Mendime
Sami Islami: Përgjigje ndaj fletërrufesë së Beqir Elshanit
E diele, 25.04.2010, 09:59 PM
KUJDES, QYTETAR ELSHANI! KUDES! KINI SHUMË KUJDES ME GJUHËN SHQIPE, ME RREGULLAT DHE ME HISTORINË E SAJ!
(Përgjigje ndaj fletërrufesë së Beqir Elshanit ‘Kujdes, Megjuani, e jo Mexhuani!’)
Nga Sami ISLAMI
Qytetari Elshani shkruan: ‘Me një rast tjetër Megjuanin e quani fanatik, mirëpo të jesh fanatik për mbrojtjen e gjuhës standarde nuk është veti e keqe, por virtyt i mirë. Njëkohësisht edhe ju jeni fanatik ndaj dialektit të gegërishtes, dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Gjithashtu edhe unë e dua dialektin e gegërishtes, mirëpo gjuhën letrare shqipe, që e bashkon mbarë popullin shqiptar, e dua më shumë se shumë.’
Që në fillim le të themi se që nga reagimi i parë i z. Megjuani/Mexhuani e deri te ky i fundit që ia mban “ison” të parit, po ndodh një keqkuptim fantastik dhe kjo më bën të qesh, sepse e shkruajnë shqipen standarde 1972 për të të ardhur keq! Shkurtpamësia shembullore e megj/xhuanizmit është që asnjëri nga ju nuk e keni lexuar librin për të cilin kam shkruar shkrimin tim dhe asnjëri nga qytetarët e nderuar nuk ndalet të mendojë për faktet që unë kam renditur. Me asnjë fjalë, jo vetëm unë, por asnjëri nga intervistuesit në libër, nuk thotë që shqipes nuk i duhet një standard. PRA, BURRA, SHQIPES I DUHET NJË STANDARD! Këtu s’ka mospajtime, pos për ata që duan të çojnë pluhur kot! Pos për ata që, lëre që s’e kanë nxënë dot shqipen e këtillë standarde, por pa e ditur, janë edhe kundër atyre që duan t’u ndihmojnë që të mos kenë më probleme me shqipen, me gjuhën e tyre amtare!
Qytetari Elshani thotës se e do gegërishten. Unë them se nuk e dua as gegërishten, as toskërishten si dialekte të imponuara njëra-tjetrës por dua një gjuhë standarde të pranueshme për të gjithë shqiptarët kudo që janë. E sidomos për ata Mexhuanë/Megjuanë, Elshanë, e bashkëmendimtarë të tjerë të tyre që, për fat të keq, s’kanë arritur ta nxënë asnjëherë standardin 1972 dhe për të fshehur mosnjohjen e tyre, kapen për fraza të fryra patriotike duke shkruar (njëri nga ata) edhe mbiemrin e vet herë Megjuani e herë Mexhuani!
Unë nuk e kam hallin e disa gjuhëtarëve që mund të numërohen me gishta, të cilët mund ta shkruajnë shqipen standarde pa problem, pasi kanë kaluar një jetë të tërë për ta nxënë. E kam hallin për një pjesë intelektualësh që merren me gjuhën standarde dhe nuk e mësuan kurrë! Duke përfshirë këtu edhe delegatë të vetë kongresit 1972 dhe shumicën e shqiptarëve. Pra, unë angazhohem për një shqipe për të gjithë shqiptarët: gegët, toskët dhe arbëreshët e Italisë e të Greqisë. Një gjuhë e tillë nuk është bërë dhe ne duhet ta bëjmë doemos. Ideja që e përcjell intervistën e të gjithë gjuhëtarëve në atë libër, për të cilin unë shkrova atë shkrim, (dhe kundër të cilti reagoi z.Megjuani/Mexhuani) është pikërisht kjo brengë: shqipja ka probleme që duhet të zgjidhen në mënyrë të ngutshme nëse duam t’i ikim pasojave shumë më të mëdha në të ardhshmen.
Qytetari Elshani shkruan: ‘Gjykatësja më e mirë është koha që do të tregojë se kush dhe sa bëri për atdheun dhe kombin shqiptar, natyrisht që Enver Hoxha sulmohet nga të gjithë, sepse tani jemi nën diktaturën e Sali Berishës, përndryshe ish-komunist, që më vonë bashkëpunoi me armikun e popullit shqiptar, që armikut tonë shekullor në ditët e luftës së përgjakshme për jetë a vdekje, i dha naftë dhe fill pas masakrimit të shqiptarëve në Kosovë, serbëve ua shtriu dorën e pajtimit; që pa ngurrim shet troje shqiptare dhe qytetarët shqiptarë i fundos në detin Adriatik, të cilët kërkojnë bukë nëpër magjet e përtej detit. Prandaj këngët e kurbetit që ishin shuar për gjysmë shekulli pas Luftës së Dytë Botërore, u aktivizuan në ”demokracinë” e Sali Berishës.’
Zonja gjykatëse, Kohë, çdo ditë e më shumë është duke treguar për pushkatimet, varret masive, kampet e enverizmit. Pushkatimin e poetëve, me emër e mbiemër. Varjen e poetëve, me emër e mbiemër. Çdo ditë është duke treguar tmerre që askush s’ka mundur të marrë me mend që një shqiptar mund t’ia bëjë një shqiptari tjetër. Ndoshta e keni parë edhe ju Enverin tuaj të math, i cili krejt i matufosur qëndronte në tribunë dhe përziente vitin 1983 me 1955. E dëgjuam që i quante bashkëpunëtorët e vet me fjalor jo shumë fisnik për një njeri me me bibliotekë prej 25.000 librash që u shpreh (me nder me thënë): ‘Beqir Balluku? Ai MUT MUTI!’
Unë me asnjë fjalë nuk e kam mbrojtur as s’e kam zënë në gojë Sali Berishën. As nuk e di se si përfundoi emri i tij këtu! Por nëse pajtohem diku me qytetarin Elshani, është pikërisht kjo pikë: klikat pushtetare në Tiranë ishin antishqiptare në veprimet e tyre. Fatkeqësisht! Por unë nuk bëj përzgjedhje si z. Elshani. Në të njëjtin thes antishqiptar janë edhe (M)bretku Zog, edhe Enveri i Math edhe Saliu ‘Demo(n)krat’.
Ahmet Zogu pagoi njerëz të vrasin Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën etj. Rrëzoi nga pushteti Nolin me sejmenë bjellogardistë me udhëzimet e Pashiqit që u nisën nga ‘Beligradi’ dhe vendosi diktaturën e tij mbi shqiptarët. Pra, kësaj i thonë tradhti me brirë.
Enver Hoxha themeloi një Parti Komuniste Shqiptare me dy çetnikë jugosllavë Milladin Popoviqin dhe Dushan Mugoshën! E bëri copë Marrëveshjen e Mukjes 1943 (marrëveshjen ndërshqiptare për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë) ku shkruhej - e zezë në të bardhë – që pas Luftës së Dytë Botërore duhej të bashkoheshin Shqipëria me Kosovën. Enver Hoxha e bëri këtë sepse dy dadot jugosllave, dy antishqiptarë më të përbetuar, u tmerruan kur e lexuan këtë marrëveshje që shqiptarët do të bashkoheshin dhe Enveri i Math iu bind atyre pa asnjë kundërshtim duke nisur luftën vëllavrasëse. Në tri vitet e para pas LDB, d.m.th. 1945-1948 E. Hoxha e lartësoi Titon deri aty ku s’ka ku shkon më (tipike për stilin enverist)! Pastaj, shoku Enver, e detyroi të bëte vetëvrasje Nako Spiron i cili kundërshtoi ashpër afrimin e pakriter me jugosllavët. Ai pushkatoi një varg patriotësh shqiptarë (si Ahmet Zogu më parë) ndër ta Hamit Kokalarin (autorin e ‘Kosova - djep i shqiptarisë’!, Lef Nosin (pjesëmarrësin e shpalljes së pavarësisë) e shumë të tjerë. Arrestoi me qinda intelektualë e ndër ta Prof. Selman Rizën dhe ua dorëzoi jugosllavëve, si peshqesh të vëllazërisë me jugosllavët! Puna erdhi deri aty sa edhe dinari jugosllav u bë valutë përkrah lekut shqiptar në Shqipëri! Pra, gjynahe pro-jugosllave ka dhe Enveri i Math, bile, sa të duash. Ndërsa për Sali Berishën, s’paskam çfarë t’ju tregoj sepse ju tashmë i dini! Pos që këtu, çuditërisht, nuk e keni përmendur likuidimin e atdhetarit Remzi Hoxha, i cili u arrestua dhe u likuidua në kohën e regjimit të Berishës. Nuk keni zënë në gojë as bizneset e tij me feudalin Fazlic, nipin e kryekriminelit serb Stanisic etj. Pra, kur hyjmë të pastrojmë shtëpinë, duhet ta pastrojmë mirë pa lënë asnjë bajgë sepse ndryshe nuk quhet e pastruar.
As qytetari Elshani as qytetari Megj/xhuani nuk e përmendin në shkrimet e tyre që poeti i madh Havzi Nela u var nga po ai regjim dhe mbeti i varur për tri ditë në qendër të Kukësit në vitin 1988, vetëm pse nuk u pajtua me sistemin ‚e mirë‘ enverist. A ishte poeti Nela terrorist, fashist, armik, apo spiun? A ishte parashutist diversant? JO! Ai ishte mësues dhe poet i varfër.
Qytetari Elshani shkruan:: ‘Rakip Megjuani nuk është gjuhëtar, ashtu siç nuk është gjuhëtar mjeku, por mjekon shqip. Prandaj qortimi juaj do të kishte arsyen nëse kritikoni ndonjë gjuhëtar, të cilët besoj se i dini.’
Unë zotëri Elshani, nuk di për ‘mjekimin shqip’ as për ‘mjekimin gjerman’! Di se ka vetëm mjekim mjekësor! Nuk di as nuk njoh që dikush t’i ketë dhënë atribute patriotike edhe mjekësisë! Dhe, natyrisht, unë kritikoj të gjithë ata për të cilët mendoj se kam argumente. Kur të më mbushet mendja t’u mbaj taravia fizikantëve, unë duhet të mendoj mirë a ma qet apo jo, mendoj njëherë nëse i di apo jo parimet themelore të fizikës; a jam ai që mund t’u qëndroj prapa pohimeve që them apo jo? Nëse nuk di, unë hesht! Prandaj, nëse z. Megjuani/Mexhuani nuk është gjuhëtar ai duhet të flasë punët që i di, e jo të flasë muhabete të thata e të shpifë paturpësisht kundër Selman Rizës duke shtrembëruar faktet dhe duke e cituar qëllimisht keq (një stil tjetër veprimi enverist)! Sepse atë citat që ai ia mveshte Selman Rizës ishte krejt e kundërta, dhe unë këtë e argumentova pikë për pikë, prandaj ju as që e zutë në gojë këtë por e kaluat në heshtje duke qenë se edhe ju jeni të interesuar për shpifje të këtilla e jo për argumente. Bile thoni se Megj/xhuani paskësh renditur ‘fakte’. Nëse do të kishit qenë i drejtë, ju do të kishit kritiuar edhe z. Megjuani/Mexhuani për shpifje e shtrembërime. Por jo. Ju mendoni se duke heshtur faktet, mund të bëni argument! Z. Megjuani/Mexhuani duhet të ulet e të lexojë së pari librat për gjuhën shqipe, ta mësojë mirë drejtshkrimin të cilin dëshiron ta mbrojë, e pastaj të shkruajë për këto punë. ‘Patriotizmi gjuhësor’ nis e mbaron me njohjen e gjuhës përkatëse. ‘Patriotizmi i drejtshkrimit’ nis e mbaron me njohjen e këtij drejtshkrimi. Nuk mund të thotë se është ndjekës dhe dashamir i drejtshkrimit, por s’po arrin ta mësojë asnjëherë! Natyrisht, unë kam qortuar edhe gjuhëtarë dhe do të vazhdoj të qortoj të gjithë ata për të cilët mendoj se kam argumente! Ajo që ruhem të bëj gjithnjë është të mos shkas duke qortuar dikë për diçka që NUK DI dhe s’kam ARGUMENT. Sa për moshën, as unë nuk jam adoleshent. Edhe unë jam duke hyrë në moshën e tretë dhe kjo nuk më arsyeton të përrallis njerëzit me gjëra që nuk i di. Latinët e thonë shumë mirë: ‘Ignorantia non est argumentum’ apo shqip ‘Sedija nuk është argument’.
Qytetari Elshani shkruan: Mua më gëzon fakti që miku ynë si mësues kombëtar ju ka këshilluar të merreni me babanë e gjuhës shqipe, akademik Idriz Ajetin, në kohën kur ne hanim sheqerka.
Tani jam hutuar pakëz. U bënë si shumë këta baballarët e shqipes. E di se baba është quajtur Kristoforidhi dhe mendoj se ky titull nderi i takon atij me shumë meritë, më shumë se askujt tjetër. Por se paskësh edhe ‘baballarë’ të tjerë kjo më habit. Druaj që pasojë e kësaj gjendjeje të shqipes sot qenkësh pikërisht prania e shumë baballarëve të shqipes në këtë mes. Ma citoni një vepër të Idriz Ajetit e cila është përkthyer në një gjuhë tjetër botërore dhe që është pranuar si një e arritur shkencore për ekselencë nga ndonjë institucion me famë botërore! Unë nuk di. Ndoshta ju e dini. Por unë u ruhem këtyre frazave të fryra me gjithë nderimin e madh që kam për punën e madhe pedagogjike të I. Ajetit që ka bërë në Kosovë. Për punën shkencore ai s’ka arritur të rrijë përkrah as me shkencëtarët tjerë si Riza, Çabej, Xhuvani apo Demiraj. Por kjo është punë takati dhe jo qejfi. Këtij ‘babai të shqipes’ (gjithnjë sipas Elshanit), nuk i del emri kund as në fjalorin e shqipes të vitit 1980, as në atë të 1984 (2002) dhe as në Gramatikën e gjuhës Shqipe (1976/2002)! Sa çudi! Kush po i bëka fjalorët dhe gramatikat e shqipes? Njerkët? Apo tarakët e shqipes? Pra, ma shpjegoni, ju lutem, si u bë që në Fjalorët e Shqipes dhe në gramatikën normative TË TË GJITHË SHQIPTARËVE nuk figuron asnjë emër, pra ASNJË EMËR i një shqiptari jashtë kufijve të Shqipërisë? A nuk është e turpshme kjo? A nuk është antikombëtare kjo? A nuk tregon kjo provincializmin e pamasë të rretheve akademike enveriste? Jam i sigurt se po të kishte qenë nga Mallakastra, Idriz Ajeti do të kishte qenë, gjithsesi, një nga hartuesit e fjalorit e të gramatikës.
Sa për sheqerkat, kjo është normale. Gjithkush ka ngrënë dikur sheqerka në jetën e tij. Edhe I. Ajeti ka ngrënë sheqerka kur ka punuar e shkruar Xhuvani. Edhe Xhuvani ka ngrënë sheqerka kur ka shkruar e punuar Kristoforidhi. Por një ditë, ata që piqen pushojnë së ngrëni sheqerka. E dikush s’ndalet kurrë së ngrëni sheqerka reale dhe sheqerka ‘parullash’!
Në fletërrufenë e tij, qytetari Elshani shkruan: ‚Nëse ju nuk e njihni se kush është Rakip Megjuani, të cilin e përbuzni me mospërfillje “një farë”, ju këshilloj të pyetni poetin e madh shqiptar (jo kosovar), Zeqir Gërvallën për të cilin keni shkruar në albaniapress.com”. E çka mund të thuhet për këso lloj ‚margaritarësh‘ që na ke sjellë, zotëri i nderuar? Unë nuk kam nevojë të pyes askë për punët e mia, pra as Zeqir Gërvallën, por ju mos u përpiqni kot të fitoni ‚poena‘ te ai duke ma parë për të madhe mua, se unë e paskam quajtur ‚poet kosovar‘.
Qytetari Elshani shkruan: Me të drejtë mund të themi se Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972 ishte hap i parë revolucionar që të gjithë shqiptarët jashtë kufirit të Shqiperisë administrative i ribashkoi. Ta bëjmë Shqiperinë Etnike, pastaj Kongresi i ri i Drejtshkrimit do të bëhet më i gjithanshëm dhe më i pasur, sepse do të kemi Akademinë e vetme të Shkencave dhe Arteve Shqiptare, ekonominë kombëtare dhe shumë gjëra (të) tjerë(a) në shërbim të emancipimit kombëtar dhe (të) zhvillimit ekonomik që është bosht i mirëqenies kombëtare. Si rrjedhim i saj do të kemi shumë gjuhëtarë të aftë në fushën e ilirologjisë dhe albanologjisë që do të vendosin për gjuhën standarde për popullin e bashkuar shqiptar.
DHE
Qytetari Elshani shkruan: Si mund të krijonim ne gjuhën letrare me një universitet trevjeçar, kundrejt Universitetit të Tiranës me 15 vjet punë të plotë, në kohën kur në Kosovë ende nuk kishim mjete mësimore në gjuhën shqipe; në kohën kur gjuha shqipe ishte gjuhë pakicash dhe quhej “shiptarski”.
Këto dy pohime të z. Elshani tregojnë një mori kundërthëniesh dhe mosnjohurish që z. Elshani i nxjerr një nga një. Po të kishte lexuar librin me intervista të Sh. Gashit, apo tekstin tim, me kujdes, pa marrë turr për të mbrojtur diçka të pambrojtshme atëherë do ta kishte pasur më të qartë se çfarë ka ndodhur me historinë e standardizimit të shqipes.
Ajo që nuk e di z. Elshani është që SHQIPJA KA PASUR NJË STANDARD të saj që nga viti 1916. Këtë standard e kanë vendosur Luigj Gurakuqi, Dr. Gjergj Pekmezi, Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Sotir Peci, Mati Logoreci, Ambroz Marlaskaj, Hilë Mosi, Luigj Naraçi, Anton Paluca, Hafiz Ali Korça, Aleksandër Xhuvani, Maximilian Lambertzi, Rajko Nachtingalli, Vinçenc Prendushi, Sali Nivica dhe Josif Haxhimima. Kjo ndërrmarje që zgjati dy vite vendosi një standard të shqipes të bazuar në elbasanishten. Sepse kështu kishte vendosur edhe Kongresi i Dytë i Manastirit më 1909. Më 1920 Kongresi i Lushnjes e pranoi këtë si standard të shtetit dhe me 1923 gjithë adminstrata e Shqipërisë, shkollat, ushtria etj. kanë punuar me këtë standard. Më 1941, Ernest Koliqi, hapi shkollat shqipe dhe solli në Kosovë edhe rreth 500 mësues vullnetarë nga Shqipëria dhe ndriçoi me dituri mendjet e shqiptarëve të Kosovës. POR ajo që është me rëndësi t’i shpjegohet z. Elshani, edhe gjuha standarde ekzistuese e Shqipërisë u përhap në Kosovë dhe gjuhësisht shqiptarët u bashkuan më 1941, z. Elshani. Pra, në vitin 1941 të gjithë shqiptarët shkruanin me një standard: elbasanishten! Pra, bashkimin gjuhësor të shqiptarëve e ka bërë Ernest Koliqi! Tashti, le të vazhdojmë t’ia ndriçojmë mendjen qytetarit Elshani me fakte. Që nga viti 1941 deri në vitin 1945 shqiptarët kishin një gjuhë të përbashkët STANDARDE SHQIPE. Pra, gjuhësisht, edhe një herë po e përsëris, SHQIPTARET ISHIN BASHKE! Por, më 1945, kur Enveri i Math e mori pushtetin në Tiranë, ai e PRISHI këtë BASHKIM! Ai e preu si me thikë dhe krijoi ndarjen gjuhësore në mes të shqiptarëve dhe instaloi toskërishten në Tiranë pa menduar fare për parullën që do t’i kujtohet më vonë për ‘bashkimit kombëtar’! Kështu që nga viti 1945 deri në vitin 1968 ishte Enver Hoxha, dora vetë, që NDAU shqiptarët gjuhësisht! Dhe bëri një atentat jo në vetë L. Gurakuqin, sepse këtë e kishte bërë tashmë A. Zogu) por në veprën e tij madhështore: standardin e gjuhës shqipe të bazuar mbi elbasanishten. Këtë s’e dini ju qytetar Elshani! Sepse s’doni të dini! Tani, pse Enver Hoxha e bëri këtë duhet ta dini ju, qytetar Elshani e bashkëmendimtarët tuaj! Si u bë kjo ndarje? Sepse në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare në ish-Jugosllavi vazhdoi të respektohej ELBASANISHTJA, gjuha standarde e mëparshme e shtetit shqiptar, e Shqipërisë. Shqiptarët në ish-Jugosllavi nuk u çuan të krijojnë gjuhën e tyre kosovare ‘kosovarçen’ as atëherë kur ata në Tiranë bënin majtap me vlerat kombëtare! Ata u ndalën në elbasanishte. E ruajtën dhe e kultivuan atë.
Deri në vitin 1968 shqiptarët në ish-Jugosllavi NUK U DESH të krijonin gjuhë standarde z. Elshani! Keni hyrë nëpër lakra kot! Standardi i elbasanishtes ka ekzistuar dhe në shkollat jashtë Shqipërisë enveriste kjo gjuhë standarde mësohej. U desh të vinte viti 1968 dhe prapë shqiptarët në ish-Jugosllavi të kuptojnë se politika e marrë dhe e verbër e Tiranës nuk çonte askund pos në ndarje të kombit shqiptar dhe pranuan, pa asnjë vërejtje, projektin gjuhësor që ishte toskërishte letrare. Por, fatkeqësia ishte që jo gegërishtja, por elbasanishtja u luftua si të ishte gjuhë e armikut dhe jo e kombit shqiptar! Këtë qytetari Elshani, fatkeqësisht, s’e di!
Shqipëria Etnike për të cilën angazhohemi që të gjithë, edhe unë, edhe Shkëlzen Gashi, edhe të gjithë të intervistuarit e tij, duhet të nisë të realizohet në çdo fushë. Dhe fusha në fushën gjuhësore askush nuk na ndalon ta bëjmë pos vetvetes.
Në këtë vijë, tani del një problem tjetër shumë më i rrezikshëm për të cilin habitem se si nuk e vërejnë as z. Megj/xhuani, as z. Elshani as bashkëmendimtarët e tyre. Ashtu siç u pranua Plani i Ahtisarit, ashtu siç u pranua flamuri i Kosovës, himni i Kosovës, një ditë do të pranohet edhe ‘një gjuhë e Kosovës’ nëse ne nuk bëjmë diçka në këtë mes. Çfarë mund të bëjmë ne? Këtë e thonë intervistuesit shumë qartë që ne duhet të bëjmë reformat në gjuhën e sotme standarde që të zhdukim arsyet për krijimin e një gjuhe të veçantë për Kosovën. Duhet të sjellim punën deri aty sa të duket absurde çfarëdo përpjekje drejt këtij projekti. Pra, nëse keni ndjekur mirë argumentimin tim, do të shihni se ne jemi në të njëjtën vijë, kemi të njëjtin qëllim, por mënyrën e qasjes e kemi të ndryshme. Kjo thuhet në librin e Shkëlzen Gashit, por këtë duhet ta lexoni së pari. Gjithsesi pa paragjykime.
Tani le të dalim te faktet fatkeqe drejtshkrimore për z. Elshani që e mban veten për ‘të lapsit’.
Ai shkruan:
1) ‘ai qëndron më lartë’; pra, nuk e dallon ndajfoljen ‘lart’ nga mbiemri ‘i lartë’! KUJDES! Mos e dhunoni standardin 1972, qytetar Elshani!
2) ‘më erdh mirë’; e huq vetën e tretë që duhet të jetë ‘erdhi’! KUJDES! Mos e dhunoni standardin 1972, qytetar Elshani!
3) ‘në vend të mobileve’; sipas 1972 do të duhej të ishte ‘mobiljeve’ KUJDES! Mos e dhunoni standardin 1972, qytetar Elshani!
4) baca Megjuan (ia përzien emrin me mbiemrin njeriut për të cilin thotë se ka respekt!) pra do të duhej të ishte baca Rakip ose z. Megj/xhuani, sepse në shqip s’mund të thuhet baca Elshan, Baca Gash, apo jo! KUJDES! Mos e dhunoni standardin 1972, qytetar Elshani!
5) vend të radios dhe televizorit; do të duhej: ‘vend të radios dhe [të] televizorit’; KUJDES! Mos e dhunoni standardin 1972, qytetar Elshani!
6) emrin ‘Shqipëri’ e shkruan vazhdimisht pa ‘ë’, ‘Shqiperi, Shqiperisë, Shqiperinë’! Ndërsa mua ma zë për të madhe që nuk kam shkruar ‘shegert’ e jo ‘shegërt’. KUJDES! Mos e dhunoni standardin 1972, qytetar Elshani!
7) ‘nuk ka të drejtë të ndërhyj’; sipas 1972 do të duhej ‘të ndërhyjë’ apo jo! Sepse është veta e tretë, e tashme, lidhore, z. Elshani! KUJDES! Mos e dhunoni standardin 1972, qytetar Elshani!
8) ‘nuk shkuan studentët të albanologjisë’; pa e përzier të shquarën me të pashquarën duhet të shkruani: ‘studentët e albanologjisë’! KUJDES! Mos e dhunoni standardin 1972, qytetar Elshani!
Qytetari Elshani shkruan: Me paraqitjen tuaj të skajshme "Një palo “gjuhëtar” i tillë, i cili, fatkeqësisht, as emrin e vet nuk di ta shkruajë si duhet, dmth. sipas rregullave të vitit 1972, ngaqë në vend se ta shkruajë Mexhuan, pra me “xh”, ai e shkruan Megjuan, me “gj” del dhe mban leksione!, keni shkelur rregullat e etikës njerëzore.
Kur është fjala për emrin e autorit Megjuani, ju nuk keni të drejtë t’i detyroni të tjerët si duhet shkruar emrin dhe mbiemrin, të gjitha emrat e përveçëm janë sipas dëshirës së tyre vetjake, askush nuk ka të drejtë të ndërhyj në emrat dhe mbiemrat e të tjerëve. Mund të kritikoni analistin nëse emrin e fshatit Gjonaj në Has do të shënonte (Xhonaj). Në anën tjetër, emrat e përveçëm, qoftë me burim shqiptar apo të huazuar, nuk përfshihen në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, dikush mund të quhet Dimali, dikush Dymali, që vjen nga togfjalëshi “dy male”. Të kota janë talljet tuaja ndaj emrit të qytetarit Megjuan, prandaj kujdes dhe mos ia shtrembëroni mbiemrin, përndryshe mund të dënoheni sipas dispozitave ligjore.
Qytetari Elshani fillimisht thotë se mbiemri i z. Megj/xhuani duhet të shkruhet me “gj” e jo me “xh. Madje vetëm nga mënyra se si e thotë, ai lë të kuptohet se mund ta dredhë ngado që e do ‘argumenti’ i tij e jo si e do, në këtë rast, rregulla e gjuhës, për të cilën edhe nisi gjithë ky muhabet. Duhet ta dini, qytetar Elshani, se të gjithë emrat ose mbiemrat e këtij tipi që vijnë nga otomanishtja në gjuhën shqipe duhet të shkruhen me “xh” e jo me “gj”. Kështu ndodh edhe me emrat si Xhevat, Xhemail, Mexhit etj. pra edhe mbiemri Mexhuani duhet të ishte shkruar kështu pa iu shmangur standardit 1972. Pra, ajo që po bëj është që po i tregoj rregullat e drejtshkrimit 1972 atyre që më akuzojnë se unë po ua “shtrembëruakam emrin” dhe si pasojë e këtij shtrembërimi, unë “do të mund të dënohem sipas dispozitave ligjore”! (A mos vallë e keni fjalën për „dispozitave ligjore“ të Suedisë?).
Me thënë të drejtën, nuk e di kush po tallet më shumë me qytetarin Megjuani/Mexhuani: vetë Rakipi, i cili s’di ta shkruajë mbiemrin apo z. Elshani që e vë ne lojë duke shkruar profka e gjepura. Që të bindeni se po flisni ‘si nëna e Muços në majë të thanës’ shkoni në këtë webfaqe (http://www.zeriyt.com/personalitete-politike/kush-ishte-fadil-hoxha-t41840.0.html) dhe shihni që vetë Rakipi nënshkruhet herë me Megjuani në njërin artikull, e herë me Mexhuani në tjetrin. Tani, z. Elshani, bëhuni fisnik e pranoni që këtu diçka e ka marrë teposhtëzën ose argumenti juaj, ose drejtshkrim i z. Megjuani/Mexhuani! Tani mos më thoni se një qytetari, qoftë edhe i përndrituri, i fortlumturuari, qytetari i nderuar dhe i respektuar, Megjuani/Mexhuani, mund t‘i lejohet të shkruajë herë ashtu herë kështu sepse kjo është kundërligjore dhe fshehje e qëllimshme e identitetit! Edhe për këtë ka gjyqe dhe dënime! Ke xhaxhi Enver për këtë do të të varnin në një shesh sepse ke bërë maskim të identitetit.