Kerko: Remzi Salihu
Remzi Salihu: Fshehtësitë simbolike në poezinë e Lida Lazajt
E hene, 18.01.2010, 03:49 PM

{“Gishti i dheut të dhembshur” Egnatia ,Globus R, 2008, Tiranë}
Nga Remzi Salihu
1. Lida Lazaj në analet e krijimtarisë saj shkruan lirikën refleksive
të ngjeshur mirë nëpër cikle dhe, të koordinuar mirë bashkë me një zinxhir të
gjatë asociacionesh e shtegtimesh të veta e të përvojës jetësore nëpër
kohë. Ato janë vargje të hapura e të mbyllura, por që në esencë nxisin, ftojnë
lexuesin të hyj brenda rreshtave e të përpushin fshehtësive të gjuhës simbolike
e metaforike. Kjo grishje mund të bëhet në mënyrë spontane nga kërshëria e çdo
lexuesi që ka sens për t’i dalluar veçantitë artistike e letrare të kësaj
poete. Lirikat bartin në vete peshën e lartë poetike e tematike. Këtu fjala
nxitë fjalën dhe kuptimin e kthen në veprim efektiv të gjallë të shprehjes
lirike të sprovuar nëpër kohore. Nga vargjet e Lazajt dallojmë dhe dëgjojmë një
zë poetik që tanimë, dal nga dalë, merr formën e vet të këngëtimit,
e që në esencë shëmbëllen ngrohtë lirizmit dhe grishjes në skenën poetike
bashkë me ashpërsinë, butësinë, lëndimin, lotin dhe mallin e saj, kundrejt
vetes dhe të tjerëve.
Titulli i vëllimit poetik „Gishti i dheut të dhembshur”
na jep të kuptojmë shumësi mendimesh, temash e motivesh të dala nga përjetimet
dhe frymëzimet e ndryshme të autores nëpër etapa të shumta kohore. Që
të kapim drejtë ndjenjën reflektuese, se çka na sjell ky univers i
përgjithësuar poetik, i cili në vete ngërthen shumë vërtetësi ngjarjesh të
fiksuara nga kujtesa përvojave
të poetes, duhet gjurmuar me kujdes në fshehtësitë e figurshme të poezive mjaft
të larmishme. Natyrisht se kjo vjen nëpër vargje e bazhdizuar, me gjuhën dhe
shprehjen e rrallë, të ngjeshur, të përpunuar, e të përputhur me ritmin kohës.
Reflekset e saja në këtë vëllim poetik kalojnë me maturi të rrjedhshme mbi
bagazhin e përjetimeve të rënda të individit në një vend e rreth të caktuar.
Detajet melankolike vijnë në skenë me emocione, si mprehtësi e detyrueshme e kohës,
si shkak provokativ, që shpon me majat e saja, duke evokuar në rreth, kështu,
diçka të ndodhur, të ikur nga e kaluara, me guxim dhe shpresë për të
kërkuar të ardhmen. Nëpër rrugën e saj të gjatë të konvencionit artistik të
arratisur në distancë të kohës dhe jetës. „Gishti i dheut të dhembshur’’
është padyshim një mall magjik e magnetik i fiksuar me ndjenjë asociative dhe e
përcaktuar me impresiono në vete, në gishtin tregues të nostalgjisë kundrejt
vendit që dhemb nga prekja. Me një virtuozitet kohorë, e truporë, që të
mallëngjen, edhe pse gishti është i vogël për të kapur një hapësirë të largët,
të prekur të ndonjë sendi, trupi, apo vendi, prekjen e ka të madhe, të
ndjeshme, kur përmbushet me ndjenjë dhe mall afrie e dashurie. Gjithsesi, se
brenda asaj prekje mund të nxitet, magnetizohet, motivohet një puhizë njomë
ndjenje shpirti që të kall, e që pastaj kujtesa gjithnjë
të arratiset në nostalgji me kalimin e kohës. Ky refleks që jep në mënyrë
rutinore sprovën e dashurisë për jetën dhe vendin, e
shtyn diçka e brendshme, e cila lidh individin me ndjenjën dhe dashurinë e çdo
qenie njerëzore.
Kozmosi në këtë përmbledhje poetike përfshihet e ndërtohet me fjalë të
zgjedhura, si tërësi e madhe jashtë tokësore, por që ngjesh në vete gjithësinë
dhe, në këtë tërësi të madhe, individi i gjallë apo i vdekur, brenda asaj
shumësie të pa pushtuar është një pluhur kozmik, që bart në vete, gjithnjë,
epitafin e gravuar me datë të pacaktuar. Kur vatra errësohet nga humbësit dhe
kthetrat e krimit të katandisur, koloriti i këndshëm trazohet nga gjendja e
shëmtuar të ambientit dhe rrethit. Gjithsesi, se kjo situatë e vrazhdë e kohës
e kalit individin për ta gjetur shtegun dhe adresën e vet të sfidave, nga trupi
i brejtur i situatave të shëmtuara të jetës, nga djajtë dhe terri i ftohtë i
mbërthyer me gjithfarë trokesh e shëmtish të kohës, andaj për largimin e këtij
kataklizmi rrëqethës, vendit i duhet një“ promothe“ i vendosur dhe
sakrifikues për veprime me flakën e ndezur të lirisë në shpirtë për
gjeturinë e lumturisë jetësore të përgjithshme nëpër atdhe.
2. Sharmi i dritës dhe antidritës
Veprimet ekzistencialiste e futin njeriun, individuan në iluzione të shumta
për mbijetesën e tij, si qenie e vetme përballë pasqyrës dhe realitetit të
kohës, kërkon me
reflektimin e saj, veprim, qo do të përballet me kërkesat e ndjenjës së brishtë
vetjake, e cila në të shumtën e rasteve kjo pasqyrë e realitetit të vrazhdë
thyhet nga zhgënjimi dhe dyshimi i pakuptimtë jetësorë. Ndryshe nga ky veprim i
hamendjes hamletiane, ngrohtësia e shpirtit përmbushet vetëm atëherë kur pamja
e jashtme, lëkura e ngrirë nga prekjet e ftohta nëpër errësirë, ngrohet,
plotësohet, nga drita e muzgut të afruar. Atëherë, kur del drita e diellit, del
edhe optimizmi i brendshëm, reflektues i njeriut. Ditët me dritë dhe antidritë
në kujtesën e poetes vijnë të radhitura si rrudha ngjarjesh të pa harruara e që
në vete pleksin ndjeshmëri të rrallë të jetës. Ajo është herë e zymtë e herë
shndritshme si rruazat shumëngjyrëshe të radhitura në qafë të kohës, apo si sprovat
e damkosura të një individi, ose fuqie që të përcjell si smerald ndriçues nëpër
korridoret e jetës. Të gjitha stinët e së kaluarës në shpirtin poetik të poetes
shëmbëllejnë, si imazhe me vise të gërryera nga koha. Gjatë jetës njeriu vihet
përherë në sprovë jetësore. Ai zbret në shtegun e gjatë provokues të moralit.
Madje përballet edhe me ç’moralizim, ngase jeta është një provokim
eksperimental i përhershëm, që ndërton kodin e veprimit moral, apo amoral dhe,
me këtë bindje poetja në poezinë „ Mëkatarë“, vepron në skenën
letrare me një pyetje retorike „Jam unë i varur i pari“ dhe ky
lum mëkatar që derdhet në atmosferën kuptimore, vjen si rrjedhojë e lotit
universal i njeriut që e tërhiqet zvarrë në sakrificë për të vërtetën në jetë.
Poetja perceptimin e jetës e sheh përmes sharmit të dritës dhe antidritës,
errësirës, apo midis të bukurës dhe shëmtuarës, jetës apo vdekjes. Ajo kërkon
të „nesërmen“, ngase të sotmen e
vrazhdë e ka të “përjetuar mirë” bashkë
edhe me rrethin e saj. Autorja kërkon të panjohurën, ndryshim kohe, madje të
notojë në enigmën e pazbuluar e të pa përjetuar, të nesërmen që vjen, qoftë ajo
të jetë edhe e vrazhdë. Kërkesa e guximit për ndryshim bëhet sovrane atëherë
kur përjetohet e veprohet nga bindja individuale sa për t’u larguar sa do pak
nga ato anomali të së djeshmes së hidhur.
Paralelizmat e përdorura me kujdes, për ta ngritur apo ulur kuptimin
refleksiv e radhit poeten në mesazhin didaktik, me dhënie e marrje, me humbje e
fitime, shtjellojnë efekt moralizues të veçantë. Në çdo çast, jeta, sjell
ndryshime, të bën mbret apo mister, ose siç thotë vet poetja të bën
ngandonjëherë edhe „m“. Por dy gjëra sublime që hetohen në
këtë vëllim poetik, e që përcjellin njeriun gjatë jetës, janë dashuria dhe
urrejtja. Këto veti janë aq të vjetra, të lashta, aq sa edhe vet njeriu. Këto
dy antonime si dy antiteza janë përcjellë gjithnjë gjatë shekujve. Për poeten
vetëm fjala „Të dua „ ka mbetur si e veçantë dhe ka
rëndësi si tetuazh që ngulitet thellë dhe përjetësisht e pandryshuar në vargje.
Në kujtesën e saj kjo shprehje, ka shërbyer për eliminimin dyshimit nëpër të
gjitha kohët. Prandaj këtë fjalë e rruan si thesar të çmuar në thellësinë e
shpirtit, e cila në vete kundërmon bindje sfiduese të përhershme me dashuri dhe
afri të ndërsjellë. Poetja nuk i do fjalët që sjellin ftohtësi, acar, breshër,
akull, por në verandën e prehjes poetike i veçon ato fjalë të ëmbla, të
ngrohta, që vijnë papritmas si idili me aromë pranvere nëpër çaste të caktuara,
me të cilën edhe toka mbetet gjallë dhe bëhet humus frymëzues.
.
3. Ndjenja universale e
këngëtimit
Cikli poetik ”Pjalm shpirti”, është prurje e
ngjeshur intime dhe figurë e goditur për të treguar situatë të ngrohtë e të
ftohtë të ndjenjës poetike. Mpirja e gjakut, gjymtyrët e ngrira, japin imazhin
e vetmisë. Shkretëtira e thellë e vetmisë shëmbëllen hapësirën e ngrirë të
shtanguar të jetës, e cila në të kundërtën kërkon
gjallërinë, afrinë e ngrohtë të vatrës së shpirtit, për të nxehur hapësirën ku
gjendet i vetmuar individi. Frigiditeti kohor mbërthen në vete siluetën e
trupit të pa diktuar në hapësirë, të vetmuar, pa gjymtyrët e varura si
stalagmite në shpellën e ndjenjës së madhe të përjetimit. Kundërthëniet
jetësore sjellin ethe, fërkime, vrazhdësi, midis kuptimit dhe pa kuptimësisë.
Në ujërat e turbullta të bisedave njerëzore ku nuk ngjishet logjika e pajtimit
dhe dashurisë, ka vetëm’’ kuakje’’ që nuk japin
shtegdalje kuptimi, shprese, e cila madje nga veprimi saj negativ, përfundon në
një formë dhunshme instinktesh e veprimesh të shëmtuara që ka njeriu kur futet
turbullt në moçalet e molepsura të pa kuptimësisë dhe mosbesimit. Kështu njeriu
me sjellje jo të mira njerëzore, amorale, merr formën veprimit të instinktit të
kafshës. Dy tërësitë kuptimore janë dy antiteza që shfaqen me disponimin e
vrazhdët të individit në rrethin e caktuar të ambientit ku jeton.
“Kur lahemi në ujëra të
molepsura
kuakje bretkosash më ngjiten në
lëkurë
me sytë e çngjyrosur
të gjithë i shoh me katër këmbë
dhe veten majmun me bisht.” ....
Në tërësinë e dytë të vargjeve të strofës ndryshon disponimi figurativ. Aty
ndihet edhe zëri i zogjve. Disponimi kthehet në dëshirë jetese. Lulëzim. Aty
ambienti bëhet më tërheqës. I bukur. Hapësira parfumohet me fjalë të këndshme,
të ngrohta, të cilat sjellin bukurinë e mrekullueshme që mahnit vetëm shijen e
veçantë të poetes.
“ Kur flasim gjuhën e zogjve
nën qerpikë pishash valëzojnë
dy liqenj
në pentagrame degësh të
lulëzuara këndojnë yjet
në krahë fluturash të
parfumuara fluturoj “
Malli për të
afërtit mbetet prehje e përhershme i poetes dhe me vendosmëri ndërton imazhin e kthimit
të saj në fëmijëri. Kjo gjendje sikur e dërgon poeten në idilin familjar të
përmbushur me nostalgji e me gjelbërim jete të fëmijërisë dhe të ngrohtësisë së
dikurshme të rrethit, e cila ngrohtësi tanimë e nxitur nga malli, me kalimin e
kohës, nga perspektiva e jetës, bëhet një bagazh i rëndë, mallëngjyes dhe i
dhembshur për kohën e ikur, e cila kohë në kujtesë ka mbetur vetëm si blerim i
rrallë frymëzimi. Andaj është diçka e rastit kur njeriu lind si qenie e gjallë
dhe kjo rastësi plotësohet me bekimin e perëndisë për t’u plotësuar me “sythe” motivesh të
frymëzuara nga vet jeta e njeriut nëpër rrugëtimin nëpër të cilën kalon e
vepron. Pos gjelbërimit dhe sythave të çelura nëpër lëndinat e mallit të së
kaluarës, gjurmët e shtegtimit imagjinativ i shqetëson edhe “Ishulli i vetmuar” i ëndrrës
që ka humbur bukurinë e dikurshme nga
pranimi e njerëzve nëpër “hijet e misterta”, që nuk kanë kuptim
suksesi nga prekjet e duarve të vrazhdët e të pamëshirshme të faktorit kohë.
Poetja nuk do që të hakmerret si hyjnesha e hakmarrjes”Erini” e kohës, që shëmton
bukurinë e ishullit të dikurshëm, ku ajo dikur përkundej me ëndje nga kaltërsia
e valëve të mrekullueshme. Tristiku i poezisë “ Dita e tokës” alias ,Dheut,
dikur ishte shëmbëlltyrë e frytshme nga dora e njeriut që “ pambarimisht “e punonte dhe, ai, humus i punuar
shëmbëllente me flori në duart e babait, kurse, tanimë, me kalimin e kohës
gjithçka ndryshoi dhe toka braktisej me të madhe nga njerëzit. ka mbet e
shkretuar nga pakujdesia e sëpatës së mprehtë të kohës, e cila si virus i tmerrshëm,
shkatërrues, mori me vete gjithçka dhe prej asaj bukurie të rrallë, që për
babin, çdo pëllëmbë toke ishte e vlefshme e shenjtë, e artë, kurse tanimë mbeti
e plogësht, e këputur, prerë, pa krahët e babait të zellshëm.
Tërësia ciklike “ Pjallme shpirti “, madje, përfshin në strukturën e vet
kuptimore, ndjenjën dhe mallëngjimin për diçka të ikur, diçka që ka lënë
fotografi dhe imazhe që nuk shlyhet, që nuk harrohen e kurohet lehtë gjatë tërë
jetës. Poetja nga distanca e kohës dhe përvojës vjen si me zanatin shprehur të
Borhersit, për gjërat e përjetuara nga vet jeta, që ia ka diktuar dhe imponuar
vrazhdësia dhe verdhësia e jetës, e cila ndjek njeriun deri sa të bëhet hi.
Njëra prej poezive mjaft interesante të këtij cikli, e që del nga thellësia
e ndjenjës dhe mendimit të kapur mirë, me temë universale për dashurinë ndaj
individit, ndaj të adhuruarit, i cili nëpër vargje nuk identifikohet, nuk duket
krejtësisht. Por ky motiv kap përmasa më të mëdha kuptimi se sa një ndjenjë e
thjeshtë dedikuar rastësisht për dikë të adhuruar. Sepse këtu identifikimi nuk
përkufizohet. Këto vargje, madje, mund t’i adresohen gjithkujt. Këtu poetja vë
në sfond të kuptimit të zanatit të saj, një dashuri të imagjinuar, por që duket
në brendi se i dedikohet secilit që e lexon atë. I dashuri i saj duket si oqean
i papushtueshëm, që kërkon not të gjatë veprimi përmbi dallgë dashurie të pa
ngopur për ta shuar etjen e saj, që vë shtresë të pafund të adhurimit, si dhe
tretjen e ajrit nëpër rërën e ngrohtë, duke kërkuar ndezjen e ndjenjës së
zhuritur deri në thellësi të shpirtit, e cila nga ekstaza e kënaqësisë trupore
do ta shpie de në përlotje të thellë nga malli e afshi i thellë. Ja si shprehet
poetja në poezinë: ‘’Pjalm maji’’:
Edhe
pse tretesh brenda meje
Si
ajër i pjalmuar maji
Deri në flokë, deri në ind
Jam e uritur për ty
Je oqean që dot s’të pi
Je kaltërsi që fundin s’ta gjej
Jam rërë e nxehtë për pikën e
shiut
Që era e sjell nga larg.
Jam krijesa më e uritur e kësaj
bote
Me pangopshmërinë për Ty
Gjer në përlotje.
Pra, dashuria e sajë shndërrohet në smerald loti nga pangopshmëria e uritur
deri në ind dhe nga kthjelltësia e ndjenjës me përmasat e kuptimit tretur në
vete, për diçka të madhe, për dashurinë e zhuritur e të pafund.
4. Metamorfoza e
ndjenjës së vetmisë
Në poezinë e Lida Lazajt përfshihet edhe
absurditeti i individit përballë shoqërisë. Ajo shfaqet si kërkesë një
metamorfozë ndjenje, për të kërkuar pavdekësinë, apo përjetësinë e jetës. Sepse
dy kundërthëniet e ekzistencës së njeriut janë të lidhura ngushtë, me jetën dhe
vdekjen. Këto janë procese mbi natyrore jashtë dëshirës së njeriut në kozmosin
tonë të ndërtuar nga fauna dhe floura. Nata dhe dita veprojnë si busulle
ndryshimesh të kohës dhe hapësirës, në të cilën vorbull vepron njeriu i gjallë,
sepse dhëmbëve të acartë të kohës, bashkë me jetën dhe vdekjen nëpër brinjët e
atdheut, që vijnë papandehur nëpër nëpër etapa të caktuara, nuk mund t’i
shpëtoj askush, as edhe molla e bukur e ruajtur thellë në sirtarin e kujtesës,
e cila me kalimin e kohës në brendinë e saj përdridhet, ndryshohet, pos
tjerash, edhe nga një krimb brejtës i dyshimit, që ia gërryen bukurinë e
jashtme nga brenda.
Që nga epi i parë i Gilgameshit e deri më sot në kujtesën e njeriut
fluturojnë mendime për pavdekësinë, por kjo pamundësi e përjetësisë ka mbetur e
fiksuar në çdo dëshirë të njerëzimit. Njeriu në vete përmbledh hapësirë të
pafund dëshire për të qenë i përjetshëm, por të gjitha këto kanë edhe mure
kufizimesh e iluzionesh jete e vdekjesh. Ndjenja e lirisë nëpër këto gardhe të
ndaluara jetësore ngushtojnë komunikimin midis njerëzve, ashtu edhe fëmijët
kufizohen nga ato ndalesa pa dëshirën e tyre, që i bëjnë të rriturit, vëllai me
vëllanë. Por, ata fëmijë, këto kufizime, nuk i
pranojnë në vete, ngase në shpirtin e tyre të çiltër nuk strehojnë shere
ndarjesh për hapësira e kufij jetësorë. Andaj pas këtyre kufizimeve të vrazhdët
vijnë edhe mallkimet e fëmijëve, si viktima të kohës dhe njerëzve të
papërgjegjshëm. Ngritjet dhe zbritjet në fronin e mbretërive sunduese, nga
njerëzit, ironizohen nga autorja, ngase ajo luginë karieriste e oreksit të pa
shuar për
fron, nuk sjell kurrgjë përparimtare, por vetëm luks e kënaqësi të përkohshme,
momentale, nëpër sallonet e lukseve individuale të plastifikuara me kiç, sipas
formës dhe shijes personale, e cila me kalimin e kohës pëson ndryshime dhe
humbje.
Vrapi i njerëzve që shtiren dhe vardisen pas formës sjell gëzimin momental,
kurse ata të thjeshtët, të maturit, ‘’djersëlartët shtrëngojnë rripin’’ tej mase
për bukën e përditshme, që u mungon dhe u vjen me vështirësi në tryezën e
përditshmërisë. Por edhe si të tillë të varfur, ruajnë vlerën njerëzore në
shoqëri.
Në poezinë e Lida Lazajt e keqja dhe e mira vijnë e
bashkëveprojnë si dy kundërthënie, madje e përndjekin njëra tjetrën, si hije të
pashkëputshme për të ndërtuar piramidën e kuptimore të vargjeve poetike. Ato
shfaqen si krizantemë e ngjeshur e shprehjes në një filozofemë të formulimit e
bindjes së botëkuptimit, përballë shoqërisë që ekziston. Kur individi ndeshet
me këto dy kundërthënie, e mira dhe e keqja, armatos veten për beteja më të
mëdha, në luftën për ekzistencë. Jeta përfshinë në sprovat e veta edhe tradhti
me kuaj trojesh. Me Kabela e Habela. Kalimtarët e rastit nuk i vërejnë këto
veprime që ua sjell koha dhe shoqëria. Madje as legjendat e ngritura në kujtesë
të poetes bashkë me lotët e motrës të derdhura mbi plagët e Gjergjit të
pamundur, që tenton ta shpor dhunën e jetës së vrazhdë që i katandiset mu në
rrethin ku jeton, me plotë fjalë mund të themi se nuk mungojnë në këto vargje.
Poetja kthehet me performancat e saja, në këngët legjendare, ku luftohet
padrejtësia, e keqa me të mirën. Më vonë për t’u kurorëzuar si legjendë e
simbol mbrojtës në kujtesën e njerëzimit, si diçka humane, legjendare. Duhet të
kaloj një kohë të gjatë, që bindja të peshohet mirë në njërën anë, si të bërave
e të pabërave në anën tjetër. Demagogjitë e individëve, që paraqiten në jetë si
‘’pëllumba të bardhë’’, nga poetja
ironizohen dhe thumbohen, ngase, brenda asaj forme të bardhë fshihen pabesitë e
zeza të njeriut, sunduesit, pushtetarit.
Metamorfoza e ndryshimeve të ndjenjës për ndodhitë e vjetra, të reja, të
qiellit pa ngjyrë dhe fytyrës së mbërthyer nga hidhërimi, e largojnë poeten nga
çasti i vetmisë. Tërë kjo atmosferë shpirtërore shndërrohet në ‘’dhimbje’’, e cila dhimbje ka
lindur nga çastet e muzgut gri të jetës. Për individin ikja nga kjo botë është
e rastit, por për poeten është diçka e tmerrshme, që len gjurmë të përhershme,
andaj në thellësinë e ndjenjës, gjithnjë, shpërthejnë lot pikëllimi, për diçka
të humbur, të ikur, që nuk kthen më. Sipas saj jeta është një lojë fati që
shtrydh, rrudh, apo lumturon qenien e gjallë, madje
njeriun e tret, e bën si limo, qoftë për të mirë, e qoftë për fatkeqësi.
Fatalitetin e individit në kohë dhe hapësirë e sheh si rastësi që vepron pa
vetëdijen e njeriut. Poetja flet për një kohë dhe hapësirë të zymtë, plot
varfëri, që tërë ambientin e ka shndërruar në verdhësi të’’veremosur’’ nga etja e uria
skamjes, si në kohën e Migjenit, ku lypsarët mbajnë ison e refrenit ditorë të
varfërisë së skajshme. Dashuria e tyre është shtanguar në muret e mbyllura të
ndjenjës. Në ankand publik, për njerëzit s’ka kurrgjë stimuluese, pos varfërisë
që shëmbëllen e defilon e zymtë nëpër ’’ cepet ‘’ e vrazhdët të shtëpisë, atdheut. Madje as
tingmujt e sharkisë të Bacës Lekë, që dikur këndonte me ëndje për trimëritë e
’’ luleve të gjakut‘’,janë
skaduar, tretur dhe shterur nga skamja. Nga kjo atmosferë e zymtë, vargjet e
poetes na shëtisin gjurmëve të dhimbjes, si nëpër idilin e fshatit, ashtu edhe
nëpër kalldrëmet urbane të qytetit, që sjellin plogështinë dhe vetminë e kohës,
plot zhurmë, me bare nate, pupe, bingo, kafene e seks klube, të cilat sjellin
një imazh, një jetë e veprim të ri të njeriut dhe shoqërinë e kanë kthyer në
tjetër pamje, me standarde të tjera jetësore. Është një kohë që ndryshon të
djeshmen e bukur, e cila në imagjinatë e poetes ka mbetur e fiksuar si natyrë e
bukur, ’’ natyrë e gjelbër ‘’. Makinat zhurma tymi, llomi i
kafesë nëpër borë janë imazhe që shqetësojnë gjeneratën e saj si dhe “ gjyshmirin “ i cili përballet me këto risi e
standarde, që për shijen e tij janë të vrazhdët e të pakapshme dhe ia përmbytin
rregullin e dikurshëm jetësor të tij. Kostantini i cili zbret nga piedestali i
natyrës dhe lëndinës së bukur në “ abetaren e bronzt” që sjell koha e stërnipave.
5.Prania e grushtit migjenjan në brendi të tekstit
Si duket grushti i poetit migjenjan në vargjet e poetes Lida
Lazajt përsëritet dhe është i pamundur në forcën e veprimit edhe në këtë kohë,
që ajo dorë të bëhet e shkathtë si grusht i fortë, që t’i bie kësaj bote e
çasti të shëmtuar me grusht, t’i bjer atij “ malit që z’bëzan “. Por dora e hapur, e vogël e fatit,
prej të cilës poetja kërkon shtegun e rrugëdaljes, ndryshimin e jetës është e
pa mundur në këtë moment vëzhgimi e përjetimi, prandaj lëndimi i saj kthehet në
zhgënjim, pikëllim, në vijat e çara të shputës së fatit të burgosur, në dëshirën
e pamundësisë, e cila qeli thellë defilonë në ndjenjën e stisur si “parcela e cilësisë së lartë”.
Në strofën tjetër të poezisë “ Ah, dorë’’, fragmenton kuptimin e
pamundësisë, poetja strehohet në vargje, duke kërkuar zgjidhjen e zhgënjimit në
vijat e thella të dorës që ia ka diktuar fati. Vetëflijimi nis veprimin e
ndjenjës, duke shpuar thellë shputën e dorës së vet, nga pamundësia dhe
zhgënjimi për të ndryshuar diçka nga jeta, nga fati. Kërkon nga gjaku i derdhur
nën lëkurë zjarr që ndizet si flakë dhe guxim rinor për t’i ndryshuar gjërat
për rreth, por vetëm klithja e dhimbjes është dëshmitare e duarve dhe bëhet
refren, që s’kanë fuqi, përballë së keqes, së shëmtuarës, makabres e cila
duket, në flakadan i “Promoteut “ të kalbur në gjumin e rebelimit të
strukur në palcën e frikës dhe zhgënjimit, e cila “ zhvirgjëron “ edhe krenarinë në botën e ndryshuar “mbrapsht”, me ambalazh
kulturor të gjithfarë llojesh, që sollën vitet e tranzicionit vitet e fundit në
atdheun e saj të vogël, që në hartën e botës, mbulohet vetëm me një gisht të
vogël.
Ky ndryshim politik e ekonomik pos të mirave solli edhe vrazhdësitë e saja
të tregut të lirë, nëpër vitrinat e shitoreve defilojnë gjithfarë përzierjesh
mallrash të zbehta, që sjellin verdhësi dite, nga standardi i devalvuar e i
përzier me djersën e lakuriqësisë devalvuar e të veshur me gjithfarë
produkcionesh nga tregjet e lira të importuara nga bota. Të futura nga
gjithkah, pa një standard e kriter të kontrolluar nga vlerat e sistemit
shoqërorë. Ky treg i lirë dhe zbehtë që duket nëpër vitrinat e anashkaluar të
krenarisë njerëzore, e cila është e cullakuar nga jo vlera deri në skajshmëri.
Krenaria e ka humbur fisnikërinë, të cilën gjë duheshe ta kishte çdo individ në
vete, si kriter dhe vetëdije të lartë të ndryshimeve kohore. Kulmi i së keqes
në poezinë e Lida Lazajt, shpërthen si gangrenë e shëmtuar e shekujve që kanë
faje për atdheun e saj të ngushtuar, e që në vete kanë trashëguar dhunën e
mirësinë. Këto antonime kanë jetuar në qenien njerëzore si dy mundësi të kundërta
në një trup, që ka bërthamën e vet trashëguar të
kundërthënieve, që nga lindja e njeriut. Kaini dhe Abeli janë dy antipod të
jetës që kur shfaqen për herë të parë në tokë, e që kanë gjetur vend në poezinë
e Lazajt. Por nga këndi i vështrimit të poetes sikur kainët dominojnë sot midis
qiellit e tokës të ngjeshur si demone në trup të njeriut. Sepse pafytyrësia
shpik maska monstrumesh, për mbijetesë. Ata i kthejnë veprimet e tyre sipas
klimës dhe drejtimit të erës së veprimit të interesit kohorë.
Poetja me kujdes përdor paralelizmin në poezinë e saj, të cilën në të
shumtën e rasteve e kthen edhe në antitezë kundërthënëse. Sipas saj bota
veprimit është e madhe dhe e vogël dhe në të mbështjellët si proces nata dhe
dita, bardhësia dhe zia, madje thellësia dhe cektësia, por edhe individi, si
subjekt që vepron në kozmosin që na rrethon si në “hark i shkrehur”.
Sakrifica e individit përballë rrethanave, rrufeve gurëve, thjerrave që
na ndjekin e shpojnë, si atakë të papritura në jetë është stoike. Por në “ kohën e mbërthyer” nga muret e heshtjes së poetes rruhen
si amanete të paharruara kujtimet dhe thesaret e fëmijërisë së ikur. Gëzimi dhe
lumturia kanë mbetur të strukturuara dhe të ngrira në kujtesë, si relikte të
çmuara, si këpucë të vogla të fëmijërisë.
Imazhi i së kaluarës ka mbetur i skalitur në trupin dhe mendjen e njeriut
si diçka që nuk harrohet. Si duket kjo ndjenjë përshkon edhe vargjet e poezisë
Lazajt dhe ajo shpalohet, si mish, si muskuj, si gjak, si eshtra, si nervat, në
tërësinë e poezisë.
Cikli i fundit i vëllimit poetik “Gishti i dheut dhembshur ” inkarnohet si argjend hëne në vargjet e
Lida Lazajt. Vargjet e këtij cikli të fundit vijnë si kurorëzim i porosisë
së fillimit të ndjenjës dhe maturisë simbolike, që portretizon individi me
qëndresën e formatuar nga ndjenja dhe kujtimi në rrugën e heshtur, por të
vrullshme nga thellësia e shpirtit. Edhe pse shumë poezi kanë lindur nga
shëtitjet tematike e motivuese, Lida Lazaj nuk sjell thjesht impresione
turistike. Vargjet e saj janë fotografi mendimesh ndërmjet hijes dhe kujtesës,
që mundësojnë kapje dhe tërheqje të shpejtë të lexuesit. Me gjuhën e saj
ironike të përmbledhur në kujtesë të fiksuar, së bashku me fotografitë e së
kaluarës, si diçka që shpërthen, shqyhet, ose sa për një çast kur fjala bëhet e
dukshme e hapur për të gjithë, sjell frymë lirike në lëndinën e poezisë Kështu
ato në vete transmetojnë ndodhi dhe ngjarje të përjetuara. Për të kuptuar mirë
vargjet e Lazajt na mundëson edhe nxit forma e vet shprehjes së saj. Thjeshtësi
kuptimi në vargjet e saj nuk ka, çdo gjë ka dy kuptimësi, dritë dhe errësirë,
drejtim dhe kundër drejtim. Pothuaj se Lida i shndërron fjalët në simbole,
figura e metafora, bile është e shtrënguar, e përmbytur me vargun e kursyer të
Haikut. Herë pas here fjalët janë të vrullshme, por të ngjeshura mirë me kuptim
në vete. Mjerisht gjetja e disa fjalëve të disa poezive të Lazajt nuk janë edhe
aq optimiste si rëndom, por ajo mbetet besnike në zhargonin
dhe patosin e evokimit të jetës, fëmijërisë, familjes, rrethit, të cilat në të
vërtetë për nga kuptimi me vete bartin fuqi fërkimi poetik univerzal, që
prodhojnë efekte të shumta. Më e mirë është atëherë kur vargjet e saj
shëmbëllejnë fshehtësi në ndërtimin e mendimit. Andaj mbyllja dhe enigma e saj
simbolike na fut në shpellën e kërkimit për t’i zbuluar fshehtësitë e kuptimit
të poezisë.