E marte, 30.04.2024, 05:39 PM (GMT+1)

Mendime

Remzi Limani: Koha dhe hapësira

E hene, 26.04.2010, 09:58 PM


KOHA DHE HAPËSIRA

 

Kur fati i çdo individi përcaktohet nga politika e plogët - fillon të shfaqet frika e arsyeshme e pasigurisë sociale, fizike dhe asaj ekonomike, me shqetësime  të shumta për të ardhmen e njeriut të etur për kohën dhe hapësirën e lirë dhe të sigurt - ngase nga politikat e gabuara krijohen difekte të cilat krijojnë çrregullime serioze në sistemin ekonomik, kulturor dhe social.

 

Nga Remzi Limani

 

      Historikisht, njeriu gjithmonë luftoi nëpër kohë dhe me të keqen e kohës së tij, duke u ngritur si feniksi nga hiri i tij, si nevojë jetike dhe e drejtë e pakontestueshme për të qenë aty ku është sot. Shekuj me radhë, njeriu ynë i përjetoi katrahurat më mizore në luftë kundër katallanit dhe bajlozit të zi – për ta flakur dhunën fizike dhe atë psikologjike – në mbrojtje të identitetit njerëzor dhe kombëtar; duke  kaluar nëpër sfida ndër më të ndryshmet drejt ndërtimit të një shoqërie të re demokratike. Prandaj, liria është produkt i rezistencës mendore dhe asaj fizike kundër padrejtësive të ushtruara ndaj individit dhe shoqërisë si tërësi. Mohimi i të drejtave elementare per të qenë pjesëtar i barabart me të tjerët në kuptimin e të drejtave universale, e bëjnë njeriun të ndihej i pasigurt në hapësirën e tij. Atëherë, kërkesa për të qenë vetvetja vjen si nevojë e domosdoshme dhe si reaksion i natyrshëm për një frymëmarrje të lirshme. Ndaj, shteti me të gjithë infrastrukturat e mëvetësisë, patjetër duhet të projektohet mbi bazat e themeleve të lirisë së fituar dhe gjithësesi mbi supet e një shoqërie të shëndoshë, e cila nga bërthama e vet nxjerr mendjen e ndritur dhe i vë në skenë figurat më eminente kombëtare që kanë emër kuptimi në fusha të ndryshme të shkencës dhe të kulturës - që aromën e lirisë ta ndiejmë të gjithë, duke projektuar shtetin në frymën e kolektivizmit, në funksion të mbarë shoqërisë dhe  assesi në frymën e individualizmit të tipit egocentric, duke vënë interesat vetjake mbi ato shoqërore, ngase kështu nuk mund të krijohen bazat e një shteti të mirëfillt ligjor – ku individualizimi bie ndesh me ligjin, luftën për liri dhe paqen. Kjo qasje e një logjike individuale, me konstrukt të një skeme të thjeshtë mendore është e pakuptim dhe jashtë mendjes së njeriut të shëndoshë; si një ide abstrakte  e mbështjellë me marrëzi e mëkate… Këto situata të krijuara nga disa individ të papërgjegjshëm së bashku me një pjesë të lidershipit zyrtar të cilët flasin në emër të popullit - pa pardon i fikin të gjitha dritat duke e futur një shoqëri të tërë në errësirë të plotë, drejt baltës së gjallë nga e cila populli vështirë do t’ia dal të shpëtojnë nga rreziku i mugëtirës së krijuar nga politikat e dizajnuara nga individët të cilëve kombëtarja ju shërben si maskë për t’i realizuar interesat e tyre personale për të krijuar pasuri me shifra marramendëse  që e tejkalojnë imagjinatën tonë. Kështu, vie deri të shkatërrimi i shoqërisë civile dhe larg realitetit të mëvetësisë dhe krijimit të një baze të shëndoshë kapitali me një platformë të sigurt mbi të cilën do ngritet një shtet i zhvilluar me një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurrente në rajon e më gjërë. Andaj, tipi i disa njerëzve të pa kriter, pa vështirësi marrin poste të larta në hierarkinë e sistemit shoqëror, të cilëve u mungon baza themelore, përvoja dhe kualifikimet e duhura për një qasje serioze në punët profesionale, e mbi të gjitha; atyre u mungon kultura elementare me te cilën identifikohet njeriu i kohës dhe hapësirës tonë. Atëherë, kur kemë të bëjmë me një shoqëri me lidership abortar, patjetër se pësojmë ndërprerjen e zhvillimit të fetusit shoqërorë dhe ekonomik, i cili është me interes të vaçantë për një shoqëri në tranzicion dhe interesave vitale me karakter kombëtar. Këto dukuri negative janë “produkte” të shfaqjeve të zjarrta që dalin nga patetika e paparë paraelektorale të premtimeve politike për një të nesërme më të mirë. Kështu, njeriu pa dashje, bie në grackën e premtimeve farse të cilat pastaj kundërmojnë erë të keqe në tërë hapësirën e  tij. Kjo gjendje, të themi patologjike e cila shmanget nga ecuria e duhur e një zhvillimi normal dhe të natyrshëm drejt një shoqërie të re demokratike, len një boshllëk dhe një hapësirë vakumi - ku fillon të shfaqet frika e arsyeshme e pasigurisë sociale, asaj fizike dhe frika e të tjerëve për derdhjen e kapitalit të huaj ne investimet kapitale, të cilat do e ringjallnin ekonominë tonë. Pra, kjo pasiguri e veshur me petkun e frikës, prodhon shqetësime të shumta për të ardhmen e njeriut indigjen. Si pasojë e tërë kësaj, demokratizimi i shoqërisë së re – pason një transgresion që bie në kundërshtim me normat ligjore dhe kërkesat e elektoratit për një shtet demokratik. Përmbytja e një sistemi shoqëror - pa infrastrukturë të qartë legjislativi dhe administratë funksionale, vie nga keqmenaxhimi dhe depërtimi i korrupsionit në aparatin e sistemit të strukturave më të larta shoqërore. Në këtë kontekst, tërësia e çështjeve komplekse, e problemeve dhe ngjarjeve negative në fusha të ndryshme në jetën shoqërore të kohës dhe hapësirës sonë, janë punë të djallit; kur politikanët merren me biznese ndër më të ndryshmet, kurse biznesmenët merren me menaxhimin e politikave. Pra, akëcili njeri i kohës sonë – mbjell të keqen e cila nuk e jep produktin e duhur, përveç të hidhures nga e cila mbijnë telashe të reja… Dhe, mbetja në fron dhe utopia shpërbëtare e klasës politike që i shihen gjembat në majë të kokës – vazhdon me dinakëri sofistike të mbetet e paprekur për të favorizuar individualizmin, duke krijuar difekte të pariparueshme në sistmin shoqëror. Në këto rrethana, liria absolute për njeriun e etur që të jetë pjesëtar i një shoqërie të lirë demokratike me një infrastrukturë të një shteti modern, mund të mbetët vetëm një ëndërr për të cilën duhet kohë dhe mund i madh për të arritur atje ku çelin lulet e botës së qytetëruar…

 

        Veprimtaria politike e një shoqërie në tranzicion, natyrshëm duhet të lidhet me interesat dhe kërkesat legjitime të shoqërisë dhe si e tillë, bërja e politikave kombëtare duhet të funksionojë në interes të të gjithëve, e përshtatshme dhe konkrete në të gjitha fushat e jetës shoqërore në përputhje me politikat e qëndrueshme dhe transparente – sa më afër dritës së skenës për t’u parë qartazi… Çasja e politikës së drejtë, e cila e trajton thelbin e momentit politik në favor të shoqërisë, është vet kërkesa e popullit meritor   dhe të denjë të nderohet dhe të shpërblehet për sakrificat e shumta në luftën kundër të keqes… Andaj, çdo situatë akute kërkon zgjidhje imediate, duke i futur në funksion të gjithë ingranazhet për të përçuar lëvizjen e mekanizmave për t’i vën në sistem të gjitha mjetet e mundshme që mbërthehen në një bosht për ta futur në lëvizje ritmikën harmonike e të rregullt drejt zhvillimit ekonomik e kulturor – si garancë për një mëvetësi të një shteti të qëndrueshëm i cili do të ketë abdomen të shëndoshë…Në këtë kontekst, duhet gjetur rrugën drejt një porte të re e cila na shpie drejt një shoqërie të re e cila me produktin e mendjes së saj do bëj kthesat e duhura drejt një sistemi të pranueshëm shoqëror.



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora