E hene, 14.10.2024, 09:19 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ferit Ramadani: Skenderbeu - Regëtima e vdekjes sonë shekullore

E shtune, 16.01.2010, 11:00 PM


SKENDERBEU - REGËTIMA E VDEKJES SONË SHEKULLORE

Nga Ferit RAMADANI

Vargu i gjatë i heronjve të rënë për idenë kombëtare dhe mbrojtjen e territorit shqiptar është aq i madh sa që kujtesa e brezave nuk ka mundësi t’ i përfëshijë e t’i shënojë datat e tyre në datat e një viti kalendarik. Megjithatë, për nga lavdia, për nga sasia e forcës dhe e fitoreve që bëri, për nga strategjia e mençuria e një udhëheqësi të pamposhtur siç ishte e mbeti përgjithmonë Skenderbeu - Gjergj Kastrioti, në orientimin e përkujtimeve mbetet figura më e ndriçuar dhe padyshim më e madhja, që në opinionin publik ka zgjuar jehonën për domethënjen e veprimtarisë historike.
Ky vigan i kësaj distance kohore sërish mbetet rrjedhë e një epoke për të nisur në binarët e jetës potencialin shpirtëror të shqiptarit që saherë t’ia imponojnë rrethanat e situatat ta mbajë përballë dhe me të, të ushqejë idealin, aspiratat, që të synojë të bëjë realizimin me hijen e tij e me krenarinë që i dha një burrë shteti dhe ushtarak në planin mbarëkombëtar botës dhe historiografisë.
Në domethënje e përmbajtje Skenderbeu, në këtë largësi shekullore jo vetëm që është figura më prezente, por edhe mbrojtja jonë më energjike që personifikon unitetin për të arritur integrimin në drejtim të një strategjie kombëtare dhe në zhvillim të një plani aktual ku mund të bëhet ripërtrirja jonë humaniste e bashkëkohore e përqëndruar në organizimin sa më adekuat.Në këtë prizmë qartësishë ku qëndron aspekti i dukurisë së ligjshme e natyrore shqiptare, personaliteti i këtij prijësi - shenjtori, ka edhe karakteristikën e një veçorie në dimensionin evropian, i cili në kuptimin e domethënjes së situatave doli heroi i një kuptimi modern ku u mbështet synimi dhe veprimtaria e tij.
Skenderbeu - padyshim se është simboli më i madh i tmerrit për armiqtë që me pak mjete dhe pak luftëtarë ka ditur t’u nxjerrë pengesa të mëdha, t’i thyej e gjunjëzojë sa herë që ata me toborre e toborre iu vardisën Arbërisë . Njëzetepesë vjet luftë janë theksimi më kuptimplotë për qëndresën tonë shekullore, pikërisht kur nën gjunjët e osmanlinjve të anadollit kishte rënë Ballkani dhe Evropa.
Skenderbeu - padyshim se është simboli më i madh i trimërisë që u shndërrua në legjendë ku vargani i fitoreve në beteja krijohej vetvetiu dhe luftëtarët e tij ringjalleshin edhe atëherë kur u skuqnin plagët nëpër trup. Në këtë relacion ku figura e tij ngritej lubi për armiqtë e vatanit, dhe vigan shpëtimtar për atdheun, Skenderbeu krijoi besimin tek populli shqiptar që përjetsisht t’ia japin vlerën më të madhe dhe të shenjtë për ta quajtur :

Shqipërinë “Shqipëria e Skenderbeut”, shqiptarët, “Bijtë e Skenderbeut”, dhe flamurin, “Flamur i Skenderbeut”.

Me një fjalë, Skenderbeun për çdo kohë shqiptarët dhe Shqipëria e kanë Hero kombëtar !

Figura jonë konvencionale ka kultivuar gjithmonë thesarët e ringjalljes, mobilizimin patriotik e revolucionar për tërësinë territoriale dhe pavarësinë e saj.Ai,ka krijuar klimën e një vendi ku kulti i qëndresës lind e rritet me urtësinë të drejtën dhe të vërtetën.E mbi të gjitha, në përpjesëtimet e ballafaqimeve me shekujt ngelet fortesa jonë heroike.
Megjithatë Skenderbeu, saherë që në kalendarin e viteve afrohet data e 17 janarit, kthehet në regtimë vdekjeje shekullore, prej nga shprishet qetësia relative në urragan jehonash dhe del e shëtit anë e mbanë Arbërisë për t’ia vënë themelet moderne e të pashembura kurrë që t’i shëmbëllejë Krujës që hyri nga vitet e zezonave të një shtërngate të madhe deri sot, në histori, në rrëfime, në këngë e poezi:
Krujë o qytet i bekuar
prite prite Skenderbeun
po vjen si pëllumb i shkruar
ta shpëtojë mëmëdheun!

Skenderbeu - kryengritësi kundër sulltanit, i pamposhturi, padyshim se është epoka jonë e madhe ku shqiptari i udhëhequr nga ai luftoi për lirinë dhe pavarësinë e tokës së vet dhe me këtë rast, shpëtoi nga agresioni dhe asimilimi shumë kombe e qytetrime . Më vonë, pas vdekjes së tij pasqyrojnë shumë sulme kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, interese për t’ia grabitur tok me pasuritë edhe traditat e historisë e patriotizmit, që ta kthejnë shqiptarin në një qenje hibride e të nënshtruar përgjithmonë, ndërsa flamurin e lavdishëm të Skenderbeut që valoi në kohën kur Evropa iu nënshtrua gjysmëhënës, ta zhbijnë , ndërsa Shqipërinë si term shtetëror ta vënë në gjumin e harresës .
Sot,kur emri Skenderbe - jo vetëm që është shndërruar në simbol lavdie, qëndrese, trimërie e madhështie , ai është shndërruar edhe në vëmendje dhe konsideratë të rëndësishme të botës mbarë.Ky emër lavdie e fitoreje është shembulli më unikat i një vullneti të pathyer që në çdo çast krijon klimën e unitetit dhe prirjen për t’u ballafaquar me forcat që kanë synime kundër lirisë dhe zhvillimit të pavarur të të tjerëve.Ky emër i krijimit të proceseve që kanë shenjëzimin e mbështetjes në shtresën e gjërë popullore ka një peshë përpjekjeje që përfiton në proceset e bashkimit dhe në këto analogji siguron fenomenin e ligjshëm e të natyrshëm për t’u zgjidhur çështjet vitale që në mirëqenjen e njerëzimit krijojnë konflikte e dilema zhvillimore.
Skenderbeu - ky Burimnjeri hapi shtegun e përjetshëm që ndaj shqiptarëve bota të ketë konsideratë , e më vonë , me të si hero e strateg , të nderohen sheshet e qyteteve ,ndërsa me Shpatën e tij të ligjërojë muzeumi më i vizituar i Evropës Belvederja e Vienës.Për shumë krijues, historianë, eseistë, romansierë, këngëtarë, dramaturgë, shkrimtarë e poetë, pastaj për shumë strategë, juristë ,sociologë, dhe më në fund për shumë ente dhe institucione, akademi dhe universitete, Skenderbeu ishte , është e do të jetë personazhi kryesor dhe pozitiv që për nga mesazhi del më i përkryeri.Ai është motoja e lavdisë dhe ngritja e të gjithë atyre që deshën të mbështesin arsyen e veprimtarisë së tij luftarake. Portreti i Skenderbeut është edhe frymëzimi i përheshëm i krijuesve shqiptarë. Për të Penda më e fuqishme e artit bashkohorë Ismail Kadare i shkruan pos shumë shkrimeve në prozë edhe poezinë e titulluar:

Ismail KADARE:

Portreti i Skenderbeut:

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë mbi atdhe.
Një emër Gjergj, e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skenderbe.

Dy brirë dhije kish mbi krye,
Emblemë e vjetër e çuditshme,
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftra bëri,
Njëzet e katër vdekje theu.
Çka mangut linte ditën Gjergji,
Plotësonte natën Skenderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë,
Në mijëra varre ato u shtrinë.
Gjithçka të shumtë ai e pati,
Të vetmen kish veç Shqipërinë.



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora