E diele, 28.04.2024, 10:53 PM (GMT+1)

Mendime

Redan Bushati: A po përfaqësohen studentët?!

E premte, 29.10.2010, 09:54 PM


A po përfaqësohen studentët?!

 

Nga Redan Bushati

Kryetar i K.S.U.SH-së

           

Përfaqësimi i studentëve kurdoherë ka pasur problemet e veta, pasi nuk është arritur ai nivel përfaqësimi në mënyrë dinjitoze dhe të përgjegjshme. Por, në këtë përfaqësim të studentëve do të ndalem vetëm brenda jetës universitare të qytetit të Shkodrës. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përbëhet nga 6 (gjashtë) Fakultete dhe ka katër godina në dispozicion për të akomoduar këto Fakultete. Gjithashtu, ka një Qendër Trajtimi (konvikt) vetëm për vajza me kapacitet rreth 1000 (njëmijë) veta dhe në përbërje tre godina të mëdhaja. Të gjitha godinat janë të vendosura pothuajse në qendër të qytetit, gjë e cila është shumë pozitive për të dhënë mesazhin e një qyteti me studentë=dije=elitë=kapacitet=vlera=zhvillim ekonomik e social etj… etj… Por, sa po ia arrin realisht t’i japin vlerë këtij qyteti kjo elitë studentore?!

          Në USH-në “Luigj Gurakuqi” ka një Këshill Studentor, i cili ka në çdo Fakultet pesë përfaqësues të saj të zgjedhur nga studentët. Gjithashtu, studentët përfaqësohen në Këshillat e Fakulteteve, në Senatin dhe Këshillin e Administrimit të Universitetit. Me pak fjalë, përfaqësimi “de jure” është relativisht i mjaftueshëm. Senati dhe Këshilli i Administrimit janë dy përfaqësimet më dinjitoze dhe më frytdhënëset në favor të studentëve. Por gjithë kjo shtrirje në përfaqësim, a ka dhënë dhe a po jep rezultatet e pritshme? A kërkojnë studentët të përfaqësohen denjësisht? Sa janë të interesuar dhe angazhuar studentët për një jetë më efikase dhe aktive studentore?

          DJE… Me pak fjalë situata e kaluar (më përpara) nuk ka qenë aty ku duhet, për të mos thënë se ka qenë një situatë shpeshherë destabilizuese dhe aspak e favorshme. Përfaqësimi i studentëve ka qenë skandaloz, ku qëllimet e tyre ishin vetëm të merrnin ca bursa, ca nota të mira, ca pozicione dhe ndonjë gjë tjetër. Këto përdoreshin si vegla qorre për shantazhe dhe nxitje provokimesh, me qëllimin për të destabilizuar qetësinë që mund të kishte vendosur në ato momente jeta studentore. Gjithashtu, këto studentë përdoreshin masivisht nga rryma të ndryshme me tendenca dhe prapavijë të qartë politike. Së fundmi, këto studentë nuk kishin haberin e të funksionuarit dhe të drejtuarit të një strukture studentore (sidomos këto vitet e fundit).

          SOT… Situata duket se ka ndryshuar katërcipërisht. Nuk ka studentë që angazhohen për të marrë vetëm një bursë, një notë, për të realizuar një grevë pa kuptim etj. Më në fund është arritur të ketë vërtetë një elitë studentore. Si mund ta kuptojmë këtë? Ideja është se struktura e Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) ka thithur pranë gjirit të saj studentë jo me status, por studentë që shkojnë në shkollë për të studiuar. Këto studentë kanë një notë vlerësuese relativisht mesatare dhe mbimesatare, janë aktiv në shoqërinë civile, marrin pjesë në aktivitete sociale, trajnime, konferenca, seminare etj. Çdo ditë ka opinione të ndryshme nëpër gazeta dhe në faqe interneti të studentëve, që tregojnë një shkallë më të lartë prezantimi dhe impenjimi. Çdo ditë jepen informacione dhe përgjigje për pyetjet e shqetësimet e studentëve. Çdo ditë kërkohet me këmbëngulje që të përfshihen sa më shumë studentë që kane ide, kanë forcë arsye e jo arsye forcet, studenët që shkojnë në shkollë e jo studentë që marrin diplomën pa shkuar, studentë që marrin pjesë në nisma dhe jo studentë që flenë, studentë që punojnë në punë të ndryshme Part-Time e jo studentë që thithin ajër e hanë bukë vetëm sa për të mbajtur “frymën” gjallë, fundja STUDENTË me vepra, e jo STUDENTË me fjalë.

          Për t’iu mundësuar edhe juve një njohje më të mirë me këtë strukturë përfaqësimi në nivele studentore, kohët e fundit (edhe gjatë pushimeve) ne kemi realizuar nisma të ndryshme sensibilizuese për opinionin e gjerë. Ne kemi realizuar “Një Ditë Pastrimi në Plazhin e Velipojës”, “Dhuro gjak, Shpëto Jetë”, “Një Ditë Ndryshe me Fëmijët Jetimë”, kemi realizuar pjesëmarrje të gjerë në seminare trajnuese, konferenca dhe projekte zhvillimi. Kemi qenë prezent në Hotel Sheraton për të thithur informacione të hollësishme “Mbi reformën e financimit të Universiteteve publike dhe private në Shqipëri”. Kemi marrë pjesë në mësimin e mënyrës së hartimit të projekteve në seminare të ndryshme, kemi diskutuar për gjakmarrjen dhe vetvrasjet. Kemi ndërmjetësuar dhe punësuar studentë në gazeta dhe televizione. Kemi dërguar studentë për të dhënë mendime në emisione të ndryshme televizive në Shkodër  dhe Tiranë. Duke mos u zgjatur më tutje, këto janë disa prej nismave, projekteve dhe pjesëmarrjeve tona, që japin një model krejt ndryshe të një studenti me një vizion largpamës. Gjithashtu, jemi duke hartuar një plan-ide për të kontrolluar një segment të menaxhimit të jetës universitare.

          Së fundmi, edhe pse studentët janë ballafaquar (më përpara në kohë) me struktura, të cilat janë treguar reaksionare, racionale, agresive dhe monoprivatizuese, tashmë gjithçka ka marrë fund. Aktualisht, ju mund të afroheni me dëshirën tuaj në strukturat e K.S.U.SH-së  për të dhënë çdo ide e mendim ndryshe, çdo sugjerim e projekt, madje duke u ndier vërtetë të respektuar e të vlerësuar. Nuk themi, se ne jemi gjithë të aftë e punëtorë, porse ju sigurojmë që kontributi më i mirë do të thotë angazhim, përvojë dhe përfitim. Nuk mund të themi që do të zgjidhim gjithçka, porse ne do japim mesazhe të herëpashershme. Nuk mund të themi se ne do të realizojmë nisma gjigande, porse mund të ndihmojmë shtresat në nevojë. Nuk mund të themi që do ndryshojmë sistemin, porse mund t’iu themi se kontributi jonë do të sjellë një imazh të ri, më ndryshe, më me cilësi dhe me nxjerrje produktesh me vlerë në “tregun” e jetës universitare në USH-në “Luigj Gurakuqi”.

 

*Shënim: K.S.U.SH = Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora