Mendime
Rudina Xhunga: Vdekja e Ismail Qemalit
E enjte, 29.11.2007, 06:52 PM
Vdekja e Ismail Qemalit
Nga Rudina Xhunga
![]() |
Rudina Xhunga |
Libri i kujtimeve të vetë Ismail Qemalit të ndihë në një çast të tillë, mbarsur me emocionalitet dhe racionalitet informacionesh kundërthënëse. Përsëpari, ti zbulon a ishte Ismail Qemali një aksident historik dhe ç’rrethana e prodhuan atë.
“Linda në Vlorë më 24 janar 1844, qytet shqiptar, ku shumë vite më vonë, do të shpallja pavarësinë e mëmëdheut tim”- nisin kështu kujtimet e tij, që ndërsa vijojnë me rritjen dhe shkollimin, ndalen për të shpjeguar:”…kur rikujtoj vitet e rinisë sime e të studimeve të mia, bindem se ekziston njëfarë varësie ndërmjet mjediseve fillestare dhe fatit që e ndjek secilin nga ne, megjithëse do të ishte shume e vështirë për të përcaktuar ligjin që e sundon këtë
lidhje. Kush mund të thotë nëse është mjedisi ai që e formon fatin tonë, apo nëse mjedisi është krijuar si kusht për fatin tonë të ardhshëm?”
Njëra prej angazhimeve fillestare të tij, ishte publicistika dhe zgjodhi të shkruajë nën një emër të huaj, kur ju desh të mbronte mikun dhe mandej mentorin e tij, që me kohë u bë dy herë kryeministër i perandorisë otomane, Mithat Pashën.
Por koha më interesante dhe më e rëndësishme e jetës së Ismail Qemalit, e regjistruar në këtë vëllim u përgjigjet atyre kohërave të bukura të diplomacisë sekrete. Ismail Qemali rrëfen në vetë të parë, miqësinë me Gordon kinezin, lidhjet me dhjetëra burra shteti europianë,
njohjen me qindra personalitete, eksperiencën e jetuar intensivisht që i kishte dhënë rastin të hulumtonte mbi shkaqet e politikës së gjysmë duzine fuqish të mëdha. Ky ishte burri me vizion realist që kur ndodhej I internuar në vitin 1892 nga Sulltani, i shkruante po Sulltanit: “Në çështjet shtetërore ai që drejton politikën dhe që përcakton sjelljen është interesi”
Ismail Qemali ishte mendimtar dhe politikan. Kurioziteti e kishte shtyrë të shkonte përtej, për ta rikthyer me më pak ëndrra, por pa e bërë kurrë cinik dhe indiferent, as përkundër hipokrizisë së prodhuar nga burrat e shtetit të perëndimit:”Liberalët e Europes Perëndimore më ngjajnë me trashëgimtarët e një pasurie të madhe, që shqetësohen vetëm të kënaqen me pasuritë e mbledhura me mundime e sakrifica nga paraardhësit e tyre. Në këto vende liberalizmi është etiketa e një partie, ose një mjet për të arritur në pushtet. Por në vendet autokratike të lindjes liberalizmi është I rrethuar me rreziqe e fatkeqësi të rënda, asnjëherë nuk ndihmon njeri për të marrë pushtetin, por ata që kanë këto ide, rrezikojnë të humbasin pozitën e deri jetën.” –shkruan ai. Tek lexon kujtimet, nuk arrin të imagjinosh se si mund t’ia dalë një njeri i vetëm mes mijëra paranojave, ku s’- mund të bastosh në ishin më shumë nga brenda, apo nga jashtë. Intriga dhe skenarë, që nuk kërkojnë aq diplomatin, sesa prestigjatorin. Fatkeqësisht shkrimi nuk të lë të kuptosh shumë, përveçse të paramendosh momentet e monologut, çastet e dëshpërimit, kur ka thirrur mesvetes: Mjaft. Nuk ia vlen, nuk më bëhet vonë! Ismail Qemali flet pak për të gjithë ata që donin ta diskreditonin, për tymnajën e marrëveshjeve të fshehta, se po shiste Shqipërinë, (Cilën Shqipëri? Askush nuk e njihte në atë kohë, si shtet.) apo intrigat e oborreve shqiptare që donin në pushtet secili njeriun e vet, ndërsa ai s’i përkiste ndonjë oborri. Ishte shumë zotëri për të folur. Kujtimet e tij nuk mbyllen me mllef, por me këto fjalë: “Jam i bindur se një akt drejtësie i dhënë për shqiptarët, do të jetë I dobishëm jo vetëm për ne vetë, por edhe për të gjithë ata që kanë kërkuar zgjerimin e tyre me shkatërrimin tonë. Rindërtimi i bllokut ballkanik dhe garancia e pavarësisë së tij, do të jetë një nga faktorët më të fuqishëm për paqen e Europës lindore dhe të botës. Kjo ndërtesë ballkanike mund të forcohet vetëm me forcimin e Shqipërisë, që përben kolonën e katërt që e mban”. Fullerton shkruan në parathënie: “Burri i vjetër i shtetit u nis nga Parisi, duke lënë në duart e zoti Story, kujtimet e tij të papërfunduara. Ato janë një bulëzë e jetës së tij, sikurse dhe vendi, për të cilin nuk kurseu asgjë dhe sakrifikoi shumëçka” Në botimet shqip dhe italisht, Renzo Falaschi është kujdesur të hedhë në letër një shtojcë plotësuese, që gjithsesi mbetet subjektive për t’u pranuar me gjithsej. Psh, ai citon letrën e fundit, tre ditë para vdekjes së Ismail Qemalit të zhgënjyer nga të gjitha dhe të gjithë, teksa shkruan: “Shpresa ime e fundit janë zotërinjtë e opingës”. Apo rrëfen vitet e fundit të jetës, kur Ismail Qemalin e torturonte gjendja tejet e keqe financiare. Si një njeri i paftë t’i jepte rëndësi parave, pati një pleqëri në varfëri.
Vdiq në janar 1919, në Perugia, ndërsa kishte dalë në një konferencë për shtyp para gazetarëve. Në shkurt i sollën trupin në Vlorë. 7 vjet pasi ngriti flamurin në qytetin e tij, në ceremoninë mortore nuk u lejua, nga italianët, asnjë flamur, veç atij që mbulonte arkëmortin.
“Jeta e Ismail Qemalit nga pikëpamja estetike, ishte një falimentim, madje një falimentim melankolik”-shkruan në parathënie Fullerton.
“Në të vërtetë pak njerëz e bëjnë historinë. Gjithë të tjerët e pësojnë”,- shkruan në pasthënie Falaschi.
* Libri “Kujtimet e Ismail Qemal Vlorës” është botuar në Londër në vitin 1920 nga Sommerville Story dhe në Tiranë nga shtëpia botuese Toena, në vitin 1997.
Komentoni
Artikuj te tjere
Jozefina Topalli: Letër e hapur
Albert Zholi: Metropolet, ushqimi, uji dhe zjarri
Sali Bollati: Pse duhej vizita e presidentit shqiptar ne Greqi
95 vjetori i konferencës së ambasadorëve në Londër dhe Kosova
Si do të paraqitet nesër Shqipnia në Europë?
UÇK, një 10 vjetor historik
Idriz Zeqiraj: Kriza morale e te djathtes
Më seriozë me Kosovën
Vajtojsit e ''Top Channel''
Engjëll Koliqi: Letër banorëve të shekullit tim
Interviste me zonjën Luljeta Selimi Berisha, drejtuese e Organziatës Humanitare ''Jeta ne Kastriot''
U perballa me nje kryeqytet qe shikon drejt se ardhmes
Pavarësia e njëanshme, një blof i djegur në pokerin për Kosovën, dhe zgjidhja
Energjia bërthamore dhe Shqipëria
Thithgjaks...!
Ali Podrimja: Nëna Tereza dhe Kisha shqiptare
Nijazi Ramadani: Jeta 63 vjeçare teatrore e Gjilanit
Aurel Plasari: Orienti apo hija nga oksidenti?
Zekeria Cana: Është domosdoshmëri rishikimi i disa periudhave të Historisë së Shqipërisë
Albert Zholi: Papandreu dhe mesazhi për politikën shqiptare