E enjte, 10.10.2024, 06:42 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

James Pettifer, provokon sërish… Tragjedia çame dhe fajet e Britanisë

E merkure, 17.03.2010, 10:05 PM


Nga James Pettifer

Historia e ngjarjeve në Epir dhe Çamëri gjatë Luftës së Dytë Botërore në periudhën e Luftës Civile Greke vetëm sa ka nisur të trajtohet se riozisht nga historianët në studimet e tyre. Tri vende janë të përfshira thellësisht në këtë çështje: Greqia, Shqipëria dhe Britania, por që, për një arsye a tjetrën, shumë pak studime serioze historike janë bërë në këto vende gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. 
Në Britani kjo ka ndodhur për shkak se Lufta Civile greke përbën një kapitull të dhimbshëm dhe problematik, me disa përmasa të ndryshme. Ai ishte një konflikt i gjatë dhe kompleks, që kaloi nëpër disa faza midis viteve 1943 dhe 1949. Përfshirja britanike ishte një faktor madhor dhe përcaktues, por aty kishte shumë aktorë të tjerë politikë të përfshirë dhe që haheshin me njëri-tjetrin për drejtimet e politikës. Britanisë do t’i duhej të tërhiqej në të vërtetë nga roli i saj dominues i mëparshëm midis viteve 1946-1948, më së shumti për shkak të krizës financiare të qeverisë së pasluftës në Londër. 
Ky ishte një tregues i dobësisë së perandorisë britanike, si humbja e Indisë në po atë kohë, në vitet 1947-1949. Fitorja e të Djathtëve në Greqi u arrit vetëm nëpërmjet burimeve financiare dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara, të lidhura këto edhe me rrethana të tjera që u krijuan nga prishja e Titos me Stalinin brenda lëvizjes komuniste ndërkombëtare në vitin 1948. 
Në fund të periudhës së Luftës Civile, Greqia pa shfaqjen e ‘Doktrinës Truman’, e cila do të shndërrohej në platformën qendrore për mënyrat e veprimit gjatë Luftës së Ftohtë 
Së dyti, brenda Britanisë, lufta e gjatë dhe shungulluese e rezistencës ndaj pushtimit dhe konflikti civil shtuan së tepërmi emocionet e forta midis atyre që kishin marrë pjesë si këshilltarë britanikë në lëvizjet e rezistencës të udhëhequra nga oficerë të ushtrisë në Drejtorinë e Operacioneve të Posaçme. Për sa i përket oficerit të shquar britanik të Ndërlidhjes në Drejtorinë e Operacioneve të Posaçme, C. M. (Monty) Udhauz (Woodhouse) po shtoj se ai ishte një helenist i spikatur, agjent i fshehtë, ndërsa më vonë një politikan i Partisë Konservatore dhe historian i Greqisë në Britaninë e pasluftës. 
Ai, para së gjithash, shprehu një vështrim ex cathedra të ngjarjeve që në atmosferën e njëtrajtshme të helenizmit britanik gjatë Luftës së Ftohtë prirej të mos i mbështeste kërkimet e mëtejshme akademike. 
Në Greqi, për ‘palën fituese’ të së Djathtës greke ishte e volitshme të paraqitej një version i standardizuar i ngjarjeve për të ndihmuar formësimin e një historie të re kombëtare pas vitit 1949, kurse studimet e hollësishme për spastrimin etnik të pretenduar të Çamërisë nga Napoleon Zerva, aleati britanik i rezistencës, u mënjanuan nga vëmendja dhe kjo ishte pjesë përbërëse e një objektivi më të gjerë për konsolidimin e asaj që njihet si ‘ndërgjegje kombëtare’ dhe me qëllim për të prodhuar një qëndrim ortodoks të ri historik, i cili mbështetej në krekosjen e fitimtarëve, sikurse ndodh shpesh pas luftërave civile në të gjitha kohët… 

Heshtje në Shqipëri 

Në Shqipëri, gjatë kohës së komunizmit çështja çame është studiuar fare pak, ndërkohë që emigrantët e rinj çamë të pas vitit 1944 kishin një pozitë të pasigurt në shoqëri, thuajse asnjë përfaqësim në elitën e re enveriste politike ose akademike, shto këtu edhe faktin që këta emigrantë nuk kishin traditën e studimeve të emigrimit, që kishte mbështetur jetën intelektuale të shqiptarëve të Kosovës apo Maqedonisë. Diaspora e fuqishme çame në Turqi, e cila e ka zanafillën e saj te dëbimi që u bë pas Traktatit të Versajës në vitet 1920, nuk kishte thuajse fare lidhje organike me Shqipërinë hoxhiste, ndërkohë që shpejt do të përzihej me emigrantë dhe qytetarë të dëbuar nga Kosova në kohën e Titos. Organizimi politik i shqiptarëve ishte i dobët, i kufizuar në shoqata kulturore dhe fetare. Përveç kësaj, në diasporën e fuqishme në Shtetet e Bashkuara kishte shumë pak çamë. Nuk ishte gjithnjë e lehtë për pjesëtarët e familjeve të emigruara çame në Shqipëri të kryenin arsimin e mesëm në shumë rrethe të vendit, pale të hynin në Universitetin e Tiranës. Qëndrimet me detyrime të ndërsjella që u arritën midis Greqisë dhe Shqipërisë në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga fundi i periudhës enveriste, të filluara nën diktaturën greke pas vitit 1968 dhe të vazhduara nga qeveritë demokratike pasardhëse, bënë që Hoxha të hiqte dorë nga evidentimi i çështjes çame në të gjitha aspektet e saj. Nga fundi i viteve 1970, dhe më vonë në periudhën e qeverisë së PASOK-ut, pas vitit 1982, heroi i rezistencës greke Manolis Glezos ishte një vizitor i shpeshtë në Shqipëri dhe kishte marrëdhënie të mira me Hoxhën, duke vepruar si një i dërguar jo zyrtar për nismat e Athinës... 

Dorëshkrimet e Udhauzit 

Në Britani, sidomos tani disa vite pas vdekjes së Udhauzit, si dhe oficerëve të tjerë kyç të SOE-s, si Nigel Clive, që ishin aktivë në Epir në atë periudhë, është bërë krejtësisht i mundshëm një rivlerësim i asaj kohe. Janë disa çështje evidente që shtrohen. Më e rëndësishmja është se deri në çfarë shkalle dëbimi i çamëve është parë në Londër si një akt i pashmang-shëm, në kushtet e luftës në atë kohë, dhe se sa ky akt ka qenë fryt i paditurisë dhe gabimit, më shumë se i vendimeve të politikës së ndërgjegjshme. 
Merret me mend se kjo ka të bëjë me vlerësimet nëse ka ndodhur ajo që tashmë konsiderohet gjenocid sipas ligjeve të miratuara ndërkombëtarisht. Përtej kësaj, është çështja se çfarë informacionesh sekrete kanë marrë në Londër mbi atë që po ndodhte, si janë interpretuar dhe se çfarë parametrash analitikë janë përdorur. Por ndoshta pika më e rëndësishme është çështja e rolit personal të Udhauzit dhe se deri në çfarë shkalle ai, si një intelektual i shquar pro-helenist, që sipas tij do të kishte punuar gjithë jetën duke dhënë leksione mbi filozofinë e lashtë në Oksford po të mos kishte ndërhyrë lufta, bashkoi në një linjë pro-greke të dhënat e zbulimit dhe politikën. Ka gjithashtu edhe çështje më interesante për studiuesit e rebelimit dhe kundërrebelimet, me çështjen më të rëndësishme se në çfarë shkalle Udhauzi dhe britanikët kishin në të vërtetë nën kontroll atë që Zerva dhe ushtria e tij ishin duke bërë me vrasjen dhe dëbimin e çamëve, dhe në çfarë mase oficerët anglezë të SOE-s kishin aftësi të kontrollonin grupet e tyre të rezistencës. 
Duhet të thuhet qartë se nga Udhauzi ekzistojnë materiale të shkruara me dorën e tij, të cilat duhet të shërbejnë si pikënisje për studimet e reja, dhe po kështu nga kolegët oficerë të SOE-s, si Nigel Clive dhe Arthur Foss, të cilët kanë shkruar libra mbi përvojën e tyre në Epir, si dhe kujtimet e ngjashme të shkruara nga oficerët anglezë të ndërlidhjes të SOE-s në anën shqiptare të kufirit, nga të cilat më të rëndësishme janë ato të Entoni Kuejl-it (Anthony Quayle), i cili pas luftës u bë regjisor dhe artist i shquar filmash anglezë.12 Udhauzi mbeti aktiv në qarqet heleniste në Britani deri në fund të jetës së tij dhe për shumë gjëra të asaj kohe, deri në vitin 2001, u qëndroi besnik pikëpamjeve të zyrtarizuara për ngjarjet. 
Nga përvoja ime, shumë nga ky material i ish-oficerëve të SOE-s është ende jo shumë i njohur si në Shqipëri, edhe në Greqi. Në Shqipërinë komuniste, merret me mend se ishte e pamundur t’i botoje ato, por edhe në Greqi për shumë vite pas 1945-ës kishte pak motive për ta bërë këtë. Nga ana tjetër, në Britani studimet nuk u zhvilluan sikurse mund të pritej. 

Qëndrimet dhe pikpamjet e Udhauzit
 
Në veprimtarinë e tij vetjake politike, pas vitit 1974 dhe fundit të diktaturës, Udhauzi punoi si avokat për kryeministrin grek të atëhershëm Karamanlis, dhe përcaktoi, si të thuash, paraprakisht piketat politike për demokratizimin dhe modernizimin politik grek.20 Roli i krizës së stërgjatur qipriote dhe roli qendror i Britanisë në marrjen e vendimeve, sipas mendimit tim, ishin një faktor madhor në atë kohë në evoluimin e pikëpamjeve të Udhauzit. Në fillim të viteve 1950, ai u bë gjithnjë e më shumë kritikues i politikës së Qeverisë Konservatore nën drejtimin e Çërçillit në lidhje me Qipron, dhe disi i distancuar nga grupet më të larta elitare konservatore, edhe pse prestigji personal i tij ishte në një nivel të lartë në atë kohë pas rolit të tij kyç në operacionin e SIS/MI6/CIA për të përmbysur Mosadekun (Mossadegh) në Iran dhe për të vënë në pushtet Shahun. 
Ky liberalizim politik në Londër nuk solli asgjë për rihapjen e çështjes çame në debatin politik. Kjo do të ndodhte njëherësh me daljen e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare më 1990 dhe me përfundimin e periudhës së jashtëzakonshme të izolimit autarkik të tridhjetë viteve të mëparshme. Si një shembull anekdotik, po përmend se unë shkrova një artikull të shkurtër për gazetën Indipendent të Londrës, më 1991, mbi një propozim të qeverisë shqiptare për ta çuar çështjen çame në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, gjë që donte të thoshte edhe se kjo ishte e para përmendje e kësaj teme në një gazetë britanike që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. 
Ne duhet të shikojmë se vepra e Udhauzit nuk ishte monolite, dhe se ai ka ndryshuar të paktën paraqitjen dhe stilin e pikëpamjeve të tij kohë pas kohe. Rrekja e parë e tij në shkrimtarinë historike është libri “Molla e sherrit” (‘Apple of Discord’), i cili doli në Londër më 1948, në një kohë që në Greqi vazhdonte ende Lufta Civile. Aty jepeshin hollësi të konsiderueshme të historisë më të re të Greqisë, me një shtjellim të kohës së Metaksait, si dhe të Luftës së Dytë Botërore në Ballkan, pastaj jepet një paraqitje plot goditje njëra pas tjetrës për gjithçka kishte ndodhur në kohën e pushtimit dhe të rritjes së rezistencës, si dhe për rolin britanik, përfshi dhe atë të vetë Udhauzit. Ajo është tej mase antikomuniste, dhe mund të thuhet se ishte diçka rrethanore që pasqyronte vlerësimet e kohës dhe gjithashtu ishte shumë e lidhur me qëllimin për të mbajtur opinionin publik britanik ‘në anën’ e mbështetjes së politikës së Luftës Civile, në një kohë kur kritikat ndaj mbështetjes britanike për të Djathtën dhe monarkistët ishin përhapur edhe përtej së Majtës, brenda dhe jashtë parlamentit. Megjithëse njoftimet për Luftën Civile ishin rreptësisht të kontrolluara nga qeveria në Londër, efektet e bombardimeve të Forcave Ajrore Amerikane (USAF) dhe atyre Mbretërore (RAF) mbi civilët në malet veriore si dhe mbi ushtrinë komuniste demokratike kishin shkaktuar një shqetësim të madh. Sikurse tregon Thanasis Sfikas, Lufta Civile greke ishte një krizë madhore për të Majtën britanike, një krizë mjaft më e gjerë dhe më e thellë se çështjet që lidheshin me të Majtën në vendet e tjera europiane, si Franca dhe Italia, ku shpresat e komunistëve për të marrë pushtetin pas luftës gjithashtu kishin marrë goditje të rënda nga zhvillimi i ngjarjeve. Sigurisht që ishte edhe koha kur qeveria britanike në të vërtetë duhej t’ia kalonte Shteteve të Bashkuara kontrollin mbi ndihmën e jashtme ushtarake ndaj së Djathtës në Greqi, prandaj dhe ndoshta nuk është tërësisht e rastësishme që i vetmi botim ende i përdorshëm i librit është ribotimi amerikan i vitit 1985. Vepra e tij është e mbushur me idetë e Doktrinës Truman, me gjithë mënyrat që ajo përcaktonte për ta mbuluar kompleksitetin, në interes të ndërtimit të një fronti të bashkuar për mbështetjen e së Djathtës. Gjithsesi, pavarësisht se ai është një libër modern në pikëpamjen që është një meditim mbi historinë bashkëkohore nga një pjesëmarrës që ka luajtur një rol kryesor në shumë nga ngjarjet që ai përshkruan, përsëri është e pamundur të mos shihet hija e arsimimit klasik tradicional të Udhauzit në mënyrën e të shkruarit, nga veprat e Tukididit mbi konfliktet e shekullit të pestë, në të cilat ai ishte një aktor, deri te historianët romakë si Taciti. Ideali i moralit klasik të ushtarakut studiues që vepronte në mbrojtje të demokracisë është parë nga Udhauzi si pjesë e një tradite të pandërprerë greke, ndërsa anglezët janë parë si ruajtës të një marrëdhënieje speciale me Greqinë moderne, që nga krijimi i saj në vitet 1830, si aktorë politikë dhe ushtarakë të aftë për të rivënë në skenë dramat e lashta. Grupet e vogla të qëndrestarëve heroikë që Udhauzi, Klivi dhe Leig Fermori (Leigh Fermor) i përshkruajnë aq mirë, janë të prejardhura drejtpërsëdrejti nga spartanët që luftuan në Termopile, por me një ndryshim domethënës që në fund del tragjik, sepse në vitin 1943 dhe më vonë, ata u përçanë në të Majtë dhe të Djathtë dhe do të mbeteshin kështu. Është me vend të theksohet që Udhauzi edhe në atë kohë e zotëronte në mënyrë të përsosur gjuhën popullore greke, diçka që mund të shpjegojë qoftë edhe pjesërisht admirimin që kishte për të Çërçilli, të cilin e kishin penguar të studionte në Oksford për shkak se nuk e dinte greqishten e vjetër. 

Këndvështrime rreth çamëve 

Çamët janë përmendur në libër vetëm në kapitullin e titulluar ‘Bashkëpunëtorët e vegjël të armatosur’ (‘Minor Armed Collaborators’), ndërkohë që krejt bashkësia çame në Epir është tepër e nxirosur me furçën kolaboracioniste dhe përshkruhet në atë mënyrë që mund të emërtohet vetëm me gjuhën imperialiste-raciste si një ‘popull mysliman që zakonisht quhet turko-shqiptar’. Në këtë libër Udhauzi ka hedhur themelet e qëndrimit ortodoks, në të cilin çamët do të shiheshin më vonë në historiografinë britanike për dy breza, duke zbatuar terminologjinë e të Djathtës ekstreme greke. Atij nuk i mungojnë perceptimet e vlefshme: ai nënvizon se një nga pengesat që kishin çamët kishte të bënte me faktin se ata ishin një bashkësi e pasur, nuk donin të luftonin derisa u bë shumë vonë, dhe se fuqitë e Boshtit në Ballkan ishin të prirura të shprehnin simpatinë ndaj popullsisë myslimane vendase, sikurse ndodhi në Kosovë, krejt ndryshe krahasuar me regjimet e paraluftës në Greqi ose Serbi, që mbështeteshin në krishtërimin ortodoks. Me të drejtë, ai vëren se çështja çame ka disa rezonanca me çështjen e minoritetit maqedonas në Greqi, me konotacionet e saj politike përherë shpërthyese. Ai vëren, mbase mençurisht, që çamët kishin udhëheqje shumë të dobët gjatë kohës së luftës në bashkësitë e tyre. Disa krerë çamë nuk arritën t’i kuptonin realitetet e mëdha politike në marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës. Por ai ka gjithashtu mangësi befasuese. Ai nuk i përmend fare bashkësitë e vogla hebreje përgjatë bregdetit kundruall Korfuzit në fshatra si Sivota (deri më 1944, në shqip Muros) ose Plataria, aty pranë ku ata jetonin të përzier me çamët, duke harruar në këtë mënyrë disa nga viktimat më fatkeqe si të Metaksait dhe pasandaj të pushtuesve të Boshtit. Ka gjithashtu një shtrembërim për çdo përdorim të fjalës ‘turk’ në libër, ndërsa Greqia është paraqitur vazhdimisht si me një kulturë superiore të pandërprerë nga vetë cilësia e saj. Ne natyrisht që nuk duhet të harrojmë se Greqia për një periudhë të fillimit të Luftës së Dytë Botërore ishte i vetmi aleat që Britania kishte ose që Çërçilli – ndonëse i dobët në shkollë dhe që i mungonte shumica e kulturës klasike – kishte përvetësuar pjesën më të madhe nga helenizmi tradicionalisht i ndjeshëm i elitës sunduese të asaj kohe. Periudha e Metaksait në Londër vështrohej si një humbje për ndikimin britanik në Greqi dhe një triumf për Gjermaninë, ndërsa përvoja e Pushtimit dhe Luftës Civile mundi ta korrigjonte fare pak këtë perceptim. 
Në veprat e tij të mëvonshme, Udhauzi e ndreqi disi vijën e qëndrimit të tij mbi ngjarjet, meqë e ka shmangur përdorimin e asaj që sot mund të shihet si gjuhë politike e papranueshme e prejardhur nga stereotipat kolonialistë, por thelbi i përmbajtjes ndryshoi fare pak. ‘Lufta për Greqinë 1941-1949’ (‘The Struggle for Greece 1941-1949’), botuar në vitin 1976 me një parathënie nga Riçard Klog (Richard Clogg), e pranon se kishte një ‘pakicë shqiptare në Greqi’, në kundërshtim të hapur me pikëpamjen e Athinës zyrtare që thotë se në Greqi nuk ka pakica etnike, por çamët dhe fati i tyre mezi përmenden përveç përcaktimit të zakonshëm të sipërfaqshëm të të gjithë çamëve si kolaboracionistë. Kjo në njëfarë mase mund të mos ishte befasuese nëse libri nuk do të përmbante gjithashtu një paraqitje gjithëpërfshirëse dhe të stërgjatur për aktivitetin e përgjithshëm të Zervës në rezistencë, duke shprehur fjalët më lavdëruese në pjesën më të madhe, më tepër sesa te ‘Molla e sherrit’, ku karakteri i ushtarëve të milicisë së Zervës nuk është zbukuruar dhe aq. 
Në librin e tij më 1976, Udhauzi i përshkruan çamët si ‘të ndëshkuar’ nga Zerva për bashkëpunimin, por nuk jep hollësi të mizorive dhe dhunës sistematike të milicisë së Zervës kundër tyre në fshatra si Paramithia më 1943-1944 dhe, mbi të gjitha, nuk flet për dhunimin e tmerrshëm të të drejtave të njeriut kundër civilëve, veçanërisht grave dhe fëmijëve. Ai nuk thotë gjë nëse është bërë ndonjë përpjekje angleze për të ndalur krimet e luftës së Zervës. Duket se nuk ka pasur një përpjekje të tillë, në përputhje me politikën për të mbështetur Zervën në verilindje për të neutralizuar forcat komuniste ELAS dhe për t’i penguar ato nga përforcimi me forca të tjera ELAS që kishin arritur deri në atë pikë sa mund të shtinin në dorë Athinën. Mbase, mund të mëtohet, sikurse kanë bërë disa nga komentatorët më të zgjuar grekë, që këto ngjarje ndodhin në luftëra, dhe edhe më keq ngjajnë në luftërat civile, dhe që krime të ngjashme janë kryer nga të gjitha palët. Kjo natyrisht është e vërtetë, por ligjet e luftës ekzistonin në vitin 1944, edhe pse në një trajtë më pak të zhvilluar sesa sot, sikurse treguan dhe gjyqet e Nurembergut. Ekziston një shembull për standardet e përgjithshme të dyfishta në historiografinë e kohëve të fundit, ku, bie fjala, një libër si ‘Eleni’ i Nikolas Geixhit (Nicholas Gage) pati një reklamë të madhe ndërkombëtare, me njëfarë ndihme, siç del të paktën nga një agjenci zyrtare e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, për shkakun se ai përshkruante dhunën e ELAS të udhëhequr nga komunistët dhe guerrilasit e Ushtrisë Demokratike, ndërkohë që vuajtjet e çamëve nga grekët janë lënë mënjanë dhe fshehur si të parëndësishme dhe të padenja për t’iu kushtuar ndonjë vëmendje morale serioze.28 Në autobiografinë e Udhauzit, ‘Njëfarë aventure’ (‘Something Ventured’), botuar në vitin 1982, ka një përmendje të Paramithisë, por vetëm në kontekstin e një vizite te varri i Dejvid Uallasit (David Wallace), ndërsa as që zihet në gojë fare fati i çamëve, kurse është përsëritur pikëpamja standarde se pa Zervën dhe energjitë që ELAS-i e udhëhequr nga komunistët harxhoi në luftimet me të, ELAS mund të kishte arritur të merrte nën kontroll kryeqytetin grek. Çamët do të shndërroheshin, si të thuash, në Fantazmat e Makinës Histori, të padukshëm dhe të pagojë… 


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora