëndrra. Ta zëmë
se u mblodh një shumë e madhe. Nga ne tani për tani s’pritet shërbim tjetër,
veç atij që të hapim shkolla e të shtypim libra. Evropa sot s’dëshiron të bëhet
potere në Rumeli, po të vërtetohet një gjë e tillë, Evropa do ta
shtrëngojë qeverinë ta shtypë menjëherë. Pastaj thoni se
me këtë e atë do të shkoni në Dalmaci dhe atje do të hapni shkolla e
shtypshkronjë e s’di ç’ka tjetër. Mirëpo personat që numëroni janë, që të
gjithë,të dyshimtë. Asnjë prej tyre s’mund ta ketë cilësinë e mësuesit. Do ta
merrni aty, siç po thoni edhe familjen. Po a nuk mendoni se qeveria nuk iu
lejon ta sillni aty familjen? Pastaj me se do ta mbani? Njeriu nuk e ponë
familjen në vende të huaja duke u mbështetur në ndihma. Aq më tepër, se na kanë
urdhëruar që ta sjellim këtu familjen ose me vullnet ose me dhunë, ose ruana
zot, mund ta internojnë diku. Me një fjalë, mos u bëni skllav i fantazisë dhe
mendoni gjëra që vlejnë të mendohen. Mos hartoni për çdo javë nga një projekt.
Megjithëse ambasadori i atyshëm është trembur nga nisma juaj dhe i ka bërë të
tremben të tjerët, duhet të përfitoni nga ky rast dhe të vini këtu duke u
lidhur me kushte të forta. Sepse nesër ose më vonë ambasadori do ta kuptojë se
çfarë themelesh foshnjarake ka nisma juaj, e do të raportojë. E atëherë do të
luteni, por nuk do t’jua vërë veshin askush. Ka edhe një gjë: duke qëndruar në
vende të huaja për një kohë të gjatë, do të shtrëngohesh ta shesësh pjesë-pjesë
çifligun për të ngrënë. Nuk rrohet me ajër. Mendoni se keni përpara një jetë e
një të ardhme, keni kalamaj. Në është për t’u bërë aty ndonjë punë, mund të
bëhet edhe pa ju. Mund të bëhen edhe me korrespodencë. Këto shkrime e këto
shkolla ne i çuam deri në këtë shkallë pa luajtur vendi e pa dalë në shash.
Kështu mund të punohet më lehtë e më me siguri. Ju i keni bërë lutje nga
Brindizi valiut të Mnastirit duke u lutur të ndërmjetësonte për faljen
tuaj. E tani ju propozon vetë padishahu
të vini dhe ju bëni naze. Mendoni mirë dhe ashtu veproni. Ky rast nuk vjen më
në dorë. Kur ta marrë vesh sa e kotë është nisma juaj, ambasadori do të
raportojë dhe pastaj s’jua vë kush veshin sa do të luteni. Prandaj, siç iu kemi
shkruar përpara, na dërgoni një letër turqisht por një letër që mund ta tregojmë
aty ku duhet. Në këtë letër shtroni kushtet që të mos pësoni ndonjë dënim, t’u
sigurohet e ardhmja dhe po të doni, shtoni se edhe dëshironi të jeni i lirë të
shkoni në Shqipëri për t’u marrë me punët e çifligut. Mund të kërkoni edhe
falje e sigurime para se të vini këtu. Në këtë letër do të thoni se keni marrë
letrën tonë të dytë me anë të filan tregtarit...Ne politikisht nuk mund të
bëjmë gjë, vetëm me anë të gjuhës dhe të letërsisë...63
Në këtë letër Naimi dhe Samiu, ia tërheqin
vëmendjen Muratit, që të ketë kujdes edhe nga doktor Ibrahim Temo, mbasi ky
ishte një “xhonturk” siç kemi thënë më lartë.
Ata shkruanin se ky është një djalosh patriot, shqiptar
por xhonturk, që kërkon ta bëjë lëmsh Shqipërinë...64
Murat Toptani nguronte të shkoi në Stamboll,
sepse dyshonte se mos ndoshta nuk do ta lënë të lirë të shkoi në Tiranë. Si
duket në ngurrimin e tij patën ndikim këshillat që i merrte nga disa shokë,
njëri ndër të cilët me një letër që mbanë nënshkrimin L. Lami i thoshte haptas
se kthimi në Stamboll “do të ishte një marrëzi që s’e ka shoqen.”
Për të thyer
ngurrimin e Murat Toptanit, Sami Frashëri, Mehmet Frashëri (vëllai i vogël i
tij dhe kunati i Muratit) dhe Ali Beu me 16 prill 1899 i dërgojnë një letër në
të cilën mes tjerash shkruajnë:
“... Këtu
nuk ka asnjë rrezik për ju. Ne garantojmë se nuk do të pësoni as ndonjë të
keqe...Prej atyre që janë kthyer deri tani askush nuk ka pësuar ndonjë dënim.
Pra, ju çfarë po bëni aty? A keni mundur të gjeni ndonjë punë? Natyrisht jo.
Nëse nuk do të ktheheni, me se do të jetoni? Apo duke marrë hua, apo duke e
shitur pasurinë tuaj? A iu përshtatet kjo juve? A mendoni se ku do të jetë
fundi i këtij qëndrimi? Shkatërrimi! Ju kërkoni nga Sulltani përpara se të vini
akt sigurimin dhe një dëmshpërblim prej 25000 frangash ari. Kërkesa të tilla të
natyrës së akt sigurimeve dhe dëmshpërblimeve i lejohen vetëm një shteti
fitimtar t’i diktojë një shteti të mundur, por që një person t’i diktojë një
shteti, nuk është dëgjuar deri më sot. Në rrethanat e tanishme, juve iu takon
që të vi menjëherë...Edhe sikur ambasadori të mos ju japë asnjë shpërblim për
borxhet tuaja,
madje as shpenzimet e udhëtimit, ju përsëri nuk duhet ta
lini varur çështjen e nisjes tuaj...Po e sorollatët nisjen tuaj edhe për disa
kohë, atëherë kthimi juaj do të bëhet e pa mundur. Nëse sot po na luten ata,
nesër do të detyrohemi t’u lutemi ne atyre dhe atëherë ne nuk do të fitojmë
gjë. Mos kini dyshim se kur të vini këtu do të merrni një punë të
përshtatshme.”65
Murat Toptani vazhdoi të qëndronte në
Bukuresht edhe për disa muaj. Më vonë, ai u lirua dhe pas një qëndrimi të
shkurtër në Stamboll, kah fundi i vitit 1899, arriti që të kthehet në Tiranë.
Kuptohet që ky lirim i tij u arrit në saje të përpjekjeve të Naim dhe Sami Frashërit.
Para nisjes për Stamboll, Murati ishte disa ditë mysafirë në shtëpinë e Ibrahim
Temos, i cili e përcolli dhe ndihmoi në shkuarjen e tij atje.
Meqenëse,
vetë për nga natyre ishte i gjallë, dinamik, sy pa trembur, plot energji dhe
elan, për të zhvilluar aktivitete dhe veprimtari në interes të çështjes
kombëtare, ai nuk mundi të qëndroi duarkryq, por duke qenë në kontakt me
popullin e vetë, ai i nxiti fshatarët që të mos paguanin taksat, dhe kjo u bë
shkaktar që persekutimet ndaj tij të mos ndalen. Gjatë një kontrollimi që i
bënë policia shtëpisë së tij gjetën libra të mësimit shqip, vjersha dhe
Historinë e Skënderbeut, që të gjitha ishin shtypur në vitin 1881me lejen e
autoriteteve të kohës, nga komisioni shkencor “Dituria” 66. (Viti 1881 qëndron në Kujtimet e
Eqrem bej Vlorës I, dhe sipas gjitha gjasave është gabim sepse, “Dituria” u
themelua në vitin 1886, në Bukuresht pas shpërndarjes së shoqërisë së më parme
“Drita”, SH.V.)67. Pas saj pasoi
internimi i Murat beut me gjithë familje në Konja të Azisë së
Vogël. Kështu pas një kohe të shkurtë të qëndrimit në
Tiranë Murati u internua sërish. Por me ndërhyrjen e sërishme të
vëllezërve Frashëri, ai prapë u lirua
dhe u vendos në shtëpinë e tyre në Stamboll. Mirëpo sipas të dhënave që i kemi,
pas vdekjes së Naimit, Murati prapë u internua.
Në Konjë, aso
kohe vali ishte Ferid Pasha, i cili e ngarkoi Muratin në detyrën e punëve
komunale dhe zbukurimin e qytetit. Nga këtu mbante korrespodencë me kolonit
shqiptare të Bukureshtit dhe Egjiptit. Pas qëndrimit disa vjeçar në Konje, dhe
pas lirimit nga internimi Murati qëndroi në Stamboll. Në vitin 1908 kur fitoi
revolucioni xhonturk ai u kthye në Tiranë. Këtu bashkë me patriotë tjerë, u
angazhua në përshpejtimin e mundësive që të përfitonin sa më shumë nga
premtimet për të drejtat kulturore. Si hap të parë këta patriot në krye me
Muratin, vendosën të hapnin një shkollë shqipe të shkëputur nga institucionet
fetare klerikale, dhe pa financimin e fuqive të huaja, përfshirë edhe
Austro-Hungarinë. Por duhet thënë se një hap më i rëndësishëm ishte krijimi i
klubit “Bashkimi” në muajin tetot 1908, me të cilën lëvizja kombëtare doli më
në fund nga ilegaliteti dhe filloi të zhvillonte veprimtarinë e saj haptas.
Kryetari i klubit “Bashkimi” u bë Refik Toptani, ndërsa selia saj u vendos në
shtëpinë e Murat Toptanit. Vendimi i parë i klubit “Bashkimi”, ishte hapja e
shkollës shqipe, caktimi i arsimtarëve, pajisja e saj me orendi dhe me tekste
shkollore etj. Meqenëse, për një funksion të tillë ndërtesa e mëparshme e shkollës
së Ashikut që kemi përmend më herët nuk mjaftonte, atëherë Murat Toptani
propozoi që shtëpia e tij krahas selisë së klubit “Bashkimi” të shërbej edhe si
ndërtesë shkollore...
Hapja e
kësaj shkolle shqipe u vonua nga që klubit “Bashkimi” i erdhi ftesa për të
marrë pjesë me një delegat në kongresin që do të mblidhej aty nga mesi i
nëntorit në
qytetin e Manastirit për të caktuar alfabetin e
përbashkët për shkrimin e gjuhës shqipe. Klubi vendosi të niste delegat Refik
Toptanin. Si rrjedhim për hapjen e shkollës priteshin vendimet e kongresit.
Caktimi nga kongresi i Manastirit (14-22 nëntor 1908) i alfabetit
kombëtar për gjuhën shqipe u prit me entuziazëm nga të
gjithë patriotët e trevës. Murati u vu menjëherë në aksion të punës. Ai vuri
kontakte me ish nxënësit e tij. Në lidhje me këtë konsulli austro-hungarez në
Durrës, në relacionin e tij të datës 12, maj 1909, dërguar Vjenës shkruante se
Ymer Deliallisi dhe Ali Shahini nga katundi Shijak kanë marrë nga Murat Toptani
letra dhe libra shqipe. Ndërkaq që aktiviteti dhe veprimtaria e patriotëve të
klubit “Bashkimi”, filloi të ngjallë reagime në mesin e partizanëve xhonturk.
Ky shpërthim i patriotizmit shqiptar me të madhe shkaktoi shqetësimin e
xhonturqve andaj ata organizuan në Tiranë degën e partisë “Ittihad ve
Terakki”,(Bashkim dhe përparim) selia e së cilës u vendos në ndërtesën e
hotelit “Stamboll” Në këtë mënyrë
pa kaluar shumë muaj nga fitorja e revolucionit xhonturk, u krijua një hendek
midis të së quajturës “Ittihadist” dhe atyre që quheshin “Bashkimxhinj”. Në
këto rrethana të reja fusha e luftës e patriotëve shqiptarë u ndërlikua mjaft,
sepse xhonturqit përveç që e kontrollonin pushtetin, administratën, ushtrinë,
policinë, financat, në dorën e tyre ishte edhe një armë shumë e fuqishme, programi
social. Ata e konsideronin veten e saj si një parti konstitucional antifeudale,
që synonte në përmbysjen e sulltanit, por që kërkonte ta shpëtonte Perandorinë
Osmane nga copëtimi. Meqë disa bejlerë shqiptarë kishin kaluar në anën e
lëvizjes kombëtare, ata lëshuan kundra tyre motivet antifeudale, me qëllim të
përvetësimit të fshatarësisë. Kështu që sipas xhonturqve bejlerët shqiptarë,
kërkonin shkëputje nga Perandoria Osmane. Në një situatë të tillë kohore pas
nëntorit të vitit 1909 jeta në Tiranë karakterizohej nga një luftë e ashpër
politike midis dy palëve; patriotëve shqiptar që në anën e tyre kishin vetëm
aspiratën për të përfituar të drejtat kombëtare të premtuara nga kushtetuta,
dhe xhonturqve të cilët e shkelën brutalisht kushtetutën duke kaluar në një
terror policor mjaft të egër. Si pasojë e këtij çrregullimi politik në Tiranë
klubi “Bashkimi” u mbyllë, dhe Murat Toptani u internua sërish-për herë të
katërtë dhe të fundit në jetën e tij, me ç’rast u dërgua larg Shqipërisë në
Anadoll, prej nga nuk pati mundësi të kthehet deri pas dorëheqjes së qeverisë
xhonturke të Haki Pashës më 17 korrik 1912 e cila qe detyruar të jap dorëheqje
nga përmasat e mëdha që patën ndërmarrë kryengritjet në Kosovë, dhe të
amnistisë së përgjithshme, të shpallur më 5 gusht 1912 nga qeveria turke e
Qamil Pashës. Ndërkohë që në Tiranë
shumë patriot u burgosën, me kërcënime që të heqin dorë nga “shqiptarizmi” i
tyre. Refik Toptani, i porositi anëtarët më të spikatur të organizatës “Bashkimi”se
kush kishte mundësi, të arratisej jashtë Turqisë. Vetë ai shkoi në Itali dhe u
vendos në Napoli, aty ku ishte strehuar disa vite më parë vëllai i tij Murat
Toptani. Gjatë një kontrollimi të bërë nga ana e policisë në shtëpinë e tij
janë gjet një shumicë fletoresh të “dëmshme”(sipas vlerësimit të aktvendimit të
Gjykatores Ushtarake të Jashtëzakonshme në Elbasan), një
libër i shkruar nga Sami Frashëri mbi pavarësinë e Shqipërisë, i përkthyer nga
Shahin Kolonja, dhe portreti i një shqiponje, që kishte të shkruara fjalët Rroftë
Shqipëria dhe fjalët gegë e toskë në anën e një luleje të vizatuar. Policia
arriti ta burgos sekretarin e Refik beut, Mahmut Fortuzin, në shtëpinë e të
cilit gjetën disa flamuj të Shqipërisë, kalendarë etj. (është fjala për Kalemdarin
Kombiar, që e botoi Mithad Frashëri prej vitit 1897-1928, në formë të
revistës-libër që i ngjasonte një enciklopedie të vogël letrare e kulturore SH.
V.) ku u provua se ai, ishte shpërndarës i librave dhe i broshurave të
“dëmshme”. Krahas Mahmut Fortuzit, janë burgosur edhe Hafëz Ibrahim Daliu,
Jusuf Sylejman Elezi, Mustafa Mara, Beqir Luga dhe Qamil Biçaku i Jusuf Beut
nga Elbasani etj 68.
Dorëheqja e
Haki Pashës shënonte fundin e politikës arrogante xhonturke. Pamundësia e saj
për të shtypur kryengritjen shqiptare, e cila ndodhi pas disfatës së luftës me
Italinë rreth Tripolit, të filluar me 27 shtator1911, në të cilën Turqia pësoi,
për shkak ngjarjeve të shfaqura në Shqipëri dhe rrezikut të luftërave të tjera
në Ballkan. Kështu që turqit u detyruan të hynë në bisedime me italianët dhe në
tetor 1912, u nënshkrua traktati në Lozanë, ku Italia mori pasurinë e Afrikës
Veriore, të cilën e pagëzoi Libi.69 Në
këtë luftë Italia përdori edhe aviacionin dhe bëri bombardimin e parë nga
qielli në historinë e luftërave, me ç’rast i solli dëme mjaft të mëdha ushtrisë
së Perandorisë Osmane, e sidomos shkaktoi viktima të shumta popullatës civile
arabe myslimane të Libisë. Kjo ishte ajo që e zhyti Perandorinë Osmane në një
krizë të thellë politike. Ndërkaq që dorëheqja e Haki Pashës i inkurajonte më
tepër kryengritësit shqiptarë të cilët pas
sukseseve të vazhdueshme që kishin korrur pothuajse çdo
ditë, më 22 korrik çliruan Prishtinën, kryeqytetin e vilajetit të Kosovës,
ndërsa me 12 gusht kryengritësit hynë dhe e çliruan Shkupin. Është interesant
me këtë rast të cekim se çka kishte deklaruar Haki Pasha në parlamentin turk më
1911 për shqiptarët:
“Prej të gjitha kombësive që jetojnë nën
administrimin tonë, rrezikun më të madh për Turqinë e paraqesin shqiptarët, nga
të cilët duhet të frikohemi...që mos të arsimohen në gjuhën e tyre...Me ndihmën
e shkrim leximit në gjuhën shqipe ata kanë filluar vendosjen e bazave
kombëtare, dhe një ditë do munden ta nënshtrojnë tërë Turqinë; shqiptarët kanë
një gjuhë të pasur dhe të letë, e cila shumë shpejtë mësohet...Evropa ka një
simpati të madhe për këtë popull; Shqiptarët kërkuan arsimim, hapën shkolla-të
mëdha dhe të vogël, hapën klube, shtypshkronjën, mbajtën kongrese dhe kryen aq
punë sa që për ne është vështirë që t’i bindemi gjithë kësaj.”70
Ndërsa shtypi i kohës shkruante për lodhjen e
Perandorisë Osmane nga luftërat dhe kryengritjet e organizuara të një pas
njëshme, të zhvilluara në dekadat e fundit të regjimit të vjetër, e sidomos në
dy vitet e fundit të regjimit xhonturk.
Vendet aleate të Ballkanit, si Bullgaria,
Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, e nënshkruan një traktat me çka u kristalizua
aleanca e këtyre katër shteteve ballkanike. Qëllimi kryesor i këtyre shteteve
aleate ishte pushtimi i Maqedonisë, por si duket ata nuk ranë në ujdi për
ndarjen e territoreve; meqë ndërmjet Bullgarisë dhe Greqisë ekzistonte ndarja,
e po ashtu ndërmjet Bullgarisë e Serbisë, fati i Maqedonisë, si një tokë që nuk
i përkiste askujt, iu la
në dorë carit të Rusisë. Ky kalim i problemit territorial
mund të thoshte konflikt mes anëtarëve të aleancës pas përfundimit të luftës me
Turqinë.
Megjithëse nuk u përcaktua data e sulmit mbi
Turqinë, më 1912 vendet aleate po prisnin me padurim. Ato ndiheshin të fortë
nga bashkimi, donin të përfitonin nga turpi i Kostandinopojës, i krijuar nga
lufta me Italinë dhe së fundi ato ishin të ndjeshme nga fitorja e shqiptare,
pasi tani Shqipëria duhet të konsiderohej si një shtet autonom i përbërë nga
katër vilajetet e Shkodrës, Janinës, Manastirit dhe Kosovës. Nëse problemi shqiptar
do të zgjidhet përfundimisht, atëherë vendet aleate do t’i gjenin dyert të
mbyllura në perëndim. Të alarmuar nga gjendja e krijuar, ministrat e jashtëm të
vendeve aleate, e fiksuan sulmin në vjeshtë. Ndër shtetet e vogla ballkanike,
Mali i Zi u bë pararojë, pasi mbreti Nikolla më 8 tetor i shpalli luftë
sulltanit. Disa ditë më vonë, monarkët e vendeve aleate i dërguan një ultimatum
Kostandinopojës dhe lufta filloi.71
Nga kujtimet e Ismail Qemalit kuptojmë se
mbreti Nikolla e ftonte ta vizitoi në Tivar, për të diskutuar rolin që
Shqipëria kishte pas mundësi ta luante, në një luftë kundër Turqisë, dhe dobitë
që ndoshta mund t’i kishte përfituar.72
Megjithatë kjo vizitë nuk u arrit me që Ismail Qemali një takim të tillë e
shihte si të parakohshëm duke menduar se ndoshta do të ishte më mirë, nga çdo
drejtim, siç i shkruante në telegram Mbretit Nikoll, që në radhë të parë të
kontaktoja me qeverinë e re turke, ministrat kryesorë të së cilës ishin miq
personal të tij. Mbreti Nikolla kishte për qëllim të arrijë një marrëveshje me
Ismail Qemalin, në lidhje për mënyrat dhe kohën e rreshtimit të Shqipërisë
përkrah aleatëve.73
Lufta e Parë
ballkanike filloi duke i shpallur Mali i Zi luftë perandorisë osmane siç thamë
me 8 tetor dhe pastaj Serbia, kurse Bullgaria me 17 tetor dhe Greqia me 18
tetor, me nisjen e veprimeve luftarake duke marshuar në territoret e
perandorisë. Tri prej tyre, ushtritë malazeze, serbe dhe greke si të droguar
filluan të pushtonin viset shqiptare. Me përparimin e tyre ato ushtruan një
terror mbi shqiptarët e viseve të pushtuara. Ushtria turke tërhiqej nga të
gjitha frontet. Në fund të tetorit, malazezët po e rrethonin Shkodrën, serbët
po pushtonin Kosovën, ndërsa ushtria greke e pushtoi Çamërinë dhe po e
rrethonte Janinën.
Tani, në
rrethana dhe kushte të tilla që u paraqitën në Ballkan, për kombin shqiptarë
shtrohej pyetja e ekzistimit politik të tyren. Me humbjet e ushtrisë Turke,
njehsoheshin ditët e sundimit të saj në Evropë. Si duket kishte ardhur momenti
për të cilën shkruante dikur Sami Frashëri, se do të vjen koha kur shqiptarët
duhet të vendosen se a do të shkatërrohen bashkë me Turqinë apo do të ndahen
prej saj.74 Kjo gjende mjaft e
ndërlikuar i shtyri patriotët shqiptarë që të marrin masa që të mos lejonin
copëtimin e tokave shqiptare. Këtë iniciativë e morën Ismail Qemali dhe Luigj
Gurakuqi. Ata u nisën nga Stambolli në Bukuresht dhe më 5 nëntor 1912
organizuan mbledhjen e Kolonisë Shqiptare, ku formuan Komitetin Drejtues, që do
të merrte në dorë qeverisjen e vendit. Po kështu u formua një komision për
mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar para Fuqive të mëdha. Nga
Bukureshti Ismail Qemali shkoi në Vjenë ku zhvilloi biseda me
ambasadorin anglez dhe atë italian. Prej Vjene nëpër
Trieste arriti më 21 nëntor në Durrës. Midis personaliteteve që kishin dalë për
ta pritur ishte edhe Murat Toptani, fytyra e të cilit ndriçonte nga kënaqësia
dhe gëzimi i madh. Kështu i shoqëruar nga delegatët e Durrësit, Shijakut,
Tiranës, Krujës, Kavajës, Lushnjës, Fierit dhe të Kosovës, më 25 nëntor të
vitit 1912, Ismail Qemqli arriti në Vlorë.75
Kishte pas vështirësi për të arritur deri në Vlorë, nga se rrezikohej që të
mbyllen rrugët nga ushtritë serbe dhe greke, të cilat po përparonin me
shpejtësi, mbasi ushtritë turke përveç garnizoneve të Shkodrës, Janinës dhe
Selanikut ishin shthurur gjithandej. Për këtë arsye me qëllim të kapërcimit të
kësaj vështirësie të pa pritur Refik Toptani grumbulloi jashtë qytetit, brenda
pak orësh numrin e domosdoshëm të kuajve dhe karrocave, dhe kështu më 22 nëntor
një grup jo i vogël i delegatëve, ndërmori nga Durrësi udhëtimin e vet historik
për në Vlorë.
Në prag të
shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ushtria e shteteve të Aleancës Ballkanike
depërtonte thellë e më thellë nëpër tokat shqiptare nga të gjitha anët.
Patriotët shqiptar nëpër qytete vendosën që sa më parë të shpallnin pavarësinë
me qëllim që autoritetet ushtarake të ishin para aktit të kryer. Ushtritë serbe
kishin arritur në Krujë dhe me ngulm të madh donin të shtinin sa më parë në
dorë Tiranën. Patriotët shqiptar të Tiranës të tubuar rreth Refik Toptanit vendosën të shpallnin
vetëqeverimin e Shqipërisë dhe qëndrimin e saj si vend asnjanës. Vendimin
historik e shpalli publikisht nga hyrja e ndërtesës Refik Toptani përpara
popullit të tubuar në miting.
Patrioti dhe atdhetari i pa epur Hafëz
Ibrahim Dalliu, aktor i ngjarjeve të kohës dhe pjesëtarë i çetave patriotike në
kujtimet e tij “Patriotizma në Tiranë”
na e ka dhënë fjalimin historik të Refik Toptanit në këtë mënyrë:
“Or vllazën! Me hidhrim të madh po ju tham se
e pru puna me u nda prej vllaznish t’onë Tyrq, dhe m’e zbrit bajrakun
(flamurin) e atyne qi ka valu me qindra vjetsh, edhe me ngref qeverin komtare e
me ngrejtë flamurin e Shqipnis. Dhantë Zoti e u puqshim si sod goj ndër gojë
q’ashtu të mundemi m’e rujtë atdheun t’onë nga të shkelunit e anmikut. Rroftë
Shqipnija në vehte, Rroftë flamuri kombtar!”76
Hamit Borishi oficer i xhandarmërisë e uli
flamurin e Perandorisë Osmane dhe e ngriti flamurin shqiptar-një flamur i
pikturuar sipas modelit që kishte botuar kolonia shqiptare e Sofjes. Me këtë
rast iu dërgua një telegram personalisht Ismail Qemal Vlorës ku thuhej :
“Tani shpallëm Pavarësinë në emër të
Shqipërisë. Kërkojmë dhe lutemi të ruhen të drejtat e pamohueshme të Pavarësisë
tonë.”
Përfaqësuesit
e Tiranës u dërguan telegrame edhe qyteteve shqiptare, që nuk ishin pushtuar
ende nga ushtritë serbe dhe greke. Mirëpo ndodhi që ushtritë serbe si çdo herë,
të etur në gllabërimin e territoreve shqiptare, duke mos e respektuar
Pavarësinë e shpallur me vullnet të lirë nga banorët e Tiranës, hynë në qytet,
e përdhosin flamurin kombëtar shqiptar, ngritën flamurin e mbretërisë serbe dhe
shpallën gjendjen e jashtëzakonshme të pushtimit. Me atë rast Refik Toptani
hartoi me nguti një protestë drejtuar konsullit të Austro-Hungarisë në Durrës
dhe e njoftoi Ismail Qemalin në Vlorë.77
Siç po vërehet
situata bëhej gjithnjë e më e nderë, prandaj në mbrëmje të 27 nëntorit 1912
delegatët që ndodheshin në Vlorë vendosën, edhe pse nuk kishin arritur
përfaqësuesit e disa krahinave, që të nesërmen të mbahej Kuvendi Kombëtar.
Kështu më 28 nëntor 1912 në Vlorë (i vetmi qytet në Shqipëri ende i pa pushtuar
nga forcat e aleancës ballkanike)78,
delegatët numri i të cilëve arrinte në 37 (diku qëndron 41) u tubuan në
shtëpinë e Xhemajl Bej Vlorës e mbajtën Kuvendin Kombëtar. Kuvendi zgjodhi
kryetar Ismail Qemalin, me urdhrin e të cilit Murat Toptani ngriti flamurin
duke kënduar bashkë me përfaqësuesit korçarë të Kolonisë së Bukureshtit këngën
“O flamur i Shqipnisë” që e kishte thurur vetë, ndërsa ishte muzikuar nga
korçari Floqi Thanasi (1884-1945).
Aktin e
shpalljes së pavarësisë përveç pjesëmarrësve të tjerë e nënshkruan edhe Murat e
Abdi Toptani si delegat nga Tirana.
Disa ditë më vonë pas shpalljes së
pavarësisë, më 4 dhjetor 1912, u formua qeveria e parë shqiptare nën kryesinë e
Ismail Qemalit. Po këtë ditë krahas formimit të qeverisë u krijua dhe pleqësia
e shtetit shqiptar si një organ ndihmës dhe kontrolli për qeverinë shqiptare.
Njëri ndër 18 anëtarët e Pleqësisë ishte edhe Murat Toptani.
Pa dyshim, se
vendimi i shpalljes së pavarësisë është një akt historik me të cilin Shqipëria
bëhet e pavarur dhe shtet sovran, por vetëm me kaq nuk u zgjidh kjo çështje. Se
pse, njëra ndër çështjet themelore që mbeti e pa zgjidhur ishte çështja e
njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë dhe caktimi i kufijve.
Megjithëse hapësira mbi të cilën shtrihej pushteti i shtetit të posa shpallur
shqiptar ishte tepër e ngushtë. Pushtuesit
e rinj që e zëvendësuan Perandorinë Osmane në trojet
shqiptare-Serbia, Greqia dhe Mali i Zi bënë përpjekje, ushtarake dhe
diplomatike, që në zanafillë ta shuajnë atë.79
Përpos
fqinjëve ballkanikë, në njërën anë, dhe shqiptarëve, në anën tjetër, konceptin
e tyre për zgjidhjen e çështjes shqiptare tani e kishin edhe Fuqitë e Mëdha.
Pas rënies së Perandorisë Osmane, në Ballkan u krijua një zbrazëti e madhe, të
cilën Aleatët Ballkanik po e plotësonin me pasoja tepër të mëdha për ardhmërinë
ballkanike! Ishte e qartë se me synimet e tyre zgjeruese ato do ta zgjasin
krizën ballkanike. Por shtetet e Fuqive të Mëdha Evropiane, duke vështruar dhe
parë situatën mjaftë të ndërlikuar në Ballkan e thirrën Konferencën e
Ambasadorëve në Londër, me qëllim të zgjidhjes së krizës ballkanike. Në këtë
Konferencë e cila i filloi punimet me 17 dhjetor 1912, dhe përfundoi me 12
gusht 1913, morën pjesë këta ministra: nga Austro-Hungaria, Mensdorfi; nga
Gjermania, Lihnovski; nga Italia, Imperiali; nga Franca, Kamboni; dhe nga
Rusia, Bekendorfi, kurse mbledhjet e Konferencës i kryesonte Ministri i Punëve
të Jashtme Angleze, Eduard Grei.
Qeveria e
përkohshme e Vlorës në këtë konferencë kishte caktuar delegacionin prej katër
anëtarësh. Por, në Londër vajtën vetëm tre: Rasim Dino, Mehmet Konica, dhe
Filip Noga. I katërti ishte caktuar Sotir Kolea por që nuk shkoi nga se, si
duket nuk dëshironte ta merrte një përgjegjësi nga pesha e rëndë e historisë.81
Gjashtë
ministrat e punëve të jashtme të shteteve të përmendura, si dhe përfaqësuesit e
Shqipërisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, gati tetë muaj do ti kalojnë duke
biseduar rreth ndarjes së “trashëgimisë ballkanike turke”, por më së shumti
rreth kufijve të Shqipërisë me fqinjët e saj. Gjatë kësaj kohe siç shkruante
akademiku jonë i shquar Rexhep Qosja, ata do të lexojnë memorandume, shtesa të
memorandumeve, procesverbale, përkujtesa rezoluta, deklarata, peticione,
demarshe, do të shikojnë harta gjeografike të Evropës e të Ballkanit, e më së
shumti projekt harta, në të cilat paraqiteshin kufijtë e Shqipërisë së
porsakrijuar.82 Dhe më në fund vendimet
e nxjerra nga kjo konferencë Shqipërinë e lanë të gjymtuar, sepse më tepër se
gjysma e territorit dhe e popullsisë shqiptare mbetën nën pushtimin Grek, dhe
Serbo-Malazez.
Është
interesant me këtë rast të cekim se çka i tha përfaqësuesi shqiptar Mehmet
Konica, kryesuesit të konferencës ministrit britanik Eduard Grei-t, kur
konferenca në mars të1913 vendosi të copëtonte rëndë trojet shqiptare. Mehmeti
kërkoi të bëjë një takim me ministrin dhe kryesuesin e mbledhjeve të
konferencës Eduard Grei. Protokolli për këtë takim parashihte vetëm15 minuta
kohë. Të shohim si vijoi ky takim. Kur Mehmet Konica hyri brenda (në zyrën e z.
E. G.), atij nuk iu ofrua të ulet, ndërsa ministri britanik qëndronte pranë
dritares me shpinë të kthyer kah ai. Mehmet Konica nuk e filloi bisedën në
lidhje me caktimin e kufijve, por e zëri ngoje se në Shqipëri është zbuluar një
minierë e pasur e arit dhe për këtë qeveria e Ismail Qemalit ka shpreh dëshirën
që koncesionet për eksploatimin e saj ta marrin Anglezët. Z. Eduard Grei
menjëherë kthehet me fytyrë kah bashkëbiseduesi dhe i ofron të ulet. Atëherë,
Mehmet Konica i tregon se kjo nuk është e vërtet, por dëshira e tij ishte të shohë
se si kishte me reagua Britania e Madhe në rast se do të ishte e interesuar
drejtë për së drejti për Shqipërinë.83
Mehmet
Konica dhe Filip Noga qëndruan në Londër deri në fillim të gushtit 1913. ndërsa
Rasim Dinoja, si duket u largua nga fundi i marsit apo fillimi i prillit, pas
lajmit për caktimin e kufijve që u vendosën më 20 mars.
Nuk duhet
harruar se Shqipëria u bë viktimë e mbajtjes së ekuilibrit ndërmjet fuqive të
mëdha, gjë të cilën e kishte pohuar edhe vetë ministri britanik Eduard Grei,
kur u përgjigj në Dhomën e Komunave, me 12 gusht 1913, për çështjen e kufijve
të Shqipërisë: “Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky vendim do të
kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njeriu që e njeh vendin dhe që
e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet të kemi
parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte që
të mos hapej konflikt midis fuqive të mëdha. Prandaj në qoftë se marrëveshja
mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmonin ndërmjet fuqive të mëdha, mund të
themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes n,Evropë.”84
Sipas
vendimeve të dala nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, Shqipëria do të
bëhej një principatë autonome e sovrane që do të kishte në krye një princ me të drejta trashëgimore, i cili do të
caktohej prej fuqive të mëdha, me ç’rast shteti i ri do të shkëputej fare nga
Turqia, dhe do të ishte asnjanës, nën garantin dhe kontrollin e gjashtë fuqive
të mëdha. Administrata civile dhe financat e Shqipërisë, për një periudhë
dhjetëvjetëshe, dot jenë nën mbikëqyrjen e një Komisioni ndërkombëtar, i
përbërë prej delegatëve të gjashtë fuqive të mëdha dhe prej një delegati
shqiptar. Ky komision do të organizonte të gjitha degët e administratës
shqiptare, dhe afati i kontrollit të tij mund të zgjatej edhe për dhjetë vjet
të tjerë në rast nevoje. Princi i Shqipërisë do të zgjidhej brenda gjashtë
muajve. Por deri sa të vinte ky dhe deri sa të formohet një qeveri definitive,
autoritetet dhe xhandarmëria e vendit do të viheshin nën kontrollin e
Komisionit Ndërkombëtar. Rendi dhe qetësia publike do të siguroheshin nga një
xhandarmëri e organizuar prej oficerësh të huaj, që parashihej të ishin
Suedezë. Me që Suedia nuk pranoi të dërgonte oficerë në Shqipëri, atëherë në
vend tyre fuqitë e mëdha dërguan Holandezë.
Pra sikurse
po shihet konferenca e Londrës nuk e pranoi qeverinë e Ismail Qemalit, por ajo
formoi një Komision Ndërkombëtar të Kontrollit të cilës ia dha disa kompetenca,
(administratë, financa, “drejtësi” dhe xhandarmëri) me çka tashti në Shqipëri u
mundësua krijimi i disa rrymave separatiste-krahinore, apo formimi i një
mozaiku qeverish lokale, të cilat shkaktuan pështjellime të mëdha në lëmshin e
çështjes së përgjithshme kombëtare. Kështu pos qeverisë së Vlorës dhe të
Durrësit me Esat Toptanin, u formuan edhe qeveri në Lezhë me Dod Cokun në krye;
pastaj në Shën Gjin të kryesuar nga Vat Marashi; në Mirëditë me Prenk Bib
Dodën; ndërsa në Shkodër ishin forcat ndërkombëtare në krye me anglezin Filips.
Si rezultat i tërë kësaj ishte dorëheqja e Ismail Qemalit me 22 janar 1914,
duke ia dorëzuar pushtetin
Largimi i
Ismail Qemalit dhe rrëzimi i Qeverisë së Vlorës ishin padyshim goditja më e
rëndë që merrte vepra e ngritjes së pavarësisë shqiptare mbi themele kombëtare.
Më 21
shkurt 1914 një delegacion shqiptar prej 14 vetash, i caktuar nga
Princ Vidi
u ndodh shpejt përpara një gjendjeje politike mjaft të vështirë të brendshme e
të jashtme. Brenda vendit ai u gjend përball lëvizjes “vorio-epirote dhe
kryengritjes që shpërtheu në Shqipërinë e Mesme. Ndërsa në planin ndërkombëtar
Princ Vidi u soll në Shqipëri nga Fuqitë e Mëdha, në një kohë kur ato kishin
kontradikta ndërmjet tyre dhe po përgatiteshin për t’u ndeshur ushtarakisht me
njëra-tjetrën. Përveç këtyre, Princ Vidi nuk i kishte mjetet e duhura për ta
nxjerrë vendin nga ku ndodhej.87
Ndërsa një
vështirësi tjetër për princ Vidin krijoi kryengritja që shpërtheu në Shqipërinë
e Mesme, më 1914. Kryengritja e Shqipërisë së Mesme ose e rebelëve, siç u quajt
në atë kohë, filloi në rrethin e Tiranës, më 17 maj 1914, me një sulm kundër
batalionit të vullnetarëve tek Ura e Limuthit afër Tiranës, me ç’rast
kryengritësit hynë në qytet. Të nesërmen më 18 maj, grumbuj fshatarësh të
armatosur zunë Shijakun dhe iu drejtuan Durrësit. Kryengritësit dolën hapur
kundër princ Vidit dhe kërkuan një princ turk.88
Në të gjitha
viset që ranë në duart e rebelëve u ngrit flamuri i gjysmëhënës turke, dhe e
para qe Kavaja ajo që ngriti këtë flamur. Kush u gjet me flamurin kombëtar u
rrah me kërbaç. Gjuhë zyrtare u shpall turqishtja, ndërsa për shkolla shqipe as
që bëhej fjalë. Patriotët shqiptar u burgosën në masë, si asnjëherë më parë.
Hafëz Ibrahim Dalliu na jep plot emra patriotësh tiranas, që u burgosën nga
rebelët, natyrisht duke mos qenë të bindur se janë përfshirë të gjithë. Këtyre
arrestimeve nuk u shpëtuan as klerikët e njohur myslimanë, si Hafëz Ali Korqa,
i cili kishte predikuar fenë në gjuhën shqipe, ose Haxhi Vehbi Agolli myfti i
Dibrës, delegat në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe kryetari i Pleqësisë
Kombëtare të Vlorës, i cli më vonë u shqua si një nga organizatorët e kongresit
të parë mysliman shqiptar (1922) dhe i pari kryetar i Komunitetit Mysliman
Shqiptar të Pavarur. Nga ana tjetër shumë patriotë i shpëtuan arrestimit, mbasi
u arratisën jashtë vendit ose u fshehën jashtë qytetit nëpër fshatrat e thella.
Dy prej tyre që i shpëtuan arrestimit ishin edhe Murat e Refik Toptani të cilët
me ngutësi të madhe shkuan në Durrës, për të treguar gjendjen alarmante dhe për
të kërkuar fuqi.
Rebelët
apo xhonturkistët për hakmarrje dogjën shtëpitë e disave prej atyre që u
arratisën, ndër të cilat atë të Murat Toptanit që kemi cekë më herët, vëllait
Refikut dhe kushëririt të tyre Fuat
Toptanit, po edhe shtëpitë dhe pronat e të tjerëve, si për shembull atë të Isuf
Elezit.
Në këto
kushte dhe rrethana mjaft kaotike, që tashti dominonin jo vetëm në Shqipërinë e
Mesme, por edhe në hapësira tjera të Shqipërisë, Murat Toptani emigroi në Vjenë të Austrisë,
pasi që kishte besim të madh tek politika dhe diplomacia e Austro-Hungarisë
ndaj Shqipërisë.89
Edhe pse
shpejtë pasi filloi Lufta Parë Botërore, Shqipëria u gjend nën pushtimin
Austro-Hungarez, Murat Toptani nuk u kthye në atdhe. Ai shërbente si oficer në ushtrinë Austro-Hungareze, larg
gruas dhe fëmijëve. Nga një letër e Muratit drejtuar prej Vjene gruas së tij,
Asijes në Tiranë, më 18 prill 1917, të cilën do ta paraqesim më poshtë kuptojmë
se ajo kishte vuajtur mjaftë shumë pa të shoqin pranë. Sa mund të kuptohet nga
letra, z. Asije e kishte “qortuar” Muratin, ndoshta sepse ai , i angazhuar si
oficer në ushtritë Austro-Hungareze vazhdonte të qëndronte larg në Vjenë, edhe
pse tani këtu vendi ishte nën pushtimin e Austro-Hungarisë. Murati thotë se
është hidhëruar fort nga këto qortime”. Por, përpiqej të shfajësohej me gjuhë
të kulturuar. Sado që letra ka karakter intim, ajo na tregon kalvarin politik,
që kishin pësuar çifti patriot, Murati dhe Asija. Letrën do ta riprodhojmë
sikurse është e shkruar në gjuhën e kohës, pa ndërhyrje ortografike dhe
gjuhësore, nga se ashtu është botuar edhe në librin “Historia e Tiranës” të
cilës iu kamë referua në disa raste, gjë që është evidentua në fusnotë. Ai e
fillon letrën:
“Ime shoqe
fort e dashme...Shpirti i im, të di qi je ma trimnesh’e grave dhe zoti ma din
sesa dashni e sesa respekt ndjen zemra ime për ty. Po metohu pak. Thue që kini
hek keq. E di, por jo edhe sa më shkruani, ani i zam qi të jen të vërteta. Po
moj zonja ime. Fati ynë i të dyve, që kur u martum jetën nëpër mërgime e në të
zezat e shkretëtirat e Anadollit, e kemi shku me kaq përpjekje. U shpall
konstitucioni i Turqisë me atë hyrjet të bukur që na dhanë. Se ç’hoqëm në atë
kohë zoti e zemra jonë e din. Lufta e Ballkanit! T’hyjmet e gjith ç’mursh
armikut në Shqipnië. Të përpjekurit për Shqipni e për shqiptari. Më së fundi
lufta e tmerrshme, lufta botore. Po e lexoni vet se në ç’ditë gjendet gjithë
faqja e dheut. Ku m’i kini ato kokë mekurona? Serbë, Mal i Zi, Belgjikë,
Rumani. Po Rumanofët, ajo shtëpi gjakësore e despotëve t’errët të Rusisë? Këto
po t’i shkruaj sa për shembull. Nuk mund të përgjasim hallin tonë me ta tynve
mbasi ata ishin tepër nalt, e prej asaj naltsije kan ra! Mejtohu që dhe kombet
i vërejnë si tradhtarë e gjakpirës e kujtdo s’u dhimbset halli i tyne. Por ne
bija ime hoqëm për të mirën e atdheut të dashun. Kini hek e jeni përpjek, ani
pa vesh e pa mbathur, mir ashtu si ju duket ndër sy, po Perëndia me madhninë e
vet a nuk ka me na e pagua me të mira?...Mos m’u idhnoni u lutemi, se kështu
jam mbjell e kështu kam me u korr se qeni plak nuk ze ma më të gjuaj. Perëndia
të dhanë shëndetin, të falt e të rujt me gjith fëmin, njësh e ja mrifsh asaj
dite të bardh e i martofsh.”90
Fjalët e
fundit të letrës të krijojnë përshtypjen sikur Murat Toptani mos kishte
ndërmend të kthehej në Tiranë. Por nuk doli ashtu. Nga se kah fundi i vitit
1917, ai u kthye në gjirin e familjes së vet në Tiranë. Mirëpo fati i tij ashtu
si ia kishte caktuar zoti nuk deshi të jetoi gjatë pranë familjes. Dy muaj më
vonë më 20 shkurt 1918, Murati duke kalëruar si në rini, vdiq pa pritur nga
pushimi i zemrës dhe u rrëzua nga kali. Vdiq në moshën 51 vjeçare. Vdekja e
Muratit pikëlloi mbarë qytetin. Për këtë bir të shquar nga Tirana, qytetarët e
saj e shprehën me një varrim madhështor, të cilën Tirana nuk e kishte parë
asnjëherë deri atëherë.
Gazeta
“Vllaznia e Vjenës” me rastin e vdekjes së Murat Toptanit shkruante: “Murat
Toptani tregoi pa frikë në të tanë rastet se ishte gjithmonë në anë të kombit
të vet, e me zell të pa shoq u përpoq për të mirën e tij...”91 Ndërsa gazeta “Posta e Shqypnis”, që
botohej në Shkodër nën drejtimin e Gjergj Fishtës, ja se si e njoftoi vdekjen e
Murat Toptanit:
“Me dhimbje të
zemrës marrim vesh se këto ditë ka vdekur nga një vdekje e papritur Murat Bej
Toptani, zotni i ndershëm dhe atdhetar i vlefshëm. Murat Beu ka mbaruar mësimet
në liceun e Gallatës dhe doli fort i zhdërvjellët nga mendja. Sidomos doli
mjeshtër në skulpturë. Vepra r fundit, që ka kryer ishte shëmbëllesa e
Skënderbeut, e cila i pati dalë për bukuri. Ka shkruar edhe vjersha dhe për ato
që na ka rënë rasti t’i dëgjojmë nga goja e tij, kanë qenë të shkruara me aq
ndenja sa do të ishte dëm të humbnin. Murat Beut i qëlloi të heqë shumë nga
qeveria e Stambollit. Por, si në fat të mirë, si në fat të keq, gjithmonë i la
nder vendit e kombit për njerëzi, bujari e dashuri ndaj atdheut. Pasi krisi
lufta e Evropës, hyri si vullnetar në ushtrinë austro-hungareze, ku shërbeu si
Leutenant deri ditën e vdekjes. Shtëpisë dhe vëllazërisë së tij i urojmë prej
zotit forcë për këtë vdekje të mjerueshme.”92
Krijimet poetike të tij janë përmbledhur në vëllimin
“Vjershat e Murat Toptanit”, Tiranë 1924.
Ky material u botua
para ca kohe në të përditshmen “ZËRI”.
FUND.
*Për këtë më gjerësisht në, Prof. Dr.
Kristaq Prifti, “Doktor Ibrahim Temo-jeta dhe vepra 1865-1945”
Prishtinë, 1996.
51 DR. Ismet Dërrmaku, “Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe Kolonitë Shqiptare
të Mërgimit në Rumani
dhe në Bullgari” f.
211, Prishtinë 1983, dhe autori njëjtë në “Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të
Pejës
Besa Besë 1899 (dokumente), f. 15, Prishtinë
1997.
52
53 Kristaq Prifti, “Der..Him…” f. 53.
54 Po aty.
55 Kris..Prif…, “Lidhj..Shqip..Pej…”, f. 226.
56 Krist..Frash..po aty f. 306.
57 Riza Sadiku, “Hasan Kaleshi-jeta dhe vepra”, f. 224-225, Prishtinë,
1996, dhe “Faik Konica VEPRA-1”
f. 34-34, Prishtinë, 1995
58 Po aty…
59 Krist..Frash..po aty, f. 307.
60 Po aty, f. 308.
61 Bardhosh Gaqe, po aty f. 181.
62 Rexhep Qosja, “Porosia e Madhe” f. 14, Prishtinë,
1986.
63 AQSH. Origjinali turqisht ruhet në fondin “Naim
Frashëri”, shih në Kri.. Frash…f. 308-309; “Bujku”,
më 19 tetor 1995 enjte, në rubrikën “ENCIKLOPEDIA”
,botoi një pjesë shumë të shkurtë nga kjo letër.
64 Krist..Frash..po aty, f, 321-322.
65 Letra në origjinalin turqisht ruhet në AQSH. Tiranë. Fondi “Ibrahim Temo”, letra nr. 460; në Kris...
Frash...po aty f. 310.
66 Eqrem bej Vlora, “KUJTIME vëllimi i parë
1885-1912” f. 174, Tiranë, 2001.
67 “Historia e Popullit Shqiptar II” f. 207-208, Prishtinë, 1969; dhe Pr. Dr. I. Der.. “Ril..kom..shq..171-172.
68 Kris..Frash,, po aty, f. 332-333.
69 Ferdinand Schevill “Ballkani-historia dhe
qytetërimi”, f. 382, Tiranë 2002
70 Petrit Imami “Serbi i Albanci Kroz Vekove”, f.
186, Beograd 2000.
71 F. Shew… f. 383.
72 Ismail Qemal Vlora, “Kujtime”,f. 314-315. Tiranë 1997.
73 Rexhep Qosja, “Çështja Shqiptare-historia dhe
politika”, f. 83. Prishtinë, 1994.
74 Peter Bartl “Albanci”, f. 138-139,
75 Dr. Fehmi Pushkolli, “Mbrojtja Kombëtare
Shqiptare e Kosovës 1878-1990” f. 65-66, Prishtinë 1991.
76 Hafëz Ibrahim Dalliu, Patriotizma në Tiranë” f.
88, Tiranë 1930; në K. Frash... f. 356.
77 K. Frash… f. 357.
78 P. Bartl, aty, f. 139
79 R. Qosja, po aty f. 87.
81 Arben Puto, “Pavarësia Shqiptare dhe Diplomacia e
Fuqive të Mëdha 1912-1914”, f. 341-342. Tiranë 1978; “Kosova” 20-21, f. 142, Prish…
1998/1999, materiali i dr. Xheladin Shalës, “ Diskutimet për kufirin
shqiptar në konferencën e ambasadorëve më 1912-1918”, dhe autori i njëjtë në “Marrëdhëniet Shqiptaro-Serbe 1912-1918” f. 118. Prishtinë, 1990.
82 R. Qosja, po aty, f. 104.
83 P. Imami, po aty, f. 205.
84 Abas Ermenji, “Vendi që zë Skënderbeu në
historinë e Shqipërisë”, f. 341, botimi i dytë Tiranë, 1996.
85 Xheladin Shala, “Pleqësia e Esat Pashës e shpallur në Durrës dhe Qeveria e Pashiqit” , në Gjurmime Albanologjike-seria e shkencave historike” 18-1988, f. 191, Prishtinë, 1989.
86 “Kosova-Kosovo” nr. 17, f. 97, shkrimi i dr.
Tahir Abdylit, (Në 55 vjetorin e vrasjes së Hasan
Prishtinës 1933-1988), Prishtinë, 1988;
dhe autori i njëjtë në “Hasan Prishtina”, f. 212, Prishtinë, 1990.
87 Grup autor, “Historia e Shqipërisë dhe e
Shqiptarëve”, f. 182, Prizren 2001.
88 Po aty, f. 1823-184.
89 B. Gaçe, po aty, f. 181.
90 K. Frashëri, po aty, f. 397.
91 B. Gaçe, po aty, f. 182.
92 Posta e Shypnis. Shkodër, e mërkurë 20 fryer
1919, f. 4 . në K. Frash…po aty, f. 398.