E premte, 26.04.2024, 05:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Kultura shpirtërore e Dushkajës (V)

E hene, 13.07.2009, 06:48 PM


KULTURA SHPIRTËRORE E DUSHKAJËS (V)

TYRBJA E DOBLIBARES DHE BABALLAKI
I SHQIPONJËS (ISH-JABLLANICËS)

SHKRUAN PROF. SKËNDER R. HOXHA

a) Një historik i shkurtër për vendbanimin Doblibare
    
    Katundi Doblibare i përket rajonit të Dushkajës. Shtrihet në perëndim të rrjedhës së djathtë të Drinit të Bardhë dhe në lindje të Gjakovës, komune së cilës i takon. Ky katund kufizohet: Me Meqen – në verilindje, Vraniqin – në veri, Bërdesanën – në jug dhe Drinin e Bardhë – në lindje.
     Në bazë të disa gjurmëve arkeologjike mund të thuhet se në këtë lokalitet ka ekzistuar vendbanimi i lashtë ilir, përkatësisht antik. Në juglindje të fshatit është ruajtur toponimi Qereminet, ku thuhet se dikur kishin qenë troje e sot janë ara. Aty janë gjetur qypa të ndryshëm, qeramidhe si dhe elemente të tjera që dëshmojnë për një vendbanim të mëhershëm. Aty është gjetur edhe skeleti i njeriut në themele. Mbi bazë të këtyre gjurmëve në lokalitetin Qeremine, Doblibarja bën pjesë në “vendbanimet rrafshinore të periudhës romake”1)  
     Në dokumentet e shkruara e gjejmë me emrin Dobrilepara, i varur nga Peja, në Defterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1582 dhe kishte 18 shtëpi e 6 beqarë. Është karakteristike se në këtë defter, banorët janë me antroponimi shqiptare.
    Ndërkaq, në regjistrat e Kishës së Zymit, të cilët janë ruajtur që nga viti 1842 e deri në vitin 1918 është i regjistruar ky vendbanim.

1. LEGJENDA PËR TYRBEN E DOBLIBARES
     Në katundin Doblibare të gjithë banorët janë të konfesionit katolik, me përjashtim të familjes së Shehit të Doblibares (Shejh Sahit Mehmetit), i cili shërben në Tyrbe, e njohur si Tyrbja e Doblibares, për të cilën informatorët thonë se është shumë e vjetër. Rreth motivit të ndërtimit të Tyrbes së Doblibares, në traditë ruajnë legjendën: “Kur kishte vdekur njëfarë Sahit Deda (njeri i mirë), në Krushë të Vogël, e kanë qitë në një qerre kufomën për ta varrosur diku (s’dihet se ku ?). Kur kishin ardhur në Doblibare, kufoma kishte lëshuar gjak, e mu për këtë thuhet se në atë vend është ndërtuar Tyrbja e Doblibares. Ndërsa në katundin Bec thehet qerrja dhe aty e varrosin Sahit Dedën, ku edhe aty ndërtohet Tyrbja, që sot është e njohur si Tyrbja e Becit.2)
 Thuhet se Tyrbja e Doblibares është Tyrbe e vjetër. Informatorët nuk dinë se kur është ndërtuar, por ruhet legjenda për motivin e ndërtimit të saj, të cilën e kemi dhënë më sipër. Në oborr të saj është edhe Teçja. Në të shërben Sheh Sahiti i Mehmet Alisë./.

2. BABALLAKI I JABLLANICËS
     E quajnë Baballaki, Te Baballaki etj. një vend në jugperëndim të katundit, midis disa lisave të mëdhenj e të moçëm, Sipas informatorëve, për këtë varr (e quajnë edhe Vorri i Mirë) ruhet një legjendë e cila thotë: “Një njeri, dikur moti, ishte plagosur në Luftën e Moraçës. Duke udhëtuar ish kanë ndalur të pushojë në Grabanicë (komuna e Klinës – sqarim yni), ku kishte derdhur gjak nga plagët, e sot ai vend është Tyrbe. Pushon edhe në Jabllanicë, ku prapë derdh gjak nga plagët dhe ai vend bëhet si Tyrbe (Baballaki). Prej Jabllanice kishte vazhduar rrugën në drejtim të Gjakovës dhe pushon edhe në Kodrali të Rashkocit, (Dushkajë), ku edhe ai vend bëhet si Tyrbe. E, prej aty, thuhet se shkon e vdes në Pashtrik të Hasit.”
       Mikrotoponimi Baballaki, në Jabllanicë, gjendet afër shtëpive të familjes së Bardhecve dhe të Ukzenelve, krye toponimit Ulica Lugjve, buzë rrugës kryesore të fshatit. Vendi, që konsiderohet se është “Vorri i njerit të mirë”, është i rrethuar më dërrasa, si shtëpizë (Baballaki), ku njerëzit lënë “nezra”, ndezin qirinj etj., veçanërisht me rastin e festave fetare, kur ju sëmuret dikush në familje etj.

Referencat
1) Prof. dr. Edi  S h u k r i u, Trashëgimia arkeologjike në kontekst të ndryshimeve të toponimeve (Komuna e Gjakovës), Toponimia e Gjakovës me rrethinë, Gjakovë, 2002, f. 47.)
2) Kallëzim i informatorëve: Ndue (Mark) G j i d o d a (1905) dhe Gjon (Dedë) K a r r i c a (1902), nga Doblibarja, dhënë autorit më 7.XII.1985, në Doblibare.


(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora