Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Ndërgjegja e tërbuar
E hene, 13.07.2009, 07:23 PM
Ndërgjegja
e tërbuar
Mehmetali Rexhepi
Sarë GJERGJI: “Terapia e vdekjes -
rekuiem për Kosovën”
Poeti nga Stublla e Don
Mikel Tarabulluzit, Sarë Gjergji pas dy librave me vjersha, doli me vëllimin e përzgjedhur e të plotësuar edhe
me ndonjë vjershë të re të titulluar “Terapia e vdekjes - rekuiem për Kosovën”.
Përpos aspekteve artistike, vëllimi do të duhej të zgjonte interesimin dhe
kërshërinë e lexuesit edhe për dy arsye: ngase si vëllim poetik përuron,
ndoshta jo i pari, por ndër të parët bibliotekën “Metafora”dhe, gjithsesi
edicionin botues të botimeve “Martin Segoni” të Qendrës së Pavarur
Kulturore të Gjilanit. Nismat e tilla kanë peshë për kulturën letrare dhe
gjallërimin e amullisë tek ne.
Fjalori poetik i
vjershave të këtij vëllimi të përzgjedhur, pasqyron poetikisht gjithkohësinë e
mynxyrave të fatit njerëzor. Sepse “Marshi i Kryqësimit” vijon dhe
assesi t’i ndalet galopi këtij marshimi marramendës, gjakatar e trishtues që
përplaset mbi etninë e poetit:
“I lindur para Krishtit
në Siujdhesën Ilirike”
“dhe askush asnjë fjalë
më falni se disa thonë “asgjë”
Kësaj indiference
idiotike të ruajtësve të rendit të “vlerave të larta njerëzore”, poetit
në pamundësi, nuk i mbetet armë tjetër për zhdavaritje, pos satirës së fortë
dhe ironisë së hidhur për vlerat e rreme të qytetërimit:
“ai që moti e njeh
marrëzinë e kafshëve”.
Në poezinë bashkëkohore
shqipe kemi tipin e vjershës së sublimuar në maksima ose urti sikurse te Ali Podrimja:
“Në jetën time aq fort më deshtën
shtazët
sa mall pata të shoh
fytyra njerëzish.”
Një tip i tillë vjershërimi haset edhe në këtë
libërth vjershash të Sarë Gjergjit, si në dyvargëshin e vjershës “Ndërgjegja”:
“E ulur në poltrone
i bënë homazh vetës”
Këtu kemi të ngërthyer
një refleks shpërthyes satirik, rebusi i ndërgjegjes është i tejdukshëm, si
busollë e përvojës sprovimeve të mynxyrshme, kthyer si vlerë për orientime në
jetë e krijimtari.
Poezia i shërben poetit
për t’ia mbjell qëndresën e pathyeshmërinë brezit të ri në vjershën “Prolog”,
kushtuar të bijës, Jehonës, edhepse:
“Sot prerje hartash bëhen
pilatë të rinj dhe
profetë të rrejshëm...”
Poeti shkruan se vetëm “me
zjarr promethean në shpirt”, do të mund të mbijetonin brezat e etnisë.
Në figurën e Prometheut është identifikuar etnia, prore e denuar të ecë
zgripseve të historisë.
Figura e urryer mitike e
Pons Pilatit është shkruar me shkronjë të vogël, ngase ky emër i përveçëm,
simbol i krimit të gjithkohshëm, i shumëzuar, u shndërrua në emër të
përgjithshëm, që përtrollitet në realitetin e etnisë sonë me plagë të
pashëruara të pilatëve serbë, të cilët do ta tmerronin edhe vetë Pilatin për
krime e perverzitete dhe fshehje të tyre.
Aspektet etike dhe e
shëmtuara si kategori estetike, fillim e mbarim e përshkojnë këtë libër.
Krimi prodhon shëmtinë e
dhimbjen dhe provokon ndërgjegjen. Ndërgjegjia është konceptuar si lajtmotiv
dhe është strumbullari rreth së cilës mbështillet e thuret ideja qendrore e
kësaj etike poetike. Përmes konceptit ndërgjegje, që nuk është gjithaq poetik,
poeti mëton shtendosje të tendosjes, e cila ka arritur pikën kritike të vlimit,
me gjasa të mëdha të përvëlimit dhe viktimizimit…
Ndërgjegja paraqitet në
variante, qoftë si poltronizëm dhe, assesi nuk bën të përkufizohet si synim i
vetëm i barkut, ose si pyetje etike e Jezuit:
“me ndërgjegje të vrarë a jetohet?”
Komunikimi me Krishtin,
Pal
Engjëllin,
Sokratin,
Platonin,
Shën
Jeronimin, Niketë Dardanin, Pjetër Bogdanin, Odhiseun
është një komunikim me sprovat e urtisë dhe strehim i besimit në forcën
shpirtërore të njeriut perëndi.
Trashigimtarë ironik të
kësaj fryme etike, të përvetësuar, madje të identifikuar nga më tepër se gjysma
e qytetërimit; ky qytetërim që beson, lutet dhe i falet kësaj filozofie, predikon
e premton drejtësi e mëshirë, ndërsa lejon padrejtësi e indiferentizëm, është
sprovë e falsitetit dhe “moral i dyfishtë”, që iriton për
konstelacionin e rremë mbi të cilin ngritet morali i rrëshqitshëm njerëzor. Një
moral i tillë riciklon tragjeditë, duke i përmbysur vlerat, sepse përderisa të
mos veprojë ndërgjegja njerëzore:
“Profetë të rrejshëm
do të ketë
dhe judë të rinj”
Poeti dhe njeriu, Sarë
Gjergji është i preokupuar me dialektikën e riciklimit të dhunës, përvijimit të
kryqësimit, rrëzimit e përdhosjes së simboleve të urtisë nga “mëkatarë
dhe injorantë”, të cilët historinë do ta shkruajnë me dhimbje e
tragjedi njerëzore.
Kështu do të ndodh edhe
pas miliona lutjesh dhe citimesh të Librave të Shenjtë, qysh prej përhapjes së
dritës ungjillore nga Shën Jeronimi dhe, njeriu assesi të bëhet paqësor, madje siç
citon poeti “do të përsoset gjenocidi”.
Mungesa e ndërgjegjes e
riaktualizon mesjetën dhe, pohimi i Tomas Hobsit “Homo homini lupus est”,
është përditshmëri në një pjesë të Evropës së sotme dhe gjetiu.
Poeti është i bindur në
mësimet, besimin e vlerat e forta të filozofisë së mirësisë, megjithatë, heton
dobësitë njerëzore, vetëkënaqësinë e njerëzimit dhe falsitetin e identifikimit
në vlerat e shenjta për qëllime të ulëta pragmatike. Ky poet poezisë i cakton
funksionin e demaskimit dhe të ruatjes së fisnikërisë burimore. Kjo poezi është
grishje për t’i dalë ndesh krimit të shfrenuar, qoftë mbi një etni ose mbi çdo
njeri.
Nga tëra katandisjet,
poetikisht konstatohet se lakmia, epshet e makutëria i kanë dhënë dorë krimit,
në emër të sovranitetit ose me ndonjë alibi tjetër, duke i futur njerëzit nëpër
shtretër të Prokrustit dhe, as predikuesit e etikës e të filozofisë biblike e
kuranore, nuk i frenuan e zbutën dot shfrenimin e teket e diktatorëve të lashtë
e modernë, ngase:
“Bota ka rënë në gjumë
mos u tundo të lutem…”
Sa herë përgjumet e
mbyllet në geton e egoizmit njerëzimi, Sarë Gjergji me metafora troket në dyer
të Evropës e më gjerë me besimin se do t’i hapen, sepse brenda atyre dyerve
ngërthehet ndjeshmëria ironike e Profetëve dhe gjasat për shpëtim.
Ndoshta, rishpalosja e
atyre fijeve të këputura, për kthim borxhi Shqipërisë kastriotike që i ngriti
digën, pos vërshimit të osmanëve mbi gjeografinë arbërore, edhe paprekshmërisë
shpirtërore të Krishterimit.
Pamundësia për ta
rregulluar jetën njerëzisht dhe, për ta shpëtuar nga krimi, për të satën herë e
shpie këtë poezi tek i vetmi ngushëllim, te Krishti, të cilit i drejtohet me
brengë në shpirt: “ç’të bëhet me ndërgjegjen?”
Pyetja ngërthen thirrje
e provokim njëkohësisht për sferën shpirtërore: ka a nuk ka forcë Perëndia edhe
tash, për parandalimin e shërimin e tërbimit të ndërgjegjes njerëzore?!