Kulturë
Shefqet Dibrani: Humanizmi, sintagmë e poezisë
E hene, 13.07.2009, 07:45 PM
HUMANIZMI, SINTAGMË E
POEZISË
Mimoza
Hametaj: „UNË DHE HËNA” – poezi, Botoi “TOENA”, Tiranë 2009, faqe 112.
ISBN:
978-99943-1-460-7
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
Mërgimi
si dukuri është i njohur që moti, ky eveniment ku më shumë e ku më pak
manifestohet pothuajse te të gjithë popujt e botës, kështu edhe te emigrantët
shqiptarë do të regjistrohet si fenomen, si një sintagmë e “Mallit për Atdheun”, pasi edhe ata
me vete (si të gjithë të tjerët)
do të marrin kujtimi e shndërruar në mall, kurse nostalgjinë për atdheun do ta
kultivojnë deri në shkallë kulti. Ndonëse poetja edhe si natyrë por edhe si krijuese
duket mjaftë melankolike, në njërën nga poezitë që ia kushton T’Et , shfaqet me
një botë mjaftë subtile: “...kur intriga
më shtrëngoi mbi kokë/ poshtërsia, nuk më mundi dot”, i shkruante ajo të Atit
në një letër kthyer në poezi. Tash,
duke parafrazuar këtë interpretim të saj, më duket sikur Ajo i drejtohej që
atëherë të Atit, që tashti i mungon prej kohësh: “O Ati Ynë; Qetë, qetë jeto Jetëgjatësinë tënde atje lart në Parajsë,
dhe në heshtje pi kafen tuaj duke më pritur mua”.
Malli
si lajtmotiv që del, veçmas kur shprehin dashurinë për atdheun që u detyruan ta braktisin, qoftë për shkak
të skamjes socioekonomike apo për motive
të pastra politike, do të regjistrohet si
një lloj lajtmotivi i krijimeve
artistike e sigurt se “duke lënë një emër/
mes njerëzve të mirë!”, ajo do të kthehet një ditë, eveniment që e ndeshim
edhe te poezia “Lamtumirë”.
Lamtumirë,
Ju apë premtimin
Se nuk ju harroj
E do kthehem me Yllin e parë
Përsëri, e përsëri do kthehem
Këtu në Vlorë
Këtu ku qava si fëmija
I ngrirë mbi tokën me borë.
Lamtumirë,
O
Vlora ime,
Mirupafshim
O
Njerëz të Bardhë!
Poezia: “LAMTUMIRË”, faqe 82.
Por,
siç dihet, për emigrantët sfida e parë është përballja me kapitalizmin i cili
për t’u mbijetuar kërkon përkushtim dhe angazhim, do qasje dhe shqetësim të
pareshtur, ku do të kalohen net të tëra pa futur gjumë në sy ashtu siç është
shprehur poetja në mënyrë artistike.
Më ka braktisur gjumi
E shpirtin kam trazuar
Sa kohë kështu më humbi
Nën ritme të trishtuar!....
Poezia: “NËN RITME TË TRISHTUAR”, faqe 18.
Ti më fale çdo braktisje,
Si s’më fali askush tjetër,
Nuk të lodhën vite – pritje,
Poezi – mikesh’ e vjetër!
E kjo
dhunti, që autorja e emërton “poezia”,
do t’i shfaqet edhe atëherë kur ajo nuk e pret, duke e ngushëlluar, duke e
mikluar apo thjesht duke e inspiruar si një frymë hyjnore për të shkruar poezi.
Ti më shfaqesh kur s’të pres
Si dikur më merr përdore.
Shpresëshuarën ma ndez
Poezi frym’ engjëllore!
Nga poezia: “POEZI, MIKESHË E VJETËR”, faqe 15-16.
Jeta
dinamike, ngjarjet e ngjeshura, beftësia,
ngarendja pas punës, sigurisht se do ta lodhë e dremitë mërgimtarin, por është
poezia ajo që do t’ia ripërtërijë
shpirtin, tamam si një ilaç shërues përplot rezultate inkurajuese.
Na rrëmben er’ e mërgimit,
na çon botës anembanë!
Emrat të mos i marrë harrimi
Këto mesazhe
sikur janë më të tejdukshme dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në konceptin dhe ndërtimin
e poezisë së Mimoza Hametaj, e cila
regjistroi me zell e kujdes gjithë ato segmente që ndodhen përreth saj me të
gjitha elementet e humanizmit e të njerëzores “për Atdheun e
largmbetur?!”, të vëna më shumë në shërbim të të tjerëve,
në shërbim të njeriut të zakonshëm, që do t’i bëhen përditshmëri artistike e
krijimit të saj.
Ah, t’ju mblidhja me frym’ Zoti,
kudo botës anembanë.
E t’ju thosha fjalë që moti:
"Bashkë, çdo punë na vjen mbarë!"
Nga poezia: “BESIMIN DIKU TRETUR”, faqe 19.
Te
poezia “Elegji” ka përshkruar më me
ndjenjë një moment tjetër edhe më të trishtuar, qoftë si një ëndërr që i paska
ndodhur asaj kur gjyshja e paska lënë vetëm “Në
një vend të huaj/ djegur nga malli”.
Këto
prekje lirike, herë – herë freskuese me ndonjë element erotik, bëhen sikur të
jetë pjesë e jetës në rrethanat e reja në emigrimin e ri, “Dikur më puthje ti pareshtur.../ Ditët na dukeshin si
orë./ Tani gjithçka mes nesh ka heshtur,/ Të etshëm dikur si dashnorë...”, (poezia
“DIKUR”, faqe 23), ndërsa elementi lirik që është më i
pranishëm duket ca i sforcuar, që nënkuptohet si një mjet i domosdoshëm për të
përmbysur zymtësinë që mund ta ketë kapluar: “Ike të flesh.../ Pa më thënë “natën e mirë!”/ Pa një puthje, pa një
buzëqeshje.../ Fillikat në shtrat, si qiri i ngrirë.../ Nata e trishtuar, qan
në heshtje...”, (poezia “PA NATËN E MIRË!”, faqe 25), ose në të kundërtën
për të shprehur mallin për atdheun si një nënqeshje ironike e ilustruar me
vargje poetike siç janë vargjet: “Me ty
mësova ç’ishte zhgënjimi,/ Të dija t’urtë, po ti qenke ndryshe!/ Në rrug’
shtegtimi, po ik tani,/ Po, jo të kthehem si dallëndyshe!”, (poezia
“ZHGËNJIMI”, faqe 32).
Ka mbi
një dekadë që poezia e Mimozës është
rikthyer duke bërë një rivitalizim të jetës së saj. Poezitë e saj na janë të njohura, sado me rënie a
ngjitje, ajo gjithmonë është aktive duke u shquar edhe me prozën e shkurtër si
një emër që duhet besuar, e pse jo edhe për ta kërkuar.
Poezia
e Mimozës është dalluar edhe për
sharmin dhe elementin lirik, për ndjenjën dhe afrinë që tregon për njeriun, për
mikun dhe dashamirët e shumtë: “Me
heshtjen time qetë – qetë,/ E shkas un’ ujin nën rrogoz,/ Jam dhe nuk jam
shqiptar vërtet,/ S’ka rëndësi! Me emrin loz!”, (poezia “ANONIMI NË MËRGIM”,
faqe 26). Ajo është marrë intensivisht me çështje integrimi dhe
humanizmi, prandaj te kjo autore kjo përditshmëri sikur i ka lënë gjurmët e
tejdukshme në poezinë e saj: “Jam anonim!
Ndihem i lirë!/ Kur duhet bëj edhe “kritika”,/ Pak shqiptar “i mirë” të dukem,/
Mbi i – të dhe unë i vë ca pika!” (poezia që cituam, faqe 26), ose në
rastin tjetër shprehë një dhembje, një “Ankth
për miqtë”, (në New York), pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001, atëherë kur
ploja dhe tymi jo që tronditi botën njerëzore, por i mbushi ekranet televizive përplot
helm e urrejtje ndaj njëri – tjetrit. Ajo si grua, si poete, po më shumë si
humaniste që ishte do të trandët nga gjithë kjo urrejtje që plasi në njërën
anë, si dhe në anën tjetër edhe për miqtë dhe të njohurit që i kishte atje:
Qytet në tym dhe flakë,
Gurë që fluturojnë në qiell,
Tmerr, dhimbje e gjak.
Bota këlthet e tronditur,
Radioja, televizioni s'pushon,
Të pafuqishëm jemi, të topitur,
Tmerri i goditjeve... vazhdon.
Me dhimbje dhe ankth po jetoj,
Të gjithë, janë vëllezërit tanë,
Dua me shpirt t’i ndihmoj
Nuk di si t’u gjendem më pranë.
Me zemrën që rreh e shqetësuar,
Përtej oqeanit kujtoj miqtë e mi,
Telefonoj, telefonoj pa pushuar...
Përgjigje nuk marr? O Zot! Ku janë strehuar??...
Poezia: “ANKTH PËR MIQTË”, faqe 79.
Padyshim
këto elemente janë të regjistruara mirë dhe me kujdes, ku më shumë, e ku më pak
i gjejmë të skalitura në planin artistik. Sidoqoftë autorja regjistroi jetën e
saj, jetën e një gruaje në mërgim siç është vetë Mimoza, e cila pranoi se shkroi cikle të tëra për jetën e saj, për
punën e vet dhe për një rreth e shoqëri më të gjerë.
Me dhjetëra herë kënduar kam për miqtë,
Mendimet pa ata do ishin... shkret,
Dhe emër nuk do kishte asnjë ditë,
E mekur do të ndihesha dhe vet.
Mu gjendet afër sa herë qava hidhshëm,
Dhe unë ju ndrita, diell në kohë me shi,
Shihemi rrallë me dinjitet të hijshëm,
Pa shumë fjalë, por plot me dashuri.
Poezia: “MIQTË”, faqe 87.
Sot,
emrin e saj e ndeshem nëpër antologji, gjithashtu në mediat dhe shtypin italian.
Por, Mimoza nuk i dha detyrë vetes të
bëhet poete, mendojmë se poezia shkoi pas saj. Edhe pse kjo poezi, kryesisht e
mbetur dhe e shkapërderdhur nëpër gazeta e faqe interneti, tamam ashtu si është
jeta dhe realiteti i emigrantëve të shumtë. Poezia, në kuptimin më simbolik të
fjalës, mbetet një përfaqësuese dinjitoze e kësaj hamendje a trandje rrugëve të
botës ku në njëfarë mënyre ka arritur ta shprehë te poezia “Baladë e parasë”, pasi “u bë
paraja lëvizja e jetës”, duke cytur një proces ku “Jeta e humbi kuptimin e saj”, për ta saktësuar edhe më këtë mendim
po citoj tre vargje të tjera të kësaj poezie ku pasqyron elementin më tragjik
të fenomenit “interes” që: “I mençur” ësht’ kush ka më shumë para,/ Paraja
ujin ngre dhe bën çudira,/ Për ca para dhe vëllai s’është më vëlla!”, (poezia
“BALADË E PARASË”, faqe 35).
Poezia
e Mimoza Hametaj, sidomos kjo që
përfshihet brenda këtij vëllimi poetik sjell me vete brumin e një ndjenje të
ndrydhur prej vitesh, dhe jo rrallë ajo ushtin si një murrlan i fuqishëm, i
cili ka ngritur emocione artistike me ndjenja të shumta përjetimesh e sakrificash,
ku më shumë se malli i saj “Dimërsohet
Shqipëria!”. Nga kjo gjendje, nga ky hall, poezia i doli
herë e kulluar e herë paksa më e shqetësuar, herë naive e herë më lirike.
Jam këtu, ti nuk më sheh,
Fluturoj, si zog mbi re.
Do qëndroj tani mbi degë,
Ku i çel lulet një shegë.
Poezia: “JAM KËTU...”, faqe 41.
Dhe,
ku më shumë e ku më pak ka pasqyruar jetën e saj si një mërgimtare e paepur, e
cila vazhdimisht punoi e gjallëroi për veten dhe të tjerët, duke dhënë
ndihmesën e saj në shumë fusha e lëmi përkatëse, duke zgjedhur e afruar rreth
vetës një shtresë elite intelektuale, qofshin këta bashkëkombës të saj apo të
vendit të ri ku ajo (me, apo pa dashje),
e bëri atdhe të dytë.
Jam këtu, ti nuk më sheh,
Ku argjendin Hëna derdh.
Bukuritë ia mbledh natyrës,
Shpirt e sy ia bëj pasqyrë.
Poezia e njëjtë, faqe 41.
Gjithsesi
kjo përmbledhje poetike, sado modeste, artikulon më mirë zërin e saj si
krijuese me një sensibilitet dhe me një motiv të stërholluar lirik: “Ta dish sa të kam pritur!/ Tani sa bëmë
takim/ Kthehem për të ikur!...”, (poezia “BINJAK I SHPIRTIT”, faqe 42).
Natyrisht
poezia e saj vjen e brishtë, ashtu siç është e brishtë natyra e saj njerëzore
dhe vendosmëria e paepur për të realizuar premtimin e dhënë siç do ta gjejmë te
poezia “Nëse”, ku paraqet një
binjakëzim të fatit në mes Vendlindjes dhe Njeriut që e ka dashur: “Tre male kam për të kaluar./ Te ti në fund
do të arrij,/ Më lër të çlodhem përqafuar!”, (e
shkruar në Vlorë, në muajin prill 81). Një ndjenjë kaq humane, gjithmonë në përpjekje për të jetuar e mbijetuar, është
arsyeja pse ajo gjithmonë ka triumfuar, ashtu siç duhet të ecën më pastaj edhe
poezia e saj, sepse ajo sot ka hedhur farën dhe “Pasardhësit tanë do vijnë,/ Por ç’ka do të vjelin?!”, sikur as ajo
vet nuk e di?!...
Këto marrëdhënie
a raporte që i theksuam si elemente të poezisë së saj, sillen ndër dijen e
secilit lexues të zakonshëm, që mund ta njohë autoren, apo thjesht nga të
gjithë ata që përjetuan mërgimin si plagë a si realitet.
Dashuria ime,
Ende s’ka fytyrë,
E paprekshme,
Si ajri, pa ngjyrë.
Poezia: “ENDE S’KA FYTYRË faqe 48.
MimozA Hametaj, pas emigrimit në Itali do të vitalizojë muzën krijuese, të cilën me sukses
e vë në shërbim të interesit të saj personal dhe në shërbim të bashkatdhetarëve
të saj të shumtë që jetojnë e gjallërojnë anë e kënd Italisë e mbarë Evropës. Dhe,
jo krejt rastësisht ajo poezinë e saj e mbyll edhe me nota pesimizmi a
trishtimi se jeta: “S’qe Parajsë e
premtuar, por Ferr i vërtetë – një jetë e mohuar”.
Prandaj
shprehemi se ardhja e këtij libri simbolik, jo që rikthen fatin e nëpërkëmbur
të një emigranteje, e cila në mënyrë lakonike bashkëbisedon me Hënën, madje
rrëfehet para saj se: “Jam mënjanuar veç
nga gjurulldia,/ S’kam afër as baba,
as nënë,/ Shoh vetëm ty karshi, që
nga shtëpia”, (poezia “UNË DHE HËNA”, faqe 59), por ky libër
simbolikisht ka rikthyer në tryezën e diskutimeve fatin e krijuesve të privuar
e diskriminuar nga diktatura që tashmë atë kohë e kujtojnë vetëm si dhembje që
i takon një epoke që nuk do të rikthehet më, pasi “Dikush na ishte një herë President/ Dhe tani është askush”.
Pikërisht
poezia e Mimoza Hametajt, ka këtë
synim: Të përshkruaj dhembjen (qoftë në
veten e parë njëjës), të shpreh
triumfin dhe arritjen e saj, sepse ajo (poezia),
na vjen e çiltër ashtu siç hapet dielli pas një shiu e stuhie, pas përplot
tërmetesh e katrahurash të pafundme, me një fjalë: “si vet jeta e njeriut të zakonshëm?!”. Në këtë rast i japim të
drejt asaj kur mendon se vetëm fizikisht jeton larg tyre ngase ajo përherë
kthehet në “Bjeshkët e Vendlindjes”
të cilave iu ka kushtuar edhe këngë: “Siç
i dua këngët labe,/ Si dallgë deti që më vijnë”, po “Dua çifteli dhe valle,/ Bjeshkt’ e larta të Kelmendit!”, sepse
vetëm “Tek epik’ e lahutarit,/ Ulen zanat
pranë meje”, shkruan ajo; (Poezia “KËNGËT E BJESHKËVE”, faqe 56), ose më mirë do të ishte që ta ilustrojmë me vargjet e poezisë “Dhimbje pa lot”, poezi kjo që mbart tërë
ndjenjën, dashurinë dhe mallin e poetes për Vlorën - Vendlindjen e saj dhe
përgjithësisht për Nënën Shqipëri!...
Si mund të rri pa ju kaq gjatë
Nga kjo dritare miqtë e mi?
E gjeta një moment të artë
T’ju përshëndes me dashuri.
Kam ardhur prapë tek Vlora ime,
Fytyrëvrarë, dhimbje pa lot.
Rroba çngjyrosur, ngjyrë përhime
Dhe deti që më pret më kot.
Por dhe kështu ka nxjerrë një sisë
Prej saj po pi dhe marr fuqi.
Si mund të rrimë larg Shqipërisë
Të ngrohtës, të shtrenjtës shtëpi?
Poezia “DHIMBJE PA LOT”, faqe 57.
Disa
prej këtyre elementeve që i theksuam më lartë, dhe shumë të tjera që nuk arritëm
t’i përmendim, i gjejmë edhe në tre ciklet e fundit të këtij libri, në të cilët
autorja shkruan më me guxim edhe për fenomenet që pak a shumë ishin si paradoks
për t’u trajtuar, sidomos për natyrën e femrës shqiptare. Kurse një tablo e
tërë iu kushtohet njerëzve, të dashurve dhe të afërmve të saj duke kryer një
lloj borxhi që ajo ka mundur se e ka për të gjithë të njohurit e farefisin e
saj. Por ky lloj borxh te Mimoza merr një transformim estetik, pasi Ajo këtë e
bënë nëpërmjet vargjeve dhe poezisë.
Dhe,
për përfundim mendojmë se poezia e këtij libri është vet jeta e autores. Jetë
përplot rreze shprese, përplot kurajë e ndjenjë lirike, që na detyron t’i besojmë
Autores se poezia, veçmas ndjesia
lirike kaq e pranishme që shtrihet brenda këtij libri, është vet artpoezia e saj, kushtuar NJERIUT të zakonshëm.
Zvicër, Verë 2009.
SHËNIME
PËR AUTORËN
Mimoza Hametaj u lind në Vlorë,
më 10 maj 1960. Në vendlindje ka mbaruar
gjimnazin "Ali Demi"
e më pas edhe infermierinë në Institutin "Jani Minga” të Vlorës.
Emrin
e Mimozës si poete e kemi hasur në
konkursin e parë kombëtar të fjalës artistike në Radiotelevizion që në vitin
1975, si recituese e poezisë së krijuar prej saj, ku zuri vendin e dytë. Më pas
si gjimnaziste ajo përgatiste tekstet e shfaqjeve humoristike për ballon e Vitit të Ri.
Pas
një ndërprerje të gjatë, (dhe vetëm pasi
ka emigruar në Itali), ajo i rikthehet shkrimeve letrare, ku merret me prozë
dhe poezi dhe si rezultat i këtij angazhimi është ky libër që po i prezantohet
lexuesit shqiptar. Mimoza është e
prezantuar në disa panorama dhe antologji, por emri i saj kohëve të fundit më
tepër është aktual në shtypin italian, përkatësisht në rubrikën “Vitrina e poetëve”.
Përveç
anës letrare Mimoza Hametaj e gjejmë si pjesëmarrëse në një mori
ekspozitash të arteve figurative, që zhvillohen në Itali dhe janë
vlerësuar mirë krijimet e saj, sidomos në artet aplikative.
Mimoza Hametaj, nga viti 1993 – 1996, e ndeshim nëpër organizata vullnetare dhe të
humanizmit si në "Opera pia Grimari
Butari" në Osimo etj., kurse nga viti 1998 është marrë me mediacion në
ndërmjetësimin e kulturave, duke ndihmuar e koordinuar shërbime sociale për
emigracionin e atjeshëm. Në vitin 2000 inicioi dhe themeloi shoqatën "Qytetarët
e Botës" ku zgjidhët presidente e saj,
kurse njëra nga iniciativat e para të kësaj shoqate ishte
promovimi i “Sheshit të Paqes” në
Prishtinë, që do të mbaj emrin e humanistes shqiptare “Nëna Terezë”.
Mimoza Hametaj, bashkë me dy vajzat jeton në Ancona të Italisë.
Sh.Dibrani