Mendime
Gjergj Meta: Benedikti XVI dhe guximi për të vërtetën
E diele, 25.04.2010, 02:39 PM
Benedikti XVI dhe guximi për të vërtetën
Nga Gjergj
U bënë plot pesë vjetqëkur, pas një rituali antik e të regjur nga thellësia e shekujve, tymi i bardhë, i dalë nga oxhaku i një ndërtese të Vatikanit, lajmëroi zgjedhjen e një Pape tjetër, pas Gjon Palit II të Madh. Ende shumë njerëzve nuk u ishin tharë lotët nga largimi për në shtëpinë e Atit, të njërit prej personazheve më të spikatura dhe më të dashura të shekullit XX dhe të agimit të shekullit XXI. Por tymi i bardhë tregoi se historia vazhdon. Një Papë tjetër do të vazhdonte të drejtonte timonin e barkës së madhe të Kishës Katolike.
Kardinali më i vjetër ndër zgjedhësit lajmëroi se ky Papë do të kishte emrin Benedikt. Një emër, një program. Benedikti ishte ai, që para 1400 vjetësh nisi në Itali, për t'u përhapur më pas në Evropë dhe në gjithë botën, një epokë të re ripërtëritje shpirtërore me anën e krijimit të manastireve benediktine, që do të ktheheshin në një kohë shumë të shkurtër në qendra të rëndësishme të jetës shpirtërore, kulturore dhe artistike të Evropës. Ai i dha rrënjët Evropës mbi gërmadhat e një perandorie, që sa po vinte e po shpërbëhej.
Ky Papë mori emrin Benedikt me një numër nga pas, XVI. Kishin qenë para tij 15 të tillë e i fundit ishte i fillimit të shekullit të XX, i cili përjetoi konfliktin e parë botëror dhe luftën me modernizmin, i cili synonte të vinte në themel të jetës dhe të shoqërisë vetëm Perëndeshën Arsye, duke anashkaluar (madje duke asgjësuar) kështu përmasën e besimit në Zotin.
Benedikti XVI vinte pas Gjon Palit II të Madh, një Papë që kishte shënuar me pontifikatin e tij të gjatë jetën e globit. Një udhëtar i palodhur, një njeri i dashur nga populli, i ndjekur nga masat milionëshe kudo që shkonte. A do të ishte ky tjetri në të njëjtën lartësi? Shumëkush në ato ditë i ka bërë vetes këtë pyetje. Shumë gjëra mund të thuhen dhe mund të kundërthuhen. Opinionet nuk mund të ndalen dhe nuk mund të mbarojnë.
Një ndër gjërat që mund të ndihmojë të reflektojmë në këto pesë vjet është diçka që ka karakterizuar dy pontifikatet e fundit: guximi për të vërtetën! Një e vërtetë e thënë me forcë, e shkruar në një numër të madh dokumentesh, e amplifikuar me shëmbëllime që kanë ndjekur njëra-tjetrën nëpër ekranet e televizioneve nga ana e Gjon Palit II. Nga ana tjetër, e thënë me ngultësi, me qetësi, me thellësi depërtuese deri në thjeshtësi nga ana e Benediktit XVI. Kjo është vazhdimësia e dy pontifikateve: guximi për të vërtetën!
Uria për të vërtetën është e vjetër sa vetë njeriu. E shoqëron atë çdo ditë në rrugëtimin e tij në kohë dhe në hapësirë. E vërteta është aspiratë e njeriut, një nostalgji që pushton jo vetëm mendjen, por edhe zemrën e ndjenjat e tij. Qysh në ditën e parë të pontifikatit të tij, Benedikti XVI i ngarkoi vetes këtë mision: si udhëheqës kishte për detyrë të ushqente të tjerët me të vërtetën. Por kjo e vërtetë ai e dinte mirë se do të përplasej në murin e relativizmit dhe të indiferencës: dy sëmundje të kohës moderne, që kishin pushtuar mendjet e bashkëkohësve të tij brenda dhe jashtë kishës. Ai e dinte mirë se errësira nuk e do të vërtetën dhe se do ta luftojë deri në pikën e fundit me çdolloj mjeti. Në kërkimin e së vërtetës dhe rikërkimin e saj pasi të jetë gjetur apo dalluar në një farë mënyre, Papa aktual është një dëshmitar dhe një prijës i mrekullueshëm. E vërteta kërkon durim dhe jo frenetizëm, përvujtëni dhe jo krenari. Ajo nuk mund të jetë në gatishmëri të dëshirave, opinioneve apo aq më keq të interesit tim. Ajo është reale dhe si e tillë u ikën të gjithë relativizmave të mundshëm. Nga ana tjetër, ajo kërkon në vetë esencën e saj përfshirje, d.m.th. nuk mund të na lërë indiferentë. Pasi të jetë gjetur, duhet përqafuar dhe duhet zgjedhur me gjithë pasojat që mund të ketë. Kërkim i së vërtetës është guxim për të vërtetën. Po! Sepse e vërteta kërkon guxim. Ajo kur del në dritë dhemb shpeshherë, por ama ka fuqi shëruese. Për Papën Benedikti e vërteta është e lidhur ngushtë me dashurinë, e cila i jep kuptimin e vërtetë. Ky Papë jam i bindur po prin kishën dhe shumë njerëz vullnetmirë në një rrugëtim të pakthyeshëm dashurimi me të vërtetën. Vetëm guximi për një të vërtetë në dashuri do të na bëjë përnjimend të lirë.