Kerko: a
Festat dhe çmimet
E diele, 02.12.2007, 02:17 PM
Nga Edmond Tupja
![]() |
Edmond Tupja |
Për t’i rënë shkurt, me qëllim që të dal qartë atje ku dua dhe duhet të dal, ju, të dashur lexuesit e mi të paanshëm, e dini fort mirë që në vendin tonë, disa ditë para e mbas festave kombëtare me karakter të mirëfilltë laik, nuk ka pasur e nuk ka ulje çmimesh. Kështu, këtë vit, si çdo vit, me rastin e 28 Nëntorit, festës sonë kombëtare (dhe të Çlirimit për të djathtën shqiptare kryesisht), te tregu i vogël pranë shtëpisë sime, nuk pashë asnjë ulje çmimesh, madje edhe blerës pashë më pak sesa ditët e tjera. As të nesërmen, me rastin e 29 Nëntorit, ditës së Çlirimit (për të majtën shqiptare kryesisht). Por, ç’është e vërteta, gjatë këtyre dy ditëve festive, nuk pati asnjë ngritje çmimesh për fat të mirë. Them për fat të mirë se, kur vjen vigjilja e Vitit të Ri, festë pagane, por mbarëpopullore, çmimet nisin e ngrihen për të zbritur atje ku ishin vetëm nga fundi i javës së parë të janarit. Mos vallë kjo do të thotë që ndërgjegjja kombëtare e tregtarëve grosistë shqiptarë i pengon ata t’i shfrytëzojnë festat e 28-29 Nëntorit për të nxjerrë fitime në kurriz të kuletave gati të rrafshta të shumicës së bashkatdhetarëve të vet?
Por çka më trondit edhe më shumë, edhe më thellë, edhe më dhimbshëm, është kur vijnë festat masive me karakter të mirëfilltë fetar: në vend që të ketë ulje çmimesh, siç e kërkon fryma e Librave të quajtur të Shenjtë (Bibla, Kurani etj., etj.) nëpërmjet shkrimeve, porosive dhe këshillave të urta që rrjedhin prej tyre si fryt i një përvoje dhe i një qëndrimi filozofik shumë të lashtë të njerëzimit, ndodh krejt e kundërta, çmimet ngrihen disa ditë përpara dhe qëndrojnë në ato lartësi marramendëse për disa ditë me radhë. Kështu ndodh për Krishtlindje e për Bajram, për fat të keq. Po të shohim se ç’ndodh në shumë vende të zhvilluara, qoftë me shumicë të krishterë apo me shumicë myslimane të popullsisë apo të një feje tjetër, pak rëndësi ka, do të vërejmë se, me raste festash fetare masive, ka zbritje të konsiderueshme çmimesh. Mos vallë kjo do të thotë që ndërgjegjja fetare e tregtarëve grosistë shqiptarë i shtyn ata t’i shfrytëzojnë festat e Krishtlindjeve dhe të Bajramit për të nxjerrë fitime në kurriz të kuletave gati të rrafshta të shumicës së bashkatdhetarëve të vet? Në qoftë kështu, atëherë është e pamohueshme që, në këtë pikë, ekziston një kontradiktë themelore midis ndërgjegjes së tyre kombëtare që, siç rezulton nga përvoja, i pengon tregtarët grosistë shqiptarë të rrisin çmimet e artikujve të përdorimit të përditshëm, dhe ndërgjegjes së tyre fetare që i shtyn t’i ngrenë në qiell (ndoshta deri te Perëndia?) çmimet në fjalë. Mos vallë kjo kontradiktë na lë të kuptojmë se tregtarët grosistë shqiptarë na qenkan më atdhetarë sesa fetarë dhe se bashkëkombësit u dhimbsen atyre më shumë se bashkëfetarët? Nga ana e logjikës formale apo, më saktë, aritmetike, kështu duket se është, por nga pikëpamja e logjikës logjike, nuk duket të jetë kështu, sepse bashkëkombësit e tyre janë të njëjtët persona si bashkëfetarët e tyre. Atëherë ç’dreqin kanë tregtarët grosistë shqiptarë që ngrenë çmimet në qiell (pra, më pranë Perëndisë) me raste festash fetare duke harruar se jetojnë në tokë (pra, më pranë njerëzve) dhe jo në qiell, se jetojnë pikërisht në vendin më të varfër të Europës?
Komentoni
Artikuj te tjere
Çfarë nuk dinë shqiptarët e sotëm nga filozofia e historisë dhe historia e prejardhjes miliona vjeçare të popullit tyre
Mospërfillja e viktimave - Akti final i paturpësisë qeveritare
Te keqen o socializem...!
Arbën Xhaferri: Kriza e Kosovës
Fatmir Terziu: ''Pajtushka'' - Vallja e Ballkanit ku përkulen të gjithë
Festa e Flamurit ka vend ne Shqiperi, ndersa ajo e clirimit eshte turp historik
Albert Zholi: Greqia përfshihet nga lëvizjet greviste
Rudina Xhunga: Vdekja e Ismail Qemalit
Jozefina Topalli: Letër e hapur
Albert Zholi: Metropolet, ushqimi, uji dhe zjarri
Sali Bollati: Pse duhej vizita e presidentit shqiptar ne Greqi
95 vjetori i konferencës së ambasadorëve në Londër dhe Kosova
Si do të paraqitet nesër Shqipnia në Europë?
UÇK, një 10 vjetor historik
Idriz Zeqiraj: Kriza morale e te djathtes
Më seriozë me Kosovën
Vajtojsit e ''Top Channel''
Engjëll Koliqi: Letër banorëve të shekullit tim
Interviste me zonjën Luljeta Selimi Berisha, drejtuese e Organziatës Humanitare ''Jeta ne Kastriot''
U perballa me nje kryeqytet qe shikon drejt se ardhmes