E diele, 04.05.2025, 05:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Rama: Leon Heuzey, Në gjurmët shqiptare të luftës së Cezar-it

E hene, 02.08.2010, 06:23 PM


Leon Heuzey, Në gjurmët shqiptare të luftës së Cezar-it

 

Nga Luan Rama

 

Në vitin 1861, dy udhëtarë francezë ishin nisur me një mision tepër të veçantë, të ngarkuar vetë nga perandori Napoleoni i III, (Louis Napoleon Bonaparte, nipit të Napoleonit të madh - 1808-1873): arkeologu Léon Heuzey, anëtar i "Akademisë së Arteve të Bukura" si dhe i "Akademisë së Mbishkrimeve dhe Letërsisë" në Paris, si dhe Honoré Daumet, arkitekt e piktor. Ata ishin nisur nga Marseille, në jug të Francës, me një anije të posaçme dhe duke rrahur detet e Mesdheut, ata përshkuan Detin Jon duke shkuar thellë në Egje, për të mbërritur në Selanik, dhe që andej, për të marrë rrugën drejt Maqedonisë antike, drejt Pharsale-s, ku ishte zhvilluar beteja e famshme dhe vendimtare midis Cezar-it dhe Pompeut, çka do të përfundonte me disfatën e këtij të fundit. Në fakt, pas një beteje të ashpër të "cahortave" ushtarake e legjioneve të dy gjeneralëve të famshëm, Cezar-it dhe Pompeu-t në Apolloni e Durrës, ushtritë kishin marrë udhën drejt "Via Egnatia" për të rindeshur pastaj në Maqedoni. Pra misioni i dy shkencëtarëve ishte i qartë: duhej t'i raportonin Napoleonit të III, që drejtonte Francën në atë kohë, se si ishte zhvilluar kjo betejë e famshme, strategjia e luftës dhe gjetjet arkeologjike që trashëgonte njerëzimi.

Gjatë tri muajve vëzhgime e gërmime në qytezat e vjetra, në Farsale, Philippe, Palitzia dhe në drejtim të Palagonisë (jo larg nga Manastiri i sotëm), Heyzeu mblodhi një material të pasur arkeologjik, mes të cilave bazorelieve, statuja si ajo e Demetrës (me vello) dhe figurave të tjera të antikitetit, koka të hyjnive, stela funerare, një kokë luani në bronx e plot objekte të tjera. Plot një muaj ata e kaluan vetëm në Philippe, (qyteti i themeluar nga babai i Aleksandrit të madh), atje ku kishin qënë brutus dhe Cassius. Në Pelagonia, ai zbuloi dhe nje bazoreliev të dy kalorësve të vëllezërve Dioscure, me të cilët lidhet dhe një nga poemat më të vjetra epike të Ballkanit. Ja pse raporti i tyre në fund të ekspeditës, që ishte e para ekspeditë e perëndimorëve në këto anë, pra Misioni arkeologjik i Maqedonisë, (La Mission archéologique de la Macédoine), mbetet dhe sot si një tekst referencë. Por mjerisht, siç thotë dhe arkeologu, historiani i Antikitetit dhe miku ynë, Pierre Cabanes, dy shkencëtarët i kaluan anash një prej vëndbanimeve më historike të historisë së Antikitetit të kësaj zone, varreve madhështore të mbretërve të Maqedonisë, Grande Toumba, siç e përcakton Cabanes, (120 metra të gjatë dhe 12 metra të lartë), ku arkeologë të mëvonshëm do të zbulonin sekretet e tij si varrin e mbretit Filipi II i Maqedonisë, kurorat mbretërore, diademat, relievet në fildish, enët në argjent madje dhe kockat e mbretit të vdekur. Pas ekspeditës në Maqedoni, Léon Heuzey mori rrugën drejt Shqipërisë. Ai nuk donte ta humbte rastin tani që po lundronte jo larg brigjeve të Ilirisë dhe të shikonte jo vetëm vëndet ku luftuan romakët e Cezar-it, por edhe të vëzhgonte nga afër ato vënde për të cilat shkruanin jo vetëm historianët e mëdhenj antikë si Herodoti, Straboni, Plini, etj, por dhe disa vëzhgues me shije para tij, si Ciriaco de Pizziçoli, i njohur më pas me emrin Cyriaque d'Ancôna ; konsulli francez i Janinës, François Pouqueville, apo majori anglez, i dërguar nga mbreti i Anglisë tek Ali Pasha, Martin Leake. Në fakt, asnjëri prej tyre nuk kishte qënë arkeolog, por sidoqoftë, shkrimet e tyre ishin tepër të rëndësishme: shënimet e Ciriaço-s së Ankonës; Udhëtimi në Moré, Greqi dhe Shqipëri, i Pouqueville; si dhe Në Greqinë e veriut, të Martin Leake. Ciriaco de Pizziçoli, i njohur më pas me emrin Cyriaque d'Ancôna, e kishte vizituar Apolloninë dy herë rradhazi gjatë jetës së tij, në vitet 1435-1437. "Më 20 qershor 1436, - shkruante ai, - ne mbërritëm në qytetin antik të Apollonisë dhe pamë tempullin e Dianës, me rrënoja të vjetra rrotull saj. Pastaj vazhduam drejt fushave me bar, duke lënë rrugën, në një shteg dhensh… Eshtë itinerari më i mirë drejt Aulona-s (Vlorës)". Ky shkencëtar i kohrave të Mesjetës njoftonte dhe për mbishkrimet e Gramata-s në brigjet shkëmbore të Karaburunit, të cilat i kishte parë nga afër.

Më 1806 ishte konsulli francez pranë Ali Pashës, François Pouqueville që vizitoi Apolloninë. Siç shkruan ai në librat e tij të botuar më vonë, atje ai kishte gjetur dymbëdhjetë murgj që i tregonin gjithë entusiazëm për kishën e tyre. Sipas tregimeve të murgjve, ai shkruan se kisha e parë ishte ndërtuar mbi themelet e tempullit Demetra. "Pas përmbysjes së altareve të paganizmit nga barbarët, të cilët u dyndën nga veriu drejt Greqisë, mbi rrënoja, mbi vëndin e tempullit të Demetra-s Shenjtët e Përjetësisë, u ngrit kisha e parë, të cilën ia kushtuan nënës së Shpëtimtarit, pranë së cilës pastaj, në epoka të ndryshme, u ngrit manastiri që ekziston dhe sot." Ndërsa Ëilliam Martin Leake, kur la Apolloninë më 1835, shkroi për qytetin antik se "Pamja e jashtme e ndërtesës nuk ka ndonjë gjë piktoreske, por oborri i brëndshëm, i mbushur gjithë rrënoja që dergjen mbi bar, është një pamje tepër prekëse. Syri pikas kudo dëshmi të një kohe të shkuar, një përzjerje të çuditshme mes rrënojave greke, kollonave romake dhe kapiteleve mesjetare …".

Pas ankorimit të anijes së tyre në Vlorë, Heuzey dhe Daumet, të hipur në mushka dhe të shoqëruar nga një drogman dhe përfaqësues së pashait të Vlorës, u nisën drejt Apollonisë së Ilirisë. Vallë mbërritën ata në mbrëmje? Këtë nuk e dimë. Por sidoqoftë ata do të qëndronin veç pak kohë. Brënda një dite u duhej të bënin vëzhgimet e rastit dhe të vizatonin gjetjet arkeologjike, të cilat në atë periudhë, siç dëshmojnë ata nuk ishin të pakta. Kapitele, statuja, kollona të mëdha, dergjeshin në një qetësi mortore. Vëndi ishte larg rrugëve të rrahura, pra dhe askush nuk interesohej për to. Megjithatë, kur shohin një shtyllë të madhe në të dalë të qytezës, një shtyllë çka mbetej nga një tempull i madh, ata u informuan se shtyllat e tjera të tempullit ishin thyer dhe ishin marrë për ndërtimet e sarajeve të pashallarëve një vit më parë.

Takimi i parë i Léon Heuzey-it dhe i Honoré Daumet, ishte me murgjit e manastirit të Shën Marisë, siç do ta përshkruajë dhe Heuzey në raportin e tij, të cilët e rrethuan me shumë përkujdesje. Vizitorët e huaj ishin tepër të rrallë në këtë vënd, dhe ata shihnin tek francezët, mbrojtësit e vëndeve të tyre të kultit, të kishave e manastireve që edhe pse të përgjumura në atë periudhë të errët otomane, ato mbijetonin ende. Në kishën e vjetër të Shën Marisë, të shekullit XIII, ata panë me kureshtje një afresk të perandorit bizantin Androniku II dhe të familjes së "basileus"-it të Konstantinopojës, por edhe plot objekteve antike që ishin përdorur në zbukurimin e kishës. Duke hedhur sytë mbi kapitelet, bazorelievet, kokat e mermerta të Athinasë apo skulpturat prej mermeri kushtuar Apollonit dhe hyjnive të tjera, ky ansambël arkeologjik i dha Heuzey-it një lloj përshtypje se ç'farë kishte ndodhur në atë qytetit antik, të braktisur me përmbytjen e portit dhe termetet që e shkatërruan pothuaj gjithë qytetin. Për Apolloninë e Ilirisë (meqë në kohën antike kishte disa qytete të quajtura Apolloni të shpërndara këto nëpër Ballkan) Plutarku apo Apiani jepnin plot të dhëna. Diodore i Siçilisë, tregonte "për Kasandrën që zbarkoi në Apolloni me një pjesë të ushtrisë që ta rrethonte, meqë ata ishin bashkuar me ilirianët dhe kishin përzënë garnizonin e tyre. Por banorët i bënë ballë luftës sepse ishin më superiorë. Meqë humbi shumë ushtarë, Kasandra u kthye në Maqedoni…

 

Murgjit e Apollonisë dhe Nymfeu që heshti…

 

Në Apolloni, murgjit e atjeshëm i treguan Heuzey-it dhe Daumet-it dhe për ekzistencën e një Nymfeu, i cili lidhej me legjenda tepër të vjetra e që vinin që larg nga bota antike. Në fakt, kishte qënë Herodoti, ai që tregonte pikërisht për Nymfeu-n e Apollonisë, ku toka nxirrte parreshtur shtërvanë zjarri e avujsh nga nëntoka që nuk shuheshin. Madje i folën dhe për historinë e bariut Evenios, e cila ishte përcjellur nga njëri brez në tjetrin: "Në Apolloni kishte bagëti që i ishin kushtuar diellit. Çdo vit, një nga banorët e zgjedhur, natën ruante bagëtitë. Por një natë, kur ishte roje Evenios, ujqit kishin ardhur në vathë dhe kishin coptuar 60 prej tyre. Atëherë, prijësit e Apollonisë, bariut Evenios i krryen sytë. Mirëpo bagëtia filloi të shkretohej dhe tokat të mos prodhojnë më. Njerëzit shkuan tek orakujt e Dodonës dhe të Delfit dhe u ankuan për këtë. Orakujt u thanë se kjo kishte ndodhur, pasi ata i kishin kërryer sytë Evenios. Pra ata duhej të kënaqnin dëshirat e tij në mënyrë që ai vend të bëhej sërrish i shenjtë. Njëri nga prijësit e atij vëndi u ul një ditë pranë Evenios së verbuar dhe e pyeti si rastësisht se çfarë do të donte në këtë jetë. Evenios i foli atij për toka dhe shtëpinë më të bukur të qytetit. Atëherë ata ia dhanë dhe që atëherë, vëndi u bë përsëri i shenjtë."

Lidhur me vëzhgimet e asaj dite, ku Honoré Daumet, pati kohë veçse sa të skiconte disa nga bazorelievet dhe kokat e mrekullueshme të gjetura aty, Heuzey u mahnit nga shtylla e vetme që kishte mbetur nga Tempulli i Dianës. "Eshtë e vetmja shtyllë greke që gjëndet në vënd dhe në gjithë zonën e madhe mbi veri të Athinës… Përsa i përket akropolit, vendosja e tij është e konturuar nga muret mbajtëse dhe nga disa tarraca në një pllajë të kultivuar, e cila me ekstremitetin lokal të kodrinës krijon një pikë dominuese nga ku kemi një pamje të gjërë mbi të gjithë pllajën midis dy lumenjve si dhe mbi detin më larg. Pak më ulët është një platformë ku është vendosur manastiri i Pojanit, që ruan ende emrin disi të ndryshuar të Apollonisë së vjetër të Ilirisë". Krahas Daumet, edhe Heuzey vizatonte me laps atë që më vonë do të jetë një lloj gravure e një vëndbanimi të hershëm antik. Në hyrje të raportit të misionit të tij, dorëzuar Napoleonit të III, Heuzey kishte shkruar: " Sir… Duke zbritur në rrafshinat e Turqisë qëndrore, përmes Via Egnatia-s ne gjetëm më pas në bregun e Adriatikut, dy qytete antike të dorës së parë. Në sajë të një pozicioni të shkëlqyer, përballë Perandorisë, dhe në kryqëzimin e rrugëve ushtarake që lidhte kryeqytetin e Perandorisë në komunikimin me Orientin, Apollonia e Dyrrachium kanë gëzuar një fat me zgjerimin e pushtimit romak. Sot, megjithë gjëndjen e shpërndarë të rrënojave, secila nga këto qytete ruan ende një krakter të veçantë, që i përgjigjet roleve të ndryshme që ato kanë luajtur gjatë historisë… Heuzey ishte një shkencëtar me përvojë dhe nuhatje të thellë profesionale, dhe shqiptarët i kishte njohur që në udhëtimin e tij të parë në Ballkan, në Thesali, në vitin 1858, atëherë kur shqiptarët e shoqëronin si roje (në fillim 12 shqiptarë e pastaj një i vetëm), gjatë udhëtimit të tij për në Larisa e në Meteorë, siç kujtonte ai në shënimet e udhëtimit që i botoi në Paris nën titullin Excursion dans la Thessalie turque en 1858, (Eskursion në Thesalinë turke më 1858). Madje i sëmurë nga ethet, ai kishte qëndruar diku në një fshat arvanitasish, ku i bëri përshtypje, që ndryshe nga turqit, shqiptarët, me kostumet e tyre karakteristike, i mbanin gratë pranë tyre dhe nuk i largonin kur vinin të huajt. Ishte gruaja dhe dy vajzat e shqiptarit që u përkujdesën për të. Dhe tani, përsëri shqiptarët ishin ata që po e prisnin me aq bujari. Por Heuzey atë ditë nxitonte. Ai duhej të vëzhgonte sa më shumë, edhe pse dëshira ia kishte që të ndalonte gjatë dhe të hidhte kazmën e parë të arkeologut, çka bëri dhe në Maqedoninë antike, në Philippe e Farsale.

"Rrënojat e Apollonisë, - do të shënonte ai nga ky qëndrim i shkurtër, - paraqesin imazhin e një qyteze që gjatë gjithë antikitetit i ka ruajtur traditat e jetës helenike, madje edhe gjatë pushtimit romak. Kur vëzhgojmë objektet që janë grupuar në vëndin e dikurshëm të akropolit dhe që formojnë në manastirin e Pojanit një muze të vërtetë, ndjejmë një gëzim të veçantë të gjëndemi këtu si në Greqi. Megjithatë, këto fragmente të grumbulluara pothuaj nga njëzet ndërtime të ndryshme, kanë gjurmët e një stili më pak të ashpër se sa monumentet e shekullit të Perikliut: një "antefix" në mermer që paraqiste dy valltare të përqafuara nga përdredhja e një palme, ishte ndoshta shëmbulli më i shkëlqyer i artit grek "të zbukuruar", që nuk habitemi ta gjejmë gjithashtu në një koloni të Korintit. Në shumë fragmente dorike dhe veçanërisht në kokën e një luani që ka rënë nga korniza e një tempulli, duken gjethet dhe ornamentet korintase që pleksen me ornamentet gjeometrike. Një "atlant" prej guri,(trupi i një gjigandi që mban një tempull, L.R.), mjerisht shumë i dëmtuar, i cili ka mbajtur arkitraun e ndonjë portiku, është një dëshmi tjetër e pasurisë së një popullsie të zhvilluar, veçanërisht në ndërtimet publike. Ne gjetëm gjithashtu dhe kokën e një gruaje me shami, por vetëm bukuria e kësaj koke mjafton për të treguar se asnjë nga artet e Greqisë antike nuk degjeneroi në duart e kolonëve të korintit në këto brigje të largëta të Ilirisë. Apollonia dhe porti afër tij, Oricum, gjurmët e të cilit unë i gjeta, ishte për ne fundi i këtij udhëtimi…"

Duke u larguar nga Apollonia, Heuzey vështronte sërrish tutje nga horizonti, andej nga kishin kaluar trupat e Pompeu-t. Pasi kishte shkelur në Oricum, (Orikum), në portin e lashtë të gjirit të Valonës, (Vlorës), në 29 nëntor të vitit 49 para erës sonë, pjesën tjetër të ushtrisë gjigande, ngarkuar në 500-600 anije dhe nën drejtimin e Calpurnius, armikut të betuar të Cezar-it, gjenerali i lavdishëm e kishte nisur drejt Dyrrachium-it. 50 mijë ushtarë, të inkuadruar në 6 legjione të mëdha, shkelnin tokën e Ilirisë. Pastaj, ishin trupat e Cezar-it që do të niseshin po nga Brindizi në brigjet shqiptare, për të nisur betejën e famshme kundër Pompeu-t.

 

Në "Tavernën e Adriatikut" të kthyer në një fshat të humbur

 

Një etapë interesante, edhe pse e shkurtër, ishte ndalesa e e dy shkencëtarëve francezë në Durrës. Majë kodrinës së qytetit, Heuzey hidhte vështrimin mbi ultësirën përreth dhe imagjinonte madhështinë e asaj beteje që kishte ndodhur në këtë vënd, një nga më tronditëset, pas asaj të Robert Guiscard-it dhe birit të tij Bohemund, në vitet 1081 e më pas më 1105. Këtu, në atë që quhej "Taverna e Adriatikut" (prostitutat gëlonin në atë kohë dhe Durrachium-i ishte bërë i famshëm edhe për këtë), ishte fshehur Ciceroni, kur iku fshehurazi nga Roma, meqë kishte kundërshtuar Cezar-in; këtu ishin vendosur dhe prisnin legjionet dhe "cahortat" e Pompeu-t me rreth 50 mijë ushtarë të mbrojtur në hekur; këtu nisi legjionet e tij Cezar-i me Marcus Antonius, duke rrethuar gjeneralin kundërshtar, duke prerë gjithë furnizimet e qytetit me ujë, edhe pse Pompeu tentoi disa herë, gjersamë së fundi e kishte çarë dhe rrethimin. Fusha para qytetit, ishte mbushur ato ditë të fundit të prillit të vitit 48 para erës sonë me mijra të vrarë dhe kuaj të dergjur. Dyrrachium ra në duart e Cezar-it, por jo Pompeu, të cilin do të duhej ta ndiqte pas.

"Në Dyrrachium, si dhe në Philippes, gjëndet ngado kujtimi i Romës, - shkruante Heuzey, në raportin e tij drejtuar Napoleonit të III. - Vendosja e racës së pushtuesve pothuaj i ka zhdukur tërësisht gjurmët më të vjetra. Një stelë funerare, fragmenti i një bazorelievi dhe emërtimi Epidamnus, një mbishkrim latin i një periudhe të largët, që tregojnë për një kalorës romak, prefektin e përhershëm të kolezhit të puntorëve ndërtues, janë të vetmet gjetje të qytetit grek, i cili ishte dhe shkaku i Luftës së Peloponezit. Ndërsa në të kundërtën, gjetjet romake tregojnë muralin e një fortese të Durrësit, duke u gërshetuar me stemën napolitane e normande. Edhe disa pjesë skulpture e të arkitekturës, duken se i përkasin një epoke të afërt me atë të Republikës romake. Mund të përmenden veçanërisht dhe luftëtarë, pamja e të cilëve i bën të admirueshme, pavarësisht nga ekzekutimi jo me finesë e siç duhet. Shumë fragmente, pjesë ndërtimesh të ndryshme, japin idenë e madhështisë së ndërtimeve të bëra nga romakët në Dyrrachium. Murali turk ka ende pjesët kryesore të një "Harku Triumfi". Mbishkrimet flasin gjithashtu për një akuaduk, të ndërtuar nga perandori Adrian dhe një bibliotekë të ngritur në kohën e Trajanit. Asnjë pjesë e këtyre ndërtimeve nuk ka mbetur në këmbë. Madje nuk gjënden as gjurmët e rrethimit antik. Atje, u mora gjithashtu dhe me rilevimin e fortifikimeve bizantine, të cilat ishin shumë më të shpërndara se murali modern turk, dhe kjo për të dhënë idenë e gjëndjes dhe të zhvillimit të kësaj qëndre të madhe të Perandorisë, e cila ka ruajtur gjer në mes të Mesjetës, një rol të një rëndësie të parë…"

 

Statujat vdesin gjithashtu…

 

Eshtë muaji nëntor i vitit 1861. Me tu kthyer në brigjet e Adriatikut, hipur në anijen "La Biche", Heuzey dhe Daumont, pas një mungese prej dhjetë muajsh nga kryeqyteti francez, marrin udhën drejt Korfuzit.

Kur lexon librin e Heuzey-it rreth misionit të tij arkeologjik në Ballkan, e kupton se qytezat arkeologjike të Apollonisë e Durrësit, edhe pse të braktisura në harresë dhe të lëna pas dore nga otomanët, ishin ende të pasura me objekte të mrekullueshme, kapitele, koka, mbishkrime, bazorelieve, vepra që dëshmonin artin e madh të epokave helenike e romake në këto troje ilire që fshihte "tumat" e vjetra autoktone. Por çdo të ndodhte më vonë? Vetë pesëdhjetë apo shtetëdhjetë vjet më vonë, gjëndja do të ndryshonte në mënyrë të jashtëzakonshme. Brënda kaq pak vjetësh, bejlerët shqiptarë dhe guvernatorët turq, shkatëruan e zhdukën në mënyrë barbare gjithçka ishte e mundur të merrej nga këto site arkeologjike. Pashallarët dhe bejlerët dallkaukë i përdornin gurët e kapiteleve për gëlqere apo ndërtonin sarajet e tyre duke i përdorur për muret e shtëpîve të tyre. Gurët transportoheshin me karroca nga Apollonia drejt Beratit, që ishte qëndra më e afërt. Në Apolloni, vetëm një vit para se të zbarkonte atje arkeologu tjetër francez Alfred Guilliéron (16 korrik 1875, ishte shkatërruar tempulli i famshëm i Dianës në dalje të qytezës, duke lënë në këmbë veçse një shtyllë, dhe fshati që do të krijohej më vonë do të quhej fshati "Shtyllas", siç quhet edhe sot. Le të imagjinojmë një çast shkatërrimin e një tempulli të tillë, që sot do të ishte një nga objektet më të bukura në Shqipëri, ku brënda pak kohësh, shtyllat mbajtëse të tempullit, rrëzoheshin një e nga një, për të ndërtuar ca saraje të rëndomta. Po kështu ndodhte dhe në Durrës. Muret e vjetra bizantine rrënoheshin dita ditës, aq sa kur Léon Rey do të mbërrinte në Durrës në vitin 1924, kur kishte parë se po prishej përfundimisht muri bizantin i kohës së Anastasit të I-rë, menjëherë i kërkoi qeverisë shqiptare ndalimin e "masakrës", pasi ai mur ishte dëshmia e vetme e fortifikimeve bizantine të atij lloji në Evropë. Rey e gjeti Apolloninë të mbuluar nga shkurret, ku veç ca mure qëndronin ende në këmbë si dhe disa objekteve që ruheshin në manastirin e Pojanit. Pothuaj gjithçka ishte zhdukur. Dhe kjo gjatë më shumë se gjysmë shekulli. Nëse Heuzey dhe arkeologë të tjerë të huaj, disa gjetje arkeologjike të siteve antike shqiptare i çuan në muzeumet e mëdha të metropoleve, nê Paris, Londêr, Romê, Vjenê, etj, nuk të vjen keq, kur mendon se po të kishin qënë ashtu në fushë të hapët, ato mund të kishin përfunduar në saraje pashallarësh, apo në gropat e gëlqereve për tu zhdukur njëherë e përgjithmonë. Gjetjet e "Kulturës së Komanit" nga Degrand, të dërguara në një nga muzeumet më të njëhura evropiane të antikitetit në Saint-Germaine-en-Lay, kanë krijuar aty "stendën shqiptare", të cilën e admirojnë gjithë vizitorët e botës.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx