E premte, 02.05.2025, 06:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Pa titull

E marte, 29.09.2009, 07:17 PM


Suzana Kuqi

Pa titull

" Sepse jam grua...

Nga dera e apartamentit, doli një çift. Gruaja e re, veshur me fustan që nuk mund të quhej i shkurtër, por që linte zbuluar gjurin dhe ca mbi të, aq sa e bënte marramendëse përthyrjen e lehtë të tij. Flokët, fytyra, trupi me lëvizjet e hijshme mbi takat e larta, kërcitja e të cilave mbi shkallë tregonte bindshëm se ishte e vetëdijshme për efektin që bënte... imazh lëvizës i një kopertine te bukur reviste. Ajo që admirohet e pëlqehet aq shumë nga të gjithë. Burri, megjithëse pak më i madh në moshë, nuk mbetej pas së shoqes për sa i përket pamjes. Ishte shoku i fëmijërisë së xhaxhait tim. Tek i admiroja dhe u bëra gati t'i përshëndesja...

Fqinja...”

... ndodhi aq shpejt sa mendimi im nuk e ndoqi dot. Fqinja ime, një grua më pranë asaj që quhet grua në moshë se sa e re, atë moment ngjitej një shkallë para meje. Befas, desh u përplasa me të.

“C'dreqin ka që më ngatërrohet nëpër këmbë”, llomotita me vete, e pashë me inat... dhe...

... Dhe koha ishte përpirë në sytë e gruas tek shikonte burrin përballë. Nuk ekzistonte asgjë jashtë atij shkëlqimi të çuditshëm, të kthyer përmbys. Gjithshka thithej e derdhej në vorbullën e atyre syve duke i bërë magjepsës e të parezistueshëm deri në marri. Të zinj si qymyri, djegës si prushi në vatër. Më shumë, flakë e errët, pasion, dëshirë zhuritëse, mister, lutje e... premtim...

Sekonda që u dukën shekuj, dhe gruaja i hoqi sytë duke i kaluar pranë. Burri, u kujtua të vinte mbi shkallë këmbën që i kishte mbetur pezull, pa qenë në gjendje t'ja shqiste sytë. E shoqja i thosh diçka e zemëruar por ato fjalë ishin zhurmë e pakuptimtë edhe për mua... dëshmitare e rastit...

“ Sa kohë do t'i duhet ta harrojë atë shikim... nëse do të mund ta zhveshë nga mendja, ky mendim i pandërgjegjshëm më trullosi më shumë. Shpejtova hapi dhe arrita fqinjën. Sytë e saj nuk e kishin humbur ende magjinë tek mori frymë thellë e pastaj bashkë me ajrin, me një timbër të thellë e sensual dolën fjalët:

- “Sa kohë që nuk isha ndjerë kështu”!

- “Si kështu?!-

E kish harruar praninë time, sytë e saj nuk e fshehën habinë dhe nënqeshjen qesëndisëse që i krijohej sa herë që vinte veten në loje. Batuta pasuese ishte për mua.

- ”Kështu bëhet”.

- ”Bëhet çfarë”?!

- ”Shikimi... kur ndjehesh grua”.

 

Kështu bëhet!?

-“Jeni fare budallaqe”,- na kish thënë një herë mua dhe së bijës.- “Po të vazhdoni kështu do të mbeteni pa martuar”.

Pa martuar... !!! Isha e re e doja të mbaroja shkollën. E bija kish disa vite që e kish mbaruar, ndoshta për të ishte më urgjente.Kisha qeshur.

- “Nuk ka asgjë për të qeshur, më vjen inat me të”,- kish bërë shenjë nga e bija.- “Nuk ja thotë. Djemtë që i vardisen nuk i pëlqejnë, ata që i pëlqejne nuk ja varin. Zgjidhni dhe provokoni!”.

- “Si bëhet”?

- “Me shikim”!- zëri i saj nuk linte shteg për të dyshuar se e kish seriozisht.

Me shikim!!! E kotë, as unë dhe as e bija nuk ishim në gjëndje. Provuam nja dy herë, ashtu kot me ndonjë djalë që na pëlqente në xhiron e mbrëmjes në bulevard... kot së koti. Edhe një herë që na u duk sikur funksionoi, mezi e hoqëm qafe djalin e shkretë sepse na zhgënjeu sapo hapi gojën. Përfundimisht na u mbush mendja se ose paraqitja nuk përputhej me..., ose ishim aq terse, sa po të qëllonte qoftë edhe një djalë që nuk ja vlente mes qindra djemve në xhiro... pikërisht për të do të ishim magnet...

Duke kujtuar fqinjën time...

Fqinja ka ndërruar jetë.

E kur e kujtoj... jam aty, shtangur, përpire nga dy sy të magjepsur, në një çast...

Ku zemra nderet në ylberin e një shikimi...

ku koha stepet në harkun e një hapi...

ku gjaku mërmërin ndër deje si linfa në gjeth pranvere...

ku dy sy përgjërohen... të digjem, të bëhem shkrumb... të të dhurohem... të më dhurohesh...

në një çast... klandestin...

E në atë kohë... Kam parë me mijëra sy në jetën time, të bukur, të mrekullueshem, por atë forcë shikimi që më degdisi për një moment në një botë magjike, sa të re dhe antike...

Të re dhe antike... Si hëna, që lind e rilind, duke fshehur më magjepsësen, anën e saj të errët, si errësira e mitrës së gruas që fsheh misterin e krijimit të jetës...

Përse e kemi humbur atë forcë, në ç'hap të kohës, në ç'moment fatkeq të historisë gruaja ka mohuar veten... apo ka dashur më shumë të tjerët se veten...

Sekonda që u dukën shekuj... Një hap tjetër, arësyeja lëviz akrepët, mbi fronin e kohës hijerëndë sundon zemrën...

Ndoshta, sepse jemi tjetër brez, kërkojmë “me arësye” të drejtat e humbura duke u prirur të përvetësojmë karakteristika mashkullore kundër origjinalitetit tone, duke rrezikuar ta deformojmë e ta humbim. Harrojme se burimet e feminilitetit nuk janë më të vogla, por vetëm janë të ndryshme e në mënyrë të gabuar mundohemi të imitojmë e të vihemi në garë me cilësitë e burrave.

Nga ana tjetër... mundohemi të jemi gra, e tërheqëse madje. Ndërrojme modelet e ngjyrat e flokëve, më shumë zhvishemi se vishemi si kopertinat e revistave, të jemi të bukura e të dëshiruara mundësisht për sytë e të gjithëve... si misset...

Meqë ra fjala për misset. Konkurset e tyre janë të preferuara për të gjithë.Vdektë kush nuk i do misset. Një natë që televizioni transmetonte një të tille, burri i dashur ndërroi pa dashur kanalin, dhe unë... që nuk rri dot pa folur:

- “C'bën? Gjoja sikur nuk të pëlqejnë?

Në këtë pikë, edhe se me keqardhje, i mbetej ta linte televizorin në atë kanal të shtypur gabimisht. Dhe unë, që nuk e di se ç'më gënjeu mendja atë moment, për ta provokuar, se mbase do të më thoshte ndonjë fjalë të mirë, të tipit: “ç'janë misset para teje”..:

- “Do të doje besa, në vendin tim të kishe ndonjë nga ato këtu në shtra...”

- “Ma dashke të mirën,- më ndërpreu ai,- dashke të më bjerë infarkt”.

- “Infarkt”!?

- “Ato të lënë pa frymë vetëm duke i parë në ekran...”

Kthehem sërish tek fqinja ime. Ku e kishte forcen ai shikim? Kish veshur pallto të gjatë që e mbulonte deri në fund te kembeve, pa tualet e krehur thjeshtë. Nuk ishte pamja forca e saj.

Nga ku buronte ai mister, nëse jo nga shpirti, nga nënvetëdija, nga instinkti thelb i qënies së saj, atë që duhet të plotësojë burrin si pjesë e së tërës, e jo vetëm syrin e dëshirat e tij... sepse jemi krijuar jo vetëm për të ekzistuar pranë tij, as bashkë me të, por... reciprokisht me të...

Mundohemi t'u përshtatemi, duke marrë me mend se si na duan. Vërtet për të qeshur, një grua që kërkon ta shohë veten me sytë e burrit duke mos qenë burrë, duke mos e ditur se ç'kërkon ai në të vërtetë... e humbim pak nga pak atë magji që na e ka dhuruar aq bujarisht natyra e perëndia.

Fqinja ime... shikimi i saj në një çast klandestin force e magjie të lashtë.

Fundja nuk është tregim i mirëfilltë, është “Pa titull”. Mund të shkruaj çfarë më bjen ndërmend, veç të mos bëj moral apo të diskutoj për moralitet në këto rreshta të kopjuara:

 

“ Sepse jam grua... Kam mësuar të dashuroj. I kam mësuar vetes sime harmoninë, duke e kërkuar në caqe të ndaluara. Kam mësuar se gjithshka që dhuroj shndërrohet në atë që marr në jetën time. Kam mësuar se e keqja që bëj shndërrohet në dhimbjen që duhet të vuaj. Kam mësuar të gaboj e të ringrihem mbi gabimet e mia. Kam mësuar se çdo pikë e gjakut tim, klith një himn për jetën. Sepse unë jam, sepse unë dashuroj... sepse unë jam grua..."

( nga këndi i gruas-shtrigë )

Më e bukura, kemi ndryshuar dhe shijet e burrave, të cilët gjuajnë me shikime mishërimet e kopertinave të reja të revistave, kënaqësi boshe të çastit në boshllëkun e thelbësores që nuk e gjejnë tek gratë e tyre.

Për ta mbyllur, ajo fjala” Gruaja bën shumë ndryshime që u bien në sy të gjithëve, me përjashtim të burrit të saj”. Si atë ditë që kisha shkuar tek parukierja e prisja me padurim që burri im i dashur të kthehej në shtëpi. E kur hyri në derë, i dola gjithë qejf përpara dhe e pyeta:

- “Si të dukem”?

E ai, pasi bëri sikur më pa nga koka tek këmbët më pyeti:

- “Si gjithnjë. Mos vallë ke veshur ndonjë gjë të re ?

Pa titull...

Sepse jam grua... sepse..." në përshkrimin biblik , thirrma e burrit të parë kur për herë të parë, ka parë gruan e krijuar, ka qenë thirrmë admirimi e magjepseje , e cila përshkron të gjithë historinë e njerëzimit mbi tokë."

( Papa Karol Wojtyla )

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx