E marte, 10.12.2024, 10:54 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Zenel Merjo: Lufta për Çlirimin e Tiranës nga gjermanët

E marte, 29.12.2009, 06:01 PM


Lufta për Çlirimin e Tiranës nga gjermanët

Veterani Zenel Merjo tregon luftën që u bë për kryeqytetin

Ishte mëngjes, orët e para të ditës dhe të natës 17 nëntor të 1944-ës. Gjithë natën e 16 nëntorit e kaluam në pritat dhe pozicionet mbi Pazar të ri. Pas mesnate ishte qetë dhe pa shumë të goditura dhe të qëlluara armësh. Drejt nesh që nga Ora, Xhamia, Sahati, Hotel Elbasani, Farmacia, Bashkia, Banka, Xigoni e nga pika të tjera të qendrës së qytetit, Tirana po kalonte minutat e fundit ku do të gjendej atë mëngjes e çliruar dhe pa breshëritë e 19 ditëve drejt nesh. Këtë na e thoshin gjatë natës edhe komandantët dhe komisarët tanë nëpër pozicionet dhe pritat ku ne ishim vendosur dhe prej ditësh goditnim dhe hapnim zjarr kundër forcave gjermane që e kishin zënë Tiranën gjithandej. Atë natë po kalonte dhe mallëngjim dhe dhimbje nëpër zemrën time 17 vjeçare për dy komandantët e rinj që m’u vranë ditë më parë, Musa Karapici më 10 nëntor në Pazar të Ri dhe Fone Kromidha që u vra më 11 nëntor te Hotel Farku. Rrufeshëm, me shpejtësi dhe armët në duar e të mbushura me fishek në gojë, lamë pozicionet dhe iu futëm rrugëve të Pazarit të Ri dhe dolëm në rrugët e Pazarit të Vjetër duke shikuar para, majtas, djathtas, por nuk kishte asnjeri. Nuk kishte asnjë lëvizje.

Lufta për çlirim

Ishte një mëngjes i kthjellët pa shi. Në orën 7 të mëngjesit dolëm në qendër të Tiranës, në Sheshin Skënderbej. Para dhe anash syri na shkonte trupa të vrarë, shtrirë aty dhe në sheshin para bashkisë. Bunkeri në qendër me ata mitraloza, topa e mortaja, që vollën zjarr për njëzetë ditë të tëra kundër nesh, kishte mbetur e shkretë dhe në heshtje të plotë. U futëm dhe e kontrolluam rreth e rrotull, por asgjë, heshtje dhe “vdekje e plotë”. Topa, motoçikleta, karroca e kuaj të vrarë, të shtrirë aty këtu para nesh dhe në qendër e para e përreth bashkisë përreth Kursalit dhe Bankës. Menjëherë na u dha detyra për të siguruar dyert e Bankës, Radion dhe Post Telegraf Telefonin të ndërtesës ku ishte Gjykata e Lartë e RPSH-së. Shpejt nisëm në ndjekje me armët në duar dhe gati për zjarr nga të papriturat e atyre momenteve. Drejt rrugës së Kavajës zbritëm te Hani i Diko Beut. Urdhri na ktheu për të vazhduar ndjekjen djathtas drejt rrugës së Durrësit. Shpejt kaluam nëpër pyll të shkurtër pemë, ferrash e drurë në krye të Fushës së Aviacionit. Në këto momente, tërheqja e tërheqja e forcave të pushtuesve gjermanë kishin kaluar drejt Kasharit e Vorës. Në këto momente na u dha urdhri tepër i shpejtë për të siguruar pikat me rëndësi të veçantë në kryeqytet si: postblloqet, burgun e ri dhe të vjetër me roje dhe me shërbim të fortë dhe të rreptë sigurie. Detyra u realizua pa u mbushur ora. Forcat e tjera e vazhdonin ndjekjen deri tej dhe jashtë Tiranës. Ne na u ndanë detyrat dhe u caktua kompania që do të siguronte rregullin dhe disiplinën në qytet. Sa andej-këndej po dilnin në grupe të veçanta ermenë, ushtarë dhe nënoficerë të veshur keq dhe uniformën e kishin të nxirë dhe të bërë zhele. Me një detyrë dhe urdhër të rreptë nga komandantët tanë, këta ermen u vunë të mbledhin menjëherë trupat, hekurat dhe mbeturinat e luftimeve, për ti larguar sa më parë nga qendra e qytetit, jashtë në periferi. Asnjëri prej tyre nuk u arrestua dhe u mbajt nën vërejtje. Kishte një urdhër të veçantë për trajtimin e tyre, por gjithnjë me roje dhe skuadër ruajtje. Po kalonte data e 17 nëntorit, Tirana kudo në heshtje, por për shumë orë të mesditës,paradites dhe pasdite kishte të grumbulluar qytetarë, burra dhe gra,djem, vajza e fëmijë, pleq e plaka që gëzonin dhe na drejtoheshin duke na përqafuar me radhë kudo që na gjenin të gëzuar dhe me sy të lotuar për vuajtjet që kishin kaluar, por të qeshur për partizanët fitimtarë dhe qëndresën heroike të tyre gjatë atyre ditëve të luftimeve të rrepta dhe shumë të rrepta.
“Djemtë e nënave, vëllezërit tanë bijat tona a u lodhët, a jeni plagosur, a iu janë vrarë shumë shokë e shoqe në luftime, po bukë keni ngrënë sot? Kur të mbaroni, ne ju presim në shtëpitë tona të gjithë. Kemi gatuar dhe pjekur bukë për të gjithë, hajdeni djemtë e nënave.

Pastrimi i qytetit

Rrugët, që të gjitha gati të zëna dhe të bllokuara nga mali me barrikada. Brenda ditës duhej hapur e pastruar dhe për këtë u vunë menjëherë në punë makinat dhe karrocat që u gjendën aty atë ditë. Kishte mes nesh edhe shoferë që punuan natë e ditë dhe me një tension të madh derisa u arrit pastrimi i qendrës. Kazanët dhe tenxheret e vjetra dhe të sakatuar filluan për të gatuar ndonjë fasule e oriz të kapur në depot e armikut. Populli i Tiranës bujar, mikpritës, i dashur dhe i nderuar, po na vinte për orë pranë me torba dhe enë, duke na sjellë bukë e ushqime të gatuara e të thata.
-“ Hani djemtë e nënave, hani se keni gjithë këto ditë që jeni pa ngrënë dhe keni uri. Prapë do t’iu sjellim, mos na kurseni se kemi, po hani”. Kështu na flisnin nënat e Tiranës me atë shaminë e bardhë në kokë.
“ Ijët”, vajzat, nuset, gratë dhe djemtë, fëmijët tiranas të denjë si motra, nëna dhe qytetare na pyesnin me një zemër të bardhë, por të lodhur dhe të drobitur.
-Mos e keni parë dhe djalin tim, a u keqen nëna? E kam partizan si ju.
- Jo moj nënë, ne jemi të Brigadës së Parë, por ju e prisni se dhe ai do të kthehet këtu shpejt pranë teje.
Këto nëna, vajza, djem dhe gra tiranase e bënë qytetin që në mëngjesin e ditës 18 nëntor, rrugët dhe bulevardin të pastër dhe të larë me ujë e gëlqere si edhe para shtëpive të tyre nëpër lagje. Në këto 24 orë, thuajse se rregulli dhe qetësia ishte vendosur plotësisht. Kryeqyteti jetonte i lirë në të gjithë drejtimet. Megjithëse në momente të veçanta kishte raste ku thirrej dhe njoftohej me urgjencë për ndonjë mbeturinë kriminelësh të strehuar nëpër shtëpi apo bodrumet e ndërtesave të lagjes.
Tiranën e çliruan partizanët, vetë populli kryeqytetas. Atë e çliroi gjaku i 129 dëshmorëve të rënë, djem dhe vajza që dhanë gjakun e tyre duke luftuar për njëzetë ditë të tëra, natë e ditë, me bukë e pa bukë, të lodhur dhe të sfilitur që nga 29 tetori dhe deri në atë mëngjes të 17 nëntorit të 1944. Nuk do të më hiqen kurën e kurës nga mendja dhe kujtesa ime ata shokë e shoqe me të cilët pata rastin të njihem nga afër në radhët e brigadës dhe që ranë në luftën e madhe për të çliruar qytetin e tyre të dashur dhe të shtrenjtë, Tiranën.
Fone Kromidha, Musa Karapici, Agllai Tako, Mehdi Take Golemi, Maksut Rexhepi,Shishtoveci e shumë të tjerë janë përjetësuar në faqet e historisë së Bridadës së Parë Partizane Sulmuese, heroinë e popullit dhe në historinë e popullit dhe të luftës antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Zenel Merjo, ish-partizan i batalionit të IV-të Brigadës së parë sulmuese, Heroinë e Popullit. Sot veteran i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Tirana e meritoi dhe u gëzua kur ju akordua dhe u vlerësua me titullin më të lartë, atë të Heroit të Popullit nga Presidiumi Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë.



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora