E premte, 26.04.2024, 05:24 AM (GMT+1)

Mendime

Valon A. Syla: Hollë midis Gjilanit dhe Xhihadit

E merkure, 05.08.2009, 09:49 PM


Hollë midis Gjilanit dhe Xhihadit

Çfarë e nxitë një kosovar të bëhet terrorist? Mungesa e edukimit të mirëfilltë, problemi me identitetin... Ose, ndoshta, propaganda e fortë islamiste dhe neglizhenca e mosorganizimi shtetëror për ta parandaluar prodhimin e terrorizmit

Nga Valon A. Syla

Dikush mund të mendojë se titulli i këtij shkrimi është tendencioz dhe jorelevant për rastin e Hysen Sherifit nga Gjilani, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në aktivitete terroriste, antisemite dhe antiamerikane. Por, nëse e analizojmë më thellë këtë rast, e kuptojmë se në Kosovë një i ri fare lehtë mund të kalojë nga një ekstrem kulturor në tjetrin. Sepse, këto dy ekstremitete ndahen me një vijë shumë të hollë.

Të dyshuarin për aktivitete terroriste, Hysen Sherifin, familja e përshkruan si djalë të urtë. Shokët tregojnë se ka qenë i fascinuar pas muzikës “rap”, ndërsa prokuroria e Shteteve të Bashkuara e akuzon për terrorizëm.

Vetë fakti i larmisë së gjitha këtyre vlerësimeve dhe dyshimeve të tregojnë se në Kosovë, nganjëherë nuk i dihet kufiri gjërave, besimeve dhe përkatësive kulturore – sepse të gjitha ndahen me një vijë të shumë të hollë kufizuese midis njëra tjetrës. Bash sikur në rastin e Hysenit. Për një moment, nuk mund të dallohet nëse ai njëkohësisht i përket të tri kategorive: i urtë, reper dhe i zhytur në aktivitete terroriste.

Po, është e vërtetë se të tillët si Hyseni nuk janë edhe aq të shumtë në Kosovë, por është po aq e vërtetë që Kosova tashmë ka treguar se ka potencial si shoqëri t’i prodhojë edhe disa Hysenë të tjerë. Në një mënyrë ose tjetër, nuk nevojiten të jenë shumë të tillë sa për ta hedhur ndonjë objekt në ajër diku në perëndim, lindje, apo në mes, si këtu në Kosovë.

Reperi dhe terroristi

Esenca e rap’it buron krejt në Perëndim. Si e tillë, konsiderohet rapsodi moderne perëndimore që në lirikën e vetë ngërthen zërin rebelues dhe pakënaqësinë sociale, e nganjëherë edhe urrejtjen mes bandave të cilat krijuan një kult së pari në Amerikë, e pastaj edhe nëpër botë. Dhe, kjo rrymë natyrisht që e preku Kosovën dhe Gjilanin gjatë viteve të 90’ta, atje ku lindi edhe Hysen Sherifi, të cilin ritmi i veçantë i kësaj muzike e kishte fascinuar. Së paku, kështu tregojnë shokët e tij të mëhallës, që ende e dëgjojnë muzikën të cilën dikur e kishin dashur bashkë me Hysenin.

Por, papritmas, Hyseni nga një reper i veshur me tesha të gjëra, i kthehet një ekstremi tjetër kulturor që vjen nga Lindja – bëhet një fanatik fetar që terrorizmin dhe antisemitizmin e përqafon në po të njëjtën mënyrë si rap’in.

A ekziston këtu kufiri midis Lindjes dhe Perëndimit, në aspektin e referencave kulturore dhe përkatësisë së Hysen Sherifit? Çka është ai? Shqiptar, kosovar, mysliman, reper, liberal, antisemit, ose terrorist... Apo, thjesht, një i ri të cilin rrethi, familja dhe edukimi nuk arritën ta ndihmojnë në përzgjedhjen e identitetit të tij më natyral dhe më të afërt. Atij iu nevojit që në cilësi të refugjatit në Amerikë, të gjente të përbashkëta me pakistanezin, jordanezin dhe të tjerët nga Gaza e Falluxha – me të cilët e krijoi grupin e tij të veprimit, të dyshuar dhe të ndjekur për terrorizëm.

Çfarë e paska penguar Hysen zezën të shoqërohet me një amerikan normal që shkon në shkollë, punon diku afër shtëpisë së tij, ose merret me sport? Midis reperit, amerikanit dhe shokëve të mëhallës së vetë, Hysen Sherifi duket të jetë ndier më komfor në shoqërinë e një veterani të luftës në Afganistan që ushtron terroristë, flet për Allahun dhe Xhenetin, dhe ka për qëllim të bjerë shehid duke i sulmuar të tjerët që nuk besojnë dhe mendojnë si fanatikët dhe shokët e tij talebanë...

Politika dhe hurmat

I gjithë rasti i Hysen Sherifit kaloi pa asnjë koment nga liderët dhe politika kosovare. Asnjë i vetëm prej tyre deri më tash nuk ka deklaruar, as nuk e ka ngritur çështjen e potencialit për të prodhuar aktivistë terroristë, që në Kosovë po rritet dita ditës.

Për 50 vite komunizëm dhe Jugosllavi, kosovarët jetuan me Titon dhe nuk bënë zë se gjendeshin larg fanatizmit islamik dhe përkatësisë së tyre fetare. Prej vitit 1999 e më tej, propaganda e grupeve fanatike islamiste, kryesisht e mbështetur nga jashtë, filloi ta ushtronte ndikimin e vetë në grupet e varfra dhe të paarsimuara mirë... diku i bindi me fjalë, diku i bleu me para, e diku me hurma.

Dhe, me plot vetëdije, liderët kosovarë edhe pse në takime private murmurisin kundër, ende nuk e kanë marrë guximin të flasin publikisht dhe të ndërmarrin diçka më serioze kundër kësaj rryme të rrezikshme.

Kjo më nuk ka mbetur çështje e fitimit, apo e humbjes, së votave. Nuk ka të bëjë me anti-islamizëm. Kosovarët tashmë kanë filluar të hetohen për aktivitete terroriste. Heshtja e lidershipit dhe mungesa e veprimit aktiv, të rinjtë si Hyseni vetëm sa po i ushqen me hurma...


(Vota: 3 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora